Kryeministri Kurti bën homazhe në Studenicë në 25-vjetorin e masakrës: Ne as nuk harrojmë e as nuk falim

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kujtuar 25-vjetorin e Masakrës së Studenicës, ku tha se katër nëna e katër vajza të mitura nga 12 deri në 15 vjeç, njësitë paraushtarake serbe i vranë përnjëherë.

Kryeministri Kurti tha se njësite paraushtarake dhe policore të mbështetura edhe nga trupa ushtarake të Serbisë kryen masakër duke i vrarë nëntë anëtarë të familjes Lipaj.

Më poshtë gjendet shkrimi i plotë i kryeministrit Kurti në facebook:

Katër nëna e katër vajza të mitura (nga 12 deri në 15 vjeç) i vranë përnjëherë.

Më 13 prill 1999, në fshatin Studenicë të Istogut, njësite paraushtarake dhe policore të mbështetura edhe nga trupa ushtarake të Serbisë, kryen masakër duke i vrarë 9 anëtarë të familjes Lipaj. Në 25 vjetorin e kësaj masakre, bashkë me Vasfije Krasniqin, shkuam në Studenicë të Istogut për t’iu bashkuar familjarëve të viktimave në përkujtimin e kësaj masakre, për të bërë homazhe dhe për tu zotuar për drejtësi nga vendi ku është kryer ky krim.

Në pranverën e vitit 1999, mijëra banorë të fshatrave të Podgurit u strehuan në fshatin Studenicë, meqë aty ishte edhe shtabi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “Adrian Krasniqi”. Më 11 dhe 12 prill 1999, banorë të Vrellës dhe të Studenicës u strehuan në lagjen e Cakutajve në fshatin Kaliqan, mes tyre edhe 50 anëtarë të familjes Lipaj që deri në mbrëmjen e 12 prillit kishin qenë të strehuar në familjen e Sali Sokol Zeqirajt në Studenicë. Mbrëmjen e 12 prillit, mijëra banorë të zonës kalonin nëpër Kaliqan dhe shumica vazhdonin bjeshkëve me borë drejt Rozhajës.

Mëngjesin e 13 prillit 1999, baci Sali që ishte 86 vjeçar, bashkë me Sale Lipajn (64) dhe Hajrije Lipajn (62) si dhe me katër vajzat Qëndresa, Mirdona, Njomëza dhe Lindihana, u kthyen në shtëpi në Studenicë për të marrë bukë, rroba dhe barna. Aty u bashkuan me nënën e Lindihanës, Sabrijen (43) si dhe me Hatmane Mehajn nga fshati Tomoc, një grua e moshuar dhe me probleme shëndetësore.

Me të arritur në shtëpinë e Sali Sokol Zeqirajt, vajzat nisën t’i bëjnë gati rrobat dhe barnat, kurse nënat Sale, Hajrije dhe Sabrije morën punët të gatuajnë bukë dhe t’i pjekin në zjarrë. Por tymi i oxhakut u vërejt nga trupat ushtarake serbe që ishin pozicionuar në Kodër të Banjës, në Tomoc e Pollaqer, e të cilët i njoftuan njësitet policore dhe paraushtarake që ishin pozicionuar në malet e Studenicës, nën Kodër të Madhe, në malin te livadhi i Cakutve dhe te Pishat.

Atë paradite, policë dhe paramilitarë e rrethuan shtëpinë e Sali Zeqirajt, të cilin e vranë bashkë me 9 anëtarë të familjes Lipaj: Nezir Lipaj (1934), Sale Lipaj (1935), Hajrije Lipaj (1937), Fatime Lipaj (1933), Sabrije Lipaj (1956), Qëndresë Lipaj (1984), Mirdonë Lipaj (1986), Lindihanë Lipaj (1986) dhe Njomëz Lipaj (1985). Pasi që i vranë, forcat serbe i morën kufomat dhe i hodhën në pus, kurse mbi to hodhën eksploziv për ta shembur pusin mbi kufoma. Atë ditë, më 13 prill 1999, në Studenicë të Istogut u vranë edhe Sylejman Ramqaj (70), Sadik Ramqaj (72), Ali Belaj (75), Sadri Kuqaj (78), Have Kuqaj (76) dhe Sofe Hysenaj (79).

Deri sot, për këtë masakër e për këto krime nuk ka patur as proces gjyqësor, as aktakuzë dhe as të dënuar. Por ky krim sikur edhe krimet e tjera të kryera gjatë luftës, duhen hetuar duke ndjekur gjurmët e grumbulluar faktet si dhe duke marrë dëshmi nga dëshmitarët, për të ngritur aktakuza ndaj kryerësve dhe urdhërdhënësve. Republika e Kosovës me institucionet e saj, është e vendosur në adresimin para drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare të të gjitha krimeve të të gjitha llojeve të kryera nga shteti i Serbisë mbi shqiptarët e Kosovës. Ne as nuk harrojmë, as nuk falim!

Lavdi martirëve të vrarë në Studenicë të Istogut mes të gjithë të rënëve në rrugën e popullit të Kosovës drejt lirisë!

Kryeministri Kurti: Kushtetuta forcoi garantimin e të drejtave për të gjithë qytetarët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në 16-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kosovës, tha se ajo forcoi garantimin e të drejtave për të gjithë qytetarët, e siç u shpreh, me theks të veçantë për pakicat.

Kryeministri Kurti Përmes një shkrimi në “X” ai theksoi se mbeten të përkushtuar forcoi garantimin e të drejtave për të gjithë qytetarët, me theks të veçantë për pakicat.

“Sot shënohet 16 vjetori i miratimit të Kushtetutës së Kosovës, e cila forcoi garantimin e të drejtave për të gjithë qytetarët, me theks të veçantë për pakicat. Gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, ne mbetemi të përkushtuar për të garantuar zbatimin dhe mbrojtjen e këtyre të drejtave”, ka shkruar Kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti: Hapësirat kulturore e sportive po shtohen e rinovohen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se qeverisja e mirë ka ndikim pozitiv edhe në aspektet kulturore e sociale, artistike e sportive të shoqërisë.

Kryeministri Kurti ka thënë se kultura e sporti, ndërlidhen edhe me trashëgiminë e pasur që e kemi si shtet e komb, histori e dëshmi të larmishme, të cilat duhet t’i ruajmë e kultivojmë

Përmes një postimi në facebook, Kryeministri Kurti ka treguar të arriturat në fushën e Kulturës duke thënë se reformat e ndërmarra kanë prekur të drejtën e autorit, anti-dopingun, investimet e huaja në film, punëtorin rinor, licensimin për projekte konservimi dhe sfera të tjera.

Postimi i plotë në facebook:

Qeverisja e mirë ka ndikim pozitiv edhe në aspektet kulturore e sociale, artistike e sportive të shoqërisë. Kultura e sporti, ndërlidhen edhe me trashëgiminë e pasur që e kemi si shtet e komb, histori e dëshmi të larmishme, të cilat duhet t’i ruajmë e kultivojmë.

Shumë ligje e politika të reja me ndikim të matshëm në mirëqenien e artistit dhe sportistit. Reforma jonë ka prekur të drejtën e autorit, anti-dopingun, investimet e huaja në film, punëtorin rinor, licensimin për projekte konservimi dhe sfera të tjera.

Vëmendjen e munguar më herët, e që tash ia kemi dhënë trashëgimisë, e dëshmon trefishimi i buxhetit vjetor për investime në fushën e trashëgimisë kulturore dhe restaurimi i mbi 100 aseteve të trashëgimisë kulturore. Përuruam Lokalitetin Arkeologjik që dëshmon se Prizreni është për tetë shekuj më i lashtë sesa është menduar fillimisht, e për herë të parë po realizojmë shpronësime në lokalitete arkeologjike siç kemi bërë në rastin e Dresnikut dhe Ulpianës. Te kjo e fundit vitin e kaluar u zbulua një mbishkrim i perandorit Justinian, dëshmi e lidhjes së tij me Dardaninë, dhe dëshmi e identitetit dardan në antikitetin e vonë dhe mesjetë të hershme – pa dyshim një ndër zbulimet më të rëndësishme në arkeologjinë e vendit.

Përkushtimi që kemi pasur për sportin e dëshmon programi 12 milionësh “Kosova, Shtet i Xhudos”; puna dhe investimet aktuale në përmirësimin e infrastrukturës së stadiumeve; organizimi për herë të parë i Kampionatit të Hapur Evropian të Xhudos; dhe aplikimi i suksesshëm për organizimin historik të Lojërave Mesdhetare 2030, që u kumtua në shtator të vitit të kaluar nga Kreta e Greqisë.

Ndamë 15 milionë euro për Stadiumin e Qytetit të Gjilanit. Kanë filluar dhe po vazhdojnë punët në renovimin e Stadiumit Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë. Kemi ndarë 14.5 milionë euro për rinovimin e tërësishëm të Stadiumit të Qytetit të Pejës “Shahin Haxhiislami”. Kanë filluar punimet për rinovimin dhe zgjerimin e Stadiumit të Qytetit në Shtime. Së shpejti fillon rindërtimi i tërësishëm i fushës së stadiumit të Prishtinës “Fadil Vokrri”. Kamenica do të bëhet me stadium të atletikës, të parin të këtij lloji në vend. Jemi duke e zbatuar planin investiv pesë vjeçar në infrastrukturën e futbollit që përfshin gjithsej 27 stadiume anekënd vendit.

Prishtina mirëpriti Manifestën 14, ngjarjen më të madhe kulturore dhe artistike në vend. Themeluam institucionin e Operës së Kosovës. E ajo solli në skenë “La Traviata” të Verdit, shfaqjen më të madhe operistike të luajtur ndonjëherë te ne.

Kemi buxhetin më të lartë ndonjëherë në kinematografi – 12 milionë euro për prodhim të filmit dhe kinematë. Kemi nënshkruar marrëveshje të bashkëprodhimit kinematografik me disa shtete, si mundësi shtesë financimi për kineastët tanë.

Për të nxitur të rinjtë që të angazhohen e merren sa më shumë me art e sport, kemi filluar programet “Arti në Shkolla” dhe “Sporti në Shkolla”. “Arti në Shkolla” gjatë këtij viti do të zgjerohet në 30 komuna të Kosovës dhe të përfshijë 50 mijë nxënës. Në kuadër të programit “Sporti në Shkolla” po marrin pjesë mbi 13 mijë nxënës brenda vitit. Basketbolli, shahu, xhudoja, skijimi dhe ngjitja në mal (hikingu) tashmë janë bërë pjesë e integruar e kalendarit jashtëkurrikular arsimor.

Hapësirat kulturore e sportive po shtohen e rinovohen. Kultura, arti dhe sporti, po kultivohen e ruhen si pasuri kombëtare. Sepse talentet zhvillohen, por edhe duhen mbështetur përmes qeverisjes së mirë./KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Për tri vite, eksportet e Kosovës arritën në 2.5 miliardë euro

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Forumin Ekonomik në Zvicër, ku po bëhet promovimi i eksportit të bizneseve kosovare dhe atyre të Zvicrës, tha se progresi ka sjellë prosperitet ekonomik në Kosovë.

Sipas tij, treguesit ekonomik nuk janë vetëm shifra, por tregues i vizionit ekonomik të vendit. Ai ka përmendur rritjen e eksporteve të Kosovës, ku është bërë edhe rritje e tregut.

“Çdo gjë tregon se do të bëhemi një vendi i orientuar ka eksporti, nuk është e rastësishme që për dy vite e gjysmë janë dyfishuar eksportet, ku në tre vitet e fundit gjithsejtë, vlera e eksporteve të Kosovës, ka arritur në 2.5 miliardë euro. Ndërkaq kjo rritje është më shumë se dyfishi, krahasuar me gjashtë vitet e më parëshme”, tha Kurti.

Ai ka deklaroi se Kosova ofron shumë prodhime cilësore. Sipas tij, industria e mobilieve përfaqëson një gurthemel të strukturës ekonomike të Kosovës.

Shefi i ekzekutivit ka përmendur sistemin e arsimit dual që ndërlidhet me punë dhe praktikë. Kurti ka ftuar investitorët zviceran të sjellin kapitalin në Kosovë.

Ndryshe mbi 25 kompani po marrin pjesë në panairin e ndërtimit Swiss Bau 2024. Ndryshe 12 kompani nga industria e drurit po marrin pjesë me mbështetje të KIESA-s ndërsa kompanitë e kllasterit të cilat e kanë ndërtuar edhe shtëpinë e Kosovës nga druri për këtë panair po marrin pjesë me mbështetje të USAID-it./gazetaexpress/KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Nga viti i ardhshëm gjuha e kodimit do të jetë pjesë e kurrikulave që nga klasa e parë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Taulant Kelmendi morën pjesë në aktivitetin përmbyllës të javës së Orës së Kodimit, me ç’rast nxënësit e Shkollës Profesionale “Gjin Gazulli”, në Prishtinë prezantuan aplikacionin mobil Hackathon-Prototipi 112.

Kryeministri Albin Kurti tha se ishte mbresëlënës demonstrimi i punës së përbashkët të nxënësve, ndërsa bëri të ditur se, nga viti i ardhshëm shkollor, gjuha e kodimit do të futet në kurrikulat e arsimit në Kosovë si lëndë mësimore, që nga klasa e parë.

Kryeministri Kurti gjithashtu theksoi se, këtë javë përmes Orës së Kodimit në Kosovë, kemi parë zhvillimin e potencialit dhe lindjen e inovacionit për të ardhmen.

Ndërsa, zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Taulant Kelmendi, tha se MAShTI në bashkëpunim me SHPIK, Code.org dhe shkollat për herë të parë kanë jetësuar iniciativën e Orës së Kodimit në 300 shkolla.

Zv/ministri Kelmendi po ashtu tha se, Ora e Kodimit nisi në vitin 2013 nga organizata ndërkombëtare si një nismë revolucionare në teknologji, duke pasur synim kryesor krijimin e një lëvizje globale që i inkurajon të gjithë të mësojnë kodimin dhe teknologjinë, duke filluar nga fëmijëria e hershme.

Për rëndësinë e kësaj nisme ka folur edhe drejtori ekzekutiv i ShPIK, Bekim Kasumi.

Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorin e ri të Hungarisë, Béla Bozsik

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorin e ri të Hungarisë në Kosovë, Béla Bozsik, i cili deri me tani ka shërbyer në cilësinë e zëvendësambasadorit.

Ai e falënderoi z. Bozsik për punën, angazhimin dhe kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë që prej vitit 2016, dhe përgëzoi për detyrën e tij të re si ambasador.

Ambasadori Bozsik, shprehu përkushtimin e tij në forcimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve tona dhe mbështetjen e vazhdueshme të Hungarisë ndaj Kosovës.

Thellimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona është përkushtim dhe qëllim i dyanshëm. Kosova dhe Hungaria bashkëpunojnë në shumë nisma dhe projekte me interes të përbashkët.

“Kryeministri falënderoi Hungarinë për mbështetjen në fushën e arsimit, veçanërisht 75 bursa në vit të ndara për studentët nga Kosova, por edhe përkrahjen në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Rruga përpara e rajonit drejt integrimit në BE e prosperitetit mbetet me rëndësi, ku u veçua dhe kontributi që Hungaria mund të japë vitin e ardhshëm gjatë Presidencës së saj të Këshillit të BE-së. Me këtë rast, Kryeministri Kurti tha se Kosova ka nevojë vitin e ardhshëm për mbështetje për statusin e vendit kandidat për BE, për Partneritetin për Paqe drejt anëtarësimit në NATO, dhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftimin për media nga zyra e Kryeministrit./KultPlus.com

Kryeministri Kurti takohet me përfaqësues të Komitetit Paralimpik të Kosovës, flasin për lojërat Paralimpike që do të mbahen në Paris

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendësministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani ka pritur sot në takim përfaqësues të Komitetit Paralimpik të Kosovës.

Kurti u shprehu mirëseardhje të pranishmëve në këtë takim, në të cilin diskutuan për pjesëmarrjen e parë të Kosovës në lojërat Paralimpike që mbahen në vitin e ardhshëm në Paris, e ku Kosova do të shënojë debutimin e parë pjesëmarrës në Lojëra Paralimpike.

Me këtë rast, bëhet e ditur se kryeministri e përgëzoi Komitetin Paralimpik të Kosovës për angazhimin dhe rezultatet e tyre të deritanishëm që tani po ia mundësojnë përfaqësimin e Kosovës në nivelin më të lartë të garave ndërkombëtare.

“Pas një rrugëtimi të gjatë të ekzistencës së KPK, në pjesën e dytë të vitit 2023 KPK është anëtarësuar me të drejta të plota në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar dhe Komitetin Paralimpik Evropian. Ky sukses është edhe rezultat i rritjes së mbështetjes financiare të KPK-së në vitin 2022 me rastin e vitit të personave me aftësi të kufizuara. Në krahasim me vitin paraprak (2021), buxheti i KPK në vitin 2022 ishte rritur për gjashtëfish më shumë dhe po kjo mbështetje ka vazhduar edhe vitin 2023”.

Përfaqësuesit e Komitetit Paralimpik të Kosovës e falënderuan kryeministrin dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për mbështetjen që po i japin sportit në përgjithësi.

Në Lojërat Paralimpike Paris 2024, Kosova do të marrë pjesë me dy parasportistë në sportin e atletikës: Grevist  Bytyçi – në vrapim, Vjollca Hoxha – në vrapim me karrocë. Ata janë licencuar për pjesëmarrje në këto lojëra dhe do të garojnë në disa gara kualifikuese për normë paralimpike, në mënyrë që të fitojnë përvojën e duhur dhe të përgatiten sa më mirë.

Për përgatitjen e këtyre sportistëve dhe trajnerëve të tyre për të përfaqësuar Kosovën në Paris 2024, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi të veçantë me Komitetin Paralimpik të Kosovës, në vlerë mbi 40 mijë euro.

Kryeministri Kurti, pjesëtarëve të FSK-së që u certifikuan në xhudo: Uroj ta përdorni për ta mbrojtur veten dhe jo sulmuar të tjerët

Sot u certifikua grupi i parë i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Xhudo në kuadër të programit shtetëror “Kosova, Shtet i Xhudos”.

Në këtë ceremoni morën pjesë kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

“Uroj shumë që kjo përvojë të ju ketë forcuar edhe më shumë, jo për të sulmuar të tjerët por për të qenë mjaftueshëm të aftë të mbroni vetveten dhe të jeni të përgatitur me teknikën, forcën, dhe qëndrueshmërinë përkatëse. Vetëm kësisoj arrijmë të ndërtojmë një Kosovë të sigurt e demokratike, të lirë e të barabartë për të gjithë”, ka thënë Kurti, sipas komunikatës nga Zyra e Kryeministrit.

Agron Kuka, president i Federatës së Xhudos së Kosovës, ka thënë që këta janë vetëm ushtarët e parë të certifikuar, duke e quajtur rastin e sotëm si gjurmë të përhershme.

“Ne si sport i xhudos bëjmë hapa të lehtë, por ngado që shkelim lëmë gjurmë të pashlyera, dhe kjo sot jam i bindur se do të mbetet gjurmë e përhershme”, tha ai duke falënderuar kryeministrin Kurti si përkrahësin kryesor të programit “Kosova, Shtet i Xhudos” dhe ideatorin e këtij programi, ministrin Çeku.

Në anën tjetër, trajneri i xhudos, Driton Kuka, ka thënë që xhudoja shkon përtej sportit duke shërbyer si shtyllë kryesore e organizimit dhe forcimit të ushtrive në botë, përfshir tash edhe atë të Kosovës.

Kryeministri Kurti: 203 policë sivjet patën të ardhura më të larta sesa Presidentja Osmani

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar lidhur me debatin për pagat e Policisë së Kosovës.

Kryeministri Kurti ka thënë se të ardhurat mesatare të shumicës dërrmuese të pjesëtarëve të kësaj njësie elitare, sivjet shkuan mbi 2.200 euro në muaj.

Përmes një postimi në facebook ka thënë se janë 203 policë të Kosovës, që sivjet kanë pasur të ardhura më të larta sesa Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të Kryeministrit Kurti në facebook:

Paga mesatare në sektorin privat në Kosovë është 470 euro, ndërkaq në atë publik është 700 euro. Të punësuar në sektorin privat janë rreth 340 mijë qytetarë, kurse në atë publik rreth 80 mijë qytetarë.

Secili pjesëtar i NjSI ka pajisje në vlerë prej afër 10 mijë euro. Të ardhurat mesatare të shumicës dërrmuese të pjesëtarëve të kësaj njësie elitare sivjet shkuan mbi 2.200 euro në muaj (paga bazë plus shtesat). Tash do ta kenë edhe shtesën e rrezikshmërisë prej 150 euro në muaj, përderisa vazhdon kjo situatë në veri të vendit, e që është niveli më i lartë i kësaj shtese. Në fund të muajit nëntor i bie që përveç pagës së rritur, secili prej tyre do të marrë edhe shumën neto prej 1.350 euro retroaktivisht (shtesa e rrezikshmërisë shkurt-nëntor 2023).

Nevojat, jo vetëm dëshirat, janë përherë e shumë herë më të thjeshta se zgjidhjet. Jetojmë në Kosovë, ku BPV për kokë banori në muaj është rreth 460 euro. E sivjet, 2.134 policë të Kosovës, apo gati 27% morën më shumë se 1.000 euro në muaj mesatarisht. Janë 203 policë të Kosovës që sivjet patën të ardhura më të larta sesa Presidentja e Republikës (1.890 euro bruto, koeficienti 18), e në muajt qershor e korrik ishin afër 700 sosh (ku sigurisht bëjnë pjesë shumica absolute e pjesëtarëve të NjSI).

Ju falemnderit pjesëtarëve të NjSI-së për shërbimin ndaj atdheut dhe zbatimin e ligjit./KultPlus.com

Kryeministri Kurti pret në takim Bauer, flasin për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Ariane Bauer, drejtoren rajonale për Evropë dhe Azi Qendrore të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), ku ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës i jep prioritet çështjes së personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, në respekt të së drejtës së familjarëve për të ditur të vërtetën për më të dashurit e tyre.

Me anë të një komunikate për media thuhet se aty u tha se mungesa e informacioneve të besueshme nga Serbia për fatin dhe vendndodhjen e personave të zhdukur me forcë, si dhe mosbashkëpunimi i Serbisë, përbëjnë pengesa të mëdha në ndriçimin e fatit të personave të zhdukur.

Kurti veçoi rëndësinë e hapjes së arkivave shtetërore të Serbisë, pasi zhdukjet me forcë gjatë luftës ishin krime të kryera nga shteti serb.

Tutje bëhet e ditur se në takimin e përbashkët me Kryesuesin e Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, u vlerësua angazhimi i përbashkët dhe mbështetja e vazhdueshme nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.

U bisedua edhe për mundësitë për të forcuar më tej bashkëpunimin me qëllimin e përbashkët për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë./KlanKosova/KultPlus.com

albin kurti

Kryeministri Kurti në diskutimin e organizuar nga Mbretëria e Bashkuar: Ballafaqimi me të kaluarën, i domosdoshëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte i pranishëm në diskutimin e organizuar nga një organizatë nga Mbretëria e Bashkuar, diskutim ky i titulluar “Kapërcimi i ndarjes: një bisedë e guximshme”.

Para të pranishmëve, folësve dhe mysafirëve të pranishëm, në mesin e të cilëve ishte edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbot, Kurti foli mbi rëndësinë e ballafaqimit me të kaluarën.

“Ai tha se ballafaqimi me të kaluarën është i domosdoshëm për një paqe të qëndrueshme dhe të ardhme të suksesshme, duke qenë proces i shërimit dhe mekanizëm i shëndetshëm për përparim shoqëror dhe njerëzor. Ajo është e drejtë individuale e viktimës dhe familjes dhe e drejtë kolektive, por obligim i shtetit dhe qeverisë që të sigurojë që kjo e drejtë të mundësohet dhe realizohet”.

“Kjo do të thotë që institucionet kanë obligim të dokumentojnë krimet përmes instituteve e muzeve të cilat shërbejnë si instrumente të kujtesës kolektive për gjeneratat e ardhshme dhe që ndihmojnë në ngushëllimin e viktimave duke u siguruar atyre që dhimbjet e tyre nuk do të harrohen, shtoi kryeministri”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Kryeministri Kurti: T’i bashkojmë forcat kundër autokracive si Serbia e Rusia

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar koalicion të shteteve demokratike kundër autokracive, siç janë Serbia e Rusia. I pari i ekzekutivit kosovar mori pjesë në panelin diskutues të organizuar nga “The Economist” në Greqi, me temë “Thellimi i Solidaritetit: Si mundet Evropa të dalë më e fuqishme nga trazirat aktuale gjeopolitike?”

Në fjalën e tij, Kurti theksoi se momenti aktual, kërkon mbështetje të palëkundur për demokracinë dhe mbrojtësit e saj. “Ne duhet të bashkohemi, si forcë që kundërshton elementet destabilizuese që përbëjnë një kërcënim të madh për demokracinë. Demokracia është një realitet konkret për ne, megjithatë janë edhe kërcënimet e paraqitura nga autokracitë, kryesisht Serbia, të ndihmuara dukshëm nga aleanca e saj me Putinin. Regresioni i Serbisë nga demokracia dhe agresioni ndaj Kosovës, janë shënuar me veprime të tilla si kapja e shtetit në vend dhe shtypja mediatike, që më pas u përshkallëzua në kërcënime ndaj vendit tim. Siç është tipike për vendet joliberale, ajo (Serbia, v.j.) shmang përgjegjësinë për të kaluarën e saj të errët të afërt, duke përfshirë aktet e gjenocidit, dhe në vend të kësaj zgjedh ta lavdërojë atë”, tha ai.

Sipas Kurtit, përtej çështjeve historike, rajoni verior i Kosovës, është shfrytëzuar si qendër për trafikun e drogës, kontrabandën e armëve dhe minierat e kriptomonedhave.

“Këto aktivitete bien ndesh drejtpërdrejt me sundimin e ligjit dhe vlerat demokratike që përfaqëson Kosova. Ne punojmë për të ndërtuar veten, duke u përpjekur për sukses të vërtetë demokratik, ndërsa Serbia si një vend joliberal përpiqet ta mbysë këtë progres, duke përdorur taktika të përdorura shpesh nga figura si Putini”, tha ai.

Shefi i qeverisë tha se më 24 shtator, agresioni ndaj Kosovës kulmoi me trupat e armatosur paraushtarake që ishin trajnuar në bazat zyrtare ushtarake në Serbi, të cilët hyrën në Kosovë dhe hapën zjarr ndaj forcave të policisë, duke vrarë një nga policët e Kosovës.

“Në të njëjtën kohë, Serbia u angazhua në atë që SHBA e përshkruan si një ngritje ushtarake “të paprecedentë” përgjatë kufirit tonë. Në ditët që pasuan, një sasi e konsiderueshme provash tregonin përfshirjen dhe planifikimin e një pushtimi më të madh nga vetë shteti serb. Ky fakt ishte i vetëkuptueshëm, pasi asnjë grup civilësh nuk mund të grumbullonte një armatim të tillë dhe ta transportonte atë përtej kufijve pa të paktën mbështetjen e heshtur të një qeverie. Agresioni pushoi jo për shkak të dëshirës për t’u tërhequr, por për shkak se ishte manovruar strategjikisht. Që atëherë, ne kemi mbetur të pyesim për vazhdimet e mundshme të këtij sulmi”, tha tutje Kurti.

Kurti ka thënë se është i gatshëm t’i zbatojë marrëveshjet e arritura nëkuadër të dialogut në Bruksel, por sipas tij është Serbia, e cila heziton ta bëjë një gjë të tillë, pasi përmbajtja e marrëveshjeve të arritura në Bruksel e Ohër “është njohje de facto”.

Ai ka folur edhe për zhvillimet e fundi në lindjen e mesme. “Ndërlidhja e botës sonë nuk ka të bëjë vetëm me ndarjen e sukseseve të njëri-tjetrit, por edhe me kuptimin e efekteve të valëzuara të krizave në shkallë globale. Merrni, për shembull, konfliktin Izrael-Hamas pas sulmit terrorist të Hamasit dy javë e gjysmë më parë. Është një kujtesë e fortë se problemet nuk respektojnë kufijtë; ato i kapërcejnë kombet dhe kontinentet. Sot, fuqitë autoritare kërkojnë të përdorin këtë ndërlidhje për të çuar më tej ndikimin e tyre. Ka forca aktive që punojnë për të destabilizuar sigurinë dhe sigurinë e vendeve në afërsi të tyre, dhe jo vetëm”, tha ai./rtk/KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Më të mirin rrëfim për Pashke Krasniqi Markaj e ka bërë shkrimtari ynë Ag Apolloni

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se listës së trashëgimisë kulturore i janë shtuar edhe shtatë asete në mesin e të cilave janë: Guri i Nënës Pashkë dhe Lokali “Panda” në Pejë, shkruan KultPlus.

Kryeministri Kurti, përmes një postimi në facebook ka thënë se kujtimi për Gurin që simbolizon vetëflijimin e Nënës Pashkë do të jetë në përkujdesje shtetërore, duke shtuar se rrëfimin më të mirë të e ka bërë shkrimtari Ag Apolloni, në dokuromanin e tij “Një fije shprese, një fije shkrepëse.”

“Përfshirja në listën e trashëgimisë kulturore, në kategorinë “shpirtërore” ishte hap i domosdoshëm drejt zgjidhjes përfundimtare për Gurin përkujtimor të Nënës Pashke. Më të mirin rrëfim për Pashke Krasniqi Markaj deri sot e ka bërë shkrimtari ynë Ag Apolloni në dokuromanin e tij “Një fije shprese, një fije shkrepëse.””, ka shkruar Kryeministri Kurti.

Përveç Gurit të Nënës Pashkë, pjesë e kësaj liste janë edhe asete të tjera si:Spitali ushtarak i Gradicës, Përmendorja e Minatorëve, Xhamia e Sfircës, Varri i Don Mikel Tarabulluzit, afreskat romake të Dresnikut./KultPlus.com

Kryeministri Kurti në 25 vjetorin e masakrës në Likoshan e Qirez: Pas kësaj masakre, lufta nuk mund të kishte më kthim pas

Sot bëhen 25 vjet nga fillimi i luftës në Kosovë, e cila nisi në fshatrat e Drenicës, Likoshan dhe Qirez, ku te vendi i quajtur “Te tre lisat” u zhvilluan luftimet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave kriminale serbe.

Në këtë përvjetor, kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe ministra të tjerë, kanë bërë homazhe në varrezat e të vrarëve në këtë betejë.

Kurti është shprehur se pas masakrës së kryer nga policia serbe në Likoshan dhe Qirez më 28 shkurt 1998, lufta nuk mund të kishte më kthim pas, duke u intensifikuar tutje me mijëra të vrarë dhe të rënë dëshmorë, deri te çlirimi i Kosovës, në qershor të vitit 1999.

Ky është postimi i plotë i kryeministrit:

Sot bëhen 25 vite nga dita kur Serbia kreu masakrën e parë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Më 28 shkurt 1998, policia serbe vrau 24 shqiptarë në Likoshan dhe Qirez të Drenicës, prej të cilëve 20 ishin civilë. Dy javë para kësaj masakre, më 14 shkurt 1998, policët serbë e vranë në vendin e tij të punës në një trafostacion elektrik, 45 vjeçarin Avdullah Nika nga fshati Gllanasellë, për shkak të lidhjeve të tij me UÇK-në. Rreth 12 mijë njerëz morën pjesë në varrimin e tij, më 17 shkurt 1998, ashtu siç mijëra njerëz shkuan për ngushëllime në Gllanasellë gjatë dy javëve të ardhshme.

Ditën e 27 shkurtit, Komandanti Adem Jashari i ngarkoi me detyrën që të patrollonin në Likoshan, Qirez dhe Gllanasellë, tre shokë të tij, ushtarë të UÇK-së: Sahit Jasharin, Sabit Lladrovcin dhe Rasim Kiqinën. Pasi e kaluan natën në shtëpinë e Jahir Hajdarit në Dobroshec, të nesërmen, ata të tre u nisën me makinë drejt Prekazit për t’i raportuar Adem Jasharit. Rrugës, ata hasën në një patrullë të policisë serbe të fshehur pranë një shitore në Likoshan. Në këtë pikë, megjithëse ata u tërhoqën deri në lagjen Hasani të Likoshanit, ndeshja ishte e pashmangshme. Luftimet filluan te mikrotoponimi “Gjashtë lisat”, ku nga katër policë serbë u vranë tre dhe një u plagos, kurse nga ushtarët e UÇK-së, u plagos Sabit Lladrovci, i cili u tërhoq në krah nga Rasim Kiqina.

Ndërkohë që e kishin lajmëruar Adem Jasharin, i plagosuri Sabit Lladrovci u mor në makinë nga Sabit Geci dhe Sahit Jashari dhe u nisën drejt Prekazit. Por rrugës, në fshatin Baks, ata u pikasën nga një helikopter i policisë serbe, që shtiu një predhë dhe plot 111 plumba mitralozi mbi veturën e tyre, duke e plagosur sërish Sabit Lladrovcin dhe duke i plagosur rëndë Sabit Gecin dhe Sahit Jasharin. Ishte ardhja e Adem Jasharit dhe të shtënat e tij në drejtim të helikopterit, që u shpëtoi jetën këtyre të tre luftëtarëve të plagosur.

Të përforcuar me trupa shtesë, policët serbë i vazhduan luftimet gjatë gjithë ditës së 28 shkurtit deri në mbrëmje, me një bilanc prej 18 policësh të vrarë dhe mbi 20 të plagosur. Në ato luftime ranë katër dëshmorë: Rexhep Rexhepi, Beqir Rexhepi, Muhamet Gjeli dhe Naser Gjeli. Si hakmarrje për policët e vrarë, policia serbe vrau dhe masakroi 20 civilë të paarmatosur shqiptarë: Beqir Sejdiu, Nazmi Sejdiu, Bedri Sejdiu, Bekim Sejdiu, Ilir Nebihu, Rukie Nebihu, Xhemshir Nebihu, Ibish Rama, Behram Fazliu, Ismail Behrami, Gani Ahmeti, Ahmet Ahmeti, Hamzë Ahmeti, Hilmi Ahmeti, Driton Ahmeti, Naim Ahmeti, Lumni Ahmeti, Shemsi Ahmeti, Basri Ahmeti dhe Elhami Ahmeti.

Pas masakrës së kryer nga policia serbe në Likoshan dhe Qirez më 28 shkurt 1998, lufta nuk mund të kishte më kthim pas, duke u intensifikuar tutje me mijëra të vrarë dhe të rënë dëshmorë, deri te çlirimi i Kosovës, në qershor të vitit 1999.

Lavdi të vrarëve të masakrës së Likoshanit dhe Qirezit si dhe lavdi të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve në rrugën tonë të gjatë për liri! / KultPlus.com

Kurti përkujtoi dëshmorët në Rogovë të Hasit, Vraniq, Bishtazhin e Gadish

Në 24-vjetorin e masakrës në fshatin Rogovë të Hasit, kryeministri, Albin Kurti, ka përkujtuar 21 dëshmorët, luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e civilë, të rënë më 29 janar të vitit 1999 në këtë masakër.

“Te lapidari në Vraniq të Gjakovës, Kurti bëri homazhe dhe kujtoi katër dëshmorët e familjes Lleshi. Prendi dhe Mema ranë dëshmorë më 28 janar 1999 në betejën e Godenit, ndërsa Marku dhe Kola më 7 gusht 1998 në betejën e Vraniqit.

Kryeministri Kurti kujtoi dëshmorët Hamdi Berisha dhe Kasim Shala duke vendosur lule të freskëta te ura e Bishtazhinit, ndërsa në Gadish nderoi jetën dhe veprën e Gasper Karaqi, i rënë dëshmorë më 28 janar 1999″, njofton zyra e kryeministrit./ KultPlus.com

Marrëveshja me MCC, shefja ekzekutive Alice Albright pritet nga Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka pritur në takim Shefen Ekzekutive të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, Alice Albright. Në këtë takim kanë qenë prezentë edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, shkruan Gazeta Express.

Në një komunikatë, ZKM ka njoftuar se Kurti e ka falënderuar Albright për “bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e tij drejt zbatimit sa më shpejtë të Programit Kompakt në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në korrik të këtij viti”.

Ndërsa, Albright “u shpreh falënderuese për ratifikimin e shpejtë të marrëveshjes në Kuvend të Republikës së Kosovës dhe dha gatishmërinë e plotë për bashkëpunim të afërt drejt zbatimit sa më të shpejtë të saj”.


Komunikata e plotë:

Kryeministri Kurti mirëpriti Shefen Ekzekutive të MCC-së, Alice Albright

Prishtinë, 17 tetor 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Shefin e Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi mirëpritën sot Shefen Ekzekutive të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright, e shoqëruar nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

I nderuar nga vizita e saj në Kosovë, kryeministri Kurti e falënderoi znj. Albright për bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e tij drejt zbatimit sa më shpejtë të Programit Kompakt në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në korrik të këtij viti.

Përpos ratifikimit në Kuvend me mbështetjen e 89 deputetëve në më pak se një ditë pas nënshkrimit, në mbledhjen e 100-të të Qeverisë, janë themeluar edhe dy grupe punuese në shërbim të zbatimit të marrëveshjes. Kështu, Kosova për herë të parë po krijon kapacitetet e saj të para për akumulimin me bateri të energjisë elektrike, dhe po investon në zhvillimin e shkathtësive të reja në sektorin e energjisë, duke u përgatitur për tranzicionin e drejtë energjetik.

Marrëveshja me MCC-në për Programin Kompakt vjen në një moment kritik. Republika e Kosovës synon një ekonomi të orientuar kah eksporti dhe rritje të kapaciteteve të energjisë së ripërtritshme. Për të dy këto, Programi Kompakt dhe MCC-ja janë shumë të rëndësishme, tha ndër të tjera kryeministri Kurti.

Shefja Ekzekutive e MCC-së, Alice Albright u shpreh falënderuese për ratifikimin e shpejtë të marrëveshjes në Kuvend të Republikës së Kosovës dhe dha gatishmërinë e plotë për bashkëpunim të afërt drejt zbatimit sa më të shpejtë të saj. Ajo tha se Programi Kompakt është projekt afatgjatë për Kosovën, me prioritet edhe për vetë MCC-në.

Ky takim u zhvillua në kuadër të vizitës së znj. Albright në Kosovë. Vizita e saj vjen pas nënshkrimit të marrëveshjes për Programin Kompakt ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), me vlerë 236.7 milionë dollarë amerikan. Ai përbën investimin më të madh dhe më inovativ në sektorin e energjisë në Kosovë deri më sot dhe do të kontribuojë në sigurinë energjetike të vendit.

Programi Kompakt përfshin tri projekte:

1. Rezerva dhe arbitrazh të energjisë prej 340 MËh,

2. Zhvillimin e fuqisë punëtore, me theks të veçantë në përfshirjen e grave në sektor të energjisë, si dhe

3. Projektin e Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim, i cili ka për qëllim të nxisë financimin e sektorit privat nga Korporata Financiare e Zhvillimit Ndërkombëtar (DFC) të Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

Investimet e Programit Kompakt do të jenë në pronësi të Republikës së Kosovës dhe shënojnë një nga bashkëpunimet më të rëndësishme zhvillimore në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. / KultPlus.com

Dhjetë këngët e dashurisë që dëgjon kryeministri Kurti, pjesë e Manifestës

Playlistën e këngëve të dashurisë që pëlqen kryeministri Kurti tani mund ta gjeni edhe në katin e gjashtë të Manifestës, përcjell KultPlus.

Lajmin e ka dhënë deputetja e VV-së, Tinka Kurti përmes një postimi në Facebook.

Në vijim gjeni postimin e plotë të deputetes:

Edhe 25 ditë deri në përfundimin të Manifestas. Të shumtë vizitorët, të shumtë artistët e kontribuesit.

Muzika, kumbimi i këtij organizimi, jehon në hapësirat artistike të Manifestas. Kjo është playlista e Kryeministrit Albin Kurti. Mund ta gjeni në katin e gjashtë i cili i dedikohet dashurisë. 10 këngë dashurie. Rroftë dashuria, poezia e kënga.

10 këngë dashurie.

Pixies – Hey

Coco – Last of the loving

Tracy Chapman – Fast car

Gloria Lasso – Etranger Au paradis

Mazzy Star – Fade into you

Etta James – Something’s gotta hold on me

Kate Bush – Wuthering heights

Ritfolk – Dëshirë dhe Heshtje

Joy Division – Love will tear us apart

Nina Simone – My baby just cares for me./ KultPlus.com

Ndahen 2 milion euro për inicimin e ndërtimit të ndërtesës së Teatrit, Operas dhe Baletit

Sot është mbajtur mbledhja e 96-të e Qeverisë së Kosovës, me ç’rast janë miratuar 28 vendime, prej tyre janë 12 projektligje, përcjell KultPlus.

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se mbledhja është hapur me aprovimin e projektligjit për Instituitin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

Sipas tij, krimet e kryera dhe dëmet e shkaktuara gjatë luftës, duhen adresuar.

Po ashtu, ai bëri të ditur se janë ndarë 2 milion euro për inicimin e ndërtimit të ndërtesës së Teatrit, Operas dhe Baletit, si dhe realizimin e ndërhyrjeve në katër asete të trashëgimisë kulturore.

Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:

Për drejtësi, zhvillim dhe siguri publike, në mbledhjen e 96-të miratuam 28 vendime, prej tyre 12 projektligje

Mbledhjen e hapëm me aprovimin e projektligjit për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë. Krimet e kryera dhe dëmet e shkaktuara gjatë luftës duhen adresuar. Mbi të vërtetën, do të ndërtojmë mekanizma dhe institucione për ballafaqimin me të kaluarën.

Fusha e drejtësisë është një nga prioritetet tona. Andaj, miratuam projektligjin për Prokurorinë Speciale dhe Prokurorin e Shtetit, si hapa kyç në drejtim të përmbylljes së reformave të sistemit tonë prokurorial.

I hapëm udhë themelimit të Agjencisë për Siguri Kibernetike dhe Agjencisë për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.

Miratuam masat për kursim të energjisë elektrike në institucione dhe ndërmarrje publike.

Themeluam Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi, për zbatimin e masave urgjente që do të sigurojnë funksionim normal të sistemit shëndetësor dhe do t’i hapin rrugë reformës në shëndetësi.

Për pagesën e specializantëve për periudhën shtator-dhjetor 2022, ndamë 2.61 milion euro.

18 milionë euro, për ringjalljen e fshatit përmes bujqësisë dhe agro-turizimit.

2 milion euro për inicimin e ndërtimit të ndërtesës së Teatrit, Operas dhe Baletit, si dhe realizimin e ndërhyrjeve në katër asete të trashëgimisë kulturore.

Me miratimin e projektligjit për programin IPA 2021, dhe më pas të ratifikimit të tij në Kuvend, Kosova do të përfitojë 63.96 milionë euro.

I dërguam Kuvendit për ratifikim Marrëveshjen e Bashkëfinancimit për Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit – ITP Prizren. Kontributi financiar nga Qeveria jonë është 8 milion euro, ndërsa nga ajo gjermane 5 milion euro.

Themeluam Autoritetin Qeveritar për Migrim dhe Komisionin për Ankesa për të Huajt.

Me Projektligjin e miratuar për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve synohet sigurimi i një niveli të lartë të mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë së konsumatorëve, si dhe parandalimi i konkurrencës jo të drejtë.

Për të lehtësuar qarkullimin rrugor dhe procedurat për njohjen reciproke të patentë shoferëve, miratuam Nismën për lidhjen e Marrëveshjes mes Kosovës dhe Hungarisë për njohjen reciproke të patentë shoferëve.

Shfuqizuam vendimin për ndalimin e përkohshëm të eksportit dhe ri eksportit të produkteve themelore agro-ushqimore, bazuar në vlerësimin se ka përmirësim të situatës në tregun e vendor.

Miratuam Programin për Parandalimin dhe Zvogëlimin e Barrës Administrative 2022-2027 dhe Planin e Veprimit 2022-2024.

Me qëllim të pjesëmarrjes së Kosovës në programet Bashkimit Evropian për bashkëpunim në fushën e tatimit dhe atë te doganave miratuam dy projektligje.

Miratuam nismën për lidhjen e marrëveshjes për pjesëmarrjen e Kosovës në “Programin e Evropës Digjitale për periudhën 2021-2027”. Marrëveshja ka për qëllim avancimin e vendit përmes granteve strategjike të BE-së. / KultPlus.com

Presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe ministri Çeku, vizituan Shtëpinë e motrave të Nënë Terezës në Pejë

Në kujtim të shejtores shqiptare, presidentja Osmani u shprehu mirënjohjen e thellë motrave të saj për angazhimin e pakursyer për t’u shërbyer njerëzve në Kosovë, përcjell KultPlus.

“Motrat misionare, të cilat ofrojnë ndihmë në heshtje, jashtë vëmendjes së gjithsekujt, prej vitesh kujdesen për më të varfrit, për ata që Nënë Tereza i deshi më së shumti. Ato u ofrojnë atyre strehë e ushqim, kujdesen për ta dhe i mbajnë afër me dashuri, sipas shembullit të misionares së madhe shqiptare, Nënë Terezës”, theksoi Osmani.

Sipas saj, duke qenë çdo ditë me të varfrit, duke e ndarë dhembjen me ta, motrat misionare po e japin shembullin se si mes njerëzish duhet të mbretërojë dashuria e respekti.

“Këto parime nëna Terezë i kishte fort për zemër. Ne do t’u jemi gjithmonë mirënjohës për këtë shembull përkushtimi e dashurie që ato ua ofrojnë më të varfërve tanë”, është shprehur Osmani./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti përkujton masakrën e Srebrenicës: Nuk është asgjë më pak pos gjenocid

Kryeministër i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar sot 11 korrikun e vitit 1995, ku forcat serbe masakruan mbi 8 mijë burra myslimanë në Bosnje.

Përmes një postimi në facebook, Kurti ka thënë të hënën se ajo çfarë ka ndodhur në Srebrenicë 27 vjet më parë nuk është asgjë më pak pos gjenocid.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të Kurtit:

27 vite dhimbje e mall nga gjenocidi i Srebrenicës

Kur Raphael Lemkin në librin e tij “Axis Rule in Occupied Europe” kishte përdorur termin GJENOCID për herë të parë, dyshoj të ketë konsideruar mundësinë e diskrepancës mes aspektit teorik dhe praktik të termit.

Dyshoj shumë që kur Lemkin ka folur për gjenocidin, të ketë menduar që dikush në shekullin 21 do të arrijë të ndërtojë një narrativë të tërë diskutimi bazuar në mohimin e gjenocidit.

Gjenocidi si fjalë nuk është zbuluar për t’u mohuar. Por për të potencuar egërsinë dhe johumanitetin e krimeve që shkojnë përtej asaj që termet si krime lufte e krime kundër njerëzimit përfshijnë.

Ende sot, gjenocidi nënkupton ndërmarrjen e veprimeve me qëllim të shkatërrimit (të plotë ose të pjesshëm) të grupeve në aspektin kombëtar, etnik, racor ose fetar.

E çka ka ndodhur në Srebrenicë para 27 viteve nuk është asgjë më pak se gjenocid. Asgjë më pak se shënjestrim i qëllimshëm i viktimave për shkak të ekzistencës së tyre.

Dëmi i shkaktuar nga gjenocidi i Srebrenicës është i shumëfishtë. Ai shkon përtej 8.273 burrave dhe djemve të vrarë. Përtej 30 mijë fëmijëve e pleqve të abuzuar e të shpërngulur me dhunë. Dëmi i shkaktuar transferohet secilin vit te dhimbja e nënave. Lotët e motrave. Traumat e përjetuara. Vuajtjet e pakontrolluara.

Dëmi i shkaktuar nga gjenocidi nuk mund të riparohet. Por ai mund të njihet duke u pranuar. E në kohën kur jetojmë ne, viktimave u vendoset kripë në plagë secilën ditë kur gjenocidi i Srebrenicës mohohet paturpshëm nga Serbia.

Kur roli i atij agresioni të tmerrshëm minimizohet deri në pafundësi.

Kur organet që do të duhej të dilnin e të kërkonin falje me përulje, dalin e paturpësisht mohojnë ekzistencën e gjenocidit.

Në kohëra si këto, duhet të kujtojmë që hapi i parë i përsëritjes së gjenocidit është mohimi. Andaj duhet të jemi të vëmendshëm e të zëshëm në përkujtimin tonë dhe kërkesat tona për njohje dhe përulësi ndaj një prej gjenocideve më makabre të ndodhur në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore. / KultPlus.com

Kurti: Xhevdet Bajraj do të rrojë gjithmonë, porsi një yll që nuk shuhet kurrë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook ka përkujtuar poetin Xhevdet Bajraj, i cili vdiq dje pas një sëmundje të shkurtër, përcjell KultPlus.

Në vijim gjeni postimin e plotë të kryeministrit Kurti:

Poeti më i madh i gjallë i Kosovës nuk rron më. Mbrëmë qielli i errët kishte një yll më shumë. Shkëlqimi midis nesh është xixa sipër nesh.

Teksa shkruaj me mall e dhembje, përkulem t’i lexoj titujt që qëndrojnë vertikalisht në bibliotekën time: Copa ime e qiellit, Vitet qe nuk e sollën pranverën, Lëngu i trëndafilave, Liria e tmerrit, Ca Kokrra Rrushi të Rahovecit, Vrasja e Mushkonjës, Kur qajnë hardhitë, Kafe me Nënën, Me Zemër në Qese Najloni, Burri që lozte me engjëj…

Xhevdet Bajraj do të rrojë gjithmonë, porsi një yll që nuk shuhet kurrë./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti bën tifo për ekipin e Bad News Eagles, sapo fituan lojën e parë në turneun më të madh të CS:GO

Ekipi shqiptar, Bad News Eagles e kanë nisur me fitore turneun më të madh në CS:GO, PGL Antwerp Major 2022.

Bad News Eagles triumfuan ndaj ekipit turk, Eternal Fire, me rezultat 16:14.

Kryeministri Albin Kurti po bën tifo për ekipin tonë.

Këshilltari  kryeministrit, Arianit Beqiri ka shpërndarë disa fotografi ky shihet kryeministri Kurti duke ndjekur live lojën.

“Dhe ja ku jemi sot në garën më të madhe të CS:GO, në PGL Major, duke bërë tifo për ekipin tonë të zemrës, Bad News Eagles. Kualifikimin e dëshiruar e arritëm, tani përpara për fitore. Go Eagles”, ka shkruar Beqiri krahas fotografive. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti viziton ekspozitën e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës

Lodra, libra, këpucë, fanella e pantallona fëmijësh janë ekspozuar në dollapë prej xhami, në Muzeun e Fëmijërisë së Luftës në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Aty dëgjohen e lexohen rrëfimet e kohës së luftës të fëmijëve nga Bosnja e Hercegovina, Kosova, Kroacia, Serbia, Siria, Afganistani, Palestina, e së fundmi edhe nga Ukraina. Të njëjta janë përvojat, të ngjashme janë ngjarjet, kurse e përbashkëta e tyre është lufta e dhimbshme e shkatërruese.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me nënkryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj.Saranda Bogujevci, e cila i mbijetoi masakrës së forcave paramilitare serbe kundër familjes së saj në vitin 1999, e vizituan ekspozitën.

Një muze shumë i rëndësishëm në përpjekjet tona të përbashkëta për përkujtim e mospërseritje, tha kryeministri Kurti teksa rikujtoi që 1133 fëmijë u vranë e u masakruan gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Është detyrë e secilit prej nesh, shtoi ai, që të mos ndalemi së kërkuari drejtësi, e që e vërteta të dalë në pah për të gjitha këto jetë të humbura të fëmijëve.

Muzeu i Fëmijërisë së Luftës, ka selinë kryesore në Sarajevë, por ka dy javë që është hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ku është plotësuar edhe me rroba e gjësende nga fëmijëria e  luftës e fëmijëve kosovarë.

Ekspozita është hapur me bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Galerisë Kombëtare të Kosovës, ForumitZFD dhe Zyres së BE-së në Kosovë./21Media/ KultPlus.com

Kurti: Me Putinin e vogël të Serbisë, paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor kurrë s’ka qenë më e kërcënuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me anë të një statusi të gjatë në Facebook ka kujtuar fillimin e agresionit rus ndaj Ukrainës. Ai ka thënë se këtij pushtimi i parapriu lufta hibride e nisur nga rusët, derisa ka kritikuar edhe Serbinë për mos vënie të sanksioneve ndaj Rusisë si dhe marsheve pro-Putinit nëpër sheshe. Kurti ka shtuar se Dodik dhe Vuçiq përbëjnë kërcënim për paqen në Ballkanin Perëndimor dhe i ka quajtur ata “Putini i Republika Srpskas” dhe “Putini i vogël”.

“Në këtë kohë kur e gjithë bota demokratike është distancuar nga Putini, fqinji ynë verior organizon tubime mbështetëse për Putinin duke i thurur lavde e duke arsyetuar krimet e tij në Ukrainë. Miqtë e tij në Serbi e Republika Srpska synojnë ta joshin Rusinë në Ballkan e për Ballkan. Në Ballkanin Perëndimor, Serbia mbetet vendi i vetëm në Evropë i cili refuzon të sanksionojë Rusinë e siç e pamë këto ditë, madje është edhe e gatshme të braktisë procesin e integrimit në BE vetëm për t’i qëndruar besnik Putinit.”, shkruan Kurti në statusin e tij.

 “Me mikun e Putinit në Republika Srpska të Bosnje Hercegovinës dhe Putinin e vogël të Serbisë, paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor kurrë s’ka qenë më e kërcënuar.  Taktika të njëjta të inskenimeve të ngjarjeve e sulmeve për të fajësuar palën tjetër i kemi parë edhe në rajonin e vendin tonë. Ata që besojnë se atë çfarë thotë Beogradi, që vazhdimisht armatoset nga lindja e veri-lindja, nuk duhet ta marrim seriozisht sepse e ka për konsum të brendshëm e për fushatë elektorale, në rastin më të mirë janë naivë. Kështu thoshin edhe për Putinin”, shtoi ai.

Kurti thotë se Vuçiq nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë as pas përfundimit të zgjedhjeve atje, duke kritikuar të gjitha ata që e besojnë atë.

“Ja që përfundoi fushata elektorale dhe i fitoi zgjedhjet partia-shtet por sanksionet ndaj Rusisë nuk i vendosi. Mund të duket mbivlerësim kur thuhet që në Ukrainë po përcaktohet e ardhmja e botës, por mbase është nënvlerësim nëse thuhet vetëm që aty po mbrohet Evropa dhe demokracia. Fashizmi nuk është i rezervuar për Gjermaninë e Italinë ndërmjet dy luftërave botërore apo Kilin e Pinoçetit para gjysmë shekulli. Secili komb a shtet mund të përfundojë në fashizëm. Për fatin e keq të botës, sot kjo i ka ndodhur një fuqie nukleare”, shtoi ai,.

Ky është statusi i tij i plotë: