Sot, Dita Ndërkombëtare kushtuar viktimave të terrorizmit

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, me rezolutën 72/165, vendosi para dy vitesh ta shpallë 21 gushtin, Ditë Ndërkombëtare për të përkujtuar e për të nderuar viktimat e terrorizmit. Synimi nuk është vetëm nderimi i viktimave, por edhe përkrahja e të gjithë atyre, që kanë mbijetuar nga terrorizmi, duke promovuar të drejtat e njeriut dhe liritë e tyre themelore.

Kryeministri i vendit, Abdullah Hoti, në Ditën Ndërkombëtare kundër Terrorizmit ka shkruar se vendi jonë nuk do t’i ndalë përpjekjet për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social në Facebook, Hoti ka shtuar se sot kujtojmë dhe nderojmë të gjitha viktimat.

Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë:

 Sot, në Ditën Ndërkombëtare kushtuar viktimave të terrorizmit, kujtojmë dhe nderojmë të gjitha viktimat! Themeluar në vitin 2018, Dita Ndërkombëtare kushtuar viktimave të terrorizmit shënohet çdo 21 gusht. Terrorizmi është një sfidë globale, dhe po ashtu duhet të luftohet globalisht, në të gjitha format dhe shfaqjet e tij, pasi që u shkakton dëme të përhershme njerëzimit. Kosova mbetet partner në mbrojtjen e vlerave që vendet demokratike përqafojnë në të gjithë botën. Ne nuk do të ndalemi në përpjekjet tona për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin. / KultPlus.com