Mbrëmë, publiku në Prishtinë pati mundësinë të jetë dëshmitar i një mbrëmje muzikore që kumbonte nën tingujt e veprave të Chopin, interpretuar me mjeshtëri nga pianisti i njohur britanik, Peter Donohoe, në koncertin që përmbylli edicionin e sivjetshëm të festivalit ‘Chopin Piano Fest Prishtina’, shkruan KultPlus.
Në një atmosferë intime dhe të përqendruar tek lëvizjet e Donohoe, audienca pati mundësinë të dëgjojë disa nga veprat më të rëndësishme të kompozitorit Frédéric Chopin.
Koncerti nisi me Barcarolle, Op. 60, një vepër lirike që ngërthen në vete lëkundjen e një varke imagjinare në një natë të qetë veneciane, interpretim ky që e përgatiti publiku që në fillim me bukurinë artistike që do ta përcjellte edhe në pjesën e mbetur. Më pas, Donohoe intepretoi Polonaise-Fantaisie, Op. 61, një nga veprat më enigmatike dhe të fuqishme të Chopin.
Në vazhdim, Donohoe solli dy Nokturnet, Op. 62 dhe më pas Tre Valset, Op. 64 e mbyllën pjesën e parë të koncertit me një shpërthim tingujsh që shkonin nga dramatikja, te e qeta dhe më melankolike.
Pas pushimit, mbrëmja mori një drejtim tjetër artistik, duke shpalosur jehonën e ndikimit të Chopin. Donohoe interpretoi me mjeshtëri ‘10 variacionet dhe fugën mbi një temë të Chopin’ nga kompozitori italian Ferruccio Busoni.
Koncerti u përmbyll me ‘22 variacionet mbi një temë të Chopin-it nga Sergei Rachmaninoff’, ku çdo notë solli një dramë të brendshme, ndjeshmëri dhe virtuozitet. E gjithë kjo performancë më shumë se dy-orëshe u shoqërua me ovacione dhe brohoritje nga publiku, në formë mirënjohje për këtë përjetim.
Pas interpretimit të tij të fuqishëm në mbrëmjen përmbyllëse të Chopin Piano Fest Prishtina, pianisti i Peter Donohoe ndau me KultPlus përshtypjet e tij me një reflektim të thellë mbi përvojën muzikore dhe marrëdhënien e tij me repertorin e zgjedhur.
Donohoe theksoi se Chopin është ndër kompozitorët më sfidues për një pianist, jo vetëm për kërkesat teknike, por edhe për ndjeshmërinë e thellë dhe kompleksitetin muzikor që kërkon interpretimi i veprave të tij.
“E konsideroj Chopin-in, në shumë mënyra, si një nga kompozitorët më kërkues për pianon. Ai, në një farë mënyre, e shpiku stilin modern të të luajturit në piano. Dhe çdo gjë që është shkruar para se ai të jetonte është krejtësisht ndryshe. Edhe shumica e muzikës pas tij është gjithashtu ndryshe. Është një lloj unikaliteti. Qëndron më vete si një individualist. Dhe për mua, kjo ka qenë shumë, shumë sfiduese, disi e ngjashme me Mozart-in, por në një mënyrë pak më ndryshe. Por edhe Mozart qëndron i veçuar mbi të gjithë të tjerët. Dhe këta dy kompozitorë, për mua, janë më të vështirët nga të gjithë, nga aspekti muzikor, teknik, në gjithçka”, tha Donohoe teksa shtoi se është kënaqësi për të që të interpretojë veprat e tij në Prishtinë, në festivalin që mban emrin e Chopin.
Po ashtu, pianisti foli edhe në lidhje me përshtypjet nga publiku dhe qyteti i Prishtinë, duke rikujtoi vizitën e tij të parë në Prishtinë, më shumë se një dekadë më parë.
“Ishte viti 2010 kur erdha për herë të parë, dhe ndryshimi që ka ndodhur që nga ajo kohë është i pabesueshëm, më pëlqen të jem pjesë e këtij ndryshimi dhe ta shoh atë të ndodhë. Është vërtet e mrekullueshme. Dhe janë njerëz shumë të mirë. Sigurisht që janë. Duhet ta them këtë sepse vërtet e mendoj”, tha mes tjerash Donohoe.
Në përmbyllje të këtij edicioni, drejtoresha artistike e festivalit, Lejla Pula, mes emocionesh ndau me KultPlus arritjet e këtij edicioni. Ajo theksoi prezencën e artistëve nga trembëdhjetë shtete të ndryshme, përkushtimin e tyre artistik, si dhe lidhjen e veçantë që tashmë është krijuar me publikun e Prishtinës, një publik që vjen i përgatitur, me njohuri dhe vlerësim të thellë për artistët që performojnë.
“Sivjet kanë qenë nga trembëdhjetë shtete të ndryshme, domethënë artistë që kanë performuar në skenën e Chopin Piano Fest dhe mund të them se vërtet është mbresëlënëse edhe interesimi i publikut, Jemi bërë si familje sepse njerëzit që vijnë, dinë çka i pret, domethënë i lexojnë emrat e artistëve, lexojnë për ta dhe dijnë çfarë bagazhi kanë. Kemi qenë dëshmitarë që interpretimi ishte fantastik qysh nga fillimi, ne kemi pasur edhe recitale pianistike duke filluar nga pianistja polake e cila e ka hapë me një mbrëmje të Shopenit edhe sonte po e mbarojmë me rezidentin e festivalit, maestro Peter Donohoe, i cili është vërtet legjendë e pianizmit botëror, ai përsëri e ka pranuar ftesën tonë dhe e luan një program të jashtëzakonshëm, të vështirë e virtuoz”, shprehet Pula për KultPlus, duke shtuar mes tjerash që si organizatorë janë të kënaqur me arritjet e këtij edicioni.
Besa Luzha, po ashtu bashkë-organizatore e Chopin Piano Fest Prishtina, foli për KultPlus për edicionin e sivjetëm, duke vënë theksin jo vetëm te suksesi artistik i festivalit, por edhe te ndikimi i tij tek publiku pa marrë parasysh nëse janë muzikantë apo jo.
“Në këtë edicion të ‘Chopin Piano Fest’, pothuajse çdo mbrëmje ka pasur publik të ndryshëm, ka pasur edhe të tillë që kanë ardhë pothuajse në çdo mbrëmje. E bukura e festivalit është kur ofron, mbrëmje të ndryshme, me ngjyra të ndryshme, me përmbajtje të ndryshme dhe tërheqë audiencë të ndryshme. Kështu që kemi pasë të ri, të moshuar, muzikantë, jomuzikantë. Për neve kjo është shumë me rëndësi sepse festivali ka këtë mission, të promovojë muzikën klasike edhe te ata që nuk merren profesionalisht me të. Kemi pasë jashtëzakonisht risi, emra të ri, interpretime të reja. Niveli është veç duke shku duke u vërejtë”, theksoi Luzha.
I pranishëm në këtë ngjarje, kryetari i Prishtinës Përparim Rama u shpreh mirënjohur ndaj organizatorëve që çdo vit sjellin këtë frymë të muzikës klasike në kryeqytet.
Është kënaqësi e veçantë që të jem së bashku me të gjithë ju dashamirë të artit. I falënderoj nga zemra dy organizatoret Besën dhe Lejlën që na e mbushin kryeqytetin me tingujt të mrekullueshëm çdo vit. Edhe këtë vit, jemi në vitin e 15-të të ‘Chopin Piano Fest’ ku arti e kultura shkëlqejnë në kryeqytet nga artistë të vendeve të ndryshme të botës, prej Polonisë në ShBA, Francë, Itali e nga vende të ndryshme të botës që vijnë këtu dhe në njëfarë mënyre edhe sjellin dashuri tek ne por edhe bijnë në dashuri me kryeqytetin, prandaj dua ti falënderoj të gjithëve na krijojnë këtë atmosferë të mrekullueshme këtu në Prishtinë.
Ndërkaq, Chopin Piano Fest Prishtina është mbajtur nga 8 maj deri më 9 qershor, e përgjatë këtyre ditëve, publiku ka pasur undësinë të dëgjojë kryevepra të muzikës botërore, interpretuar nga artistë vendor e të huaj./KultPlus.com
Në skenën ku pianoja është mbretëreshë dhe heshtja pret me durim tingullin, “Chopin Piano Festi” më 5 qershor vazhdoi rrugëtimin e tij si një udhëtim shpirtëror nëpër peizazhet e muzikës klasike. Si çdo vit, edhe këtë herë, festivali nuk i mbyll portat pa i lënë vend shpirtit vendor – një mirënjohje ndaj rrënjës që lind tingullin, shkruan KultPlus.
Në mesin e veprave nga kolosët e muzikës botërore, një melodi shqiptare ngrihet në skenë si një lutje e përbashkët: “Fuga nr. 3” për piano me katër duar nga Rauf Dhomi, premierë e një misteri që përsëritet si një jehonë nëpër kohë. Loja në piano shfaqej si dritë që flaket e zbehet duke sjell një gjuhë që flet për tensionin dhe harmoninë e të njëjtës zemër. Në atë lojë, ngulitej një ndjesi e dualitetit — një shpirt i ndarë më dysh, një frymë që kërkon bashkim.
Që nga nata e parë e 8 majit në “Chopin Piano Fest” gjithçka mbetet njësoj – veçse nxehtësia e verës vjen si një instrument i padukshëm që i jep koncertit një intensitet tjetër. Temperaturat rriten, por edhe emocionet. Muzika nuk e njeh kufirin e klimës, ajo djeg e freskon me të njëjtën fuqi. Publiku, ndonëse në nxehtësi, nuk lëviz – është i ngujuar në ndjesinë që ngjall çdo notë, çdo frymëmarrje e interpretuesit.
Hapjen e kësaj mbrëmjeje të festivalit ‘Chopin Piano Fest’ e nisi drejtoresha artistike e festivalit, Lejla Pula.
“Të nderuar të pranishëm, mirë se erdhët në natën e trembëdhjetë të edicionit të 15-të të ‘Chopin Piano Fest’. Jemi të lumtur dhe mirënjohës që, deri më tani, keni qenë me ne – me praninë tuaj, me dashurinë për artin dhe me energjinë që i keni dhënë çdo mbrëmjeje. Sonte, në këtë natë të veçantë, dua t’ju uroj nga zemra Fitër Bajramin, por edhe në skenën tonë sonte kemi një festë tjetër – një festë muzike dhe krenarie. Si çdo vit, kjo mbrëmje i kushtohet solistëve tanë të jashtëzakonshëm shqiptarë, të cilët me përkushtim, mjeshtëri dhe punë të palodhshme, kanë zënë një vend të rëndësishëm në peizazhin e muzikës klasike të vendit tonë. Është nder t’i kemi këtu.”
Ajo tutje ka prezantuar tri dyshet që kapluan mbrëmjen bukur.
Mbrëmja fillon me zërin e kadifenjtë të Ardiana Bytyqi-Ismailit, mexosopranoja që fton dëgjuesin në botën e Brahms, ku çdo notë është si një ëndërr e pamundur që përpiqet të bëhet reale. Andi Duraku në piano është krahu i saj i padukshëm. Së bashku, sjellin “Zigeunerlieder op.103”, këngë me ritme që fluturojnë si flutura mes zjarrit dhe freskisë. Në çdo fjalë të shqiptuar, ndjehet një histori e pashkruar – një shpirt që gjallon në melodinë e vet.
Kur Duraku mbetet vetëm me etydin e Skriabinit, është si një duel i brendshëm me heshtjen. Çdo notë është një nxitje për zemrën të shkojë më shpejt. Tensioni i veprës ndjehet jo vetëm në lojën teknike, por në tensionin e vet trupit që shtyhet deri në kufijtë e qëndrueshmërisë. Publiku nuk duartroket menjëherë – ka një çast reflektimi, sikur duhet të zhbirojnë kuptimin e asaj që sapo dëgjuan.
Pastaj, zëri i Ardianës kthehet për të përshkuar ndjenjat më të buta të Dvořákut – këngë popullore hungareze që tingëllojnë si lutje të shenjta. Ato janë më të qeta, më intime. Një mbrëmje që zbret si hije mbi shpirtin e ditës. Zëri i saj del si një përshpëritje në mes të zemrës dhe të mendjes. Ndjehet një frymë që tund kornizat e shpirtit, e jo vetëm të sallës.
Pastaj, dora-dorës, në skenë ngjiten dy pianiste që flasin me të njëjtën gjuhë – Alba Muçolli-Dehiri dhe Syzana Jakupi. Katër duar, një frymë, një shpërthim tingujsh që bëjnë vend për Mel Bonis dhe Mozartin. Në lojën e tyre ka një ndjeshmëri që shkon përtej notave. Ka momente kur njëra ndalon për të dëgjuar tjetrën, sikur muzika kërkonte leje për të marrë frymë. E vetë fryma është tingull.
Në mesin e dialogut të katër duarve, një pikë kulmore ishte “Fuga nr. 3” e Rauf Dhomit. Një pjesë hyrëse që rikthehet si një jehonë e përhershme, një kujtim që nuk shlyhet. Loja e dy pianisteve krijon një tension dramatik – njërës i zhvillohet fryma, tjetra tretet në hije. Tingujt ndahen në dy rrugë: njëra më harmonike, e qetë si një pëshpërimë mbi ujë, tjetra më e trazuar, si një zemër që kërkon dalje nga kafazi i partiturës. Aty, vendi gjen zë. Aty, heshtja flet shqip.
Pastaj vjen një dritë klasike, e përjetshme: “Sonata nr.3, d-dur” nga Mozart. E thjeshtë në pamje të parë, por e pasur në thellësi, vepra është një festë e balancës mes seriozitetit dhe gazit. Meloditë ngrihen si petale dhe kthehen si rreze. Temat gëzimore dhe ato dramatike nuk garojnë, por vallëzojnë së bashku – një mozaik që ngjall buzëqeshje të buta e përhumbje të thella. Virtuoze, por me shpirt të ndjeshëm – si vetë gjenialiteti i Mozarit.
Në “Suite en forme de valses” të Bonis-it, emocionet janë të shumëfishta: fillon me një buzëqeshje dhe përfundon me një ngashërim të heshtur. Ka melankoli që nuk të mbyt, por të përqafon. Nëse një ndjenjë mund të kishte formë, ajo do të ishte kjo vepër – e zgjatur, e hijshme dhe me një ngjyrë të lehtë orientale që të fton të harrohesh brenda saj.
Në përmbyllje, një frymë si erë mali del nga flauti i Lejla Beqiri-Vulës. E mbështetur nga Melos Buza në piano, sjell “Sonatën op.94” të Prokofievit. Flauti ngjitet, zbret, endet si një zë që kërkon rrugë përmes pyllit të notave. Herë-herë duket sikur flauti i flet pianos në një dialog sekret, i padukshëm për syrin, por i ndjeshëm për shpirtin. Eleganca e kësaj vepre e bën kohën të zhduket për një çast, të gjitha orët ndalen.
Pianisti Andi Duraku e ka konsideruar veprën e Skriabinit si jashtëzakonisht kërkuese, si në aspektin teknik, ashtu edhe në atë muzikor.
“Është një vepër me kërkesa të mëdha, si në aspektin teknik ashtu edhe në atë muzikor. Harmonitë janë jashtëzakonisht të ndërlikuara, ndërsa pjesa teknike kërkon një vëmendje të veçantë – veçanërisht për shkak të dorës së majtë, e cila qëndron në lëvizje të pandërprerë në oktava. Megjithatë, është një vepër që e dua thellësisht dhe për të cilën kam punuar me shumë pasion, me qëllim që ta sjell në skenë ashtu siç e meriton” ka theksuar ai.
Me interpretimin e tij, pianoja u vendos jo vetëm si qendër e shprehjes muzikore, por edhe si partner i ndjeshëm dhe i palëkundur në shoqërim. Duraku ka shtuar se përvoja e interpretimit të këtyre pjesëve në bashkëpunim me solisten ka qenë veçanërisht e veçantë.
“Ky ishte një program që, veçanërisht pjesën e shoqërimit po e interpretoja për herë të parë. Ishte një përvojë shumë e veçantë dhe e kënaqshme të punoja me Ardianën — si gjatë provave, ashtu edhe në koncertin e mbrëmjes. Bashkëpunimi ynë ka qenë i natyrshëm dhe frymëzues.”
Ndërsa, pianistja Alba Muçolli-Dehiri është ndalur te rëndësia e përfshirjes së një vepre shqiptare në repertor, si dhe përzgjedhjen e kompozitores Mel Bonis me vetëdije të plotë artistike e sociale.
“Jemi paraqitur me një program të larmishëm që përfshinte vepra të kompozitorëve shqiptarë dhe të huaj. Ndër to ishte edhe një vepër premierë nga kompozitori ynë Rauf Dhomi, si dhe një sonatë nga Mozarti dhe dy pjesë nga kompozitorja franceze Mel Bonis. Përfshirja e saj në program nuk ishte rastësore – e kemi zgjedhur me vetëdije, pikërisht sepse është një kompozitore femër, në përkrahje të çështjes së përfaqësimit të grave në muzikën klasike dhe më gjerë, si një formë e vogël rezistence dhe kujtese artistike”, ka thënë ajo.
“Mbrëmja e Solistëve Kosovarë” është një koncert i veçantë që tradicionalisht i kushtohet instrumentistëve të njohur nga Kosova, të cilët me aktivitetin e tyre koncertal dëshmohen si interpretë të shquar të muzikës klasike, në kuadër të Chopin Piano Fest Prishtina.
Këtë herë, publiku artdashës pati mundësinë të përjetojë një program të pasur dhe të larmishëm, interpretuar me ndjeshmëri, virtuozitet dhe elegancë nga Ardiana Bytyqi Ismaili, mezzosoprano, dhe Andi Duraku, piano; Syzana Jakupi dhe Alba Muçolli, Piano Duo; si dhe Lejla Beqiri Vula, flaut, dhe Melos Buza, piano.
‘Chopin Piano Fest’ gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 1 koncert të fundit në vazhdim. Nata e 15-të e këtij festivali vjen më datë 9 qershor (nesër) ku do të interpretojë pianisti anglez, Peter Donohoe në një mbrëmje “Piano Recital” në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare, duke filluar nga ora 20:00./ KultPlus.com
Nën hijeshinë e dritave kuq e zi, në koncertin e nëntë të Festvalit Chopin Piano Fest sopranoja Ana Naqe dhe pianisti Zamir Kabo kanë magjepsur publikun përmes interpretimit të tyre brilant me vepra nga repertori vendor dhe botëror, shkruan KultPlus.
Dy artistët shqiptarë me një karrierë të bujshme nëpër teatro të njohura, për herë të parë mbrëmë kanë interpretuar para publikut në Kosovë, specifikisht në skenën e cila për 15-të edicione ka pritur artistë të ndryshëm nga mbarë bota, ku edhe kanë përcjellë emocione të jashtëzakonshme.
Një aurë rrezatuese përshkonte sopranon Naqe, e cila interpretimin e filloi me veprën “Allerseelen” nga Richard Strauss. Koncerti vazhdoi më pas me “Unverganglichkeit” nga Erich Korngold. Kurse vepra “Casta Diva- Norma” nga Vincenzo Bellini ishte kryevepra që ka nxori në pah një përjetim të thellë shpirtëror të artistes, një timbër kristalor që rrënqethte publikun deri në shpirt.
Naqe mbrëmë jetoi në çdo fjalë dhe çdo notë. Ajo me vete solli edhe përvojën e marrë nga teatrot e njohura si: Theatre Royal de la Monnaie, Grand Theatre du Luxembourg, Theatre du Chatelet në Paris, Teatro Solis në Montevideo, Opera Flamande, Opera Royal de Wallonie-Liege dhe festivalin Bregenzer Festspiele.
Vepra e tretë interpretuese ishte “Sonate Op.31 No. 2 First Moment” nga Ludwig van Bethoven, të cilën në mënyrë mjeshtërore e solli pianisti Zamir Kabo. Ndërkaq, vepra “Rhapsodie Espagnole” nga Franz Liszt ishte një interpretim me të vërtetë i rrallë. Me këtë performancë ai ishte bërë një me instrumentin e pianos, prej nga nxjerrte edhe tingujt më të rafinuar të mundshëm.
Pianosti Kabo është fitues i çmimeve të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare si: çmimi i dytë në Konkursin Kombëtar të Pianos EPTA- Tiranë, çmimi “Absolut” në konkursin kombëtar EPTA- Vlorë dhe çmimi i parë në konkursin prestigjioz EUTERPE- Itali.
Përveq, “Gluck Dass mir verblieb- Die Tote Stadt” nga Erich Korngold dhe La Luce langue Macbeth” nga Giuseppe Verdi, këtë mbrëmje u interpretuan edhe veprat e njohura vendore “Agimet Shqiptare” nga Avni Mula dhe “N’at zaman”.
Pas koncertit, sopranoja Naqe ka thënë se ndihet jashtëzakonisht e lumtur që ka qenë pjesë e edicionit të 15-të të Chopin Piano Fest.
“Jam tepër e lumtur që isha pjesë e këtij festivali. Është hera e parë që interpretoj në Prishtinë. Ishte një emocion i jashtëzakonshëm edhe për faktin që është hera e parë që performoj me Zamirin, me një laramani të programit duke filluar nga Liszt, e për të përfunduar me këngë shqiptare. Më pëlqeu shumë Prishtina. Njerëzit janë shumë të ngrohtë, shumë të dashur dhe të qetë. Vërtetë u kënaqa jashtë mase, e shijova shumë këtë mbrëmje”, ka thënë sopranoja Naqe.
Edhe për pianistin Kabo pjesëmarrja në Chopin Piano Fest përbënte një emocion të jashtëzakonshëm.
“Ishte një emocion i veçantë. Kishte kohë që po e kërkonim një bashkëpunim dhe më në fund u realizua. Ishte kënaqësi të interpretoj në një festival i cili tashmë është rikthyer në traditë. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme për skenën kulturore shqiptare. Bashkëpunimi me sopranon Naqe ishte shumë i frytshëm nga ana artistike. Ne mësojmë nga njëri tjetri, sidomos nga një këngëtare siç është Naqe me përvojë ke mundësi të mësosh gjithmonë gjëra të reja” ka thënë pianisti.
Ndërkaq, drejtoresha artistike e Festivalit, Lejla Pula ka thënë se artistët nga Shqipëria kanë një vend të veçantë në çdo edicion të “Chopin Piano Fest”.
“Jam shumë e kënaqur sepse edhe sonte si në të gjitha këto edicione kishim artistë nga Shqipëria, të cilët ne i ftojmë me shumë dëshirë. Sivjet kishim dy artistë që performuan për herë të parë në Kosovë. Ishte Ana Naçe, soprano shqiptare që jeton në Bruksel dhe Zamir Kabo, i cili është vërtetë një pianist i talentuar. Kabon e kam dëgjuar për herë tëparë në vitin 2006 në Vlorë, ishte kënaqësi që ta dëgjoj pas 19 vitesh në skenën tonë. Ishte kënaqësi për si për ne, po ashtu edhe për ata që të jenë në mesin tonë. Patëm mundësi të shijojmë muzikën vokale dhe sopranon Ana Naço, e cila i këndoi disa arie shumë të njohura. Vërtetë u kënaqëm me muzikën sonte me arritjet e tyre në aspektin teknik, muzikor, dhe artistik të tyre”, ka thënë drejtoresha Lejla Pula.
Koncerti i radhës i Chopin Piano Fest mbahet me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës dhe pianisten Sofya Gulyak, nën dirigjimin e Peter Valentoviç më 30 maj, në ora 19:30, në Sallën e Kuqe./ KultPlus.com
Një përjetim artistik mbërtheu audiencën mbrëmjen e kaluar në skenën e “Chopin Piano Fest Prishtina”, ku u mbajt koncerti i tetë me radhë i këtij edicioni. Kryefjala e mbrëmjes ishte pianisti ukrainas Vadym Kholodenko, tashmë rezident në Luksemburg, fitues i medaljes së artë në garën prestigjioze “Van Cliburn” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një ndër garat më të njohura në botë për pianist, shkruan KultPlus.
I pranishëm në këtë mbrëmje të veçantë ishte edhe Eric Dietz nga Ambasada e Luksemburgut në Kosovë, i cili me praninë dhe fjalën e tij vuri në pah rëndësinë që ky festival ka në ndërlidhjen kulturore mes vendeve. Duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme të Luksemburgut për zhvillimin e industrive kreative në Kosovë, ai shprehu entuziazmin e tij për këtë bashkëpunim artistik dhe për mundësinë që publiku i Prishtinës të përjetojë nga afër interpretimin e pianistit të njohur latin-amerikan, Vladislav Kolodenko.
“Jemi shumë të lumtur që mbështesim këtë performancë si pjesë e edicionit të 15-të të Festivalit të Pianos Chopin këtu në Prishtinë. Ngjarje si kjo na kujtojnë sa e fuqishme mund të jetë muzika në ndërtimin e lidhjeve dhe mirëkuptimit mes vendeve dhe shoqërive. Ajo bashkon njerëzit, pavarësisht gjuhëve dhe kulturave. Sonte mezi presim të përjetojmë talentin e Vladislavit në Prishtinë, dhe jam e sigurt që do të jetë një përvojë e paharrueshme për të gjithë ne. Në Luksemburg, ne organizojmë aktivitete që nxisin ndikimin e muzikës, kulturës dhe artit në Gjermani, që pasqyrojnë mënyrën më të lehtë për të thelluar marrëdhëniet dhe miqësinë ndërmjet vendeve”, u shpreh Dietz duke shtuar se Qeveria e Luksemburgut e mbështet fuqishëm industrinë kreative në Kosovë, dhe nismat si kjo fuqizojnë artistët dhe promovojnë shkëmbimin kulturor.
Më pas, ai ftoi publikun që të bashkohen për të shijuar performancën e pianistit Kholodenko.
Kholodenko solli një program të guximshëm dhe teknikisht sfidues, duke e nisur koncertin me njërën nga veprat më të ndërlikuara të repertorit pianist “Hammerklavier” të Ludwig van Beethoven. Me mjeshtëri të rrallë, ai i dha jetë katër lëvizjeve të kësaj vepre kolosale: Allegro, Scherzo: Assai vivace, Adagio sostenuto dhe Introduzione – Fuga: Allegro risoluto, duke e mbushur sallën me intensitet emocional dhe virtuozitet të jashtëzakonshëm.
Pas një pjese të parë monumentale, pjesa e dytë e koncertit solli një tjetër gjigant të repertorit pianistic, Franz Liszt. Kholodenko interpretoi me ndjeshmëri dhe finesë Three Concert Etudes, S.144 – ‘Il Lamento’, ‘La Leggierezza’ dhe ‘Un Sospiro’, ku çdo tingull solli emocione të thella dhe hije romantike.
Programi vazhdoi me Four Forgotten Waltzes, S.215, një cikël që, ndonëse më pak i njohur, u shpalos me një ndjeshmëri poetike të veçantë nën interpretimin e Kholodenkos. Koncerti u përmbyll me energjinë brilante të Valse – Impromptu, S.213 dhe Scherzo and March, S.177, duke lënë publikun e pranishëm të entuziazmuar dhe falënderues për një natë të paharrueshme muzikore.
Pas përfundimit të koncertit, për KultPlus foli dirigjenti dhe pianisti i njohur sllovak, Peter Valentovic, i cili këtë kohë po qëndron në Prishtinë. Ai vlerësoi lart interpretimin e Vadym Kholodenkos, duke e cilësuar mbrëmjen si një përvojë të jashtëzakonshme artistike.
“Duhet të them se kurrë në jetën time nuk kam dëgjuar një cilësi të tillë në një koncert live si pianist. Ishte absolutisht brilant, muzikal dhe perfekt – transparent, gjithçka. Mendoj se ishte koncerti më i mirë i jetës sime. Dëgjova një teknikë vërtet të jashtëzakonshme dhe Vadimi bëri një punë fantastike. Edhe repertori që zgjodhi – Sonata Hammerklavier nga Beethoven – pothuajse nuk luhet kurrë, sepse është jashtëzakonisht e vështirë. Po ashtu edhe pjesët e tjera që interpretoi. Jam shumë mirënjohës që pata mundësinë ta shoh këtë koncert”, tha Valentovic duke vazhduar më tutje se ndjehet i mahnitur nga virtuoziteti dhe zgjedhja sfiduese e repertorit.
Ndërkaq, ju kujtojmë se festivali Chopin Piano Fest Prishtina do të zgjasë deri më 9 qershor, e përgjatë këtyre ditëve publiku do të ketë mundësi të shijojë performanca të artistëve të mirënjohur vendorë e ndërkombëtare./KultPlus.com
Një mbrëmje e ngjizur me ndjenja të thella dhe interpretim të rrallë shpirtëror u zhvillua nën dritën intime të skenës së ‘Chopin Piano Fest’ më 22 maj, ku pianistët e mirënjohur Vovka Ashkenazy nga Islanda dhe Luca Rasca nga Italia sollën një duet pianistik që magjepsi publikun. Në një bashkëdyzim të përsosur, ata shpalosën një program të përzgjedhur duke sjellë një përjetim muzikor ku ndjeshmëria, dinamika dhe harmonia u ndërthurën në mënyrë mbresëlënëse. Performanca e tyre krijoi një atmosferë të ngrohtë dhe reflektuese, ku çdo tingull tingëlloi si një rrëfim i përbashkët shpirtëror, duke lënë një rezonancë të thellë në kujtesën emocionale të publikut. Ishte një mbrëmje ku muzika u bë gjuhë e përbashkët e shpirtit njerëzor, e udhëhequr nga duar mjeshtërore dhe zemra të ndjeshme, shkruan KultPlus.
Tashmë shtatë net me radhë, Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Universitare është shndërruar në një strehë për dashamirësit e muzikës klasike, duke mbledhur rreth vetes një publik të larmishëm e të etur për përjetime artistike. Skena e përgatitur me përkushtim rrezatonte nën dritat e ngrohta që përqafonin çdo cep të saj me një ndjesi intime. Në sfond, logoja e festivalit shfaqej me krenari, duke e bërë të pamundur të mos ndjeje solemnitetin e momentit. Një atmosferë e ngrohtë dhe e përmbushur me emocion, ku prania e publikut dhe heshtja pritëse krijonin një tension të ëmbël, një paralajmërim i heshtur për bukurinë që do të sillnin në skenë dy artistët e mbrëmjes.
Koncerti i shumëpritur i dyshes pianistike ngjizi një tjetër kapitull të paharrueshëm në peizazhin muzikor të ‘Chopin Piano Fest’, duke e mbushur ambientin me tingujt e fuqishëm dhe njëherësh të ndjeshëm të veprave nga mjeshtrit e mëdhenj si W.A. Mozart, M. Ravel, R. Schumann dhe S. Prokofiev. Interpretimi i dy pianistëve me përvojë ndërkombëtare solli një ekuilibër të përsosur mes finesës teknike dhe shprehjes emocionale, duke e kthyer mbrëmjen në një festë të vërtetë të artit. Prania e një publiku të përkushtuar, që me entuziazëm përjetoi çdo moment, ishte dëshmia më e mirë e ndikimit të thellë që la ky interpretim virtuoz në zemrat e të pranishmëve.
Hapjen e kësaj mbrëmjeje të festivalit ‘Chopin Piano Fest’ e nisi drejtoresha organizative e festivalit, Besa Luzha e cila tregoi se kjo mbrëmje vjen në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Kosovë dhe Institutin Italian të Kulturës në Tiranë.
“Mirë se keni ardhur në mbrëmjen e radhës të këtij festivali. Kemi nisur një seri koncertesh të mrekullueshme, duke kaluar çaste të paharruara në mbrëmjet e kaluara. Sot, kemi ardhur në një pikë të veçantë ku, në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Kosovë dhe Institutin Italian të Kulturës në Tiranë, shënojmë një partneritet të shkëlqyer artistik”, ka thënë Luzha.
Ambasadori i ri italian në Kosovë, Maurizio Antonini i uroi organizatorët për këtë mbrëmje dhe për gjithë punën e tyre përgjatë tërë edicioneve të këtij festivali.
“Jam me padurim duke pritur fillimin e koncertit. Është një kënaqësi e vërtetë për mua që ndodhem këtu sonte, për ta hapur këtë koncert si pjesë e Festivalit Pianistik Chopin, i cili këtë vit shënon edicionin e tij të 15-të. Është një kënaqësi unike të jesh dëshmitar i artistëve të rëndësishëm që mirëpriten në Prishtinë. Ne jemi vërtet krenarë që kontribuojmë në këtë festival duke përkrahur koncertin dhe muzikantët e talentuar. Jam shumë i lumtur dhe i nderuar që përshëndes muzikantët, pasi që të dy janë artistë të rafinuar dhe e dinë mirë se çfarë është muzika në thelb. Muzika është një instrument i mrekullueshëm që krijon dialog ndërmjet njerëzve, përtej çdo kufiri. Së shpejti do të shpallim edhe ngjarje të tjera kulturore që do të mbahen në qytete të ndryshme të Kosovës.”
Në një mbrëmje ku heshtja e sallës fliste po aq sa tingujt që mbushnin hapësirën, dy pianistët, Vovka Ashkenazy dhe Luca Rasca, sollën një përjetim që kapërceu përmasat e zakonshme të interpretimit. Ata nuk ishin vetëm dy muzikantë përballë një publiku të etur për art — ata ishin dy shpirtra që komunikonin në heshtje përmes gjuhës së pianos, në një dialog që dukej se vinte nga një kohë tjetër, më e pastër, më poetike.
Koncerti nisi me delikatesën e “Sixteen Waltzes Op.39” nga Johannes Brahms – një përmbledhje që herë rridhte si një kujtim i zbehur dashurie dhe herë shpërthente si gëzim i papërmbajtur. Dueti i tyre sillte një balancë të mrekullueshme ku Ashkenazy me një butësi melankolike që dukej se vinte nga rrënjët e thella të trashëgimisë së tij, dhe Rasca me një prekje të kthjellët e të ngrohtë, që i jepte jetë ritmit me elegancë natyrore.
Më pas, në “Petite Suite L.65” të Claude Debussy, publiku u zhyt në botën impresioniste të tingujve të ujit, dritës dhe erës. “En bateau” përshkoi sallën si një valë e qetë e liqenit, ndërsa “Cortège” solli një lehtësi lozonjare. “Menuet” rridhte me një nostalgji të përmbajtur, dhe “Ballet” përfundoi pjesën me një shkëlqim që ngjante me rrezet e fundit të diellit mbi një kopsht francez.
Në “Fantasia for piano f-mol D.940” nga Franz Schubert, pianistët krijuan një univers të tërë, të pasur me emocione që kalonin nga ëndërrimi në dhimbje, nga shpresa në pranueshmëri. Kjo vepër u shndërrua në një udhëtim të thellë shpirtëror – një formë meditimi ku publiku ndiqte secilin variacion me frymë të mbajtur, sikur çdo frazë të ishte një fije e hollë që lidhte shpirtin e kompozitorit me të tashmen.
“Six Morceaux” të Sergei Rachmaninoff ishte një tjetër kapitull emocionues në këtë rrëfim muzikor. “Barcarolle” përhapi një melodi të lëngshme e të ëmbël, një lundrim në heshtjen e natës. “Scherzo” thërriste me energji të papërmbajtur, ndërsa “Thème Russe” rrënjosej thellë në një melankoli ruse që prek çdo pore të shpirtit. “Valse” shkëlqente me një shkëlqim të hirtë, nostalgjik, ndërsa “Romance” dhe “Slava” përmbyllën programin me solemnitet dhe ngrohtësi.
Duke u alternuar me finesë në tastierë, Ashkenazy dhe Rasca i dhanë çdo vepre një jetë të veçantë – si dy poetë që lexojnë të njëjtën poezi, por secili me nuancat e veta të ndjeshmërisë. Ishin momente ku duart e tyre gati preknin njëra-tjetrën, jo vetëm fizikisht, por edhe në përjetimin emocional të asaj që po ndodhte.
Mbrëmja nuk ishte thjesht një koncert — ishte një akt i thellë përkushtimi ndaj artit, një gjendje e përbashkët meditative ku publiku nuk ishte spektator, por pjesë e një frymëmarrjeje kolektive. Bashkimi i dy pianistëve solli jo vetëm interpretim, por edhe një formë të rrallë mirëkuptimi artistik që shpesh mungon edhe në bashkëpunimet më të ndërlikuara.
Kur heshtja e fundit ra mbi sallë, asnjë duartrokitje nuk dukej e mjaftueshme. Ishte një nga ato net që nuk përmbyllen me fundin e një note, por që zgjaten në kujtesë, në zemrën e secilit që kishte fatin të ishte i pranishëm. Vovka Ashkenazy dhe Luca Rasca nuk luajtën vetëm për publikun – ata luajtën për vetë muzikën, dhe e kthyen atë në dhuratë.
Për të treguar më shumë rreth koncertit, për KultPlus foli pianisti Vovka Ashkenazy për të cilin është hera e parë që performon në festival.
“Ishte një kënaqësi e madhe të luanim përpara një audience që me të vërtetë e vlerësonte muzikën, dhe isha shumë i lumtur me koncertin, për të cilin e di që edhe Luca Rasca ishte po aq i lumtur. Mendoj se arritëm të kapim bukurinë dhe dramën e të gjitha veprave që interpretuam, dhe kjo është gjëja më e rëndësishme – të nderosh dhe të respektosh kompozitorët dhe muzikën e tyre të mrekullueshme, dhe ta ndash këtë me publikun”, ka thënë Ashkenazy.
Ndërsa, pianisti Luca Rasca për KultPlus ka treguar se është hera e parë e tij në Prishtinë dhe energjia e publikut ishte diçka ndryshe.
“Për mua kjo ishte hera e parë në Kosovë, dhe përvoja ishte vërtet e jashtëzakonshme. Publiku ishte i mrekullueshëm, po ashtu edhe akustika dhe cilësia e pianos. Fillimisht kishim disa shqetësime nëse gjithçka do të shkonte sipas planit, por ndodhi e kundërta – gjithçka funksionoi për mrekulli. Pjesët që interpretuam ishin të bukura dhe sfiduese, dhe jemi shumë të kënaqur me rezultatin e këtij koncerti”, ka thënë Rasca.
‘Chopin Piano Fest’ gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 8 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e tetë e këtij festivali vjen më datë 26 maj ku do të interpretojë pianisti ukrainas, Vadym Kholodenko në një mbrëmje “Piano Recital” në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare, duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com
Në një mbrëmje që do të mbetet gjatë në kujtesën e artdashësve prishtinas, festivali Chopin Piano Fest Prishtina mirëpriti mbrëmë një nga emrat më të spikatur të gjeneratës së re pianistike, pianistin francez Nathanaël Gouin. Ky koncert u shndërrua në një udhëtim emocional përmes tingujve të Ravel, Bizet dhe Chopin, nën interpretimin brilant të virtuozit francez, shkruan KultPlus.
Këtë mbrëmje fillimisht e hapi drejtoresha artistike e festivalit, Lejla Pula, e cila përshëndeti të pranishmit me fjalë mirëseardhjeje dhe falënderimi, duke theksuar rëndësinë e këtij festivali në skenën kulturore të Prishtinës dhe përkushtimin e tij ndaj cilësisë artistike.
“Sot ne e kemi vërtet një kënaqësi të veçantë, ta presim në skenën e “Chopin Piano Fest’ pianistin francez të gjeneratave të reja, Nathanaël Gouin, Ai ka një karrierë shumë të gjatë, edhe pse është shumë i ri, sepse ka filluar herët të të mësojë piano, dhe vërtet kemi qenë shumë të lumtur që e ka pranuar ftesën tonë që të vijë sonte këtu dhe të luajë një program të mrekullueshëm”, u shpreh Lejla Pula në hapje të festivalit.
Në një atmosferë të ngrohtë dhe plot emocion, edhe Ambasadori i Francës në Kosovë, z. Olivier Guerot, mbajti një fjalë përshëndetëse para të pranishmëve. Me theks të veçantë në rëndësinë e këtij festivali për jetën kulturore të Kosovës dhe në bashkëpunimin e vazhdueshëm franko-kosovar në fushën e artit, ambasadori shprehu mbështetjen dhe përkushtimin e Francës ndaj zhvillimit të skenës muzikore dhe kulturore në vend.
“Që nga fillimi, Ambasada Franceze ka mbështetur me krenari Festivalin Chopin, duke kontribuar çdo vit përmes sjelljes në këtë skenë të disa prej emrave më të shquar të muzikës klasike nga Franca. Kjo mbështetje e vazhdueshme pasqyron përkushtimin tonë të fortë për ndërtimin e urave kulturore mes dy vendeve tona dhe për mbështetjen e komunitetit artistik të gjallë në Kosovë, si dhe të Kosovës në tërësi. Jemi veçanërisht të kënaqur që mirëpresim në këtë skenë njërin nga pianistët më të jashtëzakonshëm të gjeneratës së tij, Nathanaël Gouin, karriera e të cilit tashmë është përmendur dhe rikujtuar”, u shpreh ambasadori francez në Kosovë.
Koncerti nisi me një homazh madhështor për 150-vjetorin e lindjes së Maurice Ravel, ku Gouin interpretoi me finesë dhe thellësi emocionale kryeveprën “Gaspard de la Nuit”, një nga veprat më sfiduese të repertorit pianistik. Publiku u përball me një përjetim të rrallë të tingullit dhe teknikës së përkryer, ku çdo notë u shpërfaq me një ndjeshmëri të rrallë muzikore.
Në vazhdim të koncertit, publiku pati rastin të përjetojë një homazh të ndjerë për kompozitorin e shquar francez Georges Bizet, në shënim të 150-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta. Nocturna e zgjedhur për këtë rast, një vepër e rrallë dhe delikate, u interpretua me ndjeshmëri të veçantë, duke sjellë në sallë një atmosferë të mbushur me qetësi dhe melankoli.
Kulmi emocional i mbrëmjes erdhi në pjesën e dytë, kur pianisti Nathanaël Gouin iu përkushtua plotësisht Frédéric Chopin-it, figurës që frymëzon vetë identitetin e festivalit. Me një interpretim të thellë dhe të rafinuar të ciklit 24 Preludëve, Gouin solli në jetë të gjitha nuancat shpirtërore dhe kompleksitetin emocional të kësaj vepre madhështore, duke krijuar një përjetim të paharrueshëm për publikun.
Pas një performance mbresëlënëse që u prit me duartrokitje të gjata nga publiku, pianisti Nathanaël Gouin ndau me KultPlus përshtypjet e tij për vizitën e parë në Kosovë. I ftuar në edicionin e 15-të të Festivalit Chopin, Gouin solli një program të pasur artistik që përfshinte vepra të Maurice Ravel dhe Frédéric Chopin, duke dëshmuar mjeshtërinë dhe ndjeshmërinë e tij interpretative.
“Është hera ime e parë në Prishtinë, në Kosovë, madje edhe në rajonin e Ballkanit. Ndjehem shumë i lumtur që pata mundësinë ta zbuloja këtë vend dhe që u mirëprita nga një organizim i tillë. Ishte vërtet mbresëlënëse. Atmosfera ishte shumë e ngrohtë dhe gjithçka ishte kënaqësi nga fillimi deri në fund. Jam vërtet i lumtur. Në këtë koncert recital, doja të bëja një homazh, para së gjithash, për një kompozitor francez, Maurice Ravel. Ndoshta vepra e tij kryesore, Gaspard de la Nuit, që është një triptik shumë poetik dhe shumë i vështirë për t’u interpretuar. Gjithashtu, desha të luaja pak Chopin, ku interpretova Preludet. Është një kryevepër” tha Gouin, duke shtuar më tutje se të 24 preludet janë disa nga veprat më të vështira që ka kompozuar Chopin, megjithatë për të ishte një përvojë e veçantë.
Përveç koncertit, Nathanaël Gouin një ditë përpara mbajto edhe një puntori me studentë të rinj të muzikës në Prishtinë, po ashtu në kuadër të Chopin Piano Fest. Përmes këtij bashkëpunimi të drejtpërdrejtë me të rinjtë, pianisti francez pati mundësinë të njohë nga afër potencialin, pasionin dhe përkushtimin e brezit të ri të muzikantëve në Kosovë.
“U mahnita nga kaq shumë njerëz të ndjeshëm dhe të përkushtuar ndaj muzikës. Qasja e tyre ishte shumë bujare dhe ata dëgjonin me vëmendje, gjë që nuk ndodh gjithmonë në puntori të tilla. Më bëri shumë përshtypje që kishte profile të ndryshme muzikantësh, sepse zakonisht ndodh që të kesh studentë me prapavijë të ngjashme. Këtu ishte krejt ndryshe, me repertor, karaktere dhe personalitete të ndryshme. Jam shumë i lumtur për Kosovën që ka talente të tilla. Me padurim pres të shoh çfarë do të arrijnë në të ardhmen”, tha Gouin për KultPlus.
Ndërkaq, ju kujtojmë se festivali Chopin Piano Fest Prishtina do të zgjasë deri më 9 qershor, e përgjatë këtyre ditëve publiku do të ketë mundësi të shijojë performanca të artistëve të mirënjohur vendorë e ndërkombëtare./KultPlus.com
Festivali më i madh i muzikës klasike në vend, Chopin Piano Fest, mbrëmë ka mbajtur koncertin e tretë të edicionit të 15-të, me artistët e shquar austriakë Benjamin Schmid- Violinë dhe Markus Schirmer- Piano duke përçuar emocione jashtëzakonisht të thella te publiku, shkruan KultPlus.
Melodi të jashtëzakonshme, harmoni e paparë dhe ndjeshmëri të rralla njerëzore u përjetuan të mërkurën mbrëma përmes veprave të kompozitorit të shquar Franz Schubert, i cili përmes gjenialitetit të tij ka arritur të krijoj mes tij dhe publikut një lloj intimiteti personal të cilin nuk ka mundur ta shkëpusë as koha e kaluar prej gati 200 vitesh.
Ndërkaq, hakun e veprave në skenën tonë modeste ia dhanë artistët që kanë realizuar aktivitete koncertore në mbarë botën. Vepra e parë që u interpretua ishte: “Sonata no.3in g minor” që nisi me tinguj fare të lehtë të pianos, për t’i dhënë një tonalitet më të rëndë më pas violina. Një harmoni mes profesionistëve muzikorë mund të vërehej edhe nga një dëgjues amator i muzikës profesionale. Tinguj fisnikë të violinës së mjeshtrit Schmid rrënqethnin trupin për t’i zhveshur ndjenjat në një melankoli të thellë.
Violinisti Benjamin Schmid aktualisht është një nga violinistët më të rëndësishëm të kohës sonë, i cili ka deri tani ka mbajtur rreth 3000 performanca live. Cilësohet si një nga violinistët më të rëndësishëm në librin Violinistët e mëdhenj të shekullit të 20-të. Për kontributin e tij në skenë është nderuar me Çmimin Mozart, Çmimin Beethoven dhe Çmimin e Audiencës.
Vepra e dytë interpretuese ishte: “D.408- Hungarian Melody in B minor D.817” që u dha nga pianisti Schirmer. Vepra karakterizohej nga tinguj kryesisht të qetë që përmes notave muzikore shpaloste një histori të ndjeshme.
“Jam shumë i lumtur që jam sonte këtu para juve për të interpretuar pjesë të kompozitorit Schubert. Ky emër është njëri ndër emrat më të veçantë për ne. Kemi vendosur që të luajmë dy pjesë të vogla që të tregojmë shumëllojshmërinë dhe shumëdimensionalitetine kompozimeve të tij. Pjesa e parë është shumë e veçantë edhe pse për fat të keq nuk është shumë e ndëgjuar në skenë, por është njëra ndër pjesët më të pëlqyera të mijat” ka thënë pianisti Schirmer.
Pianisti Markus Schirmer është po ashtu një personalitet i vlerësuar i muzikës klasike. “Një piper në piano… muzikë që vjen direkt nga zemra, truri dhe majat e gishtërinjve” është një nga komentet që e identifikon saktë punën dhe artin e tij. Ai është profesor në Universitetin e Muzikësnë Graz të Austrisë dhe drejtor artistik i festivalit ndërkombëtar të muzikës ARSONORE.
Vepra e tretë e interpretuar ishte: “Rondo for Violin and Piano in B minor, D.895 op 70” dha një harmoni tingujsh të oborreve mbretërore. “Pjesën të cilën do ta luajmë tani nga komppozitori Franch Schubert është një kompozim që është realizuar dy vite para vdekjes së tij në vitin 1828, inspiruar nga një traditë e mrekullueshme. Shpresoj që ta shijoni” ka thënë violinisti Schmid.
Veprat tjera që u interpretuan ishin: “Grazer Galopp in C major, D. 925” dhe “Violin Sonata in A major, D.574 “Grand Duo”” që po ashtu dhuruan një kolazh tingujsh fantastik me të cilët kohë pas kohe përmes një frymëmarrjeje të thellë ushqehej artistikisht edhe vetë violinisti. Për artin e dhuruar ata u kthyen disa herë në skenë, duke u ‘detyruar’ të luanin edhe dy herë pas përfundimit të koncertit.
Pas koncertit, në një prononcim për KultPlus, violinistja e njohur shqiptare Sihana Badivuku e ka cilësuar violinistin Schmid si një muzicient shumëdimensional, përderisa koncertin në përgjithësi e ka përkufizuar si një përjetim të rrallë.
“Këtë violinist e përcjellë që nga një moshë më e re. Ai ka shumë çmime botërore me karrierën e tij të bujshme nëpër botë. Më vjen mirë ka ardhur edhe në Prishtinë përmes Chopin Piano Fest. Kam pasur rastin ta dëgjoj edhe më herët në Shkup me Filharmoninë e Maqedonisë, ku edhe atje ka qenë një përjetim shumë i rrallë. Është një ndër violinistët më multidimensional, për faktin se përpos klasicizmit dhe romantizmit që ai i zotëron si talent dhe dituri, ai është edhe një hulumtues i madh i shumë zhanreve në muzikë. Sonte të dy bashkë si ansambël treguan vërtetë një unitet dhe një përjetim të rrallë kamertal të kryeveprave të Schubert-it, dhe diçka shumë individuale nga ana e secilit artist. Është me të vërtetë një ansambël i rrallë që funksionon shumë bukur”, ka thënë violinistja e njohur Sihana Badivuku.
Ndërkaq, drejtoresha artistike e “Chopin…” Lejla Pula ka thënë se ndjehet e lumtur që në skenën vendore kanë arritur të sjellin një kategori të lartë muzicientëve të muzikës klasike.
“Jam shumë e lumtur që po shënojmë sivjet përsëri një bashkëpunim me artistët austriakë, të cilët kanë qenë prezentë në skenën e Chopin Piano Fest nga fillimi i edicionit të parë, në vitin 2010. Ka disa vite që kam tentuar t’i sjell në skenën tonë këta artistë, sepse është fjala vërtetë për një kategori shumë të lartë muzicientësh. Jam shumë e lumtur që e kanë pranuar ftesën. Sonte me të vërtetë kanë shfaqur një art jashtëzakonisht të lartë, një virtuozitet dhe një muzikalitet të mahnitshëm me muzikën e Franz Schubert. Jam shumë e lumtur që kjo duo na dhuroi art të jashtëzakonshëm. Ishte privilegj për ne që t’i kemi sonte në skenën e Chopin Piano Fest”, ka thënë drejtoresha Lejla Pula.
Koncerti i radhës i Chopin Piano Fest do të mbahet pianistin Istvan Lajko më 16 maj, në ora 20:00 në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com
Mbrëmjen e 12 majit, në koncertin e dytë të Chopin Piano Fest Prishtina, publiku artdashës u bë dëshmitar i një performance artistike të jashtëzakonshme që pushtoi skenën me mjeshtëri, ndjeshmëri dhe harmoni të përsosur kamertale. Trio e përbërë nga çelistja kroate, Jelena Očić, violinistja Sihana Badivuku dhe pianisti virtuoz ukrainas Artem Yasynskyy, ofruan një përjetim muzikor që do të mbetet gjatë në kujtesën e të pranishmëve, shkruan KultPlus.
Mbrëmja u hap me Trion në Es-dur, Op. 100 të Franz Schubert, një ndër kryeveprat më të njohura të repertorit kamertal. Interpretimi i kësaj vepre nga treshja muzikore solli një thellësi emocionale dhe një rrjedhshmëri të natyrshme që i dha jetë çdo fraze melodike.
Bashkëveprimi i niveli mjeshtëror në mes të instrumentistëve solli përpara publikut një harmoni vizuale dhe perjetim emocional nëpërmjet tingujve të seciles vepër.
Pas Schubert-it, koncerti vazhdoi me një kthesë stilistike, duke sjellë emocionin dhe pasionin e “Winter” nga cikli “Four Seasons of Buenos Aires” të Astor Piazzolla. Kjo pjesë e frymëzuar nga tangoja argjentinase u interpretua me ngrohtësi duke përcjellë emocione dhe dinamika të ndryshme.
Më pas trioja interpretuan veprën “Trio Miniaturen” të kompozitorit Paul Juon, një vepër më pak e njohur, por e mbushur me delikatesë dhe karakter.
Ky koncert i cili solli vepra permierë në Prishtinë, erdhi si një udhëtim i magjishëm për publikun duke përcjellë emocione dhe një peizazh të bukur që ngjyrosej nëpërmjet tingujve e lëvizjeve të muzikantëve.
Pas koncertit në kuadër të Chopin Piano Festival, violinistja Sihana Badivuku ndau emocionet e saj për këtë paraqitje të veçantë, duke theksuar rëndësinë e veprave të interpretuara dhe bashkëpunimin me dy muzikantët e tjerë. Ajo foli për fuqinë e muzikës që i bashkon artistët, pavarësisht prejardhjes apo kohës së kufizuar për përgatitje.
“Këto vepra janë vepra premierë, edhe Schubert trio, një vepër kapitale e që është një kryevepër e literatueës kamertale. Ne me pianistin dje jemi takuar për herë të parë, ndërsa me violonçelistën e kemi pasë edhe një bashkëpunim tjetër. Pra prova e pare ka qenë dje, e dyta sot dhe arritëm të sjellim këtë mbrëmje sot, si një dëshmi që kur bashkohen tre artistë, pavarësisht pse nuk janë të njëjtin vend, muzika është universale dhe na ka bashkuar”, tha Badivuku për KultPlus.
Ndërkaq, çelistja kroate Jelena Očić u shpreh e entuziazmuar për këtë paraqitje, e dyta e saj në Kosovë. Ajo veçoi veprën e Schubert-it si sfiduese dhe madhështore, duke theksuar përkushtimin që kërkon interpretimi i saj.
“Dua të them se e shijova shumë koncertin e sotëm, me kolegët e mi të mrekullueshëm, ishte vërtet kënaqësi. Koncerti është gjithmonë diçka që kërkon shumë energji dhe krijim, që duhet të transferohet tek publiku dhe ne të tre e bëmë këtë. Programi ishte kompleks, Schubert Trio është një monument në vete, kërkojnë shumë koncntrim dhe po ashtu është edhe e gjatë si vepër, por ne e shijuam të gjitha,” u shpreh çelistja Jelena Očić, duke shtuar se shpreson që edhe publiku e ndjeu po të njëjtën energji.
Pas koncertit, për KultPlus foli edhe pianisti ukrainas Artem Yasynksyy, i cili fillimisht u shpreh mirënjohës bashkëpunimin me violinisten Sihana Badivuku dhe çelisten Jelena Očić. Ai më tutje e vlerësoi ktë koncert si një eksperiencë të mrekullueshme.
“Ne performuam pjesë të ndryshme dhe karaktere totalisht të ndryshme, por unë e shijova shumë. Për mua ishte kënaqësi e madhe që të performoj me Sihanën dhe Jelenën, të cilat janë të zonja të mund të ndryshojnë tingullin, momentin dhe ndjenjën. Po ashtu për mua ishte kënaqësi që të komunikoj me audiencën, ishte një eksperiencë e mrekullueshme”, tha Yasynksyy.
Ndërkaq, ju kujtojmë se Chopin Piano Festival do të zgjasë deri më 9 qershor. Koncerti i radhës do të mbahet më datë 14 maj, në mbrëmjen ‘Duo Violin and Piano’ ku do të paraqiten violinisti Benjamin Schmid dhe pianisti Marcus Schirmer./KultPlus.com
Në mbrëmjen e hapjes së edicionit të 15-të të festivalit “Chopin Piano Fest”, skena u ndriçua nga drita e një palete muzikore të rrallë nga interpretimi i pianistes së njohur polake, Maria Ludwika Gabryś-Heyke. Ajo nuk interpretoi vetëm nota, por i rrëfeu ato, si një poete që flet për dashurinë e parë. Nën gishtat e saj, çelësat e pianos u shndërruan në petale emocionesh që shpërthenin në gjallëri e butësi, në një udhëtim që luhatej mes brishtësisë dhe furisë melodike. Veprat që solli përmbanin në vete një gjuhë të përjetshme — melodi që ngjasonin me pëshpëritje të shpirtit, të lëna në kohë nga mjeshtër të epokave të shkuara. Ajo nuk luajti, ajo ndjeu. Çdo tingull ishte një dritare e hapur drejt ndjesive të fshehura, çdo heshtje – një frymëmarrje e thellë e artit. Dinamika e saj ishte si një lum që gjarpëronte përmes natyrës së egër: herë i qetë, herë i vrullshëm, por gjithnjë magjepsës. E publiku – i heshtur, i kapluar – ndoqi çdo valë të shpërthimit muzikor që përfundoi në një kulm të ndjeshmërisë së pastër, aty ku emocioni nuk kishte më nevojë për fjalë, shkruan KultPlus.
Mbrëmja e hapjes së festivalit gjithashtu shënoi edhe Ditën e Evropës, 9 Majin. Amfiteatri i ri i Bibliotekës Universitare ishte i mbushur plotësisht. Nga ata në moshë të rinj e të moshuar, salla dukshëm pulsonte me rrahje zemrash. Karriget e mbushura plotë prisnin tashmë nisjen e festivalit i cili ndriçonte bukur. Prapavija në skenë e lulëzuar në nota tingujsh që rrinin këndshëm mbi ekranin e vendosur, perdet në ngjyrë të tokës, re fletorët në ngjyrë portokalli dhe ato të bardhat që ndihmonin për vështrimin më të pastër të gishtërinjve të pianistes, ishin elementet që binin në sy që në fillim. Ambienti i ngrohtë e rriste emancipimin e publikut për të përjetuar një recital pianistik të mrekullueshëm.
Festivali “Chopin Piano Fest“ do të zgjasë një muaj dhe do të sjellë 15 koncerte me pjesëmarrjen e 26 artistëve ndërkombëtarë dhe vendorë, përfshirë edhe dy koncerte të tjera dhe pesë masterklasë.
Hapjen e festivalit ‘Chopin Piano Fest’ e nisi drejtoresha artistike Lelja Pula e cila fillimisht tregoi për bashkëpunimin e parë me Zyrën e Bashkimit Evropian.
“Miq të dashur të festivalit, sonte me kënaqësinë më të madhe së bashku po qëndrojmë në momentin më të rëndësishëm në 15 vjetorin e festivalit të përvitshëm Chopin Piano Fest Prishtina. Vlerë e shtuar e festivalit është edhe bashkëpunimi ynë tanimë tradicional me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë me rastin e Ditës së Evropës, 9 maji. Sivjet gjithashtu i bashkohemi edhe festimit të madh të 80 vjetorit të çlirimit nga fashizmi. Kanë kaluar 15 vite me përjetime muzikore të mrekullueshme dhe të paharruara artistike, andaj me këtë rast dëshirojmë të shprehim falënderimin tonë të përzemërt për të gjithë mysafirët tanë të cilët janë artistë të jashtëzakonshëm. Janë mbi dyzet shtete nga e gjithë bota që kanë qenë në skenën tonë gjatë këtyre viteve”, thotë ajo.
Sipas saj, falënderimi i takon edhe artistëve vendorë që i janë përgjigjur ftesës dhe kanë ardhur në Prishtinë duke kontribuar në cilësinë e lartë të programit muzikor.
“Gjithashtu, dëshiroj të shpreh mirënjohje të thellë për ekipin tonë të mrekullueshëm, për punën dhe angazhimin maksimal në realizimin e përsosur të festivalit. Falënderimi shkon edhe për partnerët dhe mediat që kanë qenë këtu me besnikëri për 15 vite. Mirënjohje e veçantë shkon për publikun tonë, dhe pa ta, i gjithë ky organizim nuk do kishte kuptim dhe këtë jehonë.”
Drejtoresha organizative e festivalit, Besa Luzha foli rreth kontributit që ky festival ka sjell përgjatë 15 viteve.
“Jam shumë e lumtur që së bashku kemi arritur në këtë edicion të 15-të, ne po ndjehemi shumë krenarë për arritjet në aspektin lokal dhe ndërkombëtarizimin e këtij festivali. Plot 15 vite ne jemi anëtarë të devotshëm të Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave Chopin në botë, e cila është pjesë e UNESCO-s dhe përmes saj edhe Kosova e ka një vend të vogël në këtë institucion të rëndësishëm. Pa përkrahjen e institucioneve të cilave asnjëherë më shumë se viteve të fundit nuk i kanë kushtuar rëndësi kulturës, gjithë ky mision do të ishte i pamundur, andaj falënderojmë Ministrinë e Kulturës, Komunën e Prishtinës, Ministrinë e Punëve të Jashtme, UP-në, Filharmoninë e Kosovës. Po ashtu, ne kemi arrirë një sukses të madh duke e inkuadruar edhe sektorin privat, kompanitë e ndryshme që po mbështesin artin dhe kulturën përmes ligjit të sponsorizimit.”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar lartë rrugëtimin e festivalit “Chopin Piano Fest” dhe ka premtuar se të gjitha institucionet do të jenë përherë në përkrahje të artit dhe kulturës.
“Të nderuar të pranishëm, është nder për mua të jem sonte këtu me ju në hapjen e ngjarjeve më domethënëse kulturore në vendin tonë, Chopin Piano Fest, një festë e pianos por edhe e bashkimit shoqëror e edukimit artistik dhe diplomacisë kulturore. Emri i festivalit përmban figurën e Frederic Chopin, një prej emrave më unifikues në historinë e pianizmit botëror. Pianoja nuk është vetëm mjet muzikor por është mjet fisnikërie, disipline e krijimtarie. Përmes tingullit të saj, ka fuqinë të lidhë njerëzit e të ndërtojë ura midis kulturave dhe brezave. Figura e Frederic Chopin, mjeshtër i pianos dhe simbol i komunitetit kulturor evropian, ka ndikuar thellësisht në arsimimin në Kosovë ku muzika e tij është interpretuar, studiuar dhe përkujtuar përmes konkurseve dhe krijimeve të reja nga kompozitorët tanë. Chopin Piano Fest tashmë është traditë e konsoliduar, pasqyron hapin tonë ndaj botës, pasionin për muzikën dhe përkushtimin për cilësi. Edhe këtë vit, programi i festivalit është i pasur dhe mbresëlënës me artistë nga Polonia, Franca, Italia, Hungaria, Ukraina, Austria, Mbretëria e Bashkuar, Lituania, Kuba Suedia dhe Kosova. Kjo është një dëshmi e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe faktit që Kosova po fiton në hartën kulturore globale. Ky festival është një ekosistem i gjallë kulturor që mbështetë talent të rinj, promovon trashëgiminë muzikore, dokumenton krijimtarinë dhe nxit diplomacinë përmes artit. Festivali lidh skenën tonë të pavarur muzikore me struktura të ngjashme në rajon dhe në botë.”
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se artistët kosovarë janë bërë pjesë e denjë e peizazhit kulturor evropian, duke arritur majat dhe duke kontribuar me talentin dhe pasionin e tyre.
“Nëse hedhim një vështrim prapa në të kaluarën, Bashkimi Evropian shfaqet si projekti më i suksesshëm në historinë moderne. Ndërsa shikojmë drejt së ardhmes, ne e ëndërrojmë dhe e besojmë që ky projekt do të vazhdojë të jetojë përherë. Jam veçanërisht i lumtur që, në prag të Ditës së Evropës, kemi mundësinë të festojmë përmes gjuhës universale të muzikës — me veprat e jashtëzakonshme të Fryderyk Chopin-it. Bashkëpunimi ndërmjet Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe festivalit Chopin Piano Fest ka qenë shembullor dhe është kthyer tashmë në një partneritet të qëndrueshëm dhe tradicional. Ky bashkëpunim dëshmon fuqishëm për rëndësinë thelbësore që ka shkëmbimi kulturor ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Artistët kosovarë janë bërë pjesë e denjë e peizazhit kulturor evropian, duke arritur majat dhe duke kontribuar me talentin dhe pasionin e tyre. Bashkimi Evropian ka qenë një mbështetës i fortë i kulturës në Kosovë dhe do të vazhdojë të jetë i tillë edhe në të ardhmen. Gjatë viteve, Chopin Piano Fest ka sjellë në Prishtinë muzikantë të mrekullueshëm nga mbarë bota, dhe sot, me kënaqësi të veçantë, presim të dëgjojmë interpretimet që do të na dhurojnë emocione të paharruara.”
Përfaqësuesja nga Ministria e Jashtme e Polonisë, Agnieszka Kowalska u ka uruar të pranishmëve që të zhyten thellë brenda pasurisë së muzikës polake.
“Është kënaqësi e veçantë për mua t’ju uroj mirëseardhje të ngrohtë të gjithëve ju që keni ardhur në këtë koncert të veçantë, në kuadër të festimeve për Ditën e Evropës, e cila këtë vit ka një rëndësi të veçantë për ne. Dëshiroj të theksoj se Polonia e njeh dhe e mbështet plotësisht aspiratën e Kosovës për integrimin evropian. Jemi krenarë që Shoqata Chopin në Kosovë ka vendosur ta hapë këtë edicion të festivalit me një performancë të jashtëzakonshme. Shpresoj që koncerti i sonte të jetë momenti kulmor i edicionit të 15-të të Chopin Piano Fest dhe ju ftoj që të zhytni veten në pasurinë e muzikës polake. Më lejoni t’ju uroj një përvojë të paharrueshme muzikore.”
Pas këtyre fjalimeve, në sallë mbizotëroi heshtja për të sjellë në skenë pianisten polake Maria Ludwika Gabryś-Heyke me duartrokitje dhe brohoritje të shumta.
Mbrëmja nisi me një goditje të butë, por të sigurt – “Polonaise in cis – op. 26 nr. 1” u ngrit mbi tingujt si një hark triumfi, një marsh krenar që e shpalli ardhjen e një muzike që nuk njeh kohë. Gishtat e saj preknin pianon si ushtarë të disiplinuar që ndjekin një mision melodik – të hapin rrugën për emocionin. Katër Mazurkat e op. 30 erdhën si kujtime nga fshatrat e humbur të Polonisë – me ritme që luhateshin si hapa vallëzimi të një kujtese të gjallë. Në to, ajo nuk interpretonte thjesht tinguj, por rrëfente jetën e një populli të tërë, me dhimbjen dhe hijeshinë e tij të heshtur.
“Nocturne në cis – mol, op. 27 nr. 1” e mbështolli sallën në një natë të butë dhe të pambarimtë. Çdo notë u derdh si dritë hëne mbi një liqen të qetë, ndërsa publiku u tret në qetësinë që vetëm muzika e Chopin-it mund ta krijojë. Me “Nocturne në H-dur, op. 32 nr. 1”, ajo solli një dritë më të ngrohtë, më njerëzore. Ishte sikur të dëgjoje zemrën e dikujt që flet pa fjalë, që rrëfen pa pasur nevojë të kuptohet. Tingujt e saj pikturonin një butësi që mbetet në mendje si aroma e një mbrëmjeje pranverore. Dhe pastaj, si një shpërthim i papritur i ndjenjave të fshehura, “Fantaisie-Impromptu në cis – mol, op. 66” përmbylli gjithçka. Aty pianistja u bë një me instrumentin — një stuhi pasioni dhe teknikë që shpërtheu mbi piano.
Pjesa e dytë e programit hapi një dritare tjetër të shpirtit të Chopin-it — një botë ku aristokracia e formës përqafohej me melankolinë e një zemre që s’pushonte së kërkuari përjetësinë në tingull.
“Polonaise në c – mol, op. 40 nr. 2” u ngjit mbi vend me një solemnitet të thellë — si një elegji e heshtur, një rrëfim i brendshëm i krenarisë së plagosur. Ajo fliste me peshën e kujtesës, e cila nëpërmjet fuqisë së ritmit shndërrohej në qëndresë. Në duart e pianistes Maria Ludwika Gabryś-Heyke, kjo polonezë nuk ishte thjesht një formë — ishte thirrje, hije, shpresë e ngulitur në një tokë që frymon përmes muzikës.
Pastaj, “Valset në es – dur, op. 34 nr. 1” u shfaq si një dritë që ndizet në ballo, një rrotullim i hijshëm në mes të sallës, ku çdo notë kishte aromën e parfumeve të epokës romantike. Ajo fluturonte lehtë mbi piano, por pas lehtësisë fshihej një mall — një buzëqeshje që s’flet kurrë plotësisht. “Valset në a – mol, op. 34 nr. 2” ishte si një fije zëri që vjen nga një dritare e mbyllur — plot me kujtime, e brishtë dhe e ndalur në ajër. Ky ishte valsi i një shpirti që kërkon një emër nëpër hapësira bosh, një ritëm që ecën, por kurrë nuk gjen një strehë të qetë. Pianistja prekte këtë ndjesi me finesë të rrallë.
E me “Valset des – dur, op. 64 nr. 1” — të njohur ndryshe si “Minute Ëaltz” — ajo solli një lojë shpërthyese. Një xixëllimë e shpejtësisë, një dritë që vezullon në errësirën e mendimeve të thella. Ky vals nuk është për t’u matur në kohë, por për t’u përjetuar si shpërthim i pastër gëzimi — një ndjekje pas kohës që ikën, pa mundur ta kapësh kurrë. Në fund, vepra “Andante spianato dhe Grande Polonaise Brillante në es – dur, op. 22” ishte si një kurorë mbi gjithë natën. Fillimi – një ëndërr e qetë, një melodi që shtrihet mbi piano si një pëlhurë mëndafshi. Dhe më pas – një shpërthim i hijeshisë, i shkëlqimit teknik, i dashurisë për formën dhe fuqinë e lirisë. Në këtë vepër, pianistja u bë kalorëse e bardhë e romancës dhe rebelimit artistik; çdo notë ishte një hap mbi një skenë që tani nuk i mjaftonte më.
Madhështia e rrallë e interpretimit pianistik të Maria Ludwika Gabryś-Heyke, mjeshtëria e një gruaje që nuk e pushton skenën, por e shndërron atë në një zgjatim të shpirtit të saj, ndërlidhja e thellë mes emocioneve dhe tingujve, vallëzimi i butë i trupit me çdo notë, pasioni që shkruhej në shprehjet e fytyrës si në një letër të hapur – ishin këto elementet që e kthyen natën në një përjetim të pazëvendësueshëm. Ajo luante si të kish lindur me ato melodi në duar. Çdo prekje ishte një ofrim i shpirtit përballë një bote që dëgjonte në heshtje dhe merrte frymë përmes saj. Publiku tërhiqej vazhdimisht në brendësinë e lojës së saj — në skutat më intime të një muzike që lindte dhe jetonte vetëm aty, vetëm atë natë.
Ishin duartrokitjet ato që ndërhynin në heshtjet mes frazave — të ngrohta, të papritura, por të merituara. Heshtjet e krijuara nga ajo, me një saktësi kirurgjikale, u mbushën me falënderimet e buta të publikut, që shpërthenin në emocione të pakontrolluara. Në atë çast, ajo nuk ishte vetëm interprete. Ishte krijuese e një përvoje të përbashkët. Dhe publiku, në mënyrën më të natyrshme, u shndërrua në pjesën e fundit të enigmës — në nyjën që lidhte artin me përjetimin. Ashtu, nata u bë një e tërë, një kujtim që do të jetojë gjatë në mendjet e të gjithë atyre që patën fatin të jenë dëshmitarë të saj.
Pianistja polake Maria Ludwika Gabryś-Heyke e cila performoi për herë të parë në Kosovë, ka thënë se ndjehet tejet e lumtur që ka ndarë skenën me audiencën e Kosovës.
“Pata një nder shumë, shumë të madh të luaj për ju sonte. Desha ta nis koncertin me një pjesë shumë tradicionale polake, sepse në kohët e mëhershme, çdo festë në Poloni fillonte me një valle kombëtare polake. Dhe Chopin e shkroi këtë pjesë pak para se të largohej përgjithmonë nga Polonia. Më pas janë Mazurkat – ato ishin shumë pranë zemrës së Chopin-it, dhe ai i kompozoi ato gjatë gjithë jetës së tij, duke përfshirë në to edhe vuajtjen, edhe gëzimin. Në pjesën e parë të koncertit, dëshirova të prezantoj vepra që janë plot dritë dhe hije – vepra shumë ekspresive. Kjo është hera e parë që performova këtu. Kam kaluar tashmë dy ditë në Kosovë dhe kam takuar njerëz shumë miqësorë, dhe më pëlqen shumë energjia që ka ky vend. Jam shumë e lumtur që isha së bashku me audiencën e Kosovës.”
‘Chopin Piano Fest’ gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 14 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e dytë e këtij festivali vjen më datë 12 maj ku do të interpretojë Sihana Badivuku, Jelena Ocic dhe Artem Yasynskyy në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com
Ceremonia e hapjes së edicionit jubilar të 15-të të Chopin Piano Fest do të filloj me pianisten Maria Ludwika Gabrys- Heyke, profesoreshë dhe Shefe e Departamentit të Muzikës së Vjetër dhe e Çembalos në Universitetin e Muzikës “Fryderyk Chopin” në Varshavë.
Gabryś-Heyke është fituese e shumë Çmimeve të Para, përfshirë Konkursin Ndërkombëtar “Ludwig van Beethoven” në Hradec nad Moravicí (Republika Çeke), “Edwin Fischer-Wettbewerb” në Lucernë (Zvicër) dhe “Chopin Golden Ring” në Ptuj, Slloveni.
Festivali më i madh i muzikës klasike “Chopin” vjen në bashkëpunim me Zyren e Bashkimit Evropian në Kosovë, për nder të Ditës së Evropës.
Ceremonia e hapjes së Chopin Piano Fest nis në ora 20:00, në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Qëndrore Universitare./ KultPlus.com
Me një koncert të mrekullueshëm të dhuruar nga pianisti italian me famë botërore, Giovanni Bellucci, të dielën mbrëma, është shënuar përmbyllja e edicionit të 14-të të festivalit “Chopin Piano Fest”, i cili për një muaj radhazi në skenën e Prishtinës solli artistë të shquar vendorë dhe ndërkombëtar, shkruan KultPlus.
Një lojë aq e rrallë si kjo e artistit Bellucci që përkundër kushteve aspak të përshtatshme në sallën interpretuese nga temperaturat e larta si dhe nga kushtet teknike, do të mbahet në mend gjatë nga publiku që kishte zënë çdo cep të Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare.
“Nuk ka dhjetë pianistë si ai në botë; ai na kthen në epokën e artë të pianos”- thuhet në një kritikë të realizuar për artistin pasi ai kishte arritur kulmin nga një seri shumë e gjatë suksesesh në skenat ndërkombëtare. Giovanni Belluci ka interpretuar në auditoret, teatrot tradicionale dhe festivalet më të famshme në tërë botën.
Më i veçanti interpretim i tij konsiderohet paraqitja në “Hollywood Bowl” ku pati debutimin e tij amerikan para 18 mijë spektatorësh. Ai ka interpretuar edhe në “Sallën e Artë të Musikverein- Vjenë”, “Shoqërinë e Arteve Performuese të Uashingtinit”, “Sallën e Koncerteve Svetlanov në Moskë”, “Shtëpinë e Operës në Sidnei” etj.
Kapaciteti i madh artistik i tij, u pa nga afër edhe nga publiku i Kosovës, i cili në shenjë mirënjohjeje ngritej në këmbë pothuajse pas çdo pike interpretuese të tij. Një pamje shumë e qetë e artistit i rrinte shumë bukur një publiku të qetë po ashtu, i cili me shumë kujdes vërente çdo lëvizje mjeshtërore të tij. Lëvizjet e hatashme të gishtrinjëve, dhuronin tinguj aq të rrallë nga ku edhe shpalosej teknika e tij stilistike.
Ishin veprat “Fantasia e Fuga sul nome B-A-C-H”, “Leggenda n.2: San Francesco di”, “Paola che cammina sulle onde” nga F. Liszt që e hapën koncertin e 16-të të Chopin Piano Fest, dhe të fundit për këtë edicion, vepra këto të cilat konsiderohen më të vështirat në literaturën pianistike nga autori në fjalë.
Koncerti më tej vazhdoi me tinguj magjik me veprat: “On the 100 anniversary of the death of F. Busoni”, “Elegia n.4: Turandots Frauengemach (llgineceo di Turandot)” nga F. Busoni “Apres une lecture de Dante: Fantasia quasi Sonata. Dal ciclo Années de pelerinage, Deuxiéme annèe, Italie” nga F.Liszt, “Ballata n.1 in g- mol op. 23” nga F.Chopin, “Tristano e Isotta: Scena finale (isoldens Liebestod- La morte d’amore di Isotta; trascrizone di F. Listzt)” nga R. Wagner, “Le mal du pays. Dal ciclo Annèes de pèlerinage- Premiere annèe- Suisse”, “Rapsodia Ungherese n. 12, in cis-mol” nga Liszt dhe “Polonaise in As-dur op.53 “Eroica” nga F. Chopin.
Ky edicion i festivalit, për herë të parë dha edhe çmimin special në garën e artistëve të rinjë, të cilin çmim e rrëmbeu Eleonida Elezaj. Ndërsa në shenjë mirënjohjeje për punën e gazetarëve që për një muaj i ndoqën koncertet e “Chopin Piano Fest” u ndanë mirënjohje për mediumet: KultPlus, KTV, dhe RTK. Në këtë rast nuk u la anash edhe Komuna e Prishtinës.
Krejt në fund të koncertit në një prononcim për KultPlus,pianistja Alberta Troni, koncertin e quajti të jashtëzakonshëm, i cili sipas saj në vete ngërthente filozofi të thellë pianistike.
“Nata e sotme ka qenë një mrekulli në vete duke pasur parasysh që patëm një pianist brilant në skenë, i cili vjen për herë të tretë në Kosovë. Pjesa e parë ishte me veprat më kapitale dhe më të vështira të Franc Liszt që posedon literatura pianistike. Ai tregoi një predispozitë fantastike, imagjinare si pianist shumë i veçantë. Është një dimension tjetër si pianist. Ai komunikon me botën artistike me filozofinë e thellë të muzikës pianistike. Është shumë i veçantë dhe patëm kënaqësi që e dëgjuam. Edhe publiku ishte i qetë dhe ai e kishte atë qetësinë maksimale që të prezeantoj materialin e tij pianistik” është shprehur pianistja Troni.
Ajo më tej foli edhe për festivalin në përgjithësi, nga ku tha se secila mbrëmje kishte veçantinë dhe sharmin e vet.
“Festivali ka pasur laramani të artistëve dhe të repertorëve të ndryshëm, ka pasur muzikë vokale, muzikë pianistike, ansamble me shumë mbrëmje të bukura secila me atë veçantinë e vet, me vulën e vet të secilit shtet. Ishte me të vërtetë kënaqësi” është shprehur Troni.
Ndërsa artisti Giovanni Bellucci i cili në skenën vendore performoi për herë të tretë tha se në këtë koncet të dominuar nga fytyra të reja programi ishte komplet ndryshe në përbërje me vepra të Chopin dhe Liszt.
“Janë pianistë të mëdhenj të historisë muzikore. Chopin e admironte atë, ishin miq të afërt por pas disa ngjarjeve ata u shkëputën. Ndoshta sepse Liszt ishte personalitet shumë më ndryshe dhe Chopin ishte shumë më i ndjeshëm, por edhe karakter më i hapur. Muzika e tyre është krejt ndryshe, ndonëse eksplorojnë virtuozitet në piano. Ishte shumë interesante për mua t’i bëjë bashkë të dy në program”, ka thënë Bellucci.
Ndërsa drejtoresha artistike, Lejla Pula, artistin Bellucci e quajti mjeshtër të madh stilistik të veprave të romantizmit.
“Ishte vërtetë një koncert me vepra bravoroze, teknikisht, muzikalisht, me një imazh krejtësisht të veçantë tingullor të cilin e ka sjellë Giovanni Bellucci. Është shumë i veçantë në interpretimin e Chopin-it, Listz-it, Wagner-it, është mjeshtër stilistik i veprave të romantizmimit. Kërkesat muzikore e teknike ishin të jashtëzakonshme dhe unë jam shumë falënderuese që ky artist na nderoi me ardhjen e tij, ku së bashku patëm rastin të ndjekim këtë performancë të mrekullueshme” është shprehur drejtoresha Lejla Pula.
Ndërsa sa i përketë festivalit “ Chopin…’ ajo tha se është ndarë e kënaqur me artistët, për më tepër edhe nga performaca e atyre artistëve që vijnë nga shtete që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.
“Ne kemi qenë shumë të kënaqur sepse përgjatë 16-të koncerteve kemi pasur audiencë të shumtë dhe interesim shumë të madh. Vet përbërja dhe artistët të cilët kanë ardhur kanë qenë të atij niveli sa që njerëzit mezi kanë pritur që të shijojnë performancën e tyre në skenën tonë. Përveç këtyre artistëve të ardhur nga e gjithë bota si nga Italia, Gjermania, Lituania, Londra, Rumunia, Shqipëria ne si politikë kulturore u kujdesemëm që të vijnë edhe artistë nga vendet që nuk e njohin shtetin e Kosovës si: Sllovakia, Tajlanda, Rumunia”, ka thënë drejtoresha duke potencuar se një pjesë e madhe e artistëve e kanë vlerësuar lartë kapacitetin e studentëve të Drejtimit të Muzikës.
“Ishte kënaqësi e madhe që ata artistë janë ndarë posaqërisht të kënaqur me audiencën tonë, me një audiencë të re e cila din të shpërblej, e cila duartroket, është shumë e vëmendshme dhe e cila e shijon vërtetë performancën. Ata janë ndarë shumë të befasuar. Gjatë masterklasave që i kemi mbajtur shumica prej tyre e kanë vlerësuar shumë lartë nivelin e studentëve tonë”, ka thënë drejtoresha Lejla Pula.
Ndërsa Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama duke parë nga afër kushtet jo të mira të sallës, tha se janë duke e bërë të pamundurën që sa më shpejtë të funksionalizojnë sallën koncertale në ndërtesën e “Gërmisë”.
“Ne po punojmë me hapa të mëdhenj me gjithçka kemi në dorë që ta transformojmë hapësirën e ndërtesës së “Gërmisë” në “Muze të Artit” dhe në sallë koncertale. Ju “lajmëroj sot që do të hapet ish-ndërtesa e Gërmisë në javën e ardhshme, ngase tani është në proces transformimi. Ky objekt do të jetë i hapur për qytetarët tanë për turistët si një “”Galeri e Artit””, shpreh kryetari Rama.
Kryetari Rama po ashtu i falënderoi edhe drejtoreshat e Festivalit “Chopin Piano Fest”, Lejla Pulën dhe Besa Luzhën për vizionin e tyre, i cili Prishtinën tashmë e ka shëndrruar në qendër të shprehjes artistike.
“Si kryetar i Prishtinës, sot ndodhem këtu jo vetëm si zyrtar, por si një bashkëqytetar i mahnitur nga magjia që krijohet edhe nga shpirtrat artistik të qytetit tonë dhe nga të gjithë ata që na vizitojnë nga vende të ndryshme. Ky festival ka qenë edhe mbetet si një simfoni e madhështisë me muzicient virtuoz me famë botërore, duke sjell këtu artistë prej skenave të ndryshme botërore, ku sonte kemi edhe Govanni Bellucci-n. Ne jemi dëshmitarë të përkushtimit të “Chopin Piano Fest” dhe të përpjekjeve të tyre të paluajtshme për të krijuar këtë kryevepër të shkëmbimit kulturor”, u shpreh kryetari Rama.
Edicioni i 14-të i Festivali “Chopin Piano Fest” i cili u realizua në datat 9 maj- 9 qershor, përveç Giovanni Belluccit në skenë solli edhe: Artem Yasynskyy, Saran Suebsantiëongse, Alberta Troni, Kosti Deti, Frabrizio Boso Quartet, Catalina Butccaru, Lucy Hall, Philipp Scheucher, Konstantin Manaev, François Dumont, Iliriana Gjoni, Milica Laloseviq, Petrit Çeku Quartet, Sofya Gulak, Ulpiana Alijaj, Zana Bdivuku-Basha, Nezahate Shala- Zeka, Denita Dedushaj, Nita & Malbora Krajku, Besart Shala, Dardan Gjinolli dhe shumë nxënës të pianos./ KultPlus.com
Në mbrëmjen e 15-të të ‘Chopin Piano Fest’, publiku pati rastin të shijojë magjinë e disa nga kryeveprave të muzikës operistike botërore, interpretuar nga sopranoja Ulpiana Alijaj dhe pianisti italian Peter Valentovic, shkruan KultPlus.
Mbrëmja magjike filloi me “Non si da follia maggiore ‘Il Turco in Talia’ të Rossinit duke vazhduar me LA boheme’ të Puccinit, përformanca këto që morën vëmendjen e audiencës qysh në fillim.
Koncerti më tutje filloi me veprat e Lehar, Jezek, Mozart, Dvorak e Rushiti. Ndërkaq, pjesa kulmore e koncertit ishte performanca solo e Valentovic i cili improvizoi në piano mbi temën e Rachmaninoff.
Për gati dy orë, dyshja Aliaj e Valentovic, i dhuruan publikut një shfaqje të mahnitshme e plot virtuozitet.
Pas koncertit, për KultPlus foli pianisti Peter Valentovic, i cili shprehet i lumtur për prezencën e tij në këtë festival dhe për ngrohtësinë që mori nga publiku.
“Jam shumë i lumtur që mora pjesë në ‘Chopin Piano Fest’, në këtë festival të mrekullueshëm. Njerëzit janë të mrekullueshëm, organizimi po ashtu. Ne patëm një ndihmë nga ambasada e Sllovakisë këtu, për të cilën ne jemi shumë mirënjohës. Jam shumë i lumtur që erdha këtu dhe solla muzikë për publikun e Kosovës.Publiku këtu ishte shumë i ngrohtë, pati shumë duartrokitje dhe kjo më bëri akoma më të lumtur”, tha Valentoviç për KultPlus.
Ndërkaq sopranoja Ulpiana Alijaj vlerësoi paraqitjen që patën në këtë koncert e në veçanti, bashkëpunimin me Valentovic.
“Kam qenë vërtet e emocionuar sepse besoj se u paraqitëm në një program shumë impenjativ dhe pjesa më e madhe ishte premierë për skenën kosovare, kështu që ishte një përgjegjësi shumë e madhe edhe për vetë faktin që ‘Chopin Piano Fest’ tashmë gëzon një vulë të garancisë dhe besnikërisë artistike, kështu që për ne ishte një përgjegjësi e dyfishtë. Bashkëpunimi me maestron Valentovic për mua si eksperiencë vjen si e disata herë për shkak se ne kemi një njohje të hershme profesionale, prandaj ka qenë një kënaqësi shumë e madhe fakti që ai e mirëpriti ftesën në Prishtinë”, u shpreh Alijaj.
Lejla Pula, drejtoreshë artistike e ‘Chopin Piano Fest’, tha se ndjehet e lumtur që kjo dyshe u paraqit në natën që ishte e rezervuar për koncert operistik.
“Sonte ishim prezentë në mbrëmjen e 15-të të ‘Chopin Piano Fest’ dhe vërtet u kënaqëm me mbrëmjen operistike me Ulpiana Aliaj në përcjellje me Petet Valentovic nga Sllovakia, një pianist i cili është edhe dirigjent edhe një shoqërues i kantos fantastik. Unë kam vërtet dëshirë që Opera e Kosovës edhe në të ardhmen ta angazhojë si dirigjent të operas sepse është një rang botëror i dirigjentit. Ndërkaq Ulpiana Aliaj shpalosi për herë të parë gjithë paletën e virtuozitetit edhe tingullit të saj, një timbër fantastik me të cilin mahniti publikun sonte me interpretimin e saj”, theksoi Pula për KultPlus.
Ndërkaq, sonte, më 9 qershor, do të mbahet ceremonia përmbyllëse e ‘Chopin Piano Fest’ ku do të përformojë pianisti i njohur italian Giovanni Bellucci./KultPlus.com
Në koncertin e 12-të të ‘Chopin Piano Fest’ publiku pati mundësinë të dëgjojë vepra të stileve të ndryshme dhe nga instrumente të ndryshme në mbrëmjen e dedikuar për solistët e Kosovës, shkruan KultPlus.
Mbrëmja filloi me duo në piano nga Zana Badivuku – Basha dhe Nezahate Shala – Zeka, të cilat sollën atmosferë melankolie nën tingujt e kryeveprave të Chaminde, Piperku dhe Bizet.
Më pas, treshja Denita Dedushaj në Piano, Nita Krajku në flaut dhe Malbora Krajku në Klarinet, sollën madhështinë e veprës ‘Petite Suite’ nga Debussy.
E për fund, në skenë dolën Dardan Gjinolli në saksofon dhe Besart Shala në piano, të cilët dhuruan momente të paharrueshme teksa interpretuan ‘Scaramouche’ të Milhaud, ‘Valse Vanite’ të Wiedoeft dhe ‘Peuena Czarda’ të Iturralde.
Pas koncertit ku u paraqit në bashkëpunim me pianisten Zana Badivuku – Basha, për KultPlus foli pianistja Nezihate Shala – Zeka, e cila përveç që vlerësoi koncertin, falënderoi edhe organizatoret për ftesën.
“Në koncertin e sotëm u ndjeva mjaft mirë, sidomos kur kemi bashkëpunime me kolegët, pra është një kënaqësi tjetër sepse mund ta ndajmë përvojnë bashkë. Veprat i kemi përzgjedhur vetë paraprakisht. Falënderojmë ‘Chopin Piano Fest’ që na kanë ftuar e sonte kaluam verte t shumë bukur”, tha Shala – Zeka.
Ndërkaq, Dardan Gjinolli i cili së bashku me pianistin Besart Shala, përmbyllën këtë koncert, u shpreh se ishte një mbrëmje ku u luajtën vepra shmë të këndshme dhe të dashura për publikun.
“Falënderoj organizatorët e ‘Chopin Piano Fest’ që na e kanë dhënë mundësinë që të vijmë dhe të luajmë vepra të cilat janë shumë të mira dhe të këndshme për veshin. Publiku ka pasur rastin që të dëgjojë një repertor shumë të mirë ku është vepra e parë ‘Scaramouche’, ‘Valse Vanite’ dhe ‘Pequena Czarda’”, u shpreh Gjinolli për KultPlus.
Për KultPlus foli edhe flautistja Nita Krajku, e cila tha se në këtë koncert po ashtu u dha për herë të parë vepra ‘Suite’ e Debussy, e përshtatur për flaut, klarinet dhe piano.
“Kemi luajtur veprën ‘’Suite’ nga Debussy që është një vepër për dy piano, por që në këtë rast ishte e aranzhuar për flaut, klarinet dhe piano, është një premierë që po luhet në Kosovë, nuk është luajtur më herët”, theksoi Krajku për KultPlus.
Ndërkaq, të dielen, më 9 qershor do të mbahet ceremonia përmbyllëse e ‘Chopin Piano Fest’ ku do të performojë pianisti italian Giovanni Bellucci./KultPlus.com
Në mbrëmjen e dhjetë të ‘Chopin Piano Fest Prishtina’, publiku pati mundësinë të mirëpriste pianisten e përmasave të jashtëzakonshme, Sofya Gulyak. Me një program të përzgjedhur që përfshinte kryevepra të literaturës pianistike botërore, Gulyak dha një emocion të jashtëzakonshëm përpara publikut në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Me një mjeshtëri që e karakterizon, Sofya Gulyak interpretoi veprat ‘Chaconne’ dhe ‘Nun Komm, der Heiden Heiland BËV659’ nga J.S.Bach – Busoni, ‘Prelude’ nga C.Franck, ‘Prelude’, ‘Rondo a la Mazur Op.5’ dhe ‘Liszt. Meine Freuden, Maiden’s Ëish’ nga F.Chopin.
Sofya Gulyak, me origjinë nga Britania e Madhe dhe Lituania, është një artiste e njohur ndërkombëtarisht. Ajo është laureate e çmimit të parë dhe medaljes së artë të Princeshës Mary në Konkursin Ndërkombëtar të Pianos të Gjashtëmbëdhjetë të Leeds, duke u bërë gruaja e parë në historinë e konkursit që fitoi këtë titull të artë. Kjo arritje madhështore ishte vetëm fillimi i një karriere të shkëlqyer që e ka parë atë të performojë në skena të ndryshme në mbarë botën, duke marrë gjithnjë vlerësime të larta nga kritika.
Pas koncertit që magjepsi audiencën në ‘Chopin Piano Fest’, për KultPlus foli vetë artistja Sofya Gulyak e cila tha se ndjehet mirënjohëse për ftesën që mori dhe mikpritjen që iu bë në Kosovë.
“Audienca është e merekullueshme, shumë e ngrohtë, njerëzit janë shumë të dashur dhe vërtet e kam shijuar prezencën time këtu. Më pëlqejnë të kombinoj vepra dhe të zbuloj pak në programin ti, si për shembull Busonin, kam dashur t’i përfshij disa nga transkriptet e tij”, tha ajo.
Gulyak më tutje foli edhe për bashkëpunimin me ‘Chopin Piano Fest’ duke thënë se ishte surprizuese që në momentin që u kontaktua.
“Bashkëpunimi me ‘Chopin Piano Fest’ filloi si një suprizë, unë u kontaktova dhe isha e surprizuar që do të vija në Kosovë, në një vend që nuk kisha qenë më herë, prandaj shumë e lumtur që e vizitova dhe performova para publikut këtu”, përfundoi Gulyak.
Lejla Pula, drejtoreshë artistike e ‘Chopin Piano Fest Prishtina’ u shpreh shumë e lumtur që në natën e dhjetë të këtij festivali, publiku pati mundësinë që të dëgjojë një pianist të përmasave të jashtëzkonshme.
“Sonte vërtet kemi pasur një pianiste e artiste te përmasave të jashtëzakonshme. Unë kam qenë shmë e lumtur që kam biseduar me të dhe ajo ka pranuar ftesën të vijë këtu, as nuk ka pyetur çfarë salle e piano është. Thjesht është një artiste e vërtetë dhe njeri i veçantë. Ajo jep në tri anë të botës mësim, është një pianoste e jashtëzakonshme, një pianiste e kulmit të perfeksionizmit të pianizmit botëror. E kemi pasur sot një program që nuk e dëgjojmë shpesh, vepra kapitale, monumentale të literaturës pianistike, siç ishte Bach e Chopin“, u shpreh Pula, e cila mes tjerash tha se ndjehet e lumtur që Sofya Gulyak, me mjeshtërinë e saj, magjepsi audiencën në ‘Chopin Piano Fest’.
Ndërkaq, ‘Chopin Piano Fest Prishtina’ do të zgjasë deri më 9 qershor, e përgjatë kësaj periudhe, publiku do të ketë mundësinë të shijojë perlat e muzikës klasike, të sjella nga artistë vendorë e ndërkombëtarë./KultPlus.com
Ilirjana Gjoni dhe Milica Laloseviq ishin protagonistet e koncetit të tetë në “Chopin Piano Fest”, të cilat njëkohësisht janë edhe artistet e para që e prezantuan shtetin e Malit të Zi në historinë e Festivalit më të madh të muzikës klasike në vend, shkruan KultPlus.
Ngjarja si zakonisht u zhvillua në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare. Me këngë popullore malazeze u hap programi i natës së mbrëmshme nga pianistja Ilirjana Gjoni, e cila është fituese e shumëfishtë në garat kombëtare në Mal të Zi, si dhe sopranoja Milica Laloseviq, po ashtu e shpallur fituese në festivale të ndryshme.
Në nderim të vet Festivalit pianistja Gjoni kishte përzgjedhur edhe veprën e F. Chopin “ Nocuturne op.27 nr 2, D- dur”, “Ballade nr.1, op 23, g-mol” duke dhuruar tinguj aq të bukur në sallë, ku ndër personalitete të tjera të pranishëm që me shumë kënaqësi e ndoqën ngjarjen ishin edhe kryeministri Albin Kurti dhe tenori me famë botërore Ramë Lahaj.
Ngjarjen po ashtu e shijoi shumë edhe publiku që edhe kësaj radhe ishte i shumtë në numër, përderisa pikën kulmore të koncertit e shënoi vepra “Skënderbeu” nga Çesk Zadeja, duke dhuruar tinguj që në veshin e audiencës identifikoheshin si shqip.
Veprat tjera me të cilat u zhvillua programi ishin: “Balada e ullirit” nga S. Gaceviq, Poljem se vija”, “Bulbul mi poje”, “Duso, Mare”, “Vrani se konji igraju”. “O mio baabbino caro”, “Lauretta- Gianni Schicchi” nga G.Puccini, “Gypsy melodies: Op 55: 4. Andante con moto” nga A. Dvorak, “ Non ti scordar di me” nga E. De Curtis, “ Suite bergamasque- Prelude, Menuet, Claire de Lune, Passepied nga C. Debussy.
Krej në fund të koncertit pianistja Gjoni të jashtëzakonshëm e quajti interpretimin e natës së mbrëmshme, i cili e kishte rikthyer në Kosovë pas 15 vitesh.
“Ishte kënaqësi e jashtëzakonshme të jem në Prishtinë përsëri pas një periudhe 15 vjeçare, që kur jam shkëputur nga studimet në Gjermani dhe Belgjikë. Unë si ulqinake normalisht në Prishtinë ndihem si në shtëpinë time. Ishte kënaqësi e veçantë të luaj si pianiste soliste. Edhe me sopranon Lalosheviq kemi luajtur një program të larmishëm, ku për mua ishte një mundësi interesante që të njihesha me repertorin me motive malazeze sepse nuk e kam luajtur më parë. Shumë faleminderit të gjithë organizatorëve, jemi ndjerë me të vërtetë shumë mirë dhe jemi kënaqur sonte”, ka thënë Gjoni.
Pianistja Gjoni më tej komentoi edhe veprën “ Skënderbeu” nga Çesk Zadeja, të cilën para pak kohe kishte pasur rastin ta luajtur në Bruksel.
“Veprën e “Skënderbeut” nga Çesk Zadeja e kam luajur para pak ditësh në Bruksel, në Ditën e Evropës, më 9 maj. Kam pasur nderin të përfaqësoj kompozitorët e Ballkanit Perëndimor. Dëshira ime ishte që “Skënderbeun” ta vendosja te institucionet Evropiane. Vepra u përcoll vërtetë shumë mirë, mos të them që publiku duke qenë se kam luajtur vepra nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, e ndiente një lidhje më të veçantë me Çesk Zadenë”, ka thënë më tej pianistja Gjoni.
Kurse sopranoja Milica Laloseviq ka thënë koncertin në “Chopin Piano Fest” do ta kujtoj si një përvojë mjaft të bukur.
“Kemi kaluar shumë mirë këtu , do ta kujtoj si përvojë të bukur. Kemi prezantuar katër këngë të bukura nga Mali i Zi. Mendoj se këto këngë e prezantojnë kulturën tonë dhe mënyrën tonë të mendimit. Janë shumë të shkurtra por mendoj se audienca i ka shijuar dhe e kanë kuptuar. Pjesa tjetër e koncertit ka përfshirë repertorin e famshëm italian” është shprehur sopranoja duke komentuar edhe bashkëpunimin me pianisten Gjoni.
“Kjo është hera e parë që vij në Prishinë dhe në festival. Iliriana më ka ftuar të jem pjesë e këtij festivali me të. E njoh tash e disa vite. U takuam në një festival në Herceg Novi në Mal të Zi. Vazhduam bashkëpunimin dhe shpresoj se do të interpretojmë prapë së bashku” është shprehur ajo.
Ndërsa organizatorja e Festivalit, Besa Luzha interpretimin e dy artisteve nga Mali i Zi e quajti të jashtëzakonshëm.
“Ilirjana luajti jashtëzakonisht bukur si pianiste, kishte një dinamikë, një mendim muzikor të përmbledhur shumë bukur. Gjithashtu edhe sopranoja kishte një ngjyrë shumë të bukur të zërit, një impostim jashtëzakonisht natyral, një vokal të shtrirë të bukur dhe të butë në veprat që interpretoi, dhe gjithë kjo dha një emocion jashtëzakonisht të bukur në mbrëmjen e tetë të “Chopin””, u shpreh organizatorja Luzha.
Oraganizatorja Luzha u shpreh e kënaqur me bashkëpunimin me ambasadën e Malit të Zi në Kosovë, që në krye pati përfaqësuesin Bernard Çobaj, falë të cilit bashkëpunim u mundësua një paraqitje e tillë.
“Ishte një rastësi që java kulturore malazeze të përkonte me “Chopin…”, kështu përfaqësuesi i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj shprehu dëshirën që ne ta kurorëzojmë këtë javë me një koncert të përbashkët, duke kombinuar një program shumë të bukur nga dy artiste nga Mali i Zi. Kishte një potpuri këngësh malazeze, variacione nga Çesk Zadeja për “Skënderbeun”, një simbolikë me folklorin e dy popujve që jetojnë në Malin e Zi. Koncerti gjithashtu u përcoll edhe me një program mjaft të bukur nga Puccini, Dvorak, Curtis, Gaceviq. Dhe, krejt në fund Ilirjana na shpërbleu me baladën e Chopen për nder të Festivalit” ka përfunduar organizatorja Besa Luzha.
Koncerti i radhës mbahet nga Kuarteti Kroat i Kitarës, në përbërje me Petrit Çekun, Zoran Dukiq, Maroje Briqiq dhe Tvrtko Sariq, më 29 maj, në ora 20:00 në Ambiteatrin e Bibliotekës Qëndrore Universitare/ KultPlus.com
Tinguj me një spektër të gjerë frekuencash u dhuruan mbrëmë nga Pianisti François Dumont dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Antonie Marguier, në koncertin e shtatë me radhë të Festivalit të Muzikës Klasike “Chopin Piano Fest Prishtina” në Atelienë e Pallatit të Rinisë, shkruan KultPlus.
Adhuruesit e Filharmonisë së Kosovës dhe të Chopin-it kësaj radhe u bashkuan në një koncert të përbashkët, për të përjetuar emocione të thella nga një program i përzgjedhur me shumë shije, me tinguj brilant shumë të fortë dramatik të cilët përmbyseshin nga tinguj të qetë të pianos të cilët dërgonin në thellësi meditative.
Koncerti i cili zgjati për 90 minuta filloi me interpretimin e veprës “Piano Concerto No.5 in E-flat major, Op.73” me Allegro, Adagioun poco mosso, Rondo: Allegro ma non troppo nga L.V. Bethoven për të vazhduar në pjesën e dytë të koncertit me “ Symphony No. 4 in C minor, D 417” me Adagio molto, Allegro vivace nga F. Schubert.
Publiku u pasurua artistikisht me tinguj të frekuencave të ndryshme të cilët emeteoheshin qetësisht nga mjeshtria e pianistit Dumont dhe harkorët e Filharmonisë, për t’u bërë më intensivë kur interpretimit i shtoheshin frymorët, për të kaluar në dramacitet kur në lojë hynin të gjitha instrumentet, duke rënë përsëri vetëm në tingujt e qetë, të bukur të pianos.
Nga kjo lojë e mrekullueshme ishte reagimi i publikut që u jepte përgjigje për performancën përgjatë koncertit artistëve që udhëhiqeshin nga dirigjenti plot sharm, elegancë e profesionalitet, Antoine Marguier.
Pas pjesës artistike Pianisti Dumont u shpreh se ndihej i emocionuar nga interpretimi në “Chopin Piano Fest” dhe shumë i lumtur pasi iu dha hapësirë për herë të dytë për të interpretuar në këtë festival.
“Jam shumë i lumtur të kthehem në Prishtinë dhe të kem mundësi ta njoh qytetin dhe kulturën. E ndjej energjinë e mirë dhe dinamike. Isha i emocionuar të kthehem në Chopin dhe të luaj për herë të parë me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës. Dy vite më parë ishte një koncert recital në ‘Chopin Fest’ ndërsa sonte kemi luajtur Koncertin e 5-të të Beethoven. Ky koncert është i fundit i kompozitorit”, ka thënë pianisti Dumont.
Ndërsa organizatorja e festivalit Lejla Pula u shpreh e mrekulluar nga loja e pianistit Dumont dhe interpretimi i Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës.
“E kemi shijuar të gjithë së bashku. Vërtetë një koncert i mrekullueshëm nga François Dumont i cili në bashkëpunim me Ambasadën franceze erdhi për herë të dytë në festivalin tonë ka mbajtur një recital të Chopin-it sepse ai vetë është laureat i garave të Chopinit në Varshavë, do të thotë është një ekspert i madh i muzikës së Chopin-it, por që në këtë koncert rastisi që ai ta luaj në mënyrë të mrekullueshme, me një sensibilitet të jashtëzakonshëm koncertin e pestë të Bethovenit”, ka thënë organizatorja.
Më tej, organizatorja Lejla Pula ka thënë se ndihet e nderuar për pjesëmarrjen e një artistëve të mëdhenj që pavarësisht kushteve jo adekuate për interpretim, ndahen të kënaqur dhe kërkojnë të interpretojnë përsëri nga mikpritja dhe energjia pozitive që e përjetojnë në Festival.
“Ne si organizatorë jemi shumë të lumtur që artistë të mëdhenjë pranojnë të vijnë në Kosovë, për shkak se ende nuk posedojmë sallë të përshtatshme koncertale, pasi ata mund të kenë pak drojë se si mund të tingëlloj pianoja. Mirëpo ata jo vetëm që pranojnë kur i ftojmë përsëri, por ata edhe vet kërkojnë të vijnë përsëri, kështu që në një formë edhe mos me dashtë të vazhdojmë Piano Festin kjo kërkohet nga mysafirët tanë që ndahen aq të kënaqur me mikpritje dhe me të gjitha duke u mrekulluar nga rinia jonë, nga publiku, studentët, audienca e gjerë. Thjesht është një mrekulli”, është shprehur organizatorja.
Kurse ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Filharmonisë, Dardan Selimaj, u shpreh i kënaqur nga bashkëpunimi me Festivalin “Chopin Piano Fest”, nga ku edhe potencoi që bashkëpunimi do të vazhdoj edhe në vitet në vijim.
“Bashkëpunimi i Filharmonisë së Kosovës me Chopin Piano Fest është tradicional, ashtu si edhe me festivale të tjera që organizohen në Kosovë. Kjo ka qenë një mundësi e mirë për të bashkuar forcat siç kemi bërë edhe në të kaluarën dhe besoj që do të vazhdojmë edhe në të ardhmen, ndonëse nuk kemi pasur mundësi që këto vitet e fundit që të bashkëpunojmë me secilin festival për shkak të agjendës të Filharmonisë së Kosovës që nganjëherë nuk përputhen me agjendën e festivaleve, por aq sa kemi mundësi do ta vazhdojmë si traditë edhe në vitet që vijnë” ka përfunduar Selimaj.
Koncerti i radhës i “ Chopin Piano Fest” do të mbahet me pianisten Iliriana Gjoni dhe sopranon Milica Lalosevic, më 27 maj, në ora 20: 00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare/ KultPlus.com
Një lojë fantastike me vepra të kompozitorëve të njohur botërorë u dha në koncertin e gjashtë me radhë të Festivalit më të madh të Muzikës Klasike në vend, “Chopin Piano Fest Prishtina”, nga Philip Scheucher- Pianist dhe Konstantin Manaev- Violincelist, shkruan KultPlus.
Si zakonisht koncerti u zhvillua në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare. Edhe këtë herë salla u mbush me plot dashamirë të muzikës klasike për të përcjellë nga afër koncertin duo të dyshes fantastike në përbërje me piansitin austriak Philipp Scheucher, i cili është fitues i çmimit të “Konkursit Nërkombëtar të Muzikës në Koln” dhe “ fitues i çmimit të dytë të Konkursit Ndërkombëtar Beethoven në Vjenë, si dhe Konstantin Manaev- violonçelist gjerman i cili është i nominuar për çmimin “Ndërkombëtar të Muzikës Klasike”.
Një kombinim perfekt si ky i koncertit “ Break on Throught” publikut i la një shije dhe të paharrueshme. Ishin lëvizjet strikte të pianistit Scheucher ato që e dëshmonin përvojën dhe talentin e tij për instrumentin që i kishte kushtuar jetën, përderisa interpretimi duke e rrëshqitur dorën poshtë telave të cellos ia që shpërfaqte pasionin e violonçelistit.
Harmonia e tingujve të pianos dhe cellos të emetuar aq bukur në sallë njëkohësisht, por më tepër edhe jehona e tyre e cila qetësisht perceptohej nga shqisat e dëgjuesve, në momentet kur ndalej interpretimi, mundësoi që ky koncert të mbahet në mend gjatë për nga vlera e lartë artistike.
Koncerti i titulluar “Break on Through” solli veprat: Sonata in e Minor, op 38, nga B. Romberg, 7 Variations “Bei Mannern, welche Liebe fuhlen” dhe Sonata in D-dur, op. 102 nr. 2 nga L.V.Bethoven, Break on through nga J. Doderer, dhe Sonata in d-mol,op 40 nga D. Shostakovich.
Përveç reagimeve të publikut, vlerësimin për këtë koncert fantastik e dha edhe profesoresha dhe organizatorja e Festivalit, Lejla Plua, duke e quajtur koncertin si një mbrëmje të veçantë artistike.
“Vërtetë ishte një festë muzikore me dy artistë të jashtëzakonshëm, me dy artistë që frymojnë së bashku. Sonte kanë sjellë një magji të plotë në koncertimin e përbashkët me vepra të interpretuara rrallë dhe jashtëzakonisht vështirë për tu interpretuar me kërkesa stilistike, teknike, muzikore, artistike. Vërtetë ishte një performancë që rrallë dëgjohet në Prishtinë, të cilën me kaq përkushtim dhe kaq dedikim e kanë sjellë dy mysafirët tanë Konstantin Manaev dhe Philipp Scheucher të cilët bashkëpunojnë me vite, e nga kjo edhe e kanë sjellë një art të veçantë sonte në skenën tonë”, u shpreh organizatorja Lejla Pula për KultPlus.
Kurse solistin Konstantin Manaev e kishte impresionuar pjesëmarrja e të rinjëve në koncert, për dallim nga vendet tjera të Evropës, ku pjesëmarrësit janë të moshës më madhore.
“Mendoj që Festivali “Chopin Piano Fest” është koncerti më i famshëm dhe më i madh jo vetëm për piano por edhe për muzikën klasike në përgjithësi. Këtu patëm mundësi ekskluzive që të interpretojmë pjesë të mrekullueshme sonte, duke përfshirë edhe pjesë nga kompozitorja austriake Johanna Doderer. Ishte një organizim dhe audiencë fantastike. Kishte shumë njerëz të rinj. Në Evropë dhe Gjermani është e vështirë të ketë audiencë kaq të re, sepse atje janë 80 % të moshuar. Këtu sheh fytyra shumë të reja që të jep një ndjenjë shumë të mahnitshme, sepse marr shumë energji të mirë dhe kjo më ndihmon të performoj”, ka thënë Manaev.
Kurse për Pianistin Scheucher mbrëmja me një audiecë të madhe në numër ishte vërtetë fantastike.
“Mahnitëse! Gjithçka është shumë mirëpritëse, audienca është perfekte, salla ishte shumë akustike, vendi dhe ushqimi gjithashtu fantastik. Është hera e dytë që po vij këtu dhe duket sikur është hera e njëmijtë. Është një vend i mirë për ta vizituar”, ka thënë ai.
Po ashtu, pianisti të mrekullueshëm e quajti edhe bashkëpunimin me kolegun e tij Konstantin Manaev, të cilët si risi të mbrëmjes sollën veprën “Break and throught” nga kompozitorja austriake Johanna Doderer.
“Unë e kam takuar Konstantinin para disa vitesh nëpërmjet një projekti ndërkombëtar të muzikës elektronike i quajtur “Symphoniacs” nga ku menjëherë krijuam rrjedhën bashkëpunuese. Ne ndjekim rrugë të ndryshme në muzikën klasike, por mendoj që këtu është vendi për të provuar gjëra të reja me koncertin “Break and throught” që është edhe vepër nga kompozitorja austriake Johanna Doderer. Kjo ishte pika më e rëndësishme ku ne e fokusuam programin tonë për të filluar koncertin dhe pastaj normalisht duke e kombinuar me disa pjesë klasike me me Bethovenin, pastaj padyshim duke vazhduar me sonatat e të mrekullueshmit Shostakovich”, është shprehur ai krejt në fund.
Koncerti i radhës Piano& Orchestra i “Chopin Piano Fest” do të mbahet më 25 maj, në sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, në ora 20:00/ KultPlus.com
Mbrëmjen e djeshme u shënua nata e pestë e “Chopin Piano Fest Prishtina”, me një program që zgjati rreth 2 orë. Përformanca e paharrueshme Duo Piano & Violinë me Catalina Butcaru dhe Lucia Hall, bëri që e gjithë salla të jehonte nga duartrokitjet e publikut.
Nata filloi me një fjalim të shkurtër nga ambasadori i Austrisë në Kosovë, George Schnetzer, i cili u shpreh falendërues dhe i lumtur për bashkëpunimin e Kosovës me shtetin e Austrisë.
Pas pak minutash, filloi interpretimi i dy artisteve, ku Catalina Butcaru si një mjeshtre e pianos, ka mahnitur të gjithë të pranishmit me interpretimet e saj të ndjeshme në piano, kurse Lucy Hall, tregoi zotësi të papërshkrueshme në violinë. Së bashku ato interpretuan vepra të njohura nga artistë të njohur botërorë si Clara Schumann, Frederic Chopin dhe Robert Schumann.
Butcaru është një pianiste me origjinë rumune dhe mund të krahasohet me më të mirët që kanë hyrë në territor. Ajo ka studiuar në Akademinë e Muzikës në Vjenë dhe Graz.
Ndërsa violinistja Lucy Hall me origjinë kanadeze, ka kryer shkollimin në Vjenë nga professor si T. Gabora, E. Turovsky dhe D. Schëarzberg. Hall ka interpretuar si soliste dhe muzikante kamertale në Evropë, në Amerikën e Veriut dhe në Rusi.
Në një prononcim për KultPlus, një ndër organizatoret e këtij eventi Lejla Pula u shpreh se ishte një natë shumë e veçantë dhe se artistet ishin një Duo perfekte.
“Të dy artistet, njëra nga Kanadaja e tjetra nga Rumania ishin në Duo aq shumë, në frymëmarrje e në gjithçka. Ishte një përjetim i veçantë, një tingëllimë e pastër dhe e ëmbël që shumë rrallë haset, sepse zakonisht tingulli i pianos di të jetë më agresiv dhe më i fuqishëm por ato aq bukur u kompletuan së bashku me një program me kërkesa të jashtëzakonshme. Violinistja ishte një mjeshtre e violinës dhe ajo ka luajtur me artistët më të mëdhenjë botërorë”, tha ajo.
Tutje, Pula shtoi se është shumë e lumtur që të dyja kanë pranuar të vijnë në Prishtinë, ndoshta sepse kanë dëgjuar për mikrpritjen.
“Jam shumë e lumtur që të dy artistet kanë pranuar që të vijnë në Prishtinë, sepse sigurisht kanë dëgjuar se mikpritja është e jashtëzakonshme. Jemi falënderues që po e kultivojmë këtë raport të mirë, por që nga fillimi i edicionit të parë ne kemi pasur një bashkëpunim të mrekullueshëm më Ambasadën e Austrisë, gjithmonë kemi pasur artistë nga Austria që na kanë sjellë në skenën tonë imazhe të paharruara artistike”, shtoi Pula për KultPlus.
Ndërkaq, violinistja Lucy Hall në një intervistë të shkurtër pas përformancës tha se është hera e saj e parë që vjen në Kosovë, duke shtuar se donin të jepnin diçka për Prishtinën.
“Unë kam studiuar me mësues nga Rusia dhe kam udhëtuar shumë, ishte eksperiencë e mirë të luaj këtu sepse njerëzit të dëgjojnë me gjithë zemër. Më pëlqen shumë Kosova, unë kam miq shqiptarë në Vjenë, dhe mendoj se këtu ka ndryshuar shumë. Janë ndërtuar ndërtesa të reja, Katedralja e shumë të tjera”, u shpreh Lucy Hall për KultPlus.
“Chopin Piano Fest Prishtina” do të zgjasë deri më 9 qershor, dhe do të përformojnë artistë të njohur nga shtete të ndryshme./KultPlus.com
Mbrëmë, në koncertin që shënoi natën e katërt të festivalit ‘Chopin Piano Fest Prishtina’, publiku pati mundësinë të shijojnë performancën e mahnitshme të grupit të njohur italian ‘Fabrizio Bosso Quartet’. Koncerti ‘We Wonder’ solli një përvojë të re dhe freski për publikun, duke thyer ritmin tradicional të festivalit që në fokus ka muzikën klasike, shkruan KultPlus.
‘Fabrizio Bosso Quartet’, grup ky i cili përbëhet nga trumpetisti Fabrizio Bosso, Julian Oliver Mazzariello në piano, Luca Alemanno në kontrabas dhe Nicola Angelucci, nën ritmin e muzikës xhaz, sollën për publikun koncertin që i dedikohet këngëtarit të muzikës solo Steve Wonder.
Koncerti ‘We Wonder’, që erdhi një ditë pas koncertit në Tiranë, u mirëprit shumë edhe nga publiku në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës uiversitare në Prishtië, ku për gati një orë e gjysmë e shijoi çdo notë e tingull të transmetuar nga muzkantët.
E se kjo mbrëmje ishte e veçantë u dëshmua edhe nga duartrokitjet që pas koncertit zgjatën për disa minuta.
Një nga organizatoret e këtij festivali, Besa Luzha, tha për KultPlus se ky kuartet erdhi si një dhuratë për festivalin dhe njëherazi sjelli edhe një freski për festivalin i cili në thelb ka muzikën klasike.
“Ka qenë interesant sepse Ambasada Italiane dhe instituti e ofruan vetë me e sjellë edhe përnjëmend na e morëm kështu si dhuratë, për shkak se ky është një kuartet shumë i njohur i cili ka pasur dje koncert edhe në Tiranë dhe ambasadori na propozoi që ta sjellim edhe në ‘Chopin’. Ndonëse ishte një mbrëmje xhaz, ne kur hulumtuam për grupin vendosëm që vërtet ky kuartet duhet të vijë edhe në festivvlin tonë”, u shpreh Luzha e cila mes tjerash shtoi se përgjatë festivalit i cili zgjat një muaj, duan që një apo dy mbrëmje të jenë të kushtuar edhe për zhanret e tjera.
Pas koncertit që erdhi si një manifestim i trashigimisë muzikore të Steve wonder, sjellë nga ‘Fabrizio Bosso Quartet’, për KultPlus foli edhe Lejla Pula, po ashtu organizatore e këtij këtij festivali e cila u shpreh se kjo mbrëmje solli emocion dhe përjetim të veçantë.
“Ne kemi gjithmonë dëshirë që të kemi edhe një befasi ose një freski, ashtu ne normal në fokus e kemi muzikën klasike sepse është ‘Chopin Piano Fest Prishtina’dhe vlerat kulmore mundohemi t’i sjellim nga bota këtu. Në këtë rast ishim shumë të lumtur sepse institute italian i kulturës në Tiranë që disa vite bashkëpunon me ne dhe në kuadër të një turneje që e kanë organizu për këtë kuartet, që është shumë i njohur në Itali, vetë Fabrizio Bossotrombetisti është shpallë disa herë artisti i vitit në Itali dhe ne sonte i patëm këtu që ta shijojmë vërtet muzikën perfekte që ata e bëjnë në fushën xhazit, këtë herë të inspiruar me muzikën e Steve Wonder”, theksoi Pula për KultPlus, duke u shprehur më tutje se kjo mbrëmje ishte një përjetim i veçantë dhe publiku e ka shijuar jashtëzakonisht shumë.
Ndërkaq, ‘Chopin Piano Fest Prishtina’ do të zgjasë deri më 9 qershor, e përgjatë kësaj periudhe, publiku do të ketë mundësinë të shijojë perlat e muzikës klasike, të sjella nga artistë vendorë e ndërkombëtarë./KultPlus.com
“Chopin Piano Fest Prishtina”, festivali më i madh i muzikës klasike në vend të enjten mbrëma nis edicionin e 14- të festivalit, duke sjellë edhe këtë herë magji të lojës me piano nga artistët vendorë e ndërkombëtar, shkruan KultPlus.
Edicioni i 14-të i “Chopin Piano Fest” do të prezantojë 14 koncerte me program të pasur artistik jo vetëm me veprat e Chopin-it, por edhe kompozitorëve të tjerë të njohur, klasikë dhe bashkëkohorë, në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Qëndrore Universitare të Prishtinës.
“Për 14 mbrëmjet e festivalit, do të mund të dëgjoni një repertor të zgjedhur me kujdes, për t’i dhënë mbrëmjeve tuaja një përzierje të shkëlqyeshme të muzikës së bukur dhe interpretimit të saj në nivelin më të lartë botëror.
Bashkohuni me ne, për të përjetuar një eksperiencë unike muzikore në edicionin e 14-të të Chopin Piano Fest Prishtina”, thuhet në njoftim.
“Chopin Piano Fest 2024” mbahet nga data 9 maj deri më 9 qershor 2024/ KultPlus.com
“Chopin Piano Fest Prishtina” ka prezantuar programin e edicionit të 14-të të Chopin Piano Fest.
Sipas njoftimit, prej datës 9 maj deri më 9 qershor, Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Qëndrore Universitare të Prishtinës, do të ketë interpretime të veçanta të artistëve të shquar nga vendi dhe bota.
“Për 14 mbrëmjet e festivalit, do të mund të ndëgjoni një repertor të zgjedhur me kujdes, për t’i dhënë mbrëmjeve tuaja një përzierje të shkëlqyeshme të muzikës së bukur dhe interpretimit të saj në nivelin më të lartë botëror”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com
Në Berlin, Ambasada e Kosovës organizoi një koncert shumë të veçantë me pianisten e mirënjohur Ardita Statovci, së bashku me talentët e rinj, fitues të çmimeve të ChopinPianoFEST, Fortesa Jusufi, Andi Duraku, Lisa Sahatçiu, Melisa Ibrahimi dhe Rron Bakalli.
Koncerti u mbajt në sallën e bukur të Universitetit të Arteve Joseph-Joachim-Konzertsaal, ku ishin të pranishëm shumë personalitete të jetës publike, diplomatë, përfaqësues të institucioneve, artdashës dhe studentë e pjesëtarë të diasporës tonë në Berlin.
Loja e artistëve dhe i gjithë programi u vlerësua shumë lartë nga të pranishmit. Të mahnitur mbetën edhe dy personalitete të veçanta, Herbert Groeger, sponsor i Çmimit Special të Chopin Piano Fest Prishtina Prishtina dhe Johannes Neukirchen nga bordi i Young Euro Classic, një organizatë e rëndësishme për muzikantët e rinj.
Koncerti është mbështetur nga MKRS dhe MPJ. / KultPlus.com
Festivali ‘Chopin Piano Festival’, edhe në këtë edicion vazhdoi traditën e mbajtjes së maratonës pianistike, një maratonë kjo që u jep mundësinë edhe pianistëve të rinj që të performojnë në skenën e këtij festivali, përcjell KultPlus.
Maratona në të cilën u prezantuan nxënësit nga shkollat e muzikës në Prizren, Pejë, Mitrovicë, Vushtrri, Rahovec, Gjakovë, Gjilan, Ferizaj dhe Prishtinë, përveç që luajtën në piano vepra të kompozitorëve të ndryshëm botërorë, vunë në pah edhe potencialin e pianistëve që do ta pasurojnë artin dhe muzikën klasike në Kosovë.
Kjo ngjarje që filloi në ora 12:00 dhe përfundoi në ora 21:00, i dha mundësinë publikut në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare që të shijojë kryeveprat e kompozitorëve si: Chopin, Mozart, Moskowski, Beethoven, Tchaikovsky, Joplin, Gjoni e shumë kompozitorë të njohur botërisht.
Ndërkaq, pjesa përmbyllëse ishte e destinuar për pianisten Klaudia Gjini, e cila është fituese e festivalit ‘Chopin’ në Durrës. Me veprat e Beethoven dhe Moskoëski, Gjini arriti të sjellë emocione të forta në publik, e nga i cili pas koncertit mori duartrokitje disa minutëshe.
Pas përfundimit të maratonës, për KultPlus foli organizatorja e ‘Chopin Piano Fest’, Besa Luzha e cila u shpreh e lumtur për performancën dhe potencialin që treguan pianistët e rinj.
“Kjo na veçon neve si ‘Chopin Piano Festival’, sepse që nga fillimi gjithmonë kemi pasë dëshirë t’u japim hapësirë edhe talentëve të rinj. Duke dashur ta vazhdojmë këtë traditë dhe duke e parë që çdo herë është rritur numri i nxënësve dhe shkollave, nuk kishim si me i zgjedhë për një mbrëmje, atëherë vendosëm këtë maratonë në mënyrë që të gjitha shkollat me u prezantu me disa nga nxënësit e tyre”, tha Luzha.
Ndërkaq, drejtoresha artistike e festivalit ‘Chopin’ tha se kjo ngjarje ëstë e jashtëzakonshme edhe për faktin që u jep mundësi pianistëve të rinj të performojnë në skenën ku kanë performuar artistë me famë botërore.
“Maratona pianistike është një ngjarje në kuadër të ‘Chopin Piano Fest’ dhe ‘Edu Week’. Kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme për ne sepse pianistët e rinj ngriten në skenën ku luajnë pianistë me famë botërore dhe të cilët vërtet na nderojnë më ardhjen e tyre”, tha Pula për KultPus.
E krejt në fund, për KultPus foli edhe pianistja Klaudia Gjini e cila dhuroi një emocion të paharruar teksa luajti veprat e Beethovenit dhe Moskowskit.
“Unë këtë performancë e kam pritur me shumë gëzim, që në momentin që më është dhënë lajmi. Unë zgjodha pikërisht këto vepra ngaqë Beethoven është një kompozitor që më pëlqen shumë, më pëlqejnë dinamikat se si i ndryshon ngjyrat, mënyra e ndërtimit të pjesës dhe është një kompozitor që e admiroj. Gjithashtu edhe Moszkowski është një kompozitor tjetër i preferuari i imi dhe pikërisht për këtë arsye zgjodha edhe ta performoj sot”, u shpreh mes tjerash Gjini.
Ndërkaq, edicioni i 13-të i festivalit të muzikës klasike, Chopin Piano Fest Prishtina, do të mbahet deri më 9 qershor, në të cilin festival adhuruesit e muzikës klasike mund të shijojnë vepra të autorëve më të mirë botërorë./ KultPlus.com
Një koncert i radhës i festivalit ‘Chopin PianoFest Prishtina’ është mbajtur të hënën, si bashkëpunim i Chopin PianoFEST dhe institucionit më të lartë muzikor në vend, Filharmonisë së Kosovës, shkruan KultPlus.
Ky koncert i jashtëzakonshëm, ndër të tjera u mundësua nga profesionalizmi i maestros Peter Donohoe, dirigjentit Robert Guy dhe Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës.
KultPlus, ju sjellë disa nga fotografitë e realizuara përgjatë koncertit nga Minstria e Kulturës: