Në një ekran gjigant të ngritur në një amfiteatër, fotografitë rrëshqasin nëpër të kaluarën. Lumi “Yangtze” në Kinë duket toksik nën mjegullën e mëngjesit, derisa oxhaku i një fabrike lëshon një grumbull tymi drejt qiellit.
Sipërfaqet e asfaltit në një hekurudhë në Irak, janë shkatërruar nga bombat. Trupi i vdekur i një foshnje, shihet po ashtu. Thuajse të gjitha fotografitë shpërfaqin kriza: gati se të gjitha janë tmerrësisht të bukura. Kur përfundoi shfaqja e tyre, plasën duartrokitjet. Ngjarja zuri vend për të shënuar edicionin e dhjetë të “Prix Pictet award”, si pjesë e rëndësishme e festivalit të përvitshëm të fotografisë “Rencotre d’Arles”, transmeton sot “Koha Ditore” shkrimin e New York Times. Çmimi është një kombinim i çuditshëm kontrastesh: është një prej më të pasurve në aspekt monetary, duke përfshirë 100 mijë franga, që sigurohen nga një bankë private zvicerane: dhe vë theksin e vëmendjen në qëndrueshmërinë ambientale, çështje kjo që jo gjithmonë lidhet me financier të pasur. Derisa fotografët gjithnjë e më shumë janë fascinuar me konceptualizmin, ky çmim shpërblen nocionin e dalë mode, që detyra parësore e fotografëve është ta shfaqin botën ashtu siç është – dhe mundësitë ta ndryshojnë atë.
Stephen Barber, njëri prej atyre që e ka themeluar çmimin më 2008, duket i befasuar sesi kanë ecur gjërat deri këtu. “Është zhvilluar në mënyra që s’kemi mundur t’i presim a parashikojmë”. Por a e kishte parashikuar ai qëllimin e çmimit, si art apo aktivizëm? “Të dyja” thotë ai. “Ose mbase asnjërën”.
Gara zgjat 18 muaj, dhe në këtë dekadën e fundit ky çmim ka nxjerrë shtatë fitues. Fillimisht, organizatorët e kanë shpallur që tema lidhet me qëndrueshmërinë – temat e mëparshme kanë përfshirë ujin, tokën, kaosin, hapësirën etj – dhe pas kësaj një gamë prej 300 kuratorësh, galeristë, gazetarë e ekspertë të tjerë rekomandojnë një listë që shpeshherë përfshin rreth 600 fotografë. Kjo pastaj reduktohet në listën e ngushtë me 10 veta. Pas një viti apo më shumë së kaq, fituesi më në fund shpallet dhe vepra e përzgjedhur shkon në një turne botëror.
Në dhjetë vjetët e fundit, veprat fituese të “Prix Pictet” janë ekspozuar në më shumë se 40 qytete dhe janë parë nga 400 milionë njerëz. Në Mexico City, këtë vit, 86 mijë njerëz e kanë vizituar ekspozitën e fundit të çmimit.
Sado që disa prej emrave më me nam të fotografisë janë përfshirë në listën e ngushtë, mes së cilëve Edward Burtynsky, Andreas Gursky dhe Thomas Struth, juritë zakonisht kanë befasuar duke zgjedhur fitues më pak të njohur. I pari ishte fotografi pak i njohur kanadez, Benoit Aquin, i cili kishte triumfuar me një seri të imazheve sureale të stuhive të pluhurit në Kinë. Katër vjet më vonë, çmimin e kishte marrë Luc Delahaye, një fotoreporter, i cili ka realizuar imazhe që eksploronin kufirin ndërmjet raportimit për luftën dhe një peizazhi arti.
Sado që çmimi ka për qëllim të shpërfaqë tema aktuale – fituesi i vitit 2017 ishte fotografi irlandez Richard Mosse, që fitoi me imazhet nga kampet e refugjatëve – jo të gjitha veprat e prezantuara aty janë epike. Fituesi i para disa viteve ishte artistja Valerie Berlin, e cila kishte ilustruar përdorimin e tepruar të plastikës në një seri fotografish.
Sam Stourdzé, fitues i “Arles festival”, ka thënë se cilido qoftë debati mbi formën apo ambiciet e “Prix Pixtet”, ato që kanë rëndësi janë kualiteti dhe thellësia e fotografëve.
“Ka shumë punë fotografike që pasqyrojnë botën: çmimi ‘Prix Pictet’ e thekson këtë”, ka thënë ai.
“Nuk është e thënë të jesh fotoreporter për t’u brengosur se çfarë po ndodh përreth”. Pak minuta pas prezantimit të fotografive në kuadër të festivalit, është prezantuar edhe tema e sivjetme e garës: “shpresa”. /KultPlus.com