“Mbrëmja e Solistëve Kosovarë” – jehona shqipe në Chopin Piano Fest

Era Berisha

Në skenën ku pianoja është mbretëreshë dhe heshtja pret me durim tingullin, “Chopin Piano Festi” më 5 qershor vazhdoi rrugëtimin e tij si një udhëtim shpirtëror nëpër peizazhet e muzikës klasike. Si çdo vit, edhe këtë herë, festivali nuk i mbyll portat pa i lënë vend shpirtit vendor – një mirënjohje ndaj rrënjës që lind tingullin, shkruan KultPlus.

Në mesin e veprave nga kolosët e muzikës botërore, një melodi shqiptare ngrihet në skenë si një lutje e përbashkët: “Fuga nr. 3” për piano me katër duar nga Rauf Dhomi, premierë e një misteri që përsëritet si një jehonë nëpër kohë. Loja në piano shfaqej si dritë që flaket e zbehet duke sjell një gjuhë që flet për tensionin dhe harmoninë e të njëjtës zemër. Në atë lojë, ngulitej një ndjesi e dualitetit — një shpirt i ndarë më dysh, një frymë që kërkon bashkim.

Që nga nata e parë e 8 majit në “Chopin Piano Fest” gjithçka mbetet njësoj – veçse nxehtësia e verës vjen si një instrument i padukshëm që i jep koncertit një intensitet tjetër. Temperaturat rriten, por edhe emocionet. Muzika nuk e njeh kufirin e klimës, ajo djeg e freskon me të njëjtën fuqi. Publiku, ndonëse në nxehtësi, nuk lëviz – është i ngujuar në ndjesinë që ngjall çdo notë, çdo frymëmarrje e interpretuesit.

Hapjen e kësaj mbrëmjeje të festivalit ‘Chopin Piano Fest’ e nisi drejtoresha artistike e festivalit, Lejla Pula.

“Të nderuar të pranishëm, mirë se erdhët në natën e trembëdhjetë të edicionit të 15-të të ‘Chopin Piano Fest’. Jemi të lumtur dhe mirënjohës që, deri më tani, keni qenë me ne – me praninë tuaj, me dashurinë për artin dhe me energjinë që i keni dhënë çdo mbrëmjeje. Sonte, në këtë natë të veçantë, dua t’ju uroj nga zemra Fitër Bajramin, por edhe në skenën tonë sonte kemi një festë tjetër – një festë muzike dhe krenarie. Si çdo vit, kjo mbrëmje i kushtohet solistëve tanë të jashtëzakonshëm shqiptarë, të cilët me përkushtim, mjeshtëri dhe punë të palodhshme, kanë zënë një vend të rëndësishëm në peizazhin e muzikës klasike të vendit tonë. Është nder t’i kemi këtu.”

Ajo tutje ka prezantuar tri dyshet që kapluan mbrëmjen bukur.

Mbrëmja fillon me zërin e kadifenjtë të Ardiana Bytyqi-Ismailit, mexosopranoja që fton dëgjuesin në botën e Brahms, ku çdo notë është si një ëndërr e pamundur që përpiqet të bëhet reale. Andi Duraku në piano është krahu i saj i padukshëm. Së bashku, sjellin “Zigeunerlieder op.103”, këngë me ritme që fluturojnë si flutura mes zjarrit dhe freskisë. Në çdo fjalë të shqiptuar, ndjehet një histori e pashkruar – një shpirt që gjallon në melodinë e vet.

Kur Duraku mbetet vetëm me etydin e Skriabinit, është si një duel i brendshëm me heshtjen. Çdo notë është një nxitje për zemrën të shkojë më shpejt. Tensioni i veprës ndjehet jo vetëm në lojën teknike, por në tensionin e vet trupit që shtyhet deri në kufijtë e qëndrueshmërisë. Publiku nuk duartroket menjëherë – ka një çast reflektimi, sikur duhet të zhbirojnë kuptimin e asaj që sapo dëgjuan.

Pastaj, zëri i Ardianës kthehet për të përshkuar ndjenjat më të buta të Dvořákut – këngë popullore hungareze që tingëllojnë si lutje të shenjta. Ato janë më të qeta, më intime. Një mbrëmje që zbret si hije mbi shpirtin e ditës. Zëri i saj del si një përshpëritje në mes të zemrës dhe të mendjes. Ndjehet një frymë që tund kornizat e shpirtit, e jo vetëm të sallës.

Pastaj, dora-dorës, në skenë ngjiten dy pianiste që flasin me të njëjtën gjuhë – Alba Muçolli-Dehiri dhe Syzana Jakupi. Katër duar, një frymë, një shpërthim tingujsh që bëjnë vend për Mel Bonis dhe Mozartin. Në lojën e tyre ka një ndjeshmëri që shkon përtej notave. Ka momente kur njëra ndalon për të dëgjuar tjetrën, sikur muzika kërkonte leje për të marrë frymë. E vetë fryma është tingull.

Në mesin e dialogut të katër duarve, një pikë kulmore ishte “Fuga nr. 3” e Rauf Dhomit. Një pjesë hyrëse që rikthehet si një jehonë e përhershme, një kujtim që nuk shlyhet. Loja e dy pianisteve krijon një tension dramatik – njërës i zhvillohet fryma, tjetra tretet në hije. Tingujt ndahen në dy rrugë: njëra më harmonike, e qetë si një pëshpërimë mbi ujë, tjetra më e trazuar, si një zemër që kërkon dalje nga kafazi i partiturës. Aty, vendi gjen zë. Aty, heshtja flet shqip.

Pastaj vjen një dritë klasike, e përjetshme: “Sonata nr.3, d-dur” nga Mozart. E thjeshtë në pamje të parë, por e pasur në thellësi, vepra është një festë e balancës mes seriozitetit dhe gazit. Meloditë ngrihen si petale dhe kthehen si rreze. Temat gëzimore dhe ato dramatike nuk garojnë, por vallëzojnë së bashku – një mozaik që ngjall buzëqeshje të buta e përhumbje të thella. Virtuoze, por me shpirt të ndjeshëm – si vetë gjenialiteti i Mozarit.

Në “Suite en forme de valses” të Bonis-it, emocionet janë të shumëfishta: fillon me një buzëqeshje dhe përfundon me një ngashërim të heshtur. Ka melankoli që nuk të mbyt, por të përqafon. Nëse një ndjenjë mund të kishte formë, ajo do të ishte kjo vepër – e zgjatur, e hijshme dhe me një ngjyrë të lehtë orientale që të fton të harrohesh brenda saj.

Në përmbyllje, një frymë si erë mali del nga flauti i Lejla Beqiri-Vulës. E mbështetur nga Melos Buza në piano, sjell “Sonatën op.94” të Prokofievit. Flauti ngjitet, zbret, endet si një zë që kërkon rrugë përmes pyllit të notave. Herë-herë duket sikur flauti i flet pianos në një dialog sekret, i padukshëm për syrin, por i ndjeshëm për shpirtin. Eleganca e kësaj vepre e bën kohën të zhduket për një çast, të gjitha orët ndalen.

Pianisti Andi Duraku e ka konsideruar veprën e Skriabinit si jashtëzakonisht kërkuese, si në aspektin teknik, ashtu edhe në atë muzikor.

“Është një vepër me kërkesa të mëdha, si në aspektin teknik ashtu edhe në atë muzikor. Harmonitë janë jashtëzakonisht të ndërlikuara, ndërsa pjesa teknike kërkon një vëmendje të veçantë – veçanërisht për shkak të dorës së majtë, e cila qëndron në lëvizje të pandërprerë në oktava. Megjithatë, është një vepër që e dua thellësisht dhe për të cilën kam punuar me shumë pasion, me qëllim që ta sjell në skenë ashtu siç e meriton” ka theksuar ai.

Me interpretimin e tij, pianoja u vendos jo vetëm si qendër e shprehjes muzikore, por edhe si partner i ndjeshëm dhe i palëkundur në shoqërim. Duraku ka shtuar se përvoja e interpretimit të këtyre pjesëve në bashkëpunim me solisten ka qenë veçanërisht e veçantë.

“Ky ishte një program që, veçanërisht pjesën e shoqërimit po e interpretoja për herë të parë. Ishte një përvojë shumë e veçantë dhe e kënaqshme të punoja me Ardianën — si gjatë provave, ashtu edhe në koncertin e mbrëmjes. Bashkëpunimi ynë ka qenë i natyrshëm dhe frymëzues.”

Ndërsa, pianistja Alba Muçolli-Dehiri është ndalur te rëndësia e përfshirjes së një vepre shqiptare në repertor, si dhe përzgjedhjen e kompozitores Mel Bonis me vetëdije të plotë artistike e sociale.

“Jemi paraqitur me një program të larmishëm që përfshinte vepra të kompozitorëve shqiptarë dhe të huaj. Ndër to ishte edhe një vepër premierë nga kompozitori ynë Rauf Dhomi, si dhe një sonatë nga Mozarti dhe dy pjesë nga kompozitorja franceze Mel Bonis. Përfshirja e saj në program nuk ishte rastësore – e kemi zgjedhur me vetëdije, pikërisht sepse është një kompozitore femër, në përkrahje të çështjes së përfaqësimit të grave në muzikën klasike dhe më gjerë, si një formë e vogël rezistence dhe kujtese artistike”, ka thënë ajo.

“Mbrëmja e Solistëve Kosovarë” është një koncert i veçantë që tradicionalisht i kushtohet instrumentistëve të njohur nga Kosova, të cilët me aktivitetin e tyre koncertal dëshmohen si interpretë të shquar të muzikës klasike, në kuadër të Chopin Piano Fest Prishtina.

Këtë herë, publiku artdashës pati mundësinë të përjetojë një program të pasur dhe të larmishëm, interpretuar me ndjeshmëri, virtuozitet dhe elegancë nga Ardiana Bytyqi Ismaili, mezzosoprano, dhe Andi Duraku, piano; Syzana Jakupi dhe Alba Muçolli, Piano Duo; si dhe Lejla Beqiri Vula, flaut, dhe Melos Buza, piano.

‘Chopin Piano Fest’ gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 1 koncert të fundit në vazhdim. Nata e 15-të e këtij festivali vjen më datë 9 qershor (nesër) ku do të interpretojë pianisti anglez, Peter Donohoe në një mbrëmje “Piano Recital” në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare, duke filluar nga ora 20:00./ KultPlus.com

Vovka Ashkenazy & Luca Rasca, një duet virtuoz që e shndërroi skenën e ‘Chopin Piano Fest’ në një përjetim të paharrueshëm

Era Berisha

Një mbrëmje e ngjizur me ndjenja të thella dhe interpretim të rrallë shpirtëror u zhvillua nën dritën intime të skenës së ‘Chopin Piano Fest’ më 22 maj, ku pianistët e mirënjohur Vovka Ashkenazy nga Islanda dhe Luca Rasca nga Italia sollën një duet pianistik që magjepsi publikun. Në një bashkëdyzim të përsosur, ata shpalosën një program të përzgjedhur duke sjellë një përjetim muzikor ku ndjeshmëria, dinamika dhe harmonia u ndërthurën në mënyrë mbresëlënëse. Performanca e tyre krijoi një atmosferë të ngrohtë dhe reflektuese, ku çdo tingull tingëlloi si një rrëfim i përbashkët shpirtëror, duke lënë një rezonancë të thellë në kujtesën emocionale të publikut. Ishte një mbrëmje ku muzika u bë gjuhë e përbashkët e shpirtit njerëzor, e udhëhequr nga duar mjeshtërore dhe zemra të ndjeshme, shkruan KultPlus.

Tashmë shtatë net me radhë, Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Universitare është shndërruar në një strehë për dashamirësit e muzikës klasike, duke mbledhur rreth vetes një publik të larmishëm e të etur për përjetime artistike. Skena e përgatitur me përkushtim rrezatonte nën dritat e ngrohta që përqafonin çdo cep të saj me një ndjesi intime. Në sfond, logoja e festivalit shfaqej me krenari, duke e bërë të pamundur të mos ndjeje solemnitetin e momentit. Një atmosferë e ngrohtë dhe e përmbushur me emocion, ku prania e publikut dhe heshtja pritëse krijonin një tension të ëmbël, një paralajmërim i heshtur për bukurinë që do të sillnin në skenë dy artistët e mbrëmjes.

Koncerti i shumëpritur i dyshes pianistike ngjizi një tjetër kapitull të paharrueshëm në peizazhin muzikor të ‘Chopin Piano Fest’, duke e mbushur ambientin me tingujt e fuqishëm dhe njëherësh të ndjeshëm të veprave nga mjeshtrit e mëdhenj si W.A. Mozart, M. Ravel, R. Schumann dhe S. Prokofiev. Interpretimi i dy pianistëve me përvojë ndërkombëtare solli një ekuilibër të përsosur mes finesës teknike dhe shprehjes emocionale, duke e kthyer mbrëmjen në një festë të vërtetë të artit. Prania e një publiku të përkushtuar, që me entuziazëm përjetoi çdo moment, ishte dëshmia më e mirë e ndikimit të thellë që la ky interpretim virtuoz në zemrat e të pranishmëve.

Hapjen e kësaj mbrëmjeje të festivalit ‘Chopin Piano Fest’ e nisi drejtoresha organizative e festivalit, Besa Luzha e cila tregoi se kjo mbrëmje vjen në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Kosovë dhe Institutin Italian të Kulturës në Tiranë.

“Mirë se keni ardhur në mbrëmjen e radhës të këtij festivali. Kemi nisur një seri koncertesh të mrekullueshme, duke kaluar çaste të paharruara në mbrëmjet e kaluara. Sot, kemi ardhur në një pikë të veçantë ku, në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Kosovë dhe Institutin Italian të Kulturës në Tiranë, shënojmë një partneritet të shkëlqyer artistik”, ka thënë Luzha.

Ambasadori i ri italian në Kosovë, Maurizio Antonini i uroi organizatorët për këtë mbrëmje dhe për gjithë punën e tyre përgjatë tërë edicioneve të këtij festivali.

“Jam me padurim duke pritur fillimin e koncertit. Është një kënaqësi e vërtetë për mua që ndodhem këtu sonte, për ta hapur këtë koncert si pjesë e Festivalit Pianistik Chopin, i cili këtë vit shënon edicionin e tij të 15-të. Është një kënaqësi unike të jesh dëshmitar i artistëve të rëndësishëm që mirëpriten në Prishtinë. Ne jemi vërtet krenarë që kontribuojmë në këtë festival duke përkrahur koncertin dhe muzikantët e talentuar. Jam shumë i lumtur dhe i nderuar që përshëndes muzikantët, pasi që të dy janë artistë të rafinuar dhe e dinë mirë se çfarë është muzika në thelb. Muzika është një instrument i mrekullueshëm që krijon dialog ndërmjet njerëzve, përtej çdo kufiri. Së shpejti do të shpallim edhe ngjarje të tjera kulturore që do të mbahen në qytete të ndryshme të Kosovës.”

Në një mbrëmje ku heshtja e sallës fliste po aq sa tingujt që mbushnin hapësirën, dy pianistët, Vovka Ashkenazy dhe Luca Rasca, sollën një përjetim që kapërceu përmasat e zakonshme të interpretimit. Ata nuk ishin vetëm dy muzikantë përballë një publiku të etur për art — ata ishin dy shpirtra që komunikonin në heshtje përmes gjuhës së pianos, në një dialog që dukej se vinte nga një kohë tjetër, më e pastër, më poetike.

Koncerti nisi me delikatesën e “Sixteen Waltzes Op.39” nga Johannes Brahms – një përmbledhje që herë rridhte si një kujtim i zbehur dashurie dhe herë shpërthente si gëzim i papërmbajtur. Dueti i tyre sillte një balancë të mrekullueshme ku Ashkenazy me një butësi melankolike që dukej se vinte nga rrënjët e thella të trashëgimisë së tij, dhe Rasca me një prekje të kthjellët e të ngrohtë, që i jepte jetë ritmit me elegancë natyrore.

Më pas, në “Petite Suite L.65” të Claude Debussy, publiku u zhyt në botën impresioniste të tingujve të ujit, dritës dhe erës. “En bateau” përshkoi sallën si një valë e qetë e liqenit, ndërsa “Cortège” solli një lehtësi lozonjare. “Menuet” rridhte me një nostalgji të përmbajtur, dhe “Ballet” përfundoi pjesën me një shkëlqim që ngjante me rrezet e fundit të diellit mbi një kopsht francez.

Në “Fantasia for piano f-mol D.940” nga Franz Schubert, pianistët krijuan një univers të tërë, të pasur me emocione që kalonin nga ëndërrimi në dhimbje, nga shpresa në pranueshmëri. Kjo vepër u shndërrua në një udhëtim të thellë shpirtëror – një formë meditimi ku publiku ndiqte secilin variacion me frymë të mbajtur, sikur çdo frazë të ishte një fije e hollë që lidhte shpirtin e kompozitorit me të tashmen.

“Six Morceaux” të Sergei Rachmaninoff ishte një tjetër kapitull emocionues në këtë rrëfim muzikor. “Barcarolle” përhapi një melodi të lëngshme e të ëmbël, një lundrim në heshtjen e natës. “Scherzo” thërriste me energji të papërmbajtur, ndërsa “Thème Russe” rrënjosej thellë në një melankoli ruse që prek çdo pore të shpirtit. “Valse” shkëlqente me një shkëlqim të hirtë, nostalgjik, ndërsa “Romance” dhe “Slava” përmbyllën programin me solemnitet dhe ngrohtësi.

Duke u alternuar me finesë në tastierë, Ashkenazy dhe Rasca i dhanë çdo vepre një jetë të veçantë – si dy poetë që lexojnë të njëjtën poezi, por secili me nuancat e veta të ndjeshmërisë. Ishin momente ku duart e tyre gati preknin njëra-tjetrën, jo vetëm fizikisht, por edhe në përjetimin emocional të asaj që po ndodhte.

Mbrëmja nuk ishte thjesht një koncert — ishte një akt i thellë përkushtimi ndaj artit, një gjendje e përbashkët meditative ku publiku nuk ishte spektator, por pjesë e një frymëmarrjeje kolektive. Bashkimi i dy pianistëve solli jo vetëm interpretim, por edhe një formë të rrallë mirëkuptimi artistik që shpesh mungon edhe në bashkëpunimet më të ndërlikuara.

Kur heshtja e fundit ra mbi sallë, asnjë duartrokitje nuk dukej e mjaftueshme. Ishte një nga ato net që nuk përmbyllen me fundin e një note, por që zgjaten në kujtesë, në zemrën e secilit që kishte fatin të ishte i pranishëm. Vovka Ashkenazy dhe Luca Rasca nuk luajtën vetëm për publikun – ata luajtën për vetë muzikën, dhe e kthyen atë në dhuratë.

Për të treguar më shumë rreth koncertit, për KultPlus foli pianisti Vovka Ashkenazy për të cilin është hera e parë që performon në festival.

“Ishte një kënaqësi e madhe të luanim përpara një audience që me të vërtetë e vlerësonte muzikën, dhe isha shumë i lumtur me koncertin, për të cilin e di që edhe Luca Rasca ishte po aq i lumtur. Mendoj se arritëm të kapim bukurinë dhe dramën e të gjitha veprave që interpretuam, dhe kjo është gjëja më e rëndësishme – të nderosh dhe të respektosh kompozitorët dhe muzikën e tyre të mrekullueshme, dhe ta ndash këtë me publikun”, ka thënë Ashkenazy.

Ndërsa, pianisti Luca Rasca për KultPlus ka treguar se është hera e parë e tij në Prishtinë dhe energjia e publikut ishte diçka ndryshe.

“Për mua kjo ishte hera e parë në Kosovë, dhe përvoja ishte vërtet e jashtëzakonshme. Publiku ishte i mrekullueshëm, po ashtu edhe akustika dhe cilësia e pianos. Fillimisht kishim disa shqetësime nëse gjithçka do të shkonte sipas planit, por ndodhi e kundërta – gjithçka funksionoi për mrekulli. Pjesët që interpretuam ishin të bukura dhe sfiduese, dhe jemi shumë të kënaqur me rezultatin e këtij koncerti”, ka thënë Rasca.

‘Chopin Piano Fest’ gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 8 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e tetë e këtij festivali vjen më datë 26 maj ku do të interpretojë pianisti ukrainas, Vadym Kholodenko në një mbrëmje “Piano Recital” në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare, duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com

Pianistja polake Maria Ludwika Gabryś-Heyke hap festivalin ‘Chopin Piano Fest’ me tingujt e shpirtit të Chopin-it që pushtuan natën

Era Berisha

Në mbrëmjen e hapjes së edicionit të 15-të të festivalit “Chopin Piano Fest”, skena u ndriçua nga drita e një palete muzikore të rrallë nga interpretimi i pianistes së njohur polake, Maria Ludwika Gabryś-Heyke. Ajo nuk interpretoi vetëm nota, por i rrëfeu ato, si një poete që flet për dashurinë e parë. Nën gishtat e saj, çelësat e pianos u shndërruan në petale emocionesh që shpërthenin në gjallëri e butësi, në një udhëtim që luhatej mes brishtësisë dhe furisë melodike. Veprat që solli përmbanin në vete një gjuhë të përjetshme — melodi që ngjasonin me pëshpëritje të shpirtit, të lëna në kohë nga mjeshtër të epokave të shkuara. Ajo nuk luajti, ajo ndjeu. Çdo tingull ishte një dritare e hapur drejt ndjesive të fshehura, çdo heshtje – një frymëmarrje e thellë e artit. Dinamika e saj ishte si një lum që gjarpëronte përmes natyrës së egër: herë i qetë, herë i vrullshëm, por gjithnjë magjepsës. E publiku – i heshtur, i kapluar – ndoqi çdo valë të shpërthimit muzikor që përfundoi në një kulm të ndjeshmërisë së pastër, aty ku emocioni nuk kishte më nevojë për fjalë, shkruan KultPlus.

Mbrëmja e hapjes së festivalit gjithashtu shënoi edhe Ditën e Evropës, 9 Majin. Amfiteatri i ri i Bibliotekës Universitare ishte i mbushur plotësisht. Nga ata në moshë të rinj e të moshuar, salla dukshëm pulsonte me rrahje zemrash. Karriget e mbushura plotë prisnin tashmë nisjen e festivalit i cili ndriçonte bukur. Prapavija në skenë e lulëzuar në nota tingujsh që rrinin këndshëm mbi ekranin e vendosur, perdet në ngjyrë të tokës, re fletorët në ngjyrë portokalli dhe ato të bardhat që ndihmonin për vështrimin më të pastër të gishtërinjve të pianistes, ishin elementet që binin në sy që në fillim. Ambienti i ngrohtë e rriste emancipimin e publikut për të përjetuar një recital pianistik të mrekullueshëm.

Festivali “Chopin Piano Fest“ do të zgjasë një muaj dhe do të sjellë 15 koncerte me pjesëmarrjen e 26 artistëve ndërkombëtarë dhe vendorë, përfshirë edhe dy koncerte të tjera dhe pesë masterklasë.

Hapjen e festivalit ‘Chopin Piano Fest’ e nisi drejtoresha artistike Lelja Pula e cila fillimisht tregoi për bashkëpunimin e parë me Zyrën e Bashkimit Evropian.

“Miq të dashur të festivalit, sonte me kënaqësinë më të madhe së bashku po qëndrojmë në momentin më të rëndësishëm në 15 vjetorin e festivalit të përvitshëm Chopin Piano Fest Prishtina. Vlerë e shtuar e festivalit është edhe bashkëpunimi ynë tanimë tradicional me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë me rastin e Ditës së Evropës, 9 maji. Sivjet gjithashtu i bashkohemi edhe festimit të madh të 80 vjetorit të çlirimit nga fashizmi. Kanë kaluar 15 vite me përjetime muzikore të mrekullueshme dhe të paharruara artistike, andaj me këtë rast dëshirojmë të shprehim falënderimin tonë të përzemërt për të gjithë mysafirët tanë të cilët janë artistë të jashtëzakonshëm. Janë mbi dyzet shtete nga e gjithë bota që kanë qenë në skenën tonë gjatë këtyre viteve”, thotë ajo.

Sipas saj, falënderimi i takon edhe artistëve vendorë që i janë përgjigjur ftesës dhe kanë ardhur në Prishtinë duke kontribuar në cilësinë e lartë të programit muzikor.

“Gjithashtu, dëshiroj të shpreh mirënjohje të thellë për ekipin tonë të mrekullueshëm, për punën dhe angazhimin maksimal në realizimin e përsosur të festivalit. Falënderimi shkon edhe për partnerët dhe mediat që kanë qenë këtu me besnikëri për 15 vite. Mirënjohje e veçantë shkon për publikun tonë, dhe pa ta, i gjithë ky organizim nuk do kishte kuptim dhe këtë jehonë.”

Drejtoresha organizative e festivalit, Besa Luzha foli rreth kontributit që ky festival ka sjell përgjatë 15 viteve.

“Jam shumë e lumtur që së bashku kemi arritur në këtë edicion të 15-të, ne po ndjehemi shumë krenarë për arritjet në aspektin lokal dhe ndërkombëtarizimin e këtij festivali. Plot 15 vite ne jemi anëtarë të devotshëm të Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave Chopin në botë, e cila është pjesë e UNESCO-s dhe përmes saj edhe Kosova e ka një vend të vogël në këtë institucion të rëndësishëm. Pa përkrahjen e institucioneve të cilave asnjëherë më shumë se viteve të fundit nuk i kanë kushtuar rëndësi kulturës, gjithë ky mision do të ishte i pamundur, andaj falënderojmë Ministrinë e Kulturës, Komunën e Prishtinës, Ministrinë e Punëve të Jashtme, UP-në, Filharmoninë e Kosovës. Po ashtu, ne kemi arrirë një sukses të madh duke e inkuadruar edhe sektorin privat, kompanitë e ndryshme që po mbështesin artin dhe kulturën përmes ligjit të sponsorizimit.”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar lartë rrugëtimin e festivalit “Chopin Piano Fest” dhe ka premtuar se të gjitha institucionet do të jenë përherë në përkrahje të artit dhe kulturës.

“Të nderuar të pranishëm, është nder për mua të jem sonte këtu me ju në hapjen e ngjarjeve më domethënëse kulturore në vendin tonë, Chopin Piano Fest, një festë e pianos por edhe e bashkimit shoqëror e edukimit artistik dhe diplomacisë kulturore. Emri i festivalit përmban figurën e Frederic Chopin, një prej emrave më unifikues në historinë e pianizmit botëror. Pianoja nuk është vetëm mjet muzikor por është mjet fisnikërie, disipline e krijimtarie. Përmes tingullit të saj, ka fuqinë të lidhë njerëzit e të ndërtojë ura midis kulturave dhe brezave. Figura e Frederic Chopin, mjeshtër i pianos dhe simbol i komunitetit kulturor evropian, ka ndikuar thellësisht në arsimimin në Kosovë ku muzika e tij është interpretuar, studiuar dhe përkujtuar përmes konkurseve dhe krijimeve të reja nga kompozitorët tanë. Chopin Piano Fest tashmë është traditë e konsoliduar, pasqyron hapin tonë ndaj botës, pasionin për muzikën dhe përkushtimin për cilësi. Edhe këtë vit, programi i festivalit është i pasur dhe mbresëlënës me artistë nga Polonia, Franca, Italia, Hungaria, Ukraina, Austria, Mbretëria e Bashkuar, Lituania, Kuba Suedia dhe Kosova. Kjo është një dëshmi e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe faktit që Kosova po fiton në hartën kulturore globale. Ky festival është një ekosistem i gjallë kulturor që mbështetë talent të rinj, promovon trashëgiminë muzikore, dokumenton krijimtarinë dhe nxit diplomacinë përmes artit. Festivali lidh skenën tonë të pavarur muzikore me struktura të ngjashme në rajon dhe në botë.”

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se artistët kosovarë janë bërë pjesë e denjë e peizazhit kulturor evropian, duke arritur majat dhe duke kontribuar me talentin dhe pasionin e tyre.

“Nëse hedhim një vështrim prapa në të kaluarën, Bashkimi Evropian shfaqet si projekti më i suksesshëm në historinë moderne. Ndërsa shikojmë drejt së ardhmes, ne e ëndërrojmë dhe e besojmë që ky projekt do të vazhdojë të jetojë përherë. Jam veçanërisht i lumtur që, në prag të Ditës së Evropës, kemi mundësinë të festojmë përmes gjuhës universale të muzikës — me veprat e jashtëzakonshme të Fryderyk Chopin-it. Bashkëpunimi ndërmjet Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe festivalit Chopin Piano Fest ka qenë shembullor dhe është kthyer tashmë në një partneritet të qëndrueshëm dhe tradicional. Ky bashkëpunim dëshmon fuqishëm për rëndësinë thelbësore që ka shkëmbimi kulturor ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Artistët kosovarë janë bërë pjesë e denjë e peizazhit kulturor evropian, duke arritur majat dhe duke kontribuar me talentin dhe pasionin e tyre. Bashkimi Evropian ka qenë një mbështetës i fortë i kulturës në Kosovë dhe do të vazhdojë të jetë i tillë edhe në të ardhmen. Gjatë viteve, Chopin Piano Fest ka sjellë në Prishtinë muzikantë të mrekullueshëm nga mbarë bota, dhe sot, me kënaqësi të veçantë, presim të dëgjojmë interpretimet që do të na dhurojnë emocione të paharruara.”

Përfaqësuesja nga Ministria e Jashtme e Polonisë, Agnieszka Kowalska u ka uruar të pranishmëve që të zhyten thellë brenda pasurisë së muzikës polake.

“Është kënaqësi e veçantë për mua t’ju uroj mirëseardhje të ngrohtë të gjithëve ju që keni ardhur në këtë koncert të veçantë, në kuadër të festimeve për Ditën e Evropës, e cila këtë vit ka një rëndësi të veçantë për ne. Dëshiroj të theksoj se Polonia e njeh dhe e mbështet plotësisht aspiratën e Kosovës për integrimin evropian. Jemi krenarë që Shoqata Chopin në Kosovë ka vendosur ta hapë këtë edicion të festivalit me një performancë të jashtëzakonshme. Shpresoj që koncerti i sonte të jetë momenti kulmor i edicionit të 15-të të Chopin Piano Fest dhe ju ftoj që të zhytni veten në pasurinë e muzikës polake. Më lejoni t’ju uroj një përvojë të paharrueshme muzikore.”

Pas këtyre fjalimeve, në sallë mbizotëroi heshtja për të sjellë në skenë pianisten polake Maria Ludwika Gabryś-Heyke me duartrokitje dhe brohoritje të shumta.

Mbrëmja nisi me një goditje të butë, por të sigurt – “Polonaise in cis – op. 26 nr. 1” u ngrit mbi tingujt si një hark triumfi, një marsh krenar që e shpalli ardhjen e një muzike që nuk njeh kohë. Gishtat e saj preknin pianon si ushtarë të disiplinuar që ndjekin një mision melodik – të hapin rrugën për emocionin. Katër Mazurkat e op. 30 erdhën si kujtime nga fshatrat e humbur të Polonisë – me ritme që luhateshin si hapa vallëzimi të një kujtese të gjallë. Në to, ajo nuk interpretonte thjesht tinguj, por rrëfente jetën e një populli të tërë, me dhimbjen dhe hijeshinë e tij të heshtur.

“Nocturne në cis – mol, op. 27 nr. 1” e mbështolli sallën në një natë të butë dhe të pambarimtë. Çdo notë u derdh si dritë hëne mbi një liqen të qetë, ndërsa publiku u tret në qetësinë që vetëm muzika e Chopin-it mund ta krijojë. Me “Nocturne në H-dur, op. 32 nr. 1”, ajo solli një dritë më të ngrohtë, më njerëzore. Ishte sikur të dëgjoje zemrën e dikujt që flet pa fjalë, që rrëfen pa pasur nevojë të kuptohet. Tingujt e saj pikturonin një butësi që mbetet në mendje si aroma e një mbrëmjeje pranverore. Dhe pastaj, si një shpërthim i papritur i ndjenjave të fshehura, “Fantaisie-Impromptu në cis – mol, op. 66” përmbylli gjithçka. Aty pianistja u bë një me instrumentin — një stuhi pasioni dhe teknikë që shpërtheu mbi piano.

Pjesa e dytë e programit hapi një dritare tjetër të shpirtit të Chopin-it — një botë ku aristokracia e formës përqafohej me melankolinë e një zemre që s’pushonte së kërkuari përjetësinë në tingull.

“Polonaise në c – mol, op. 40 nr. 2” u ngjit mbi vend  me një solemnitet të thellë — si një elegji e heshtur, një rrëfim i brendshëm i krenarisë së plagosur. Ajo fliste me peshën e kujtesës, e cila nëpërmjet fuqisë së ritmit shndërrohej në qëndresë. Në duart e pianistes Maria Ludwika Gabryś-Heyke, kjo polonezë nuk ishte thjesht një formë — ishte thirrje, hije, shpresë e ngulitur në një tokë që frymon përmes muzikës.

Pastaj, “Valset në es – dur, op. 34 nr. 1” u shfaq si një dritë që ndizet në ballo, një rrotullim i hijshëm në mes të sallës, ku çdo notë kishte aromën e parfumeve të epokës romantike. Ajo fluturonte lehtë mbi piano, por pas lehtësisë fshihej një mall — një buzëqeshje që s’flet kurrë plotësisht. “Valset në a – mol, op. 34 nr. 2” ishte si një fije zëri që vjen nga një dritare e mbyllur — plot me kujtime, e brishtë dhe e ndalur në ajër. Ky ishte valsi i një shpirti që kërkon një emër nëpër hapësira bosh, një ritëm që ecën, por kurrë nuk gjen një strehë të qetë. Pianistja prekte këtë ndjesi me finesë të rrallë.

E me “Valset des – dur, op. 64 nr. 1” — të njohur ndryshe si “Minute Ëaltz” — ajo solli një lojë shpërthyese. Një xixëllimë e shpejtësisë, një dritë që vezullon në errësirën e mendimeve të thella. Ky vals nuk është për t’u matur në kohë, por për t’u përjetuar si shpërthim i pastër gëzimi — një ndjekje pas kohës që ikën, pa mundur ta kapësh kurrë. Në fund, vepra “Andante spianato dhe Grande Polonaise Brillante në es – dur, op. 22” ishte si një kurorë mbi gjithë natën. Fillimi – një ëndërr e qetë, një melodi që shtrihet mbi piano si një pëlhurë mëndafshi. Dhe më pas – një shpërthim i hijeshisë, i shkëlqimit teknik, i dashurisë për formën dhe fuqinë e lirisë. Në këtë vepër, pianistja u bë kalorëse e bardhë e romancës dhe rebelimit artistik; çdo notë ishte një hap mbi një skenë që tani nuk i mjaftonte më.

Madhështia e rrallë e interpretimit pianistik të Maria Ludwika Gabryś-Heyke, mjeshtëria e një gruaje që nuk e pushton skenën, por e shndërron atë në një zgjatim të shpirtit të saj, ndërlidhja e thellë mes emocioneve dhe tingujve, vallëzimi i butë i trupit me çdo notë, pasioni që shkruhej në shprehjet e fytyrës si në një letër të hapur – ishin këto elementet që e kthyen natën në një përjetim të pazëvendësueshëm. Ajo luante si të kish lindur me ato melodi në duar. Çdo prekje ishte një ofrim i shpirtit përballë një bote që dëgjonte në heshtje dhe merrte frymë përmes saj. Publiku tërhiqej vazhdimisht në brendësinë e lojës së saj — në skutat më intime të një muzike që lindte dhe jetonte vetëm aty, vetëm atë natë.

Ishin duartrokitjet ato që ndërhynin në heshtjet mes frazave — të ngrohta, të papritura, por të merituara. Heshtjet e krijuara nga ajo, me një saktësi kirurgjikale, u mbushën me falënderimet e buta të publikut, që shpërthenin në emocione të pakontrolluara. Në atë çast, ajo nuk ishte vetëm interprete. Ishte krijuese e një përvoje të përbashkët. Dhe publiku, në mënyrën më të natyrshme, u shndërrua në pjesën e fundit të enigmës — në nyjën që lidhte artin me përjetimin. Ashtu, nata u bë një e tërë, një kujtim që do të jetojë gjatë në mendjet e të gjithë atyre që patën fatin të jenë dëshmitarë të saj.

Pianistja polake Maria Ludwika Gabryś-Heyke e cila performoi për herë të parë në Kosovë, ka thënë se ndjehet tejet e lumtur që ka ndarë skenën me audiencën e Kosovës.

“Pata një nder shumë, shumë të madh të luaj për ju sonte. Desha ta nis koncertin me një pjesë shumë tradicionale polake, sepse në kohët e mëhershme, çdo festë në Poloni fillonte me një valle kombëtare polake. Dhe Chopin e shkroi këtë pjesë pak para se të largohej përgjithmonë nga Polonia. Më pas janë Mazurkat – ato ishin shumë pranë zemrës së Chopin-it, dhe ai i kompozoi ato gjatë gjithë jetës së tij, duke përfshirë në to edhe vuajtjen, edhe gëzimin. Në pjesën e parë të koncertit, dëshirova të prezantoj vepra që janë plot dritë dhe hije – vepra shumë ekspresive. Kjo është hera e parë që performova këtu. Kam kaluar tashmë dy ditë në Kosovë dhe kam takuar njerëz shumë miqësorë, dhe më pëlqen shumë energjia që ka ky vend. Jam shumë e lumtur që isha së bashku me audiencën e Kosovës.”

‘Chopin Piano Fest’ gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 14 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e dytë e këtij festivali vjen më datë 12 maj ku do të interpretojë Sihana Badivuku, Jelena Ocic dhe Artem Yasynskyy në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com

Chopin Piano Fest Prishtina prezanton programin e edicionit të 15-të

Festivali i pianos “Chopin Piano Fest” në Prishtinë, ka publikuar probramin e edicionit të 15-të, përcjell KultPlus.

Festivali fillon nga 8 maji deri më 9 qershor 2025, ku pritet të festohen 15 vite muzikë me gjithsej 15 koncerte ku perfomojnë artistë të njohur, ansamble kamertale, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës me soliste dhe koncertet e dedikuara per talentët e rinj premtues.

Ky edicion jubilar do mbahet në Amfiteatrin e Ri, Biblioteka Qendrore Universitare Prishtinë./ KultPlus.com