Skulptorë nga 100 vende të botës, bëhen bashkë për të treguar përballjen e tyre me virusin

Jeta Zymberi

Covid-19 ka ndërruar sistemin e jetës kudo në botë. Por njeriu duke qenë një qenie e përshtatshme ka gjetur format e duhura për të zëvendësuar mënyrat e jetës me të cilat janë mësuar deri sot, shkruan KultPlus.

Artistët, janë ata që kanë shfrytëzuar çdo mundësi për të qenë më afër njerëzve, për të përcjellë mesazhe sensibilizuese e për t’u dalë në ndihmë përmes iniciativave të ndryshme.

Në këtë formë, në stilin e Koncertit të Bamirësisë ‘One World’, artistët vizualë ndërkombëtarë nga 100 vende të botës, po tregojnë mbështetjen e tyre antipandemike me mbrojtjen e tyre profesionale dhe personale.

Tani që pandemia Covid-19 e ka përfshirë botën, duke mos kursyer pothuajse asnjë vend në 5 kontinente, artistë nga afro 100 vende qëndrojnë të bashkuar duke veshur mbrojtjen e tyre profesionale – personale për të treguar mbështetjen e tyre në luftën kundër virusit.

Këta skulptorë profesionistë zakonisht veshin maska ​​çdo ditë për tu mbrojtur nga pluhuri i krijuar nga puna e tyre. Në këtë krizë pandemike, maska e tyre simbolizon mbështetjen dhe vendosmërinë e tyre për të luftuar sëmundjen.

Kjo është një iniciativë e ISSA, International Sculpture Symposium Alliance e cila bashkon ngjarjet e skulpturës në të gjithë botën.

Pjesë e së cilës është edhe skulptori kosovar Butrint Morina. Si pjesëmarrës në më shumë se 10 simposiume ndërkombëtare të skulpturës, Morina ka takuar rreth 100 skulptorë artistë nga vende të ndryshme të botës me të cilët ka punuar e ka kaluar kohë.

Morina ka treguar për KultPlus se përmes kësaj iniciative po vihet në pah edhe më shumë puna e përditshme e skulptorëve.

“Ne si skulptorë në punën tonë të përditshme jemi gjithmonë të maskuar për tu mbrojtur nga pluhuri që krijohet nga puna që bëjmë. Tash për tu mbrojtur nga virusi, të gjithë janë të detyruar, pavarësisht profesionit të përdorin maskën. Të gjithë e kanë rastin ta përjetojnë atë që skulptorët e përjetojnë cdo dite.”

Pothuajse, të gjithë skulptorët pjesëmarrës në këtë iniciative, janë anëtarë të ISSA e cila është një shoqatë ndërkombëtare që promovon aktivitete të ndryshme që kanë të bëjnë me skulpturën, kryesisht simposiume. Skulptorët e paraqitur janë të gjithë artistë profesionistë, me ndikim që së bashku kanë krijuar mijëra skulptura monumentale në të gjithë botën. Jeta dhe të ardhurat e tyre profesionale janë vënë në pritje për shkak të mbylljes së kufijve të fluturimeve ndërkombëtare.

Krejt për fund, Morina ka treguar që ka një kohë që këta skulptorë komunikojnë vetëm përmes rrjeteve sociale, ku vazhdimisht në grupe të ndryshme jepen njoftime për shtyrje dhe anulime të aktiviteteve që janë paraparë të mbahen gjatë kësaj kohe. / KultPlus.com