Rregullat strikte të BE-së për ‘Google’, ‘X’ dhe ‘Meta’ hyjnë në fuqi

 Rregullat historike të BE-së për përmbajtjen e paligjshme digjitale hynë sot në fuqi me gjigantët e internetit si Google, Amazon dhe rrjeti social X, i njohur më parë si Twitter, duke rrezikuar gjoba të mëdha me vlerë deri në 6% të xhiros vjetore në mbarë botën për shkelje.

Akti i Shërbimeve Digjitale të Bashkimit Evropian (DSA) zbatohet për 19 motorë kërkimi dhe platforma shumë të mëdha me më shumë se 45 milionë përdorues aktivë.

Kompanitë do të duhet të heqin më shpejt pornografinë e fëmijëve dhe propagandën terroriste dhe gjithashtu ta bëjnë më të lehtë për përdoruesit që të raportojnë përmbajtje të tillë.

Tregjet online si Amazon tani janë të detyruara të heqin produktet e falsifikuara ose lodrat e rrezikshme në masën më të mirë të mundshme dhe të informojnë konsumatorët nëse një produkt i paligjshëm është blerë.

Për më tepër, kompanitë duhet t’i raportojnë rregullisht Komisionit Evropian për shkallën në të cilën platformat e tyre rrezikojnë shëndetin mendor ose lirinë e shprehjes.

Duke përshëndetur rregullat e reja, komisioneri i Tregut të Brendshëm të BE-së, Thierry Breton tha në një video në X se ekipi i tij do të ishte shumë rigoroz për të kontrolluar nëse platformat sistematike janë në përputhje.

Elon Musk, zotëruesi i X, dhe marrësi i paralajmërimeve të shumta publike të BE-së për detyrimet rregullatore, i tha Breton se kompania e tij “po punonte shumë për këtë”.

Nëntëmbëdhjetë platformat dhe motorët e kërkimit të përfshira fillimisht janë Zalando, Wikipedia, Booking.com, Tik Tok, X, Facebook, Amazon Marketplace dhe App Store i Apple, si dhe Alibaba AliExpress, Google Play, Google Maps, Google Shopping, Instagram, LinkedIn, Pinterest, Snapchat, YouTube dhe motorët e kërkimit Google dhe Bing. /KultPlus.com

Meta i bindet BE, postimet në Facebook e Instagram do të jenë në rend kronologjik

Meta, kompania mëmë e Facebook dhe Instagram është shprehur se për përdoruesit në Europë postimet Story dhe Reels do të shfaqen në rend kronologjik ndërsa rezultatet e kërkimeve nuk do të personalizohen.

Ky ndryshim vjen vetëm pak ditë përpara se Akti i Shërbimeve Dixhitale të Bashkimit Europian të fillojë të veprojë mbi faqet e mëdha të internetit, përfshirë Facebook dhe Instagram që konsiderohen “platforma të mëdha online”.

Meta ka thënë se 1000 njerëz janë duke kërkuar një zgjidhje që do të lejojë kompaninë të jetë brenda kornizave të legjislacionit të ri. Një prej kërkesave është që platformat e rrjeteve sociale të krijojnë sisteme që nuk bazohen te profilizimi.

“Po i japim komunitetit europian mundësinë që të shohë dhe zbulojë përmbajtje në Reels, Story, Search dhe hapësira të tjera në Facebook e Instagram të cilat nuk përzgjidhen nga Meta duke përdorur këto sisteme”, u shpreh kompania.

Meta specifikon se përdoruesit mund të shohin në rend kronologjik, nga më e reja te më e vjetra, përmbajtjen e postuar vetëm nga njerëzit që ndjekin. Rezultatet e kërkimeve do të bazohen vetëm në kërkesat e përdoruesit, jo në atë që algoritmi mendon se i nevojitet.

Threads, platforma e re e Meta, nuk funksionon në Bashkimin Europian për shkak të rregullave strikte të privatësisë në bllokun e 27 shteteve anëtare./alsatm/KultPlus.com

BE: Projekti i financuar nga ne shpiu në zbulimin e jashtëzakonshëm arkeologjik në Ulpianë

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar pas zbulimit arkeologjik në Ulpianë, duke thënë se projekti i financuar nga ta shpiu në një zbulim të jashtëzakonshëm.

Sipas Zyrës së BE-së në Kosovës, projekti i financuar pikërisht nga Bashkimi Evropian shpiu në një zbulim të jashtëzakonshëm, i cili daton në mes viteve 527-565 pas Krishtit.

“Një ekip i përzier ekspertësh ndërkombëtarë dhe vendas të udhëhequr nga profesori Christophe J. Goddard bëri një zbulim të jashtëzakonshëm në lokalitetin arkeologjik të Ulpianës: përkushtimin nga Perandori Justinian (527-565 pas Krishtit) dhe gruaja e tij Theodora, një “urbs Dardaniae”, një nga shumë pak përkushtime latine të çiftit perandorak në botën e vonë romake”.

“Zbulimi i këtij mozaiku, si dhe zbulimi i një bazilike imponuese peshkopale në vitin 2022, janë rezultatet konkrete të një projekti të financuar nga BE-ja të titulluar “Misioni Arkeologjik Evropian në Kosovë: nga Ulpiana në Iustiniana Secunda”, i cili pritet të përfundojë në dhjetor të vitit 2024”, thuhet në reagim, transmeton Klankosova.tv.

Ndërsa, në lidhje me këtë, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se zbulime të tilla ofrojnë një perspektivë unike për kulturën dhe historinë njerëzore.

“Jam shumë krenar që ky projekt i financuar nga BE-ja çoi në identifikimin e një pjese të rezervatit të pasur arkeologjik të Ulpianës. Misioni Arkeologjik në Kosovë do të vazhdojë punën e tij të zellshme për të ndihmuar Kosovën të zbulojë, trajtojë dhe të ruajë trashëgiminë e saj arkeologjike”, tha Szunyog./Klan Kosova/KultPlus.com

BE shpall 15 korrikun si Ditën e Viktimave të Krizës Klimatike

Bashkimi Evropian ka shpallur 15 korrikun një ditë të re përkujtimi vjetor për viktimat e krizës globale të klimës.

”Viktimat e klimës në Evropë dhe më gjerë do të përkujtohen”, deklaroi Komisioni Evropian.

”Kjo po bëhet gjithashtu për të rritur ndërgjegjësimin për hapat konkretë që njerëzit mund të ndërmarrin në nivelin e tyre për të ndihmuar në parandalimin e fatkeqësive nga ndodhja dhe për t’u përgatitur më mirë dhe për t’iu përgjigjur fatkeqësive të lidhura me klimën”, thuhet në një deklaratë nga komisioni.

Më 15 korrik 2021, përmbytjet në Gjermani dhe Belgjikë vranë më shumë se 200 persona.

Qindra të tjerë kanë humbur shtëpitë e tyre.

Dita e re e përkujtimit u bë e detyrueshme me një deklaratë të nënshkruar nga përfaqësues të Parlamentit Evropian dhe vendeve anëtare të BE-së.

Zëvendëspresidenti i Komisionit Frans Timmermans tha gjatë ceremonisë së nënshkrimit se ”kjo ditë përkujtimi nuk ishte vetëm për shkak të njerëzve që tashmë janë bërë viktima, por edhe viktimave të ardhshme”./ atsh / KultPlus.com

BE akordon 90 miliardë euro për prodhimin e çipave

“Il Chips Act”, një projekt i cili do të financojë prodhimin e çipave do të hyjë në fuqi vetëm zyrtarisht këtë vjeshtë, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë një vizite në selinë e Imec në Leuven.

Projekti i BE-së po gjeneron një vrull të jashtëzakonshëm: më shumë se 90 miliardë euro investime industriale në Evropë tashmë janë shpallur që kur e propozuam në shkurt të vitit të kaluar.

”Financimi i shpallur, ka të bëjë me financimin e 12 miliardë eurove në Poloni, 30 miliardë euro për dy fabrika në Magdeburg, por shohim edhe investime në Dublin, Katania, Granoble dhe Dresden”, deklaroi Von der Leyen./Balkanweb/KultPlus.com

Twitter ashpërson masat për lajme të rreme, vendimi pas kritikave nga BE

Gjigandi i rrjeteve sociale, Twitter ka rënë dakord të respektojë ligjet e reja të Bashkimit Evropian që synojnë parandalimin e lajmëve të rremë, propagandën ruse dhe krimin në internet.

Ky vendim vjen pasi zyrtarë të lartë të komisionit evropian vizituan selinë e kompanisë për të testuar aftësinë e saj për të vepruar legalisht në bllokun evropian, vetëm disa javë pasi pronari i gjigandit të rrjeteve sociale, Elon Musk, hoqi dorë nga kodi vullnetar i praktikës së bllokut për dezinformimin.

Vizita e zyrtarëve evropian kishte si synim të testonin kontrollet e kompanisë mbi propagandën ruse, lajmet e rreme dhe aktivitetin kriminal, duke përfshirë shfrytëzimin seksual të fëmijëve.

Komisioneri përgjegjës për zbatimin e Aktit të ri të Shërbimeve Digjitale, mirëpriti faktin që kompania pranoi vullnetarisht kontrollin.

Ligjet e reja hyjnë në fuqi më 25 gusht, megjithatë frika e BE-së se Twitter-i mund të mos i respektojë ishte rritur.

BE-ja e kishte paralajmëruar Musk se ai mund të përballet me një ndalim të plotë në Evropë ose me gjoba deri në 6% të të ardhurave të saj globale nëse nuk përputhet me ligjet.

Sipas Aktit të ri të Shërbimeve Dixhitale, kompanitë e teknologjisë do të duhet të moderojnë platformat e tyre për përmbajtje të dëmshme si dezinformimi dhe të prezantojnë protokolle për të bllokuar përhapjen e materialeve të rrezikshme.

Kompanitë duhet po ashtu të rrisin transparencën në lidhje me ndërveprimet me përdoruesit dhe të thjeshtojnë marrëveshjet e përdoruesve.

Twitter,  është caktuar si një platformë e ashtuquajtur Very Large Online që do të thotë se do të monitorohet më rreptësisht nga Brukseli sesa platformat më të vogla./alsatm/KultPlus.com

BE: Google ka shkelur rregullat e konkurrencës në reklama

Bashkimi Evropian (BE) ka akuzuar kompaninë teknologjike Google për shkelje të rregullave të konkurrencës së tregut në aktivitetet e saj të reklamave digjitale.

Komisioni Evropian (KE) ka njoftuar se ka ngritur akuza zyrtare kundër platformës amerikane Google, për shkak se teknologjitë e saj të reklamave shkelin rregullat e konkurrencës së BE-së.

KE-ja i dërgoi Google-s një paralajmërim zyrtar me pretendimet për abuzime në teknologjinë e reklamave në internet.

Duke vënë në dukje se KE-ja i ka dhënë Google-s opinionin e tij paraprak se po shkel rregullat kundër monopolit të BE-së duke shtrembëruar konkurrencën në sektorin e teknologjisë “adtech”, deklarata e KE thekson se ”kundërshton preferencën e Google-s për shërbimet e tij të teknologjisë në internet ndaj ofruesve konkurrues të shërbimeve të teknologjisë së reklamave, shpalljeve dhe botuesve online”.

Që nga viti 2014, pretendohet se Google ka abuzuar me pozicionin e saj në tregjet e reklamave dhe përzgjedhjes për të favorizuar shërbimet e veta, duke e lejuar kompaninë të paguaj tarifa më të larta për shërbimet e veta.

Deklarata thekson se një sjellje e tillë shkel rregullat e BE-së që ndalojnë abuzimin e pozicionit dominues në treg dhe vë në dukje se masat e sjelljes nuk do të jenë efektive në parandalimin e rrezikut që Google të vazhdojë një sjellje të tillë të privilegjuar ose të vendosë masa të reja.

BE-ja ka gjobitur Google-n me më shumë se tetë miliardë euro në hetime të ndryshme lidhur me konkurrencën në të kaluarën./Balkanweb/KultPlus.com

BE i dhuron 621 mijë € Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë për restaurimin e librave

BE-ja i dhuron 621 mijë € Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë për restaurimin e libraveBE-ja i dhuron 621 mijë € Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë për restaurimin e librave

Pajisje për restaurimin e librave me vlerë 621 mijë euro i janë dhuruar Bibliotekës Kombëtare nga Bashkimi Evropian përmes programit BE për kulturën. Përmes pajisjeve, biblioteka do të mund t’i ruajë më shumë botimet e vjetar dhe disa prej tyre do të jenë edhe online në formë digjitale.

Ambasadorja e BE, Christiane Hohmann, tha se është pasuria e trashëgimisë kulture që do të çojë Shqipëria në BE.

“Është kënaqësi të shohim rezultatet e asaj që BE bën në Shqipëri. dhe kjo është diçka që nuk mund të nënvlerësohet sepse është ruajtje e trashëgimisë kulturore. Pa histori nuk shkojmë dot në të ardhmen. Për të ruajtur pasurinë që zotëron Biblioteka kombëtare, tashmë me një fond prej më se gjysmë milioni euro ruhen dhe restaurohen librat jo vetëm për publikun por edhe për studiuesit. Sapo mësova se librat mbaheshin në kuti diku dhe ishin të paaksesueshme deri tani”

Vetë godina është restauruar së fundi dhe ka arredim të ri ndërsa ministrja foli për të ardhmen.

“Kemi rizbulim të thesareve të bibliotekës dhe hapësirës. Është një rizbulim i rrënjëve dhe marrëdhënieve me vendet. Zemra e vërtetë e këtij institucioni do të duhet të kthehet në hapësirë restaurimi e digjitalizimi”.

Kujdesi për trashëgiminë nis që me prekjen e librave me doreza./Shqip.com/KultPlus.com

BE liston platformat që do të përballen me rregulla më të rrepta

Komisioni Evropian ka listuar platformat e mëdha online që do të përballen me rregulla më të rrepta për mbrojtjen e të dhënave dhe të përdoruesve.

Komisioni Evropian njoftoi se ka miratuar “vendimet e para të përcaktimit sipas Aktit të Shërbimeve Digjitale”, një rregullore e Bashkimit Evropian (BE) për reklamat transparente që synon të ndihmojë përdoruesit të fshijnë përmbajtjen e paligjshme, si dhe të luftojë dezinformimin.

Bazuar në të dhënat e platformave të siguruara në muajin shkurt, Komisioni Evropian klasifikuara 17 platforma online dhe dy motorë kërkimi si “shumë të mëdhenj” pasi më shumë se 45 milionë njerëz i përdorin ato për çdo muaj.

Gjigantët e mediave sociale si Facebook, Instagram, LinkedIn, Pinterest, Snapchat, TikTok, Twitter dhe Youtube u përcaktuan si “platforma shumë të mëdha online”.

Uebfaqet e blerjeve Alibaba, Amazon, AppStore, booking.com, Google Play, Google Shopping dhe Zalando gjithashtu u listuan në klasifikimin e ri të BE-së, përfshirë edhe Google Maps dhe Wikipedia.

Google dhe Bing, nga ana tjetër, u renditën si “motorë shumë të mëdhenj të kërkimit online”.

Rregullat e reja sybojnë të mbrojnë të dhënat e personelit kundër taktikave agresive të reklamave dhe do t’u kërkojnë kompanie të veprojnë më shpejt kundër përmbajtjes së paligjshme ose dezinformimit.

Për shembull, reklamat nuk mund të shfaqen bazuar në të dhënat e ndjeshme të përdoruesve, si për shembull pikëpamjet politike ose orientimi seksual.

Reklamat e synuara të bazuara në profilizimin e fëmijëve gjithashtu do të ndalohen.

Platformat gjithashtu do të duhet t’u mundësojnë përdoruesve të raportojnë më lehtë përmbajtjen e paligjshme dhe do të jenë të detyruara t’i moderojnë ose t’i fshijnë ato me një njoftim shumë të shkurtër.

Brenda katër muajve, platformat do të duhet të ndryshojnë politikat e tyre në mënyrë që të përmbushin detyrimet e reja sipas “Aktit të Shërbimeve Digjitale”.

Nëse kompanitë nuk i respektojnë rregulloret, BE-ja mund të vendosë gjobë të barabartë me 6 për qind të xhiros së tyre vjetore, si dhe të ndalojë shërbimet e tyre nëse shkelin rregullat në mënyrë të përsëritur./ KultPlus.com

BE ndalon produktet që shkaktojnë shkatërrimin e pyjeve

Parlamenti Evropian (PE) miratoi ligjin i cili përfshin ndalimin e importimit në vendet e Bashkimit Evropian (BE) për produkte të ndryshme si sojë, mish viçi, vaj palme, dru, kakao dhe kafe, të cilat prodhohen duke dëmtuar pyjet.

Në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të mbajtur në Strazburg, me 552 vota “pro” u pranua ligji i përgatitur për të parandaluar shkatërrimin e pyjeve në gjithë botën, për të luftuar ndryshimin e klimës dhe për të parandaluar humbjen e biodiversitetit.

Sipas ligjit, produktet e shitura në tregjet e BE-së nuk duhet të jenë shkak për shkatërrimin e pyjeve në mbarë botën. Kompanitë do të mund të shesin në tregun e BE-së produkte të cilët nuk shkaktojnë prishjen e pyjeve dhe shpyllëzim.

Do të jetë e detyrueshme që produkte të tilla kryesisht si vaji i palmës, mishi viçit, druri, kafeja, kakaoja, kauçuku, soja, çokollatat, mobilet, letra dhe lëkura të mos kenë kontribut për shpyllëzimin.

Po ashtu thuhet se do të vendoset kushti për detyrën e kujdesit ndaj atyre që sigurojnë produktet në fjalë në tregun e BE-së.

Në tregun e BE-së do të lejohet qasje vetëm për produkte të prodhuara në toka që nuk i janë nënshtruar shpyllëzimit ose shkatërrimit të pyjeve pas 31 dhjetorit 2020. / atsh / KultPlus.com

Eurodeputeti Waitz: Sot është ditë gëzimi për Kosovën, BE u vonua me vizat

Parlamenti Europian sot do të japë dritën jeshile për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Para seancës, eurodeputeti austriak, Thomas Ëaitz, ka thënë se sot është një ditë e gëzuar për Kosovën, derisa ka kritikuar BE-në për vonesën në këtë proces.

“Sot është një ditë gëzimi për Kosovën dhe qytetarët e saj. Pas vitesh bllokadë në Këshill, Parlamenti Europian më në fund do të miratojë sot liberalizimin e vizave për vendin më të ri në Europë. Ky hap në rrugën e Kosovës drejt BE-së është i vonuar”, ka thënë ai.

Waitz, i cili vjen nga Të Gjelbërit dhe mori mandatin pas dotëheqjes së Ulrike Lunacek, bashkë me të , kanë luftuar që ky hap të ndërmerret përfundimisht.

EP Plenary session – European Climate Law

Eurodeputeti austriak tha se Të Gjelbërit kanë qenë duke avokuar për vite dhe do të vazhdojnë që të mbështesin rrugën europiane të Kosovës.

Parlamenti Europian pritet që sot ta miratojë dosjen për liberalizimin e vizave për Kosovën nga ora 12:00.

Ky institucionet i BE-së vazhdimisht ka përkrahur lëvizjen e lirë për kosovarët. /Express/ KultPlus.com

Publikohet për herë të parë zyrtarisht plani franko-gjerman, kjo është përmbajtja

Bashkimi Evropian e ka publikuar të plotë Propozimin Evropian për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Propozimi përmban gjithsej 11 nene.

Ky është propozimi, i publikuar i plotë në faqet zyrtare të BE-së:

Palët e dakorduara,

Të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes,

Të përkushtuar për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale në Evropë dhe për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës,

Të vetëdijshëm se paprekshmëria e kufijve dhe respektimi i integritetit dhe sovranitetit territorial dhe mbrojtja e pakicave kombëtare janë kusht themelor për paqen,

Duke u nisur nga faktet historike dhe pa paragjykuar pikëpamjet e ndryshme të Palëve për çështjet themelore, duke përfshirë çështjet e statusit,

Me dëshirën për të krijuar kushtet për bashkëpunim ndërmjet Palëve në dobi të popullit,

Kanë rënë dakord si më poshtë:

Neni 1

Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën mbi bazën e të drejtave të barabarta.

Të dyja Palët do të njohin reciprokisht dokumentet e tyre përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore.

Neni 2

Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato të barazisë sovrane të të gjitha shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën e vetëvendosjes, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimi.

Neni 3

Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, Palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.

Neni 4

Palët vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga të dyja nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj.

Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Neni 5

Asnjëra palë nuk do të bllokojë, as nuk do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugën e tyre përkatëse në BE bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët do të respektojnë vlerat e përmendura në nenet 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.

Neni 6

Ndërsa Marrëveshja aktuale përbën një hap të rëndësishëm normalizimi, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, i cili duhet të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre.

Palët bien dakord të thellojnë bashkëpunimin e ardhshëm në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe konektivitetit, marrëdhënieve gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit, postës dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, fesë, sportit, mbrojtjes së mjedisit, personave të zhdukur, personave të zhvendosur dhe fushave të tjera të ngjashme nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve specifike.

Detajet do të bien dakord në marrëveshje shtesë të ndërmjetësuara nga Dialogu i udhëhequr nga BE.

Neni 7

Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.

Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Neni 8

Palët do të shkëmbejnë Misionet e Përhershme. Ato do të vendosen në selinë e Qeverive përkatëse.

Çështjet praktike në lidhje me themelimin e Misioneve do të trajtohen veçmas.

Neni 9

Të dyja palët marrin parasysh angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për të krijuar një paketë të veçantë investimi dhe mbështetje financiare për projektet e përbashkëta të Palëve në zhvillimin ekonomik, lidhjen, tranzicionin e gjelbër dhe fusha të tjera kyçe.

Neni 10

Palët do të krijojnë një Komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje.

Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.

Neni 11

Të dyja palët angazhohen të respektojnë Udhërrëfyesin e Zbatimit të aneksuar në këtë Marrëveshje./ gazeta express

BE përkujton masakrën e Reçakut: E kaluara nuk mund të zhbëhet

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka përkujtuar masakrën e Reçakut në 24-vjetorin e saj.

Në një postim në Facebook, BE ka thënë se kujtojnë dhe nderojnë viktimat, duke shtuar se e kaluara nuk mund të zhbëhet por që e ardhmja do të sjellë drejtësi e lehtësim.

 “Sot shënohet përvjetori i 24-të i masakrës së Reçakut. Ne kujtojmë dhe nderojmë viktimat dhe ndajmë dhimbjen dhe vajtimin të pangushëllueshëm. E kaluara nuk mund të zhbëhet, por e ardhmja do të sjellë drejtësi, mbyllje dhe lehtësim. Sot vajtojmë me Kosovën.”/ KultPlus.com

Ambasadorët e BE-së miratuan liberalizimin e vizave për Kosovën

Presidenca Çeke e Këshillit të Bashkimit Evropian përmes Twitter-it ka bërë të ditur se Ambasadorët e Bashkimit Evropian miratuan tekstin e kompromisit për liberalizimin e vizave për Kosovën përpara miratimit përfundimtar nga Këshilli i BE-së.

Në këtë njoftim thuhet gjithashtu se ky hap mbyll procedurën teknike për liberalizimin e vizave.

“Ambasadoret e BE-së sapo vulosën liberalizimin e vizave për Kosovën. Ky është hap i fundit për këtë vit dhe hap i cili mbyll procedurën teknike për liberalizimin e vizave. Në muajt e parë të vitit tjetër mbetet vetëm votimi formal në seancën plenare të Parlamentit Evropian dhe Këshillin për Punë të Brendshme”, ka shkruar Shasha. /KultPlus.com

Parlamenti dhe Këshilli i BE-së arrijnë marrëveshje për liberalizimin e vizave për Kosovën

Përfaqësuesit e Parlamentit dhe Këshillit Evropian kanë arritur të mërkurën marrëveshjen për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Të mërkurën ekipet negociuese të Parlamentit dhe Këshillit arritën marrëveshjen e shumëpritur për liberalizimin e vizave për Kosovën”, thuhet në njoftimin për media të Parmantit Evropian.

Më 30 nëntor, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së ishin pajtuar për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.

Në emër të PE-së negociata i ka zhvilluar raportuesi për liberalizim të vizave për Kosovën, Thijs Reuten nga Holanda.

“Heqja e vizave do të hyjë në fuqi kur sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, të jetë funksional, në çfarëdo rasti jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024”, thuhet në këtë njoftim.

Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë zonë.

“Më në fund qytetarët e Kosovës do të jenë në gjendje të udhëtojnë për pushime, vizita familjare apo për arsye biznesi në BE, pa pasur nevojë të aplikojnë për viza. Ky është një moment shumë i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të këtij vendi”, tha Reuten./REL/ KultPlus.com

Kosova këtë javë dorëzon aplikimin për anëtarësim në BE

Gjatë kësaj jave, Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka bërë të ditur të martën e 13 dhjetorit kryeministri Albin Kurti.

Ai ka thënë se “ka ardhur koha që statusin potencial për kandidat ta kthejmë zyrtarisht në kandidat për anëtarësim”.

“Para një viti bëmë të ditur se aplikimin për anëtarësim do ta bëjmë këtë vit dhe sot në këtë mbledhje po ju njoftojmë se aplikimin në Bashkimin Evropian do ta dorëzojmë këtë javë. Ka ardhur koha që statusin potencial për kandidat ta kthejmë zyrtarisht në kandidat për anëtarësim. Bashkimi Evropian është vend i paqes dhe vendi ynë natyrisht se e ka vendin në këtë shtëpi”, ka thënë ai në hyrje të mbledhjes së Qeverisë. / KultPlus.com

Kurti: Para Krishtlindjeve do të aplikojmë për anëtarësim në BE

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti po merr pjesë në Samitin e Liderëve të Socialistëve dhe Demokratëve të Ballkanit Perëndimor në Vjenë, me temën “Zgjerimi i Ballkanit Perëndimor TANI!”.

Kurti ka theksuar para të pranishmëve se mezi presin ratifikimin e tri marrëveshjeve të arritura ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Berlinit.

Ai tha se Ballkani Perëndimor ka nevojë për një proces të përshpejtuar të anëtarësimit në BE.

“Po flasim për perspektivë evropiane, integrim evropian por ne kemi nevojë për anëtarësim. Perspektiva evropiane nuk është më e mjaftueshme…”, tha Kurti, duke thënë se duhet të ketë afate kohore në procesin integrues.

Fatkeqësisht, “nevojitet një luftë në Ukrainë”, sipas kryeministrit të Kosovës, “që njerëzit të kuptojnë rëndësinë e procesit integrues”.

“Tani është koha për të përshpejtuar procesin e zgjerimit…”, tha Kurti, duke shtuar se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në BE këtë muaj, para Krishtlindjeve. /KultPlus.com

BE shtrëngon rregullat e shitjeve online

Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare të BE-së kanë rënë dakord të shtrëngojnë rregullat për produktet që shiten në internet për të mbrojtur më mirë konsumatorët.

Shitësit me pakicë në internet dhe kompanitë e zinxhirit të furnizimit duhet të marrin më shumë përgjegjësi për produktet e shitura në internet, sipas një “marrëveshjeje politike tentative” të arritura.

Qëllimi, ndër të tjera, është që produktet e dëmshme të tërhiqen sa më shpejt në të ardhmen.

Kjo ka të bëjë, për shembull, me produktet e shitura nga shitës me pakicë në internet si Amazon në BE, por të dorëzuara nga një vend jo anëtar i BE-së.

“Si rezultat, produktet që nuk plotësojnë standardet tona të sigurisë përfundojnë në tregun e brendshëm (BE)”, theksoi Anna Cavazzini, kryetare e Komisionit për Tregun e Brendshëm dhe Mbrojtjen e Konsumatorit në Parlamentin Evropian.

Cavazzini tha se shtrëngimi i rregullave për shitjen me pakicë në internet ishte shumë i vonuar. /atsh/ KultPlus.com

Macro close up of female hand holding credit card on laptop.

BE një bashkim vetëm në emër: Lufta në Ukrainë nxori në pah ndarjet e thella midis shteteve anëtare

Nga Ralph Schoellhammer

Lufta në Ukrainë ishte testi i parë i vërtetë i aftësisë së Bashkimit Evropian për të vepruar si një lojtar gjeopolitik. Ajo ishte një shans që BE-ja të tregonte se versioni i saj i qeverisjes mbi-kombëtare, mund të ofronte një alternativë të vërtetë ndaj botës së marrëdhënieve ndërkombëtare me qendër shtetin kombëtar.

Ky moment do të shënonte lindjen e një “Evrope gjeopolitike”, deklaruan liderët e BE-së pas pushtimit të Rusisë. Por pas 8 muajsh luftë, është e qartë se BE-ja ka dështuar në këtë test. Larg projektimit të një qëndrimi të unifikuar në skenën globale, vendet anëtare të BE-së po pretendojnë gjithnjë e më shumë të mbrojnë interesat e tyre kombëtare.

Për shembull, Gjermania dhe Franca po këmbëngulin që votimi unanim në Këshillin Evropian të zëvendësohet nga votimi i shumicës. Kjo do t’i jepte mundësi atyre të përdorin fuqinë e tyre ekonomike për të detyruar anëtarët më të dobët që të votojnë pro Parisit ose Berlinit në lidhje me çështjet kryesore.

Njëkohësisht, Polonia po bën thirrje për një “rrugë të menjëhershme e të shpejtë” të anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian. Kjo do t’i jepte mundësi Varshavës të udhëhiqte një bllok të Evropës Lindore brenda BE-së. Më rëndësi është edhe shfaqja e politikave tradicionale midis fuqive të ndryshme brenda unionit.

Tek e fundit, qëllimi fillestar i integrimit evropian, ishte që në fund të krijonte diçka të ngjashme me Shtetet e Bashkuara, një entitet mbi-kombëtar që do të ishte i aftë të fliste dhe të vepronte si një aktor i unifikuar në raport me çështjet globale. Shtetet anëtare të BE-së do të ruanin autoritetin mbi disa fusha politikash, ndërsa do t’ia linin vendimet e mëdha strategjike një elite shumëkombëshe, teknokratike në Bruksel.

Gjatë një periudhe, asaj të vitit 1990 dhe fillimit të vitit 2000, ishte pjesërisht e vërtetë se BE-ja e kishte arritur këtë formë të qeverisjes post-kombëtare, madje në fakt post-ideologjike, kryesisht për shkak se anëtarët e saj evropiano-perëndimorë kishin që të gjithë afërsisht të njëjtën pikëpamje.

Por ajo periudhë mbaroi më 1 maj 2004, kur BE realizoi zgjerimin e vetëm më të madh në historinë e saj. Ajo pranoi 10 shtete të reja anëtare, shumë prej të cilave ishin ish-anëtare të Paktit të Varshavës, ose në rastin e shteteve baltike, ish-republika të Bashkimit Sovjetik.

Këto shtete të porsa-bashkuara nuk kishin të njëjtat supozime si shtetet anëtare perëndimore, sidomos kur bëhej fjalë për çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë. Shenjat e këtyre tensioneve ishin tashmë të dukshme në prag të pushtimit të Irakut të udhëhequr nga SHBA-ja në vitin 2003, që u mbështet fuqimisht nga vendet që do të ishin së shpejti anëtare të BE-së në Lindje, por që u refuzuan haptazi nga Parisi dhe Berlini.

Këto tensione u fshehën nën sipërfaqe për pak kohë, por shpërthyen sërish me pushtimin rus të Ukrainës në shkurtin e këtij viti. Pavarësisht thirrjeve për unitet, BE-ja po fliste që në fillim me zëra të ndryshëm. Presidenti francez Emanuel Makron ndoqi politikën e tij të jashtme përmes telefonatave të vazhdueshme me Vladimir Putinin.

Gjermania u përgatit për një humbje të shpejtë të Ukrainës dhe për vazhdimin e biznesit si zakonisht me Moskën, gjë që e nxiti Berlinit të propozonte forma pothuajse qesharake mbështetjeje për Ukrainën përpara luftës, siç ishte dërgimi i 5000 helmetave dhe asnjë sasi armësh.

Hungaria premtoi mbështetje humanitare, por e bëri të qartë se nuk dëshironte as konflikt dhe as një fund të marrëdhënieve ekonomike me regjimin e Putinit. Ky ishte qëndrimi i mbajtur edhe nga Austria, me Vjenën që u angazhua për një qasje neutrale.

Ndërkohë, Polonia, vendet baltike dhe shtete të tjera të Evropës Qendrore u zotuan për një mbështetje pothuajse të pakushtëzuar për Kievin. Finlanda dhe Suedia aplikuan për anëtarësim në NATO menjëherë pas pushtimit, të vetëdijshëm se BE-ja do të ishte një aleancë jo e besueshme gjatë një konflikti ushtarak.

Ai që supozohej të ishte një moment përcaktues për Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë, e ka ekspozuar atë si një gjest bosh. Që nga shkurti i këtij viti, gati të 27 vendet anëtare të BE-së kanë ndjekur interesat e tyre kombëtare, duke përdorur në rastin më të mirë kornizat e BE-së si mjete për ta bërë këtë.

Si për ta përkeqësuar më tej situatën, Komisioni Evropian i ka hedhur benzinë zjarrit me konfliktin e tij të vazhdueshëm mbi fondet vjetore që duhet të marrë Polonia dhe Hungaria. KE pretendon ende se të dyja këto vende po shkelin parimet e qeverisjes demokratike.

Në shenjë hakmarrje, Polonia ka ringjallur hijet e Luftës së Dytë Botërore, duke kërkuar mbi 1 trilionë euro dëmshpërblime nga Gjermania. Edhe sanksionet e BE-së kundër Rusisë nuk po zbatohen në mënyrë të njëtrajtshme dhe ka plot përjashtime, të hapura apo të fshehta.

As sulmi raketor i pak ditëve më para në territorin polak, nuk duket se do ta bashkojë BE-në. Këto grindje mes shteteve anëtare reflektohen edhe në kuadrin institucional të BE-së, ku është gjithnjë e më e paqartë se kush është në krye.

A është presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Lejen? Presidenti i Këshillit Evropian Sharl Mishel? Apo Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë? Tashmë nuk është më sekret se Von der Lejen dhe Mishelnuk kanë një marrëdhënie të mirë pune.

Madje edhe Borrell e pranon se qasja e politikës së jashtme të BE-së është sa jofunksionale aq edhe e paqëndrueshme. Por asnjëra nga këto probleme nuk do të thotë se Bashkimit Evropian po i vjen fundi. Burokracitë kanë tendencën për të vazhduar të jenë të dobishme.

Dhe Brukseli mbetet një vend tërheqës ku politikanët evropianë mund ta përfundojnë karrierën e tyre. Ashtu si Perandoria e Shenjtë Romake që u lëkund në kulmin e vet për një kohë të gjatë, po kështu do të ndodhë edhe me BE-në. Por vendimet reale në të ardhmen ka të ngjarë të merren nga shtetet kombëtare evropiane. Kjo mund t’i japë fund eksperimentit të madh evropian.

Shënim:Ralph Schoellhammer, asistent/profesor në ekonomi dhe shkenca politike në Universitetin Uebster në Vjenë, Austri. / “Spiked Online” – Bota.al / KultPlus.com

Hyjnë në fuqi sanksionet e fundit të BE-së ndaj Iranit

Sanksionet shtesë të BE-së ndaj Iranit për shkelje të të drejtave të njeriut në protestat antiqeveritare hynë dje në fuqi, pas botimit të vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së.

“Ne qëndrojmë me popullin iranian dhe mbështesim të drejtën e tyre për të protestuar në mënyrë paqësore dhe për të shprehur lirisht kërkesat dhe pikëpamjet e tyre”, tha në një deklaratë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell.

Vendimi shënjestron 29 individë dhe tre entitete, duke pasur parasysh rolin e tyre në vdekjen e Mahsa Amini dhe shtypjen e dhunshme të Teheranit ndaj demonstratave të fundit në Iran”, thuhet në një deklaratë për shtyp.

“Në mesin e të sanksionuarve janë katër anëtarë të grupit që arrestuan në mënyrë arbitrare Mahsa Amini, anëtarë të Forcave të Zbatimit të Ligjit iranian, Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike dhe komandantit të Forcave Tokësore të Ushtrisë Iraniane”, thuhet në deklaratë.

Protestat mbarëkombëtare në Iran u shkaktuan nga vdekja e Mahsa Amini në shtator. Gruaja kurde 22-vjeçare vdiq pasi u ndalua nga policia morale e Iranit për shkak se ajo nuk kishte zbatuar rregullat strikte të vendit për veshjen publike të grave.

“Qindra persona janë vrarë që nga fillimi i protestave, dhe mbi 14 000 janë arrestuar”, sipas aktivistëve të të drejtave të njeriut.

Në total, 126 individë dhe 11 organizata nga Irani janë subjekt i sanksioneve të BE-së për shkeljet e të drejtave të njeriut.

“Sanksionet do të dërgojnë një sinjal të qartë për ata që besojnë se mund të shtypin, frikësojnë dhe vrasin njerëzit e tyre pa pasoja”, tha ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, duke folur në Bruksel përpara se vendimi të konfirmohej./ atsh / KultPlus.com

Vendimi për vizat së shpejti, hyrja në fuqi në nëntor 2023

Vendet anëtare të BE-së në takimin e grupit punues për vizat kanë përafruar qëndrimet rreth një kompromisi, sipas të cilit do të miratohej vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, që do të hynte në fuqi më 1 nëntor 2023, kur do të nisë zbatimi edhe i sistemit Evropian të informimit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS).

Siç mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike ky ka qenë kompromisi mes kërkesës së Francës për kushtëzimin e hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave me nisjen e zbatimit të ETIAS-it, dhe kundërshtimit të shumë vendeve tjera që kjo të mos lidhet. Në fund është përmendur edhe ETIAS-i, por edhe data.

Grupi punues për vizat në Këshillin e Bashkimit Evropian ka diskutuar sot, për herë të dytë, për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Diskutimi i parë është zhvilluar më 13 tetor, kur shumica e vendeve anëtare të BE-së e kanë mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.

Franca, megjithatë, ka kërkuar që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave të lidhet me funksionalizimin e sistemit të udhëtimit ETIAS.

Ky sistem digjital synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen. Ai është dashur të nisë së funksionuari në vitin 2022, por data është shtyrë disa herë dhe tani si afat përmendet nëntori i vitit 2023. / REL /KultPlus.com

Von Cramon: BE ka dështuar karshi Kosovës me mos-liberalizimin e vizave

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka thënë se Bashkimi Evropian ka dështuar karshi Kosovës me mosliberalizimin e vizave.

Von Cramon në kuadër të panelit “Procesi i Berlinit 2.0”, të mbajtur në Berlin, ka thënë se është frustruese që Franca e disa vende tjera ende janë skeptike se a duhet liberalizuar vizat për Kosovën.

“Është shumë frustruese që Franca dhe disa vende tjera të BE-së akoma janë skeptike dhe kanë dyshime se a duhet t’i hiqen vizat qytetarëve të Kosovës, përderisa Kosova i ka plotësuar kriteret. Unë personalisht jam e befasuar me këtë skepticizëm dhe thjesht nuk kam ndonjë shpjegim”, tha Viola von Cramon, raporton Deutsche Welle.

“Për mua demokracia është proces ku duhet të respektohen të drejtat e njeriut dhe ku respektohet rendi dhe ligji. Prandaj unë mendoj se mesazhi për të rinjtë e Ballkanit, të cilëve u kërkohet të angazhohen për reforma në vendet e tyre, është që edhe vet BE të reformohet”. /KultPlus.com

Sa mirë i mbron BE gazetarët?

Katër vjet pas vrasjes së gazetares, Daphne Caruana Galizia, kërcënimi ndaj gazetarëve në BE është rritur. Brukseli premton më shumë masa për të mbrojtur punonjësit e medias.

Kur Daphne Caruana Galizia u vra në një sulm me bombë me makinë më 16 tetor 2017, kjo shkaktoi shqetësim jo vetëm në Evropë, por në mbarë botën. Por gazetarja malteze nuk është e vetmja që i është dashur të paguajë me jetën e saj për hulumtimet e saj mbi korrupsionin dhe pastrimin e parave.

Në katër vjet që nga vdekja e saj, janë vrarë edhe kolegë të tjerë si Jan Kuciak nga Sllovakia, Giorgos Karaivaz nga Greqia dhe Peter de Vries nga Holanda. Në Evropë – kontinenti që konsiderohet një strehë relativisht e sigurtë për profesionistët e medias.

“Maja e ajsbergut”

Julie Majerczak, udhëheqësja e zyrës së Reporterëve pa Kufij (ROG) në Bruksel, tha për DW se situata është përkeqësuar vazhdimisht vitet e fundit. “Vrasja e gazetarëve është vetëm maja e ajsbergut”, thotë ajo.

Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, 900 punonjës të mediave u sulmuan në BE në vitin 2020. Këto përfshinin sulme fizike, por edhe fyerje dhe ngacmime, veçanërisht ndaj grave, si offline dhe online.

Për Manuel Delian, këto rezultate nuk janë befasuese. Blogeri dhe aktivisti investigativ maltez që udhëhoqi protestat antiqeveritare pas vrasjes së Caruana Galizia së fundmi u largua nga Malta me familjen e tij dhe shkoi në një vend të pazbuluar.

Thirrje anonime

Ai u kërcënua nga të akuzuarit për bashkëpunim në vrasjen e Caruana Galizia; ai mori telefonata të panumërta anonime dhe u krijuan faqe interneti të rreme në emër të tij për të shkatërruar reputacionin e tij.

Vrasja e Caruana Galizia-s pati një “efekt paradoksal” në gazetarinë në Maltë, tha ai për DW. Nga njëra anë, fakti që shumica e të dyshuarve janë akuzuar dhe krimet e tyre janë ekspozuar krijon një “ndjenjë sigurie”.

Nga ana tjetër, ai dhe gazetarë të tjerë janë portretizuar në mediat e Partisë Laburiste në pushtet si tradhtarë dhe një kërcënim për demokracinë malteze. Ky “izolim”, siç e quan Delia, u jep kriminelëve mundësinë për të ushtruar presion të mëtejshëm ndaj atyre nëpërmjet blogjeve, faqeve të rreme apo e-mail-eve.

Polonia ndjek hapat e Orbanit

Edhe në Poloni, situata është përkeqësuar që nga viti 2015, kur partia e djathtë Ligj dhe Drejtësi (PiS) erdhi në pushtet. Presioni ndaj gazetarëve që raportojnë në mënyrë kritike për PiS është rritur, sipas gazetarit investigativ polak Wojciech Ciesla.

Ciesla punon për ekipin kërkimor shumëkombësh “Investigate Europe”.“Unë mendoj se Polonia aktualisht po ndjek hapat e Viktor Orban në Hungari për të kufizuar lirinë e shtypit,” thotë ai. Çdo ditë është një luftë për akses në informacion, pasi qeveria vendos se kush ka “privilegjin” të jetë i informuar. Përvojat e gazetarëve si Delia dhe Ciesla nuk kanë kaluar pa u vënë re në Bruksel. Komisioni i BE-së kohët e fundit premtoi të marrë më shumë masa për të mbrojtur gazetarët.

Shefja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen ia kushtoi një pjesë të tërë të fjalimit të saj mbi raportin e situatës së BE-së në shtator, lirisë së shtypit. “Informacioni është një e mirë publike”, tha ajo. “Ne duhet të mbrojmë ata që krijojnë transparencë – gazetarët.”

Strehimore për gazetarët

Në të njëjtën ditë, Komisionerja Vera Jourova, përgjegjëse për ruajtjen e sundimit të ligjit në BE, paraqiti një paketë rekomandimesh për të ndihmuar vendet e BE-së të mbajnë këtë premtim. Masat specifike përfshijnë ngritjen e shërbimeve të pavarura kombëtare mbështetëse, duke përfshirë numrat e urgjencës, këshillat ligjore, mbështetjen psikologjike dhe strehimoret për punonjësit e medias që janë të kërcënuar.

“Është mirë të shohësh që institucionet e BE-së po i bien ziles së alarmit”, thotë Delia dhe rëndësia e gazetarisë për demokracinë do të vihet në pah. Disa propozime legjislative për të mbrojtur gazetarët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut në nivel të BE-së janë planifikuar për vitin 2022. Këtu përfshihet edhe e ashtuquajtura nisma anti-SLAPP (Padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike), me të cilën gazetarët duhet të mbrohen nga proceset frikësuese.

Ligjet në vend të rekomandimeve

“Ne kemi nevojë absolutisht për masa legjislative që çojnë në sanksione në rast shkeljesh, jo vetëm rekomandime,” thotë Julie Majerczak nga Reporterët pa Kufij. Ajo ka frikë se fjalët e ashpra nuk do të mjaftojnë për t’i bërë përshtypje disa qeverive të BE-së.

“Po mendoj për Poloninë, Hungarinë, Maltën, Greqinë dhe Bullgarinë, për shembull”, tha Majerczak. Bullgaria i quajti ata si “nxënësi më i keq i BE-së”.

Në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të ROG 2021, shteti i Evropës Lindore renditet i 112-ti nga 180 vende. Gazetarët e paktë kritikë në Bullgari janë të ekspozuar jo vetëm ndaj ngacmimeve shtetërore, por edhe ndaj frikësimit dhe dhunës.

Valë padish kundër gazetarëve

Kur Daphne Caruana Galizia u vra më 16 tetor 2017, 47 SLAPP ishin në pritje ndaj gazetares investigative. Këto padi përdoren shpesh për të kërcënuar dhe mbyllur gojën profesionistëve të medias.

“Personi i akuzuar për vrasjen e Daphne-s donte të më padiste në Mbretërinë e Bashkuar për 82 milionë euro,” thotë Delia. “Kjo do të ishte dita ime e fundit në gazetari”. “Unë kam pak arsye për të qenë optimist. Vendi im është më pak demokratik se sa ka qenë.” Por të paktën, shton ai, nismat e institucioneve të BE-së po shkojnë në drejtimin e duhur. / KultPlus.com

Nora Sefa fiton çmimin e Rinisë Charlemagne 2020

Sapo janë shpallur fituesit e Çmimit të Rinisë Charlemagne 2020 dhe 2021, e në mesin e tyre është edhe organizata “Arbeit an Europa”, pjesë e së cilës është edhe gazetarja nga Frankfurti, Nora Sefa. Organizata “Arbeit an Europa” është shpërblyer me këtë çmim për projektin e tyre European Archive of Voices. Në kuadër të këtij projekti edhe akademiku Rexhep Qosja është intervistuar nga Nora Sefa.

Fituesit do të marrin një çmim monetar ku ata do të kenë mundësinë të vizitojnë Parlamentin Evropian dhe të takojnë bashkëmoshatarët e tyre dhe të ndërveprojnë në një mjedis ndërkombëtar.

Për 13 vjet, Parlamenti Evropian dhe Fondacioni i Çmimit Ndërkombëtar të Karlit të Madh të Ahenit kanë inkurajuar të rinjtë të paraqesin projekte që do të lejojnë të ketë një zë në evolucionin e Bashkimit Evropian.

Çmimi Evropian i Rinisë Charlemagne iu dha në të kaluarën ideve të panumërta brilante që kishin për qëllim ndërtimin e një identiteti të fortë evropian, siç janë aktivitetet kulturore, shkëmbimet e huaja dhe ngjarjet sportive.

European Archive of Voices

Çmimi i jepet projekteve evropiane të drejtuara nga të rinj të moshës 16-30 vjeç, duke ofruar modele për të rinjtë që jetojnë në Evropë. / KultPlus.com