DASH: Nuk mund të barazohet vrasja e policit me atë të sulmuesve

Departamenti Amerikan i Shtetit i ka kundërshtuar përpjekjet që të barazohet vrasja e rreshterit të Kosovës, Afrim Bunjaku, me sulmuesit “që ishin të përfshirë në vrasjen” e tij.

Kështu tha zëdhënësi Mathew Miller, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, përcjell Klankosova.tv

“Ne kemi qenë shumë të qartë: SHBA-ja dënon fuqishëm sulmet e koordinuara dhe të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator dhe ne shprehim ngushëllime për familjen e rreshterit të Policisë së Kosovës i cili u vra gjatë detyrës. Ne kundërshtojmë përpjekjet për të barazuar vdekjen tragjike të rreshterit të Policisë së Kosovës [Afrim] Bunjaku me vdekjen e individëve që ishin të përfshirë në vrasjen e një polici. Përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë përmes një procesi hetimor transparent. Ky hetim është duke u zhvilluar”, tha Miller.

Të dielen e 24 shtatori, në Banjskë të Zveçanit policia u sulmua teksa po kryente një operacion për heqjen e një barrikade të vendosur në rrugë.

I vrarë mbeti Afrim Bunjaku dhe u plagosën disa policë të tjerë.

30 sulmuesit e grupit terrorist ishin strehuar në Manastirin e Banjskës dhe prej aty vazhduan përleshjet me Policinë.

Tre prej tyre mbetën të vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit, ndërkaq tetë persona u arrestuan për këtë sulm, gjashtë prej të cilëve u liruan pa ndonjë provë lidhur me rastin.

Beogradi ka mohuar se ka gisht në këtë ngjarje.

Më 27 shtator në Serbi u shpall ditë zie për tre serbët e vrarë në Banjskë.

Ky vendim u kritikua edhe nga Bashkimi Evropian.

Zëdhënësi Peter Stano, deklaroi se “nuk mund të barazohen viktimat e terrorizmit me terroristët”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 27 shtator se ai kurrë nuk mund t’i cilësojë si “terroristë” pjesëtarët e grupit të armatosur që sulmuan Policinë e Kosovës./KultPlus.com

DASH feston 230 vjetorin, nderonë Shqipërinë me fotografinë e John Kerryt përpara statujës së Skënderbeut

Ambasada e ShBA-së në Tiranë ka njoftuar se këtë vit DASH do të festojë 230 vjetorin me një aktivitet të madh në mbarë botën, ndër të tjera edhe në Shqipëri dhe Kosovë, përcjellë KultPlus.

“Këtë vit, ne festojmë 230 vjetorin e Departamentit të Shtetit. Për më shumë se dy shekuj, Ambasadat, Konsullatat dhe diplomatët tanë në mbarë botën, kanë forcuar partneritetet dhe miqësitë tona, si dhe kanë nxitur zhvillim ekonomik botëror”, thuhet në postimin e Ambasadës së ShBA-së në Shqipëri.

Në shenjë miqësie, Ambasada e ShBA-së ka postuar foto të ish-Sekretari Amerikan të Shtetit, John Kerry me trupat e marinsave përpara statujës së Skënderbeut.

“Përgjatë këtij viti, ne do të postojmë foto historike që përfaqësojnë diplomacinë e Shteteve të Bashkuara dhe miqësinë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë. Në këtë foto, Sekretari i Shtetit John Kerry pozon me trupën e marinsave të Ambasadës Amerikane, përpara statujës së Skënderbeut, në Muzeun Kombëtar të Historisë në Tiranë”, thuhet tutje në njoftim. / KultPlus.com