Përmes “Na shkoj ftyra”, Fiona Abdullahu shpalosi veçantitë e saj artistike e profesionale (FOTO)

Gili Hoxhaj
Beat Brunch është një koncept i ri në kryeqytet e që po mbledh artistët më të mirë të talentuar nga Kosova dhe më gjerë. Njerëz të fushave të ndryshme artistike nga muzika, moda, piktura tanimë vijnë në një dimension tjetër. Adhuruesit e artit krahas një mënyje me çmim jo dhe shumë të lartë, mund të qëndrojnë në këtë ambient dhe të shërbehen edhe me punën e artistëve që vijnë aty.


Fiona Abdullahu është vetëm 21 vjeçare, por eksperienca e saj në dy shtete të huaja, duket sikur vetëm e ka shtyrë artisten drejt një pjekurie profesionale.

Fiona Abdullahu është artiste e grimit për filma (Movie Make Up Artist). Ajo studimet i ka përfunduar në Paris në “Movie and Tv Makup Academy”, ku edhe ka specializuar. Akademi kjo e njohur për grimer me famë botërore. Vitin e kaluar ajo është kthyer nga Parisi dhe tani merret me filma, seriale dhe reklama të ndryshme. Ajo kishte nderin të punonte me këngëtarin britanez Issac Gracie – Tarrifie, po ashtu punoi në reklamat ndërkombëtare të telefonisë “Huaëei” dhe qëllimi i saj është që puna e saj të njihet në mbarë botën.

Me talentin, ambiciet e përkushtimin në çdo detaj të punës së saj, duket se ky qëllim nuk është larg. Pasioni i saj gjithnjë kishte qenë i gërshetuar mes muzikës, filmit dhe grimit. Fillimisht modelet e para, ku ajo kishte shprehur talentin, janë fytyrat e shoqeve të saj. Trajnimi i saj në Finlandë e studimet në Paris, do t’ia dëshmonin përfundimisht pasionin e saj për grimin, duke ia hapur rrugët edhe drejt filmit. Karakteristika e artit të saj është një lloj grimi shumë unik e artistik kurse inspirimi i vie nga puna e përditshme dhe temat aktuale të shoqërisë. Arti i Fionës në Beat Brunch erdhi me një mesazh të rëndësishëm, sa i përket idesë së saj dhe përmbajtjes që fshihet prapa, por mënyra se si ajo e sjellë përmes fytyrës së modelës, e nxjerrë paska edhe qesharak në dukje.
“Na shkoj ftyra”, është tema që ajo e vizualizon përmes grimit në fytyrën e aktores Rina Krasniqi. Krejt ky mesazh lidhet me eksperiencës e saj personale e profesionale.

“Përmes këtij mesazhi, do ta tregoj një eksperiencë timen kur kam shkuar gjatë studimeve në Paris, unë kam arritur të ndryshoj shumë gjëra tek vetja dhe kjo vetëm falë kritikave që ia kam dhënë vetes, sepse ne si shqiptar nuk e kritikojmë shumë veten por i kritikojmë shumë të tjerët. Ideja është që krejtve na ka shku fytyra kështu që ndryshimi është mirë që të filloi nga vetja”, është shprehur për KultPlus, artistja Fiona Abdullahu.

Ajo ndihet tejet e emocionuar të flas për përvojën e saj para publikut të Prishtinës, e veçmas të prezentoi procesin e punës së saj përmes krijimit të një personazhi që ka tejet rëndësi për të. Ky grim që erdhi sot, e nënkupton ndjenjën e saj pas shkuarjes në Paris, atje ku kishte kuptuar sensin e vërtetë të punës.

“Ky është eventi më i madh i jetës time deri sot sepse kanë me u mbledh të gjithë, do ta shohin punën time dhe do ta shohin punën time për së afërmi. Po ashtu do të mundohem që çdo gjë të rrjedhë në mënyrë shumë spontane dhe jo shumë serioze po gjatë gjithë kohës duke dëgju muzikë, duke vallëzu, duke ngrënë”, tregoi Fiona për KultPlus.

Mes vallëzimit, buzëqeshjeve e muzikës njerëzit ofroheshin tek këndi, ku tashmë mesazhi i Fiona Abdullahut vetëm se po merrte formën e tij në fytyrën e modeles, Rina Krasniqi. Fiona me kujdesin më të madh profesional, përdorte mjetet e saj në çdo vijë që kishte planifikuar. Gjithë ky event i përcjellur me muzikën e Yll Megit dhe Alti’nBeats BEATS (Balearic Deep Guitar).

Ktiaristi Altin Tila kishte ardhur shumë shpesh për të perfomuar në Prishtinë ndërsa tregoi për KultPlus se është tejet i kënaqur që të marr pjesë në këtë ngjarje, për shkak të mënyrës së organizimit dhe vendit ku mbahet. Ai solli një pjesë të krijimtarisë së tij që ai e gërshetoi mes stilesh të ndryshme, në një bashkëpunim me Dj-n.

Po ashtu në këtë ekspozitë, të pranishmit kishin mundësi të shohin dhe t’i blejnë disa nga punimet e piktorit të njohur, Agron Mulliqi. Në kuadër të këtij eventi që vjen pothuajse çdo të diel në Hotel Garden, të pranishmit kanë një menu para-fix, duke filluar me një mimozë, sangri apo ndonjë pije të butë. Zgjedhja e supës ose sallatës si një kurs i parë. Kursi kryesor nga një sërë zgjedhjesh të shijshme, më pas dhe kafe ose çaj. Të gjitha për një çmim të arsyeshëm.

Ideatroi i këtij eventi është Gentian Rizaj, i cili për shumë vite ka jetuar në Amerikë, atje ku edhe e ka hasur për herë të parë konceptin e brunch-it, të cilin që nga atëherë ka dashur ta sjellë edhe në Kosovë. I inspiruar nga puna e babait që është koleksionar i madh i artit, e studimet e tij në fushën e turizmit, ai ka gërshetuar të gjitha këto përmes këtij organizimi që po zgjon mjaft interesim.
“Unë kam organizuar shumë bruncha që është koncept mes mëngjesit dhe drekës, unë kam jetuar për dhjetë vite në Amerikë dhe kjo është shumë e njohur atje. Gjithmonë kam dashur që ta sjellë edhe në Kosovë por kurrë s’kam gjetur lokacionin e duhur që më është përshtatur, kur kam ardhur në “Garden”, e kam parë që vendi është ideal”, ka treguar Gentian Rizaj.

Ai tutje për KultPlus shpjegoi që përmes synimi i Beat Brunch është që të mbledh artistë të vjetër dhe të rinj te të gjitha fushave.
“Dera është e hapur për të gjithë artistët e Kosovës, rajoni dhe botës. Ideja është që këtu të vijnë edhe shokë të vendeve të ndryshme të botes”, është shprehur Gentian Rizaj.
Evente të tilla mbahen çdo të diele në “Hotel Garden”, duke filluar nga ora 12:00 deri në ora 18:00./ KultPlus.com