“Bini” i Erblin Nushit fiton çmimin e audiencës në Anna Polis Film Fest

Filmi “BINI”  i regjisorit Erblin Nushi ka fituar çmimin e audiencës për “Filmin më të Mirë të Shkurtër” në Anna Polis Film Fest, shkruan KultPlus.

Këtë lajm e ka bërë të ditur vetë regjisori Erblin Nushi në një postim në Facebook.

“ Kjo është fitorja jonë e katërt dhe çmimi i dytë i audiencës, që do të thotë shumë për mua, sepse arti që krijoj duhet të shihet nga audienca dhe pastaj  t’i prekë ata”, ka shkruar Nushi në postimin e tij.

“Bini” bazohet në ngjarje të vërtetë. Erblin Nushi ka qenë 6-vjeçar kur shpërtheu lufta në Kosovë. Filmin “Bini” e ka realizuar si punim diplome. Ai ka kryer studimet bazike për film “George Mason University” në Fairfax të Virginias në ShBA, ku është zhvendosur bashkë me familjen më 2010.

Në qershor të vitit që shkoi xhirimet i kishte realizuar në Pejë.

Në filmin “Bini”, pos Lurni Krasniqit, në rolin e kryepersonazhit luajnë edhe Artiola Hamdija, Fjolla Nushi, Eshref Durmishi, Armond Morina, Florentina Ademi dhe Elena Shoshi.  / KultPlus.com

Në festivalin e filmit në Washington, edhe një histori e trishtë nga Kosova

Këto ditë, prej datës 6 deri në 16 shtator në Washington DC zhvillohet festivali i filmave me metrazh të shkurtër, një ngjarje artistike që zhvillohet prej 15 vjetësh dhe ku shfaqen filmat më të mirë të këtij zhanri në botë.

Këtë vit, do të shfaqen mbi 130 filma, mes tyre dhe filmi me metrazh të shkurtër “Bini” i regjisorit Erblin Nushi, i cili është dhe një prej finalistëve të “Student Academy Awards”, krijuar nga akademia e çmimeve Oscar, prej vitit 1972, me qëllimin për të përkrahur dhe inkurajuar përsosmërinë në bërjen e filmave në nivel studentor.

Filmi bazohet në një ngjarje të vërtetë, trajton një nga periudhat më të trishta të historisë së Kosovës, shpërthimin e luftës parë nga sytë e një fëmije. Vetë regjisorit në fakt, eksperiencën traumatike të tij dhe familjes së tij. Në një intervistë për Zërin e Amerikës ai flet për filmin dhe karrierën e tij si regjisor./KultPlus.com