Copernicus: Evropa përjetoi dimrin e dytë më të ngrohtë

Sistemi i gjurmimit satelitor “Copernicus” i Bashkimit Evropian (BE) njoftoi se sipas periudhës referuese 1991-2020 në Evropë, dimri që po lëmë pas ishte i dyti më i ngrohtë nga të gjithë dimrat në kontinent.

Sipas një deklarate me shkrim nga “Copernicus”, ky dimër ishte “stina e dytë më e ngrohtë e regjistruar për Evropën”, me temperatura shumë mbi mesataren në pjesë të Evropës Lindore dhe pjesë të Evropës Verilindore.

Në shkurt 2023, temperaturat mesatare të ajrit në shumicën e pjesëve të Evropës ishin më të larta se periudha e referencës 1991-2020. Kushte dukshëm më të ngrohta se mesatarja janë vërejtur në Norvegji dhe Suedi, në zonat përreth Detit të Zi përgjatë Rusisë dhe në rajonin e Svalbardit.

Mbretëria e Bashkuar kishte gjithashtu “shkurtin e pestë më të ngrohtë që nga viti 1884”. Nga ana tjetër, disa pjesë të Тurqise , Gadishullit Iberik dhe Kaukazit kishin temperatura më të ftohta se mesatarja mujore./KultPlus.com

“Copernicus”: Evropa përjetoi verën më të nxehtë në 2022

Vera e kaluar ishte më e nxehta në Evropë që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1979, sipas vlerësimeve të Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike të BE-së “Copernicus”.

“Në shumë vende, valët e të nxehtit të kombinuara me pak shi shkaktuan thatësira, duke çuar në probleme në bujqësi, transport dhe sektorin e energjisë”, sipas raportit.

Për më tepër, thatësira ekstreme rriti rrezikun e zjarreve, dhe kjo është arsyeja pse vera e kaluar u vlerësua të ketë pasur emetimet më të larta të regjistruara ndonjëherë. Zjarret u raportuan në Bashkimin Evropian dhe Britaninë e Madhe.

“Viti i kaluar ishte një tjetër vit i ekstremeve klimatike në Evropë dhe globalisht”, tha zëvendësdrejtoresha e “Copernicus”, Samantha Burgess.

“Për të shmangur pasojat më të këqija të krizës, emetimet duhet të reduktohen urgjentisht dhe shoqëria duhet të përshtatet më shumë ndaj motit ekstrem dhe ngjarjeve të lidhura me klimën”, tha Burgess.

Shërbimi i BE-së vlerëson se temperaturat në Evropë janë rritur dy herë më shumë se mesatarja globale, gjatë 30 viteve të fundit dhe se Evropa po ngrohet më shumë se çdo kontinent.

Në nivel global, viti 2022 ishte viti i pestë më i ngrohtë i regjistruar dhe tetë vitet e fundit kanë qenë më të ngrohtat./atsh/ KultPlus.com