Shqipëria ka hyrë fort në radarin e udhëtarëve evropianë duke u bërë një nga destinacionet më të dëshiruara për verën, shkruan faqja e njohur italiane forumagricolturasociale.it (FAS).
Falë një deti çuditërisht të pastër, plazheve ende pak të frekuentuara nga turizmi masiv dhe çmimeve padyshim të përballueshme, kjo perlë e Ballkanit po fiton një vend të privilegjuar në zemrat dhe ushqimet e atyre që kërkojnë autenticitet pa hequr dorë nga bukuria e saj.
Por, midis shumë vendeve bregdetare, cilat janë vërtet qytetet me detin më të bukur? Janë tre që dominojnë skenën, të afta të ofrojnë pamje marramendëse dhe një përvojë intensive dhe të rafinuar bregdetare.
Dhërmiu: uji bruz që sfidon Karaibet
I vendosur midis gjelbërimit të maleve dhe blusë së pafundme të detit Jon, Dhërmiu është thelbi i Rivierës Shqiptare.
Fama e tij nuk është e rastësishme: vetëm një vështrim në ngjyrën e ujit, transparente dhe e gjallë, mjafton për të kuptuar pse ky vend e çmend këdo që shkel atje.
Por, Dhërmiu nuk është vetëm estetikë: është një ekuilibër i përsosur midis atmosferës së egër dhe atmosferës së verës, midis perëndimeve të qeta të diellit dhe mbrëmjeve të ndriçuara nga muzika dhe koktejet në plazh.
Pika kulmore është padyshim Plazhi i Gjipesë, një shtrirje bregdetare e vendosur midis shkëmbinjve të lartë që duket sikur ka dalë nga një kartolinë ekzotike.
Mund të shkoni atje në këmbë, përgjatë një shtegu midis ullinjve, ose nga deti: në të dyja rastet, emocioni është i garantuar.
Aty pranë gjendet e fshehur edhe Shpella e Piratëve, një gji sugjestionues, i arritshëm me kajak, i cili i shton një prekje misteri qëndrimit.
Ajo që e bën Dhërmiun edhe më të veçantë është ”shpirti i tij paqësor”: Manastiri me pamje nga deti ofron një pamje të pakrahasueshme dhe një ndjesi paqeje që është e vështirë të harrohet. Një vend ku koha duket se ndalet, ndërsa deti vazhdon të tregojë histori të lashta.
Himara, atje ku bregdeti vishet me autenticitet
Më në jug, përgjatë të njëjtit bregdet të Jonit, Himara magjeps me thjeshtësinë e saj autentike dhe detin e saj të qelqtë.
Është një qytet i qetë, ku çdo plazh ka identitetin e vet, nga rëra e artë te gjiret e fshehura me guralecë. Por, ajo që pushton vërtet është atmosfera: e vërtetë, e gjallë, kurrë artificiale. Këtu turizmi ende përzihet me jetën lokale dhe kjo e bën përvojën më intensive.
Midis një noti dhe një shëtitjeje, nuk mund ta injoroni Kalanë e Himarës, të vendosur në një kodër dhe roje e një historie mijëvjeçare që shikon nga deti.
Pamja nga atje lart është një nga ato që mbeten të gdhendura përgjithmonë. Dhe pastaj është Porto Palermo, me gjirin e tij të qetë të dominuar nga kalaja e Ali Pashës: një vend që duket i pikturuar, perfekt për ata që e duan zhytjen me maskë, por edhe për ata që kërkojnë një vështrim poetik për të soditur.
Jala, gjiri sekret që magjeps udhëtarët
Midis Dhërmiut dhe Himarës, si një sekret i pëshpëritur midis shkëmbinjve, Jala zbulon veten në të gjithë mrekullinë e tij. Është një gji i vogël, i mbrojtur dhe diskret, ku uji merr nuanca joreale dhe rëra duket si kadife.
Është vendi ideal për ata që kërkojnë pushime më intime, të bëra nga ngadalësia dhe detajet, me nota të qeta dhe mëngjese pranë detit. Pavarësisht madhësisë së saj, Jala surprizon me shumëllojshmërinë e ofertave të saj.
Gjatë ditës është relaks i pastër: kajak, zhytje me maskë, shëtitje përgjatë bregdetit ndërsa në perëndim të diellit, plazhi gjallërohet me drita dhe tinguj të butë që përzihen me flladin e detit.
Klubet e plazhit këtu janë elegante dhe kurrë të tepërta, të dizajnuara për ata që duan të përjetojnë natën pa hequr dorë nga sharmi i vendit.
Por, pasuria e vërtetë e Jalës qëndron në gjiret e saj të fshehura, të arritshme vetëm me varkë ose me not.
Shpella detare me ”aromë” kripe dhe misteri, restorante të vogla që shërbejnë peshk të sapo kapur dhe një ndjenjë harmonie me natyrën që është e vështirë të gjendet diku tjetër./ atsh/ KultPlus.com
Një koncert vërtetë fantastik u dhurua mbrëmë, në koncertin e tretë me radhë të “Chopin Pino Fest Prishtina”, nga pianisti Kosti Deti, i cili me një mjeshtëri të jashtëzakonshme në koncertin e tij solistik interpretoi vepra të kompozitorëve të njohur shqiptar dhe botëror, shkruan KultPlus.
Kuq e zi ishte veshur edhe skena në natën e mbrëmshme, për të mirëpritur pianistin e shquar nga Shqipëria, i cili me lojën e tij të mahnitshme hipnotizoi publikun nga fillimi deri në fund të koncertit, pjesë e të cilit ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.
Prezantimin e këtij artisti të jashtëzakonshëm për publikun e solli fillimisht ambasadori Malaj, i cili tha se me shumë dëshirë po e priste lojën e artistit të shquar që ishte shpallur i suksesshëm kudo në Evropë. Me të përfunduar fjalimet përshëndetëse radha iu la artistit i cili përgjatë karrierës së tij kishte fituar rreth 50 çmime për virtuozitetin dhe origjinalin e tij, duke përfshirë edhe vendet si: Austria, Italia, Franca, Rusia, Kanada, Anglia dhe Spanja.
Në skenë doli artisti Deti dhe në fillim të paraqitjes mori vëmendjen maksimale të publikut, duke e filluar interpretimin me njërën dorë, për të krijuar tinguj shumë të qetë, përmes një prekjeje aq delikate të tasteve të pianos, përderisa lëvizja e gojës dhe buzëve të tij krahas interpretimit paraqiste përpjekjet e artistit për të mos prishur perfeksionin e ndjenjës së tij të brishtë, të cilën po e emetonte në sallë.
Po ashtu, edhe në pikën tjetër interpretuese një valë tingujsh më të shpejtë u dhuruan jashtëzakonisht të bukur, për të kaluar më vonë në lëvizje mililmetrike, strikte, super të shpejta, nganjëherë edhe në kryqëzim duarsh, të cilat krijonin stil në vete. Vëmendje të madhe tërhoqi edhe çasti kur gjatë interpretimit ai vendoste njërën dorë lartë tasteve, si për të krijuar fushë kuantike, të cilën si energji me lëvizje të dorës e tërhiqte drejtë zemrës, për ta integruar në trupin fizik, për ta shpërndarë te publiku përsëri në fund të interpretimit intensiv, kur hidhte duart fuqishëm prapa vetes.
Duartrokitjet dhe ovacionet e publikut i dhanë artistit mirënjohjen më të madhe duke e rikthyer edhe dy herë të tjera për të interpretuar në sallë, për të rimarrë atë bukuri tingujsh dhe paraqitjeje, e për ta regjistruar thellë në memorie përmes përsëritjes. Pikat të cilat audienca i shjoi pa masë në këtë mbrëmje të bukur ishin: “Sonata op.111 nr.32, c-mol” nga Bethoven me “Maestoso”, “Allegro con brio ed appasionato”, “Arietta: Adagio molto semplice e cantabile”, “Ruines d’unchateau” nga Tchaikovsky, “Hungarian Rhapsody no.6” nga Liszt, “Fryn veriu” dhe “Sonata no.4 “Kabacells” nga Aleksandër Peçi dhe “Tiokata”nga Ibrahimi.
Prej gjithë këtij programi të pasur artistik, vepra “Kabacells” e kompozitorit shqiptar Aleksandër Peçi, artistin Kosti Deti e kishte entuziasmuar më së shumti për ta sjellë para publikut në Prishtinë.
“Repertori sot ishte i ndarë në repertor shqiptar dhe repertor të literaturës së huaj si: Bethoven, Tchaikovsky, Liszt, Peçi. Sigurisht, u ndjeva shumë i lumtur që luajta sonatën “Kabacells” të Aleksandër Peçit sepse është kompozitori ynë më i madh për momentin, klasik dhe kontemporan, i cili ka një karrierë vërtetë të konsiderueshme. Edhe në botë muzika e tij luhet nga emra shumë të rëndësishëm të muzikës klasike sot për sot, dhe në fakt mezi e prisja që ta interpretoja në Kosovë sonatën e tij”, ka thënë Deti duke potencuar se ishte jashtëzakonisht i lumtur që po merrte pjesë në një festival si “Chopin Piano Fest”.
“Po ndihem shumë i lumtur. Në fakt dyfish i lumtur, sepse për mua është hera e parë që vij në Kosovë si turist dhe si koncertist. Sigurisht është kënaqësi që të performoj në këtë festival prestigjioz, në “Chopin Piano Fest”. Falënderoj shumë organizatoren Lejla Pula që më ftoi në këtë event kaq të rëndësishëm. Ndjehem shumë i lumtur, u bëj thirrje të gjithëve, edhe në Shqipëri që të marrin shembull nga ky organizim kaq fantastik dhe dinjitoz i këtij festivali, që sjell vërtetë emra shumë të mëdhenj të muzikës klasike”, ka thënë pianisti Deti.
I pyetur nëse shkaku i një interpretimi të tillë që e la publikun pa fjalë ishte pasioni, talenti, apo puna e madhe e bërë ndër vite, pianisti u përgjigj:
“Unë në fakt vij nga një familje artistësh. Mamaja është këngëtare dhe punon në teatër të Korçës, babai punon në teatër si mjeshtër zëri dhe tezja ime është aktore, dhe si thuash kështu është brymosur kjo dashuria për artin. Pastaj pjesa e interpretimit me piano ka ardhur shumë spontanisht dhe ka arritur deri këtu me shumë mund, shumë përpjekje, shumë mundime dhe sakrifica. Normalisht, të jesh një pianist dhe një instrumentist klasik duhet një vetëmohim i jashtëzakonshëm i jetës sepse t’i do të mbyllesh për tu fokusuar për të dhënë këtë performancë, që shpresoj që publiku ta ketë pëlqyer”, ka përfunduar ai.
Kurse ambasadori i Shqipërisë, Petrit Malaj, fesivalin “Chopin” e quajti një shembull të shkëlqyer të muzikës i cili ndërton ura mes kulturave të ndryshme si dhe promovon talente të reja.
“Si ambasador i Republikës së Shqipërisë këtu në Kosovë, e quaj nder që të jem i pranishëm dhe t’i them këto dy fjalë në shenjë përkrahje për ata të rinjë të talentuar të cilët shpërfaqen fort mirë në një festival siç është “Chopin Piano Fest”. Ky festival unë do të thoja që është një shembull i shkëlqyer i fuqisë së muzikës për të kapërcyer kufinjtë dhe për të ndërtuar urat e nevojshme në mes kulturave tona, që jo vetëm nderon trashëgiminë e madhe të njërit prej kompozitorëve më të mëdhenj dhe më të fuqishëm botëror të të gjitha kohërave, por promovon edhe talente të reja dhe nxit një dialog kulturor të pasur e të shumëllojshëm” ka thënë ambasadori Malaj, i cili ishte impresionuar nga sipërmarrja e drejtoreshave të Festivalit.
“Unë dua të shpreh falënderimet e mija në fakt për dy zonjat e nderuara, Besa Luzhën dhe Lejla Pulën. Jam impresionuar nga sipërmarrja e tyre ku kanë rreth 14 vjet që organizojnë një festival të tillë mes vështirësive, mes nevojës për përkrahje. I falënderoj për përkushtimin, për pasionin e tyre që bëjnë të mundur pikërisht këtë realizim. Po ashtu dua të falënderoj edhe të gjithë artistët pjesëmarrës të cilët me performancat e tyre na japin mundësi që të përjetojmë magjinë e muzikës së pianos” ka thënë ambasadori Malaj, që me shumë dëshirë kishte ardhur ta shijonte muzikën e artistit Deti.
“Kosti Deti, një djal nga Korça i cili i ka filluar studimet në Shkollën e Arteve në Tiranë. Më pas ka shkuar në Itali, më pas në Vjenë, tani dua ta them me plotë gojë që po shkëlqen në skena të ndryshme Evropiane, dhe sonte kemi dëshirën për të parë dhe për ta shijuar muzikën e tij sot këtu”, ka thënë ai.
Kurse drejtoresha organizative e Festivalit Besa Luzha tha se ndihej shumë e lumtur që kishin arritur të sjellin në Festival një artist të tillë, i cili la mbresa të fuqishme te publiku në sallë.
“Kosti Detin ka një kohë që po presim ta sjellim në Prishtinë, për shkak se profesoresha Lejla Pula e njeh shumë mirë talentin dhe virtuozitetin e tij. Ne jemi shumë të kënaqur që ka arritur të vijë, programi ishte ishte i jashtëzakonshëm. Ndoshta pak i vështirë për audiencën tonë sidomos vepra e kompozitorit Peçi sepse është një sonatë tepër moderne, por që Kosti e solli në mënyrë brilante dhe e bëri më të lehtë të kapërdijshme edhe nëse ishte pak ekstravagante. Temperamenti, virtuoziteti, një dinamikë e paparë, një larushi e dinamikës Pianisimo deri në Fortisimo, një tingull i bukur, i mirë, i rafinuar me të vërtetë na ka lënë me mbresa të fuqishme prej këtij koncerti” ka thënë drejtoresha Luzha.
Drejtoresha Luzha më tej tregoi edhe për koncertin pasues i cili do të mbahet me kuartetin Fabrizio Bosso.
“Do të jetë një koncert me një ngjyrë krejtësisht tjetër. Besoj që do të kënaqemi shumë sepse është një koncert krejtësisht jashtë kornizave “Chopin”. Do të vijnë Kuarteti Fabricio Bosso, i cili është një trumpetist i jashtëzakonshëm italian, i cili me formacione të ndryshme ka bërë përpunime, improvizime të temave të ndryshme, sigurisht edhe krijime origjinale por që nesër vijnë me një dedikim për Stevie Wonder. Do të ketë përpunime me tema nga këngët e tij, pasi Wonder është një personalitet në botën e muzikës me një talent të rrallë”, ka bërë të ditur Luzha.
Pjesë e koncertit ishte edhe pianisti Andi Duraku i cili po ashtu e kishte shijuar shumë ngjarjen, në veçanti veprat e kompozitorëve shqiptarë.
“Sonte patëm rastin ta dëgjojmë një piansit të ri shumë të talentuar, me një program i cili përfshinte epoka të ndryshme kohore. Me të vërtetë ishte një mbrëmje vërtetë e mirë. Edhe publiku e priti mjaft mirë këtë koncert, sidomos paraqitjet dhe interpretimin e veprave të cilat ishin nga kompozitori nga Shqipëria, Aleksandër Peçi, të cilat u realizuan në një nivel shumë të lartë” ka thënë në pianisti Duraku.
Koncerti i radhës mbahet sonte me kuartetin Fabrizio Bosso, në ora 20:00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Qëndrore Universitare./ KultPlus.com
Tërheqja e detit është një fenomen që ndodh vit pas viti, sikurse ka ndodhur edhe vitin e kaluar dhe ka qënë me e dukshme në bregdetin e Vlorës dhe në Lezhë po ashtu.
Por ajo që është vënë re nga qytetarët dhe nga ekspertët e mjedisit është fakti se në qytetin e Vlorës tërheqja këtë vit ka qënë më e theksuar.
Gazetarja e Euronews Albania, Ebrieta Maçaj deklaroi për emisionin “Good Morning Albanians” kjo është një problematikë që po shqetëson ambientalistët.
“Në fakt, ndodh çdo vit, por nuk ka ndodhur asnjëherë në këto përmasa. Siç e shihni, unë jam në zonën e Lungomares. Kjo strukturë në det është ndërtuar nga arkitekti për të krijuar një lloj dinamike ku të dukej baticë-zbatica, që qytetarët ta shohin këtë fenomen si atraksion. Asnjëherë nuk kishte dalë kaq shumë, ka qenë shumë e fortë përmasa e tërhqejes së detit”, tha gazetarja.
“Kjo po shqetëson edhe ambientalistët, pasi një pjesë kaq e zbuluar e bregdetit, do të thotë një vdekje për ekosistemin. Ka rreth katër ditë që deti është tërhequr. Specialistët shprehen se kjo është një problematikë”, raportoi gazetarja Ebrieta Maçaj./ KultPlus.com
Ky është një qytet misterioz i zhytur, ndërsa arkeologët kanë njoftuar një seri zbulimesh të reja.
Më herët, kronikanët kanë deklaruar se Heracleion dhe Thonis ishin dy qytete të ndryshme të zbuluara në Mesdhe, por arkeologu francez Franck Goddio zbuloi në vitin 1999 se fjala është për një qytet i njëjtë.
Heracleion është qyteti port i Egjiptit, Thonis është emër egjiptian, ndërsa Heracleion është emër grek, transmeton KultPlus.
Ishte një qytet tregtar i themeluar rreth shekullit të 8-të para Krishtit. Helena e Trojës dhe Parisi e vizituan atë para Luftës së Trojës.
Për shkak të goditjeve të vazhdueshme të tërmeteve dhe cunamit, qyteti u zhyt ngadalë në det, ndërsa niveli i detit u rrit.
Sidoqoftë, në vitin 1999, Franck Goddio, me një grup zhytësish që punonin përgjatë bregdetit egjiptian, gjetën një fragment të madh shkëmbi nën shtratin e detit dhe e nxorën atë në breg.
Ishte një copë statuje e perëndisë Hapi, e mbështjellë me kripë, por e padëmtuar.
Ata vazhduan kërkimin dhe përfundimisht gërmuan edhe gjashtë të tjerë.
Rreth këtyre pjesëve shtrihet një thesar tjetër: rrënojat e tempujve, copëzat e qeramikës, bizhuteri, monedha, buste etj.
U gjetën edhe kolona të lashta, qeramikë 2,000-vjeçare dhe monedha prej bronzi të mbretërimit të Mbretit Ptolemeu II (283 deri 246 pes).
Disa gërmime të këtij qyteti tani gjenden në Muzeun Britanik në Londër. /telegrafi/ KultPlus.com
Ndalimi i kërkuar i peshkimit është pjesë e një plani 10-pikësh të veprimit “për t’i shtuar standardet” për arritjen e caqeve të biodiversitetit, për të cilat ata thonë se nuk do të arrihen me premtimet e tanishme, siç është zotimi i vitit të kaluar i liderëve botërorë në samitin e OKB-së për biodiversitet në New York për rikthimin e natyrës deri në vitin 2030
Një grup i organizatave joqeveritare ka adresuar thirrje për ndalimin urgjent të peshkimit me rrjeta në zonat e mbrojtura detare të Bashkimit Evropian, pas dështimeve të vendeve anëtare për t’i mbrojtur detet.
Ndalimi është pjesë e një plani 10-pikësh të veprimit “për t’i shtuar standardet” për arritjen e caqeve të biodiversitetit, për të cilat ata thonë se nuk do të arrihen me premtimet e tanishme, siç është zotimi i vitit të kaluar i liderëve botërorë në samitin e OKB-së për biodiversitet në New York për rikthimin e natyrës deri në vitin 2030.
Një cak i ligjeve të BE-së për ta ruajtur jetën detare – përfshirë një detyrë të shteteve anëtare të BE-së për të arritur “statusin e mirë mjedisor” në dete deri në vitin 2020, për të pasur ekosisteme të shëndetshme dhe për ta paraqitur një menaxhim të qëndrueshëm të peshkatarisë – nuk ka hyrë ende në fuqi, ka thënë grupi, ku përfshihen organizatat “Oceana” në Evropë, “Greenpeace” dhe “ClientEarth”. Ato kanë paralajmëruar se ky dështim, i kombinuar me presionin ekzistues në detet evropiane, përfshirë edhe ndryshimin klimatik, rrezikon që të shkaktojë ndryshime të pakthyeshme në kushtet ekologjike, në të cilat njerëzimi ka evoluar dhe lulëzuar.
Thirrja 10-pikëshe për veprim, të cilën grupi do ta paraqesë para liderëve të BE-së, deputetëve dhe shteteve anëtare, vjen pas zotimit të kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe shumë udhëheqës të BE-së për ta rikthyer humbjen e biodiversitetit deri në vitin 2030. Thirrja është publikuar si kundërpërgjigje ndaj një draft-raporti të Parlamentit Evropian për strategjinë e biodiversitetit të BE-së për vitin 2030. Ky draft-raport, i cili do t’i paraqitet Komitetit Mjedisor të enjten, shpreh keqardhjen e thellë se BE-ja “as nuk i ka përmbushur plotësisht objektivat strategjikë të biodiversitetit për vitin 2020 e as caqet globale të biodiversitetit Aichi”.
Edhe pse OJQ-të e kanë mirëpritur draft-raportin, ato kanë bërë të ditur se nuk shkon aq larg sa për ta siguruar hyrjen në fuqi të ligjeve të tanishme të BE-së apo për të caktuar plane veprimi për ta rikthyer humbjen e biodivetsitetit deri në vitin 2030.
Rebecca Hubbard, drejtuese e programit të “Our Fish”, që ka për qëllim që ta ndalojë peshkimin e tepërt, ka thënë se BE-ja ka dështuar që ta ketë një status të mirë mjedisor për detet e saj”.
“Dhe strategjia e BE-së për biodiversitet duhet të zbatohet nëse duam ta kapim mundësinë për ta shpëtuar atë – ky zbatim duhet të përfshijë 10 pikat e veprimit që i kemi në raportin tonë”, ka shtuar ajo.
Hubbard ka thënë po ashtu se BE-ja ka dështuar t’i japë fund peshkimit të tepërt dhe t’i mbrojë habitatet detare nga peshkimi me rrjeta.
“Çfarë vërtet duhet të bëjmë është që të kalojmë nga strategjitë dhe qëllimet te veprimet dhe rezultatet. Zotimet kombëtare, qëllimet dhe marrëveshjet janë të rëndësishme për ta caktuar një drejtim, por nëse duam ta shpëtojmë planetin duhet të veprojmë”, ka thënë Hubbard.
Plani 10-pikësh kërkon të bëhet një rrjet i mbrojtjes së plotë të oqeanit, i cili do të mbulonte të paktën 30 për qind të oqeaneve deri në vitin 2030, si dhe përmirësimin drastik të mbrojtjes së peshkatarisë. Ky plan e nxit Bashkimin Evropian që të shtojë burimet, të zbatojë dhe të fusë në fuqi legjislacionin ekzistues për ta mbrojtur jetën detare.
Grupet kanë kërkuar gjithashtu që BE-ja t’i kryejë vlerësimet për ndikimin në mjedis të aktiviteteve të peshkimit, ashtu që të vendosen kufij peshkimi me “amortizatorë paraprakë” për ndryshim klimatik dhe pajisje për t’i monitoruar sistemet për të gjitha barkat peshkuese. Ato kërkojnë që të merren masa për ta zvogëluar kapjen e rastësishme dhe për mbrojtje të detit të thellë, të tilla si mbyllja e zonave të ndjeshme për eksplorim të hidrokarbonit. Kërkohet gjithashtu që të përfundojnë subvencionet dhe kontrollet e dëmshme të peshkimit të zhurmave nënujore. /Koha/ KultPlus.com