Sot 1 Qershori, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve

Sot të gjithë fëmijët gëzojnë festën e tyre, 1 Qershorin. Më shumë sesa çdo ditë tjetër, ata kërkojnë vëmendjen e prindërve dhe shtetit. Më 1 Qershor jo vetëm festohet, por kjo ditë njihet për sensibilizimin për t’i thënë jo dhunës, bullizmit dhe abuzimeve të tjera ndaj fëmijëve.

1 Qershori është i mbushur me aktivitete të larmishme nga të gjithë fëmijët, në të gjithë qytetet.

Dita e Fëmijëve është vendosur me 1 Qershor, pasi në këtë datë është mbajtur konferenca botërore e mirëqenies së fëmijëve në Gjenevë, në 1925.

1 Qershori e ka origjinën nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Në vitin 1925 konsulli i përgjithshëm kinez në San Francisko mblodhi sëbashku një numër të konsiderueshëm fëmijësh jetim kinezë të celebronin në festivalin e “Anijes së Dragoit”. Kjo gjë rastisi të ishte në të njëjtën ditë me konferencën në fjalë. Festa e 1 Qershorit filloi të festohet pas dy vitesh. Shumë vende të botës e kanë pranuar atë si festën ndërkombëtare të fëmijëve dhe realizojnë festime të cilat kanë si qëllim të rrisin vëmendjen në drejtim të mirëqenies së tyre! / KultPlus.com

Kryeministri Kurti bashkëbisedon me fëmijët në Ditën Ndërkombëtare të tyre

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me fëmijët dhe organizatat partnere.

Përmes një postimi në Facebook, kryeministri Kurti ka njoftuar se në shënim të kësaj dite, në takimin e Komitetit Ndërministror për të Drejta të Fëmijëve kanë lansuar Programin për vetëdijësimin e publikut për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, bashkë me fëmijët e organizatat partnere bashkëbiseduam për një “normalitet të ri” për fëmijët, që krijon mundësi e ndezë ëndrra.

Prioritetet tona tjera, sado të rëndësishme, nuk bën të na largojnë vëmendjen për asnjë moment nga të drejtat, nevojat dhe dëshirat e fëmijëve. Ato për të cilat ne angazhohemi sot, do të trashëgohen nga fëmijët, prandaj ne të rriturit duhet biseduar me ta, se cila është ajo e ardhme që duam t’ua ndërtojmë fëmijëve.

Në shënim të kësaj dite, në takimin e Komitetit Ndërministror për të Drejta të Fëmijëve lansuam Programin për vetëdijësimin e publikut për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.

Do të punojmë së bashku që të arrijmë potencialin tonë më të madh si shtet, duke u siguruar që vajzat e djemtë tanë të mund të përmbushin potencialin e tyre.