“Gruaja e veshur me kostum ilir”, detajet etnografike të gjetura nga arkeologu Burhan Dautaj

Një objekt tjetër interesant, ku mjeshtri është frymëzuar nga mjedisi e kostumet vendase është “Gruaja e veshur me kostum ilir” ose “Gruaja nga Dimali”, origjinali i së cilit ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Qendra Kombëtare e Muzeumeve, (Berat) në një material që shkruan artefakte të nxjerra në dritë, thotë se ky objekt i përket shekullit III e II p.k. i gjetur në qytetin e Dimalit, në gërmimet që u bënë në 1963 të drejtuara nga arkeologu Burhan Dautaj.

“Në këtë bust menjëherë bie në sy elementet e detajet etnografike, kushtuar ndoshta ndonjë hyjneshe ilire sipas arkeologut Burhan Dautaj”, thuhet nga QKMB, që ka publikuar dhe foto të këtij objekti. Gruaja ka veshur linjë me mëngë të shkurtra  të qepura me tegel të trashë që mendohet të jetë gajtan, me jakë ku në pjesën e parme është e hapur në formë trekëndore dhe e kapur në supin e djathtë me një karficë (broshkë). Sipër ka një petk që mbulon gjoksin, deri nën bel. Brezi i shtrënguar krijon pala të dukshme. Elementi i tretë është një pelerinë e trashë, material leshi, hedhur mbi kokë e vjen deri në shpinë që ngjan me llabanen e Labërisë.

Profesor Burhan Dautaj njihet si zbuluesi i dy qyteteve të Ilirisë së Jugut, Dimalit në qarkun e Beratit dhe Olympes në Mavrovë të Vlorës. Ai ishte pjesëmarrës i dhjetëra ekspeditave të tjera të zhvilluara në zona të ndryshme arkeologjike në vend. Gërmimet e mirëfillta arkeologjike që bënë të mundur identifikimin e qyteteve antike të Dimalit dhe të Olympes, janë kryer gjatë viteve 1960-1980 nën drejtimin e tij dhe bashkëshortes së tij të ndjerë, shkencëtares Aleksandra Mano.

Ata me përkushtim kanë nxjerrë në dritë pasuri për historinë antike dhe të lashtë në territorin shqiptar. Kontributi i profesor Dautajt në lëmin e shkencës së arkeologjisë është tepër i vyer. Ai deri në fund të jetës së tij nuk rreshti duke punuar dhe drejtuar arkeologët e rinj për të punuar për zbulimet e reja./Sot/ KultPlus.com

Vdes Burhan Dautaj, arkeologu që zbuloi qytetet ilire të Dimalit dhe Olympes

Në moshën 88 vjeçare, është ndarë nga jeta arkeologu i shquar shqiptar Burhan Dautaj. Profesor Dautaj njihet si zbuluesi i dy qyteteve të Ilirisë së Jugut, Dimalit në qarkun e Beratit dhe Olympes në Mavrovë të Vlorës.

Ai ishte pjesëmarrës i dhjetëra ekspeditave të tjera të zhvilluara në zona të ndryshme arkeologjike në vend.

Gërmimet e mirëfillta arkeologjike që bënë të mundur identifikimin e qyteteteve antike të Dimalit dhe të Olympes, janë kryer gjatë viteve 1960-1980 nën drejtimin e tij dhe bashkëshortes së tij të ndjerë, shkencëtares Aleksandra Mano.

Ata me një përkushtim të pashoq kanë nxjerrë në dritë pasuri marramendëse për historinë antike dhe të lashtë në territorin shqiptar.

Kontributi i profesor Dautajt në lëmin e shkencës së arkeologjisë është tepër i vyer. Ai deri në fund të jetës së tij nuk rreshti duke punuar dhe drejtuar arkeologët e rinj për të punuar për zbulimet e reja.

Vite pas zbulimeve të tij Ish Bashkia Ura Vajgurore, sot Bashkia e Dimalit i dha profesor Burhan Dautajt titullin “Qytetar Nderi”.

Pak kohë më parë në një intervistë dhënë RTSH, Prof.Dautaj tha se pengu i tij më i madh sigurisht që mbeti qyteti ilir i Olympes në luginën e Shashicës në Vlorë.

Profesor Burhan Dautaj i kaloi vitet e fundit të jetës në vetmi ndërsa la pas një vepër dhe disa zbulime të rëndësishme arkeologjike të cilat kërkojnë punë, përkushtim dhe kujdes të veçantë nga pasuesit e profesorit të ndjerë i cili tashmë do të prehet në tokën ku gërmoi një jetë për arkeologjinë./KultPlus.com