Armend Rexhepagiqi performon sonte në Kalanë e Ulqinit në kuadër të “Ditëve të Diasporës”

Ulqini bëhet sonte epiqendra e muzikës shqiptare, ku artisti i njohur Armend Rexhepagiqi do të ngjitet në skenën magjike të Kalasë së Ulqinit për një koncert të hapur për publikun.

Mbrëmja muzikore organizohet në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Diasporës”, duke sjellë një atmosferë të veçantë për qytetarët dhe mërgimtarët, transmeton KultPlus.

Koncerti fillon në ora 21:30, ndërsa hyrja është e lirë për të gjithë të interesuarit.

Ngjarja është organizuar nga Komuna e Ulqinit, me përkrahjen e Ministrisë së Diasporës, Organizatës Turistike dhe Qendrës për Kulturë, si pjesë e aktiviteteve që synojnë të forcojnë lidhjet kulturore me mërgatën shqiptare dhe të promovojnë trashëgiminë kulturore të qytetit.

Pritet që Rexhepagiqi të interpretojë disa nga hitet e tij më të njohura, duke krijuar një përjetim emocional në ambientin historik të kalasë.


Sipas organizatorëve, ky është një ndër koncertet më të rëndësishme të verës në Ulqin, që synon të bëhet traditë në kalendarin kulturor të qytetit./KultPlus.com

Panairi artizanal gjallëron qendrën e Podujevës në kuadër të “Ditëve të Diasporës”

Në sheshin qendror të Podujevës është hapur sot panairi artizanal, pjesë e manifestimit tradicional “Ditët e Diasporës”, duke sjellë ngjyra, shije dhe kulturë për qytetarët dhe mërgimtarët që ndodhen në vend.

Panairi organizohet nga shoqatat “Duart e Arta Llapjane” dhe “Gratë e Batllavës”, dhe ofron produkte artizanale, veshje kombëtare si dhe ushqime tradicionale të përgatitura nga gratë e zonës.

Në hapje morën pjesë Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, Nënkryetarja Marigona Lahu, deputetja Drita Pajaziti dhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Humolli-Jashanica.

Kryetari Bulliqi vlerësoi kontributin e grave pjesëmarrëse në panair, duke theksuar rolin e tyre në ruajtjen e trashëgimisë kulturore përmes artizanatit dhe gatimeve tradicionale.

Ky është panairi i tretë në kuadër të aktiviteteve të “Ditëve të Diasporës” dhe do të mbetet i hapur edhe gjatë ditës së nesërme për të gjithë vizitorët që duan të njohin nga afër punimet dhe shijet tradicionale të rajonit të Llapit./KultPlus.com

Promovohen disa vepra të krijuesve të mërgatës

Në kuadër të “Ditëve të Diasporës”, Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike ka organizuar aktivitetin “Takime letrare me krijues dhe shkrimtarë nga diaspora dhe Kosova”, shkruan KultPlus.

Hasan Qyqalla, kryetar i Lidhjes së Krijuesve të Mërgatës, tha se është kënaqësi e veçantë që sot ndodhen në Bibliotekën Kombëtare për të promovuar disa nga veprat e krijuesve të mërgatës.

Muhamet Selmani, këshilltar i ministrit në largim të Diasporës dhe Investimeve Strategjike, tha se ky aktivitet tashmë është bërë tradicional “Ju falënderoj për krijimet e juaja. Penda asnjëherë mos ju harxhoftë. Libri është vlera dhe drita e një shoqërie. Ju uroj të çmalleni me atdheun dhe t’iu frymëzojë të shkruani edhe më shumë vepra”, u shpreh ai.

 Librat të cilët u promovuan, ishin të shumtë dhe kryesisht vëllime poetike, në përgjithësi tema që trajtonin këto vepra kishte të bënte me mërgatën, me mallin për atdheun dhe vitet e jetës të kaluara atje, kishte edhe prej atyre që flitnin vetëm për dhimbjen personale, por që në një formë prapë se prapë ndërlidhej me jetën jashtë vendlindjes.

Librat që u promovuan, janë si vijon: Fran Tanushi- Shkalla e diellit Gonxhe Letmi Begisholli- Shprushje kujtimesh Gani Bytyqi- Fletëza dhembjeje Demir Rushiti- Endje Milazim Kajtazi- Endrra e thyer Besim Xhelili- Fragmente të një zemre të dalldisur Hasan Qyqalla & Mustafë Krasniqi- Legjenda e dhembjes së heshtur Drilon Gashi- Rrugëtim publicistik.

 Përveç promovimeve, pjesëmarrësit u befasuan edhe me një pikë muzikore, nën performancën e shkrimtarit Driton Gashi, që përveç se shkrimtar, ai pohoi se muzikën e kishte pasion të kamotshëm.

Me këngën ‘’Këtu s’do jem’’, të shkruar nga Dritëro Agolli, ai argëtoj publikun e pranishëm.

Krejt për fund Hasan Qyqalla u shpreh i entuziazmuar me mikpritjen që institucionet shtetërore po i bëjnë mërgatës.

Me këtë event, përfundoi edhe edicioni i “Ditëve të Diasporës”, që edhe këtë herë ka argëtuar mërgimtarët tanë me evente të ndryshme, si koncerte, takime letrare etj. / KultPlus.com