Ekspozitë fotografike #999 Portretizime Shqiptare nga artisti David Hardy

Sot në orën 17:30 në ambientet e Europe House në Tiranë çelet ekspozita fotografike #999 Portretizime Shqiptare nga fotoreporteri David Hardy, shkruan KultPlus.

Projekti fotografik është një nismë në vazhdim e fotoreporterit shqiptar David Hardy, që synon të realizojë një seri gjithëpërfshirëse portretesh të personave me kombësi shqiptare.

Jo vetëm një pasqyrim artistik i realitetit ku jetojmë, por edhe një ndërthurje e fotografisë me dokumentarizmin, projekti 999 Portretizime Shqiptare i shërben gjithashtu temave sociale në Shqipëri.

Nisma fotografike është e hapur për pjesëmarrësit e të gjitha krahinave, grupmoshave, besimeve, prejardhjes, seksualitetit.

Realizimi artistik dhe profesional i portreteve të popullsisë shqiptare shërben gjithashtu si një census demografik, artistik i gjurmës vizuale që jetesa e përbashkët në Shqipëri lë tek secili prej qytetarëve.

Gjithashtu një ftesë për reflektime të përbashkëta përmes grupeve të diskutimit për artin, rininë, jetën në Shqipëri dhe sfidat e përditshmërisë përmes ekspozitës.

Ekspozita mbështetet nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe do të qëndrojë e hapur për 1 javë në ambientet e Europe House.

David Hardy është një fotograf dokumentues në Shqipëri, puna e të cilit fokusohet kryesisht në artin pamor të lidhur me të drejtat e njeriut në vend, më specifikisht të drejtat e grave, barazinë sociale, ndërgjegjësimin kundër diskriminimit ndaj komunitetit LGBTI+ në vend e rajon, komunitet të cilit ai vetë i përket si person trasgjinor. Hardy ka çelur disa ekspozita në vend lidhur me çështjet sociale, ndërsa puna e tij është publikuar gjerësisht në mediat vendase dhe ato evropiane në raportimet e fotolajmeve për Shqipërinë./ KultPlus.com