Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjeve

10 shtatori njihet si Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjeve.

Në dekadat e fundit prirja e vetëvrasjeve është në rritje. Ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë paralajmërojnë rritje të vetëvrasjeve në njëzet vitet e ardhshme.
Shoqata Ndërkombëtare për Parandalimin e Vetëvrasjeve si iniciatore e kësaj dite, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe partnerët, bëjnë thirrje për parandalimin e sjelljes vetëvrasëse, sigurimin e mjekimit adekuat, përcjelljen e personave që kanë tentuar vetëvrasje si dhe raportim të përgjegjshëm i vetëvrasjeve në media.

Të dhënat tregojnë se në botë, çdo vit, vetëvrasje bëjnë gati një milion individë, kryesisht meshkuj në vitet 50-ta dhe 60-ta të jetës. Shqetësuese është rritja shumë e madhe e vetëvrasjeve e të rinjve të moshës 15-20 vjeç.

Shkencëtarisht është vërtetuar se të rinjtë (deri në moshën 35 vjeç) më së shpeshti bëjnë tentim vetëvrasje, ndërsa të vjetrit (50 vjeç e më të vjetër) më shpesh bëjnë vetëvrasje.

Vetëvrasjet përbëjnë një fenomen në rritje kudo në botë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ky fenomen është rritur me 60% në mbarë botën gjatë 45 viteve të fundit.

Rreth 3000 njerëz kryejnë vetëvrasje brenda një dite në mbarë botën. Edhe në Kosovë ka pasur një numër të konsiderueshëm të vetëvrasjeve paslufte./ KultPlus.com