76 vjet nga gjenocidi grek mbi çamët (FOTO)

Çështja çame dhe përgjithësisht çështja e minoritetit shqiptar në Greqi, lindi me vendimin e Konferencës së Londrës më 1913, e cila e shkëputi këtë trevë shqiptare dhe ia aneksoi atë Greqisë. Që nga kjo kohë fillon një presion i vazhdueshëm, një politikë sistematike e shtetit grek dhe e forcave të ndryshme ultranacionaliste për shkombëtarizimin e kësaj treve.

Për këtë qëllim u përdorën të gjitha mënyrat, si tatimet e rënda, grabitja e tokës, përjashtimi i popullsisë nga pjesëmarrja në administratën shtetërore, ndalimi i dhunshëm i arsimit në gjuhën amtare, madje edhe në shkollat fillore, vrasjet, burgimet, dënimi me dhunë deri në masakrat e përgjakshme.

76 vjet më parë, më 27 qershor 1944, grekët nuk përzunë vetëm shqiptarët myslimanë, por edhe ato familje shqiptare ortodokse, të cilat refuzuan të asimiloheshin nga kisha greke.

Preteksti i gjithë kësaj dhune kafshërore ishte bashkëpunimi i pamëve me forcat nazi-fashiste, hipotezë kjo që është hedhur poshtë edhe nga historianët.

Historiani grek, Jorgos Margaritis, shkruan se, shqiptarët e Çamërisë u rreshtuan në Ushtrinë Çlirimtare Popullore Greke e Shqiptare në shifra rreth 3000 njerëz.

Në fillim të vitit 1944, në Qeramicë të Filatit u krijua Batalioni IV i përbashkët shqiptaro-grek “Ali Demi” me rreth 500 luftëtarë. Batalioni hyri në përbërjen e Regjimentit te XV të Ushtrisë Nacional-çlirimtare greke. Në komandën e tij ishin Spiro Shqevi, Muharrem dhe Tahir Demi, Dervish Dojaka,Vehip Hyso, Ali Shane, Kasem Demi,Izet Osmani. Hasan Minga.

Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, në Çamëri banonin rreth 40 mijë shqiptar të fesë islame. Logjika e thjeshtë na bie të mendojmë se numri i atyre që mund të kenë qenë spiunë të gjermanëve ka qenë i papërfillshëm. Ndoshta ka patur individë çamë që kanë qenë spiunë të gjermanëve, por nuk mundet të përfaqësojnë të tërë Çamërinë dhe të persekutohet një popull i tërë në emër të tyre. Tashmë e vërteta dihet përse shqiptarët e Çamërisë u përzunë nga Greqia dhe ju hoq shtetësia greke. Kjo gjë u bë për tu grabitur pronat e tyre dhe për një aneksim të Jugut të Shqipërisë në të ardhmen. Greqia pasi përzuri çamët zbatojë projektin edhe për përzënien e bullgarëve ose sllavomaqedonasve që banonin buzë kufirit. Për këtë gjë ajo shfrytëzojë luftën civile greke të 1946-1949.

Por pas viteve ’90, shqiptarët çamë e kanë rimarrë veten duke qënë të suksesshëm jo vetëm në biznese dhe tregti, por edhe në politikë. Ata kanë disa deputetë në Parlamentin e Shqipërisë dhe tashmë edhe disa kryebashkiakë apo këshilltarë bashkiakë në të gjithë vendin. / KultPlus.com