BKK-ja nis shpërndarjen e librave për bibliotekat publike dhe shkollore

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka nisur një iniciativë të re për të mbështetur rrjetin e bibliotekave publike dhe shkollore në të gjithë vendin. Shpërndarja e librave ka filluar me kontigjentin e ri që përfshin 87 tituj dhe 1097 ekzemplarë, të cilët janë përzgjedhur nga fondi i Shtëpisë Botuese “Rilindja”.

Këto libra janë kryesisht literaturë e rekomanduar për nxënësit e nivelit parauniversitar dhe kanë për qëllim pasurimin e koleksioneve të bibliotekave lokale dhe shkollore. Pjesë e kësaj shpërndarjeje janë dy botime të veçanta me vlerë të madhe historike dhe kulturore:

Kujtesa e Kosovës: Rrëfime të 100 pleqve e plakave të Kosovës

Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe

Bibliotekat e Suharekës dhe Rahovecit kanë qenë të parat që kanë pranuar këtë kontigjent, ndërsa shpërndarja do të vazhdojë në javët në vijim në të gjitha komunat e tjera të Kosovës. Librat do të dërgohen nga bibliotekat komunale në bibliotekat e shkollave, duke kontribuar në përmirësimin dhe pasurimin e koleksioneve ekzistuese, transmeton KultPlus.

Ky është një hap i rëndësishëm në përpjekjet për të siguruar akses të barabartë në literaturë dhe për të mbështetur zhvillimin e edukimit dhe kulturës në gjithë territorin e Kosovës./KultPlus.com

Krijues nga diaspora bashkohen në “Promenadë mërgimtare”

Edhe sivjet, në kuadër të takimeve tradicionale të krijuesve nga mërgata dhe diaspora, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë u mbajt ora letrare “Promenadë mërgimtare” me krijues e shkrimtarë nga diaspora.

Ky aktivitet u organizua nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, në bashkëpunim me Lidhjen e Krijuesve Shqiptarë nga Mërgatës.

Aktiviteti letrar nisi me një minutë heshtje për nder të figurave të njohura të artit, politikës e kulturës që më nuk janë në mesin tonë – Adem Demaçi, Bekim Lumi, Ragip Syla dhe Sulejman Lokaj. Këtë aktivitet letrar, i shndërruar tashmë në festival poezie, e hapi kryetari i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë të Mërgatës, Hasan Qyqalla.

“Jemi mbledhur rreth bërthamës së artit, meqë kujtoj se është forma më e përkryer e reflektimit të identitetit dhe kulturës sonë kombëtar dhe intensifikimit në mjediset ku jetojmë”, tha Qyqalla.

Në emër të Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, zv.ministri Faruk Nura tha se diaspora nuk kishte vetëm krijues, por kishte njerëz të të gjitha profileve që iu deshën atdheut tonë kur ishte në ditët më vështira.

“Do t’i keni dyert e hapura dhe do të trajtoheni si njerëz tanë, sepse jeni në vendin tuaj”, u shpreh Nura.

Në emër të kryeministrit Haradinaj, një fjalë rasti e mbajti edhe këshilltari i tij politik, Halil Matoshi.

Në këtë aktivitet u promovuan shumë tituj librash, ndër ta: katër libra të Rexhep Jasharit; vepra poetike e Mentor Thaçit “Trungu”, “Çështja shqiptare në shtypin kroat”, i autorit Murat Ajvazi etj.

Festivali poetiko-letrar do të vazhdojë edhe pasdite, me orën letrare, e cila do të ketë karakter garues./KultPlus.com