Tre studentë kosovarë pjesë e ekspozitës “Beyond Peace 2018 DMZ Art & Design” në Kore të Jugut

Tre studentët nga universiteti “Kosovo Art Academy” kanë arritur të bëhen pjesë e ekspozitës “Beyond Peace 2018 DMZ Art & Design” në Kore të Jugut duke përfaqësuar artin kosovar me punimet e tyre, shkruan KultPlus.

Artistja Fazile Berisha, ka aplikuar me dy posterë të temës ekologjike të titulluar “Hazardous Field” dhe “Hazardous Planet”.

Studenti Bajram Sylejmani, ka aplikuar me një poster të temës ekologjike të titulluar “Green Energy” dhe studenti tjetër Besnik Rexhaj ka aplikuar me dy posterë të temës ekologjike të titulluar “Day of the better planet” dhe “Day of the dead planet”.

Vlen të theksohet se të lartpërmendurit sapo kanë mbaruar studimet e vitit të I-rë në Kosovo Art Academy në departamentin e Dizajnit grafik dhe Multimedias të udhëhequr nga prof. Rrezeart Galica.

Ekspozita ndërkombëtare “Beyond Peace 2018 DMZ Art & Design” është iniciuar menjëherë pas pajtimit të dy Koreve, asaj Jugore dhe Veriore.

Organizuar nga komuniteti i dizajnerëve, në esencë kjo ekspozitë ka pasur disa kategori tematike si: Paqja, Uniteti, Liria dhe Ekologjia.

Në thirrje ishte dhënë shpjegimi se Koreja e Jugut, e cila është thurrur nga 155 milje tela me gjemba për 65 vjet pas marrëveshjes së armëmbajtjes në vitin 1953, tani duhet të heq telat me gjemba dhe të gjejë formën e saj origjinale. Duke theksuar se imazhi që dizajnerët duhet të japin anembanë botës është për të mirën e unifikimit të Koresë.

Selektimin e punimeve e kanë bërë Hwang Mansok dhe Byoung II Sun, profesorë në universitetet e artit në Seul.

Ekspozita do të qëndroj e hapur për një muaj dhe gjithashtu do të rihapet në disa qytete të Koresë Jugore./KultPlus.com