Në Shqiponjë të Dushkajës (ish-Jabllanicë), vend i njohur për qëndresën dhe sakrificën gjatë luftës çlirimtare, sot është përkujtuar 26-vjetori i çlirimit, me nderime të larta për dëshmorët dhe me kujtime për betejën heroike të 17 majit 1999.
Në këtë ceremoni përkujtimore, morën pjesë figura të shquara të luftës, përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë që kishin ardhur për të nderuar 43 luftëtarë të lirisë që ranë dëshmorë në këtë trevë.
Pas nderimeve pranë varreve të dëshmorëve në Kompleksin përkujtimor, Ramush Haradinaj ka evokuar momentet vendimtare të betejës së lavdishme të 17 majit ku forcat pushtuese u detyruan të largoheshin me turp.
“Në këtë betejë për fat të mirë ndër të tjera e morëm një autoblindë, mjet luftarak i cili e kishte një top kundërajror të kalibrit 3×20 mm por të distancës gjuajtëse deri në 2 km me mbërri predha vetëshpërthyese. Nuk kam pa në jetën time me ikë njerëzit ashtu, i pari të mbramin nuk e ka pritë”, tha Haradinaj.
Ali Ahmeti, veteran i UÇK-së dhe lider i Bashkimit për Integrim në Maqedoninë e Veriut tha se çlirimi dhe pavarësia u fitua falë trimërisë së ushtarëve të UÇK-së.
“Është meritë e UÇK-së, është meritë e atyre djemve e atyre bijave që sot Kosova është shtet”, tha ai.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini theksoi: “Kur ushtarët e UÇK-së ia kanë pa pluhurin e ikjes ushtrisë serbe prej Shqiponjës këtë ide e kanë pas, ta bëjnë lirinë jo vetëm për krenari, që e kemi e nuk na është hequr kurrë, por për ta bërë një vend edhe më të mirë”.
Nga familja e Komandantit Adem Jashari, i pranishëm ishte Bekim Jashari.
“Kjo tokë e ujitur me gjakun e dëshmorëve flet me zërin e të rënëve për luftën tonë të drejtë për familjet liridashëse të këtyre trevave që qëndruan si një trup i vetëm me një zemër të madhe”, tha ai.
E veterani i UÇK-së dhe deputeti Lahi Brahimaj tha se “sot me krenari kujtojmë luftën tonë të lavdishme nën emblemën e UÇK-së, e cila me gjakun e bijve më të mirë shkroi faqet më të ndritshme të historisë sonë kombëtare”.
Çmimi i lirisë për ish-Jabllanicën, Shqiponjën e Dushkajës ishte shumë i lartë sepse vetëm në këtë lokalitet ranë dëshmorë 43 luftëtarë të lirisë. Në këtë vatër të rezistencës në vitin 1921 forcat serbe ekzekutuan 64 shqiptarë, në mesin e të cilëve pleq e fëmijë./RTK/ KultPlus.com

