Përmes ekspozitës Çmimi Aga Khan, publiku i Prishtinës njoftohet me një qasje të re të arkitekturës

Gili Hoxhaj

Sot në një kënd në katin e dytë të Muzeut të Kosovës ishin pozicionuar 19 projektet të përzgjedhjes së ngushtë të Çmimit Aga Khan për Arkitekturë, të ciklit të vitit 2016. Në mesin e tyre shihet edhe një bonatekë nga Kosova e arkitektit Bujar Nrecaj. Po ashtu ekspozita përmbante edhe projektet fituese të emrave të mëdhenj të arkitekturës si Zaha Hadid Architects , BIG – BjarkeIngels Group dhe #StandardArchitecture, duke vënë para syve të publikut të Prishtinës projekte të një niveli të lartë arkitekturor, e një qasje të re ndaj asaj që e përbën arkitekturën.

Çmimi Aga Khan për Arkitekturë fokusohet në proceset e ndryshimit në pjesë të botës ku mjedisi i ndërtuar është duke pësuar transformime të shpejta, herë pas here me pasoja të tmerrshme. Gjatë katër dekadave të fundit, çmimi ka kërkuar të kuptojë natyrën e këtij ndryshimi dhe tentoi ta ndikoj projektimin dhe ndërtimin me shpresën e krijimit të një cilësie më të mirë të jetës për njerëzit që banojnë në këto mjedise.

Arkitekti Bekim Ramkiu që është edhe koordinator për Evropën Juglindore të shpërblimit “Aga Khan” tregoi se qëllimi i Aga Khanit ka qenë të krijohet një shpërblim i cili do ta zbërthente aspiratën arkitektonike të shoqërisë islame. Ai tha se cili i 2019-tës pritet të përfshijë edhe projekte të arkitektëve shqiptarë.

“Cikli i 2019-ës do të ketë edhe projekte nga Kosova, ka me pas projekte të nominuara prej Shqipërisë. Çdo tre vit ka me qenë nga një temë se ku duhet të zhvillohet shpërblimi. Në vitin 2019 ka me qenë për qasshmërinë në hapësirat publike kështu që besoj që nga Shqipëria do të ketë një projekt që ka me fitu ose me hy në garë të ngushtë. Është sheshi, pazari i Tiranës, pazari i Korçës, “pedonalja e Vlorës”, u shpreh Ramkiu.

Arkitektja Gjejlane Hoxha tha se kjo ekspozitë sjellë përvoja nga vende të ndryshme të botës që janë në fazat e rigjenerimeve të potencialeve ndërtimore ekzistuese, të cilave u ka humbur funksioni dhe kanë pasur nevojë për adaptime dhe rigjenerime të reja dhe kjo ekspozitë e sjellë atë përvojë që është vlerësuar prej një jurie me kritere e standarde profesionale të vlerësimit.

“Nga këto, ne mund të marrim shumë shembuj për Kosovë se si duhet ta rigjenerojmë poetiencialin e trashëguar ndërtimor nga brezat e kaluar. Përmes ekspozitës mund të shohim mundësit dhe zgjedhjet që i kanë bërë të tjerët dhe janë vlerësuar si zgjedhje shumë të suksesshme nga një juri me kompetencë shumë të lartë profesionale”, u shpreh Hoxha.

Që nga fillimi çmimi ka njoftuar, vetëdijesuar profesionin e arkitekturës dhe publikun e gjerë për një qasje të re të gjerë ndaj asaj që përbën arkitekturën. 15 projektet e përzgjedhura në ciklin e parë 1977-80 u angazhuan me një gamë të gjerë çështjesh, nga konservimi në përmirësimin e lagjeve të varfra dhe përqafuan dizajnët tradicionale si dhe ato të reja. Punimet nga talentët në zhvillim sikurse praktikat e mirënjohura arkitektonike u festuan dhe mirënjohën së bashku me klientët dhe ndërtuesit. Së bashku, këto projekte folën për pluralitetin e shoqërive në vendet ku myslimanet kanë një prani të konsiderueshme, nga Indonezia në Marok./ KultPlus.com