Dalin datat e turneut me hologramët e Buddy Holly dhe Roy Orbison

Datat e koncerteve në SHBA dhe Kanada me hologramët e artistëve të ndjerë Buddy Holly dhe Roy Orbison tashmë kanë dalë.

Turneu i quajtur “Turneu i Ëndërrave Rock & Roll” ishte paralajmëruar muaj më parë nga kompania që e ka organizuar atë, BASE.

Ai do të nisë më 19 shtator në San Francisko për t’u përmbyllur më 20 nëntor në Toronto.

Në këto koncerte do të performojnë një bend live, këngëtarët ndihmës si dhe do te degjohen zërat e masterizuar të hiteve më të mëdha të të dy muzikantëve.

Regjisori i këtyre dy hologramëve, Eric Schaffer, ka pohuar se një gjeneratë e re fansash të të dy këngëtarëve do ta kenë mundësinë t’i shohin si kanë qenë në të vërtetë.

Në internet është publikuar edhe një klip se si do të duket Buddy Holly, i cili shfaqet ai i vitit 1957 me një kostum të kaltër dhe syzet e tij karakteristike.

Ata i kanë ngjyrosur rrobat e tij pasi që në atë kohë, incizimet e Holly-t janë bërë bardh e zi.