‘Pa emër’, romani që hedh dritë mbi realitetin e hidhur të shoqërisë

Xhemile Hysenaj

Diana Rexhepi është një shkrimtare e re që së fundi ka botuar romanin e saj të parë të titulluar ‘Pa emër’, roman ky që trajton një temë sociale, ku trajtohet fati i trishtë i një vajze e cila jeton me të atin, e që ky i fundit abuzon me substanca narkotike.

Përmes ngjarjes së shtjelluar në roman, autorja tenton të shpalosë problemet që vijnë si pasojë e faktorëve të ndryshëm shoqëror, të tillë si pranimi i vetvetes, ballafaqimi me një realitet të hidhur dhe rolin e madh që familja luan në formimin e karakterit të individit, shkruan KultPlus.

‘Ky roman i shkrimtares është me veçanti nga stili, që dallon për nga mënyra e shtjellimit, duke u radhitur jashtë formave konvencionale, dhe nga përmbajtja e cila ka për bazë temën e shthurrjes familjare; të një familje të cilës i kanë humbur rrugët, siç thuhet, në oborr. Kemi të bëjmë me prindin (babanë) e frustruar, përkatësisht të larguar nga jeta normale dhe të mbetur në mëshirën e drogës dhe të primitivizmave tjera që lidhen me pasojat që kushtëzohen nga droga. Sado që tema si e tillë ka vështirësi të skajshme të raportit të babait me bijat e veta dhe (si lexues) të rrëmben nervikosja, autorja i është përkushtuar në mënyrë më serioze, duka pasur parasysh se (edhe në mesin tonë) kjo temë e ka aktualitetin e vet.’, thuhet në recensionin e Ibrahim Kadriut.

Në një intervistë për KultPlus, Diana Rexhepi shpalos më detajisht temën e romanit të saj, procesin e shkrimit, frymëzimin për të trajtuar pikërisht një temë delikate siç është familja si dhe planet e saj të mëtutjeshme në fushën e letërsisë.

Sa kohë ju ka marrë romani dhe si ka shkuar procesi i shkrimit?

‘Pa Emër’ e kam shkruar përgjatë gjithë vitit të dytë të shkollës së mesme, si një projekt me të cilin kam filluar ta kuptoj dhe zbërthej stilin tim të të shkruarit. Pasi e kam përfunduar, e kam lënë anash për njëfarë kohe, vetëm për t’iu rikthyer disa vite më vonë, në përmbushjen e zbrastirave të krijuara paraprakisht, duke e kompletuar në ato detaje që më herët nuk i kam vërejtur. Pra, më janë dashur diku 4-5 vjet punë deri tek botimi final dhe kjo kohë më ka kaluar me hulumtime, shënime, ku kam shikuar shumë dokumentarë, kam biseduar me shumë njerëz etj.

Cila ka qenë pika kyçe në të cilën keni gjetur inspirimin tuaj për romanin në fjalë?

Si shkrimtare, unë nuk bazohem shumë në inspirim kur bëhet fjalë për gjetjen e një ideje ose shkrimit të një romani në tërërsi. Pasioni dhe dëshira për të shkruar janë ato që fitojnë mbi inspirimin, ato që më detyrojnë t’i lëviz gishtat edhe kur nuk dua. Këto të fundit kanë qenë edhe pikat kyçe për ‘Pa Emër’; dëshira për të treguar një anë tjetër të dhunës, një perspektivë më të thellë, më personale të kësaj të fundës. Pastaj paraqitja e luftës me vetveten, e mendjes njerëzore me korridoret e saja, gjetja e personalitetit. Të gjitha këto janë arsyet përse ky romani ekziston.

Pse pikërisht keni vendosur të trajtoni temën sociale ku përfshihen dhuna, pranimi i vetvetes etj?

Temën sociale, stili im i të shkruarit e kërkon domosdo, bashkë me jetën e njeriut në përgjithësi dhe psikologjinë e tij. Këto elemente më tërheqin shumë dhe gjithmonë jam e gatshme të futem me qejf shumë thellë në ato ujëra të vështira. Ky roman nuk përbën ndonjë përjashtim. Temat e këtij të fundit janë të jetës, janë të njeriut, të realitetit, të shoqërisë sonë në përgjithësi – qoftë ajo e dhunës ose e pranimit të vetvetes. Këto të fundit bashkëjetojnë me ne, prandaj edhe kam vendosur t’i trajtoj, sepse janë tonat. Sepse kam pasur çfarë të them për to.

A ka elemente autobiografike romani, jeni inspiruar nga ndonjë ngjarje e caktuar apo është e gjitha fiksion?

Jo “autobiografike” në kuptimin literal të fjalës. Jeta dhe ngjarjet që i ndodhin personazhes kryesore në roman nuk janë të miat, por pastaj, sigurisht, ekziston lidhja e ndjenjave, e disa vendimeve, por asgjë më shumë. Në fund të fundit, ngjarja dhe personazhet dalin nga shkrimtarët dhe deshe apo nuk deshe, aty do ketë ndonjë gjë të përbashkët, sado e vogël që të jetë. Në anën tjetër, nuk jam bazuar në ndonjë ngjarje specifike dhe nuk është e gjitha vetëm fiksion. ‘Pa Emër’ merr nga realiteti, nga secila histori – e madhe apo e vogël qoftë ajo dhe e kthen në fiksion.

Cili ka qenë mesazhi që keni tentuar të përçoni përmes romanit dhe a mendoni se keni arritur ta përçoni tek lexuesit?

Mesazhi që kam tentuar të përçoj është ai i njerëzimit, për këdo që ka kaluar ose jo në diçka të ngjajshme. Në thelb, ‘Pa Emër’ është rrugëtimi i një vazje nëpër rrugët e jetës, me ngritjet dhe uljet e saja, e cila pas humbjes së indentitetit, të fytyrës dhe emrit, kërkon të krijoj diçka për vete. Mesazhi që “nuk je vetëm” në këtë odise jetësore nuk është thjesht i personazhes, por i secilit prej nesh. Tani sa e marrin lexuesit këtë mesazh, sa e kuptojnë, apo nxjerrin një komplet të ri prej përvojës së tyre personale, është komplet në dorën e tyre. Gjë që më gëzon po kaq shumë.

Cilët janë autorët të cilët inspirojnë dhe ndikojnë në artin tuaj të shkrimit?

Si dikush që ka lexuar si fëmijë dhe ende lexon letërsi botërore, atëherë edhe autorët që kanë ndikuar dhe ende ndikojnë në artin tim të të shkruarit janë të po njëllojt. Nga shumë prej tyre, më duhet të veçoj Oscar Wilde, Hermas Hesse, Haruki Murakami, Paulo Coelho dhe Pearl Buck.

Si është pritur romani nga dashamirësit e librit?

Në një mënyrë që as vetë nganjëherë nuk arrijë ta besoj, është pritur shumë mirë. Një fakt i këtillë e bënë atë vajzën e vogël me ëndrra të mëdha brenda meje shumë të lumtur. Si një dashamirëse e librit dhe e fjalës së shkruar, kurrë nuk e kam bërë këtë punë sepse kam dashur një nga ato famat përrallore, por vetëm sepse kam dashur të them diçka me një temë të caktuar, e cila më ka flerë në shpirt. E tani, të kuptoj që ajo që kam shkruar është pritur aq mirë, më bënë të besoj se nuk kam bërë aq punë të keqe.

Cilat janë ambiciet tuaja në letërsi dhe me çka do të vini për lexuesit në romanin e radhës?

Letërsia është një oqean i madh, të cilës nuk i dihet fundi. Një mister brenda secilit prej nesh dhe ambicia ime është ta zbuloj sa më shumë që të mundem, që në të njejtën kohë edhe ta kuptoj veten më mirë. Kjo është një punë me të cilën merrem si fëmijë dhe tani që e kuptoj shumë më mirë vlerën që ka, atëherë do përpiqem që gjithmonë t’i qëndroj besnike, si asaj, njëlloj edhe principeve të mia për ta shkruar. Dua të nxjerrë histori para publikut, dua të krijoj personazhe të cilët kanë jetë të tyret, dua t’i bëjë lexuesit të mendojnë e të qeshin, të lidhen me ngjarjen e t’i shpëtojnë sado pak realitetit. T’ua hap zemrat, e t’ua hap sytë. Kjo është edhe ajo që lexuesi mund të pres nga unë me romanet e ardhshme, ndonëse jo aq të shpesht sa mund të mendoni. / KultPlus.com