‘Libri i Karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: Ditari i Anna Frankut

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.

Sonte KultPlus ju rekomandon një vepër mjaft të njohur, mirëpo që kurrë nuk është vonë për ta lexuar e rilexuar. Bëhet fjalë për ‘Ditarin e Anna Frank’, një ditar me plot emocione e dhimbje, një rrëfim për jetën e një vogëlusheje e cila vdiq shumë e re për t’u përjetësuar kështu gjithmonë përmes asaj që ajo la pas.

Anneliese Marie Frank lindi më 12 qershor 1929 në Frankfurt am Main; vdiq në fillim të muajit mars të vitit 1945 në KZ Bergen-Belsen. Ishte një vajzë gjermane-hebreje, që ishte fshehur me familjen e saj në Amsterdam gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, por që nuk arriti t’i shpëtonte vdekjes, ajo u vra para mbarimit të luftës.

Anna Frank ditarin e saj e ka shkruar gjatë dy viteve të fshehjes së saj nga nazistët në Holandë. Libri është i shkruar në formë të letrave që Anna ia dërgon një mikes imagjinare dhe ku përshkruan ditët e vetmisë së saj dhe të mendimeve të shumta për gjendjen në të cilën ndodhet. Edhe pse nuk e mbijetoi luftën, Ana i dha botës një nga ditarët më tronditës të shkruar ndonjëherë. “Përkundër gjitha të këqijave, ende besoj se njerëzit vërtetë kanë një zemër të mire’, kishte shkruar në ditarin e saj Anna.

Sot ky libër konsiderohet si një ndër veprat më kryesore të shekullit XX.

Ditari i Ana Frankut u bë një ndër librat më të lexuar në botë dhe u përkthye në dhjetëra gjuhë. Shtëpia ku ishte fshehur familja Frank në Amsterdam, sot është e hapur për vizitorët. Aty gjendet edhe ditari që shkroi Ana, i cili ka vlerën e një dokumenti unik njerëzor.

Kur rrëfehet nga një pozicion i sinqertë, aq i sinqertë sa mund të jetë një fëmijë, nuk ka si mos të jetë e dhimbshme me shumë emocionale ajo se çfarë do të lexojmë.

Ky ditari është prej atyre rrëfimeve që nuk duhet humbur në asnjë mënyrë. Anna Frank pa qëllim pas vetes la diçka që do të mbijetoj sa të mbijetojë mbarë njerëzimi. / KultPlus.com