“Bulëzat” i fitoi poetja 10 vjeçare Dea Halimi nga Prishtina

Për të 17-ën herë radhazi qyteti i Pejës është shndërruar në adresën e krijuesve të shumtë të letërsisë shqiptare dhe botërore, me Takimet Ndërkombëtare Letrare “Azem Shkreli”, të cilat në një ceremoni të mbajtur në Mullirin e Haxhi Zekës, janë hapur të enjten.

Ky edicion i takimeve dy ditore letrare, i kushtohet 120 vjetorit të Lidhjes së Pejës “Besa-Besë”. Për këtë arsye edhe këto takime janë hapur në mullirin e vjetër të këtij atdhetari pejan, në të cilin, ceremonia e hapjes u zhvillua me një orar letrare, ku 15 poet shqiptarë të gjitha moshave dhe 6 poetë të huaj deklamuan poezitë e tyre.

“Kemi arritur që në këtë edicion ti kemi të pranishëm krijues letrarë nga gjitha vendet e botës. Sivjet kemi shumë pjesëmarrës nga Kosova dhe vendet tjera ku jetojnë shqiptarët në Ballkan. Ky edicion është karakteristik se i kushtohet 120 vjetorit të Lidhjes së Pejës “Besa-Besë”. Prandaj edhe aktivitete e takimeve të sivjetme letrare në masë të madhe do të zhvillohen në objektet trashëgimi të Haxhi Zekës”, u shpreh në hapjen e këtyre takimeve, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Engelbert Zefaj, drejtori kjo organizatore e këtyre takimeve, të implementuara nga Biblioteka e qytetit “Azem Shkreli” dhe të sponsorizuara nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport.

Në kuadër të ceremonisë së hapjes së këtyre takime u nda edhe çmimi tradicional Bulëzat që u jepet krijuesve të rinj. Këtë çmim sivjet e fitoi 10 vjeçarja nga Prishtina, Dea Halimi, vajza e poetit Nexhat Halimi. Në konkurrencë për çmimin “Bulëzat”, siç tregoi kryetarja e jurisë, Ajete Pavata, kanë qenë librat e katër krijuesve të rinj. Juria, siç tha ajo është përcaktuar që këtë çmim t’ia ndajë librit “Muzika e Agut” e Dea Halimit, e cila në këtë libër, secilës shkronjë i kishte kushtuar nga një poezi.

“Duhet thënë se në çdo strofë faqesh të adresuara secilës shkronjë të alfabetit është ruajtur fryma përkushtuese me pak frymëzim të theksuar, por me një dëshmi veprimi të vetë asaj shkronje. Ky përqendrim poetik e bënë të veçantë tërësinë e librit, në të cilin artikulohet një histori e tërë e kombit tonë”, tha Pavata.

Fituesja e këtij çmimi, Dea Halimi është shprehur e gëzuar, duke treguar se këtë libër e ka shkruar për nderë të 110 vjetorit të Kongresit të Manastirit.

“Ky çmim do të thotë se e kam bërë vetën të lumtur dhe e kam vazhduar krijimtarinë e babit tim”, u shpreh ajo pas marrjes së çmimit.

Dea tregoi se poezinë e parë e ka shkruar kur ka qenë në klasën e parë, kur mësuesja u ka dhënë detyra dhe kështu, siç tha Dea, mësuesja ia ka zbuluar talentin që ka për poezi.

Gjatë ditës së parë të këtyre takimeve, në të cilat pjesë e tyre do të jenë edhe krijues të njohur letrarë nga Italia, Zvicra, Franca, Izraeli, Kroacia, Kosova, Shqipëria e Maqedonia, në orët e pasdites në sesionin tematik në kuadër të takimeve është mbajtur edhe konferenca shkencore “Lidhja e Pejës” , ku kanë referuar studiuesit Elena Kocaqi e Muhamet Mala.

Në sesionin e studimeve letrare janë promovuar libri i Skënder R.Hoxhёs, ndërsa Anton Nikё Berisha ka promovuar kompletin e librave “Nëna Terezë në shtatë shpalime”. Kurse në zhanrin e prozës është promovuar romani i Florin Kelmendit “Vrasje në kornizë”, ndërsa përmbledhje me poezi e ka promovuar Erenestina Gjergji – Halili, Adem Gashi, Sali Bashota e Nikolin Gurakuqi.

Derisa në ditën e dytë të takimeve letrare, përveç manifestimit qendror në të cilin do të ndahet çmimi kryesor i këtyre takimeve, “Azem Shkreli”, do të mbahet edhe takimi poetik, në të cilat poezitë e tyre do t’i lexojnë 15 krijues shqiptarë nga Kosova dhe jashtë saj, si dhe 6 autorë të huaj.

Përveç çmimit “Azem Shkreli” për kontributin në gjuhën dhe letërsinë shqipe, i cili këtë vit i ndahet një poeti ndërkombëtar, do të ndahet edhe çmimi ndërkombëtar “Lirikat e Azemit”, “poezia më e mirë” për poezinë më të mirë konkurruese, si dhe çmimi i “Lirisë” dhe “Besa-Besë”, që sivjet ndahen për herë të parë./KultPlus.com