Kompleti i veprave të Basri Çapriqit promovohet edhe në Ulqin

Shkruan: Vediha Gjoni

Fotografitë: Ardian Taipi

Basri Çapriqi, poeti i lirikave të thella me figuracion të pasur e unik në poezinë shqipe, i konsideruar si poeti i detit, tashmë më afër lexuesit të tij, kjo falë botimit të plotë të veprës së tij poetike, studimore e publicistike nga Pen Qendra e Kosovës. Ky komplet është produkt i një pune serioze të miqve e kolegëve të poetit, në përkujdesjen e të cilëve, vepra e poetit e profesorit të ndjerë, ribotohet e plotë dhe pa ndryshime, pra ashtu siç i ka shkruar ai.

Pas një promovimi fantastik në Prishtinë në ambientet e Kult Plus, e cila gjithmonë i mbështet dhe është nikoqire e eventeve të tilla, radhën e kishte Ulqini, Itaka shpirtërore e poetit, së cilës ai i ka kushtuar vargjet më të bukura. Eventi i organizuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, në bashkëpunim me PEN Qendrën e Kosovës dhe Ambasadën e Republikës së Kosovës, mblodhi miq, kolegë e dashamirës së punës e veprimtarisë së Basri Çapriqit. Pjesëmarrjes masive të bashkëvendasve të poetit, ia shtuan hijeshinë pjesëmarrja e miqve e kolegëve të tij nga Prishtina, të cilët u shprehën se me Ulqinin ruajnë lidhje të fortë shpirtërore sepse ndër të tjerash në Ulqin gjejnë gjurmë të mikut të tyre të ndjerë.

Nën moderimin e gazetarit Ismet Kallaba, audiencës iu drejtuan personalitete të shquara të fushës së letërsisë të cilët potencuan rëndësinë e botimit të këtij kompleti, si një ure e re komunikimi mes poetit e lexuesve të tij.

Të pranishmit i përshendeti znj.Ariana Zherka-Hoxha, ambasadore e Kosovës në Mal të Zi. Ajo i falenderoi të pranishmit e gjithashtu ata që kontribuan në botimin e këtij kompleti.

Fjalën e mori kryetari i PEN Qendrës së Kosovës, Binak Kelmendi, njëherit mik e bashkëpuntor i poetit. Përmes fjalës së tij përshendetëse, ai u shpreh i gëzuar që ishte mes miqsh të Basriut e poezisë së tij e gjithashtu falenderoj të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre në mënyrë që ky projekt të finalizohej dhe lexuesit t’i dhurohej një komplet i nivelit të tillë.

Të pranishmit i përshëndeti, profesori Sali Bashota, i cili me Basriun përveçse koleg, ishte mik i afërt për rreth katër dekada. Përmes emocioneve, ai kujtoi takimin e parë me Basriun në tetor të vitit 1978, kur së bashku filluan studimet dhe rrugën e tyre në fushën e letërsisë, e që nga ajo ditë e deri kur Basriu u largua në amëshim, ishin të pandarë. Ishin të pandarë si studentë e si miq e pastaj edhe si kolegë, e prandaj mungesën e Basriut, profesori Bashota tregoi që e ndjen çdo ditë, qoftë në sallat e fakultetit e qoftë në kafenë e përditshme, me të cilën shoqëronin bisedat e tyre të larmishme për artin, letërsinë e shumëçka.

Profesori Ibrahim Berisha, përveç vlerave të larta artistike e poetikës së veçantë së Çapriqit, shpalosi gjithashtu edhe aspekte të Basriut, si një njeri intelektual e me vizione të qarta mbi jetën e lirinë.

Profesori Osman Gashi, foli për një anë tjetër të veprimtarisë së Basri Çapriqit, atë të kritkut e studiuesit të letërsisë. “Mikrostruktura e tekstit” e “Simboli dhe rivalët e tij”, janë studime të rëndësishme të tij, por edhe studime me rëndësi të lartë në kontekstin e gjithë studimeve letrare dhe një referencë e mirë për të gjithë studentët e studiuesit e letërsisë. Përveçse poet, ai kishte edhe dije të gjërë teorike mbi letërsinë, gjë që e vërteton vepra serioze studimore të cilën na e ka lënë trashëgimi Basri Çapriqi. Gashi, si mik i tij, e kishte të pamundur që fjalës së tij përshëndetëse, të mos i jepte edhe ngjyresa personale e nostalgjike. Ndër të tjerash, ai tregoi që me Basriun ruan kujtime të shumta, mirëpo ai tregoi një pjesë nga ato, kur në të gjallë të poetit ai vinte shpesh në Ulqin dhe pritej përzemërsisht nga ai, si zot shtëpie. E në fakt “zot shtëpie”, ndonëse jo më fizikisht, ai ishte edhe në këtë event. Këtë gjë e dëshmon prania e të gjithë pjesëmarrësve të cilët janë mbledhur për ta kujtuar Basriun si njeri, poet e mik.

Përkthyesi i Çapriqit, Qazim Muja, përmes një analize serioze të poezisë së Basriut, nënvizoi që poezia e tij i takon llojit të veçantë të poezisë duke e bërë atë poet të kalibrit të lartë dhe me peshë në letërsinë shqipe. Simboli, ironia e gjithë poezia e tij, është unike dhe si e tillë meriton vëmendjen e kritikës shqipe për ta studiuar si tërësi. Si përkthyes, i Basriut, ai tregoi edhe për impaktin që kishte poezia e tij edhe në gjuhën joamtare duke tërhequr edhe  vëmendjen e lexuesit malazez.

Këtij eventi, nuk kishte si t’i mungonin vargjet e Basriut dhe ato i solli nxënësja Lirjona Mehmeti, e cila recitoi disa poezi, ndër to :”Dritaren lëre hapur”, “Dhoma ime në Ulqin” e “Kontributi im për revolucionin është zero”. Janë këto poezi përfaqësuese të poetit, të cilat u sollën sërish në kujtesën e të pranishmëve me anë të Lirjonës.

Moment poashtu emocionues, ishte edhe fjala e poetit Ibrahim Berjashi i cili i rrënqethi të gjithë duke lexuar poezinë e tij “Heshtje te fiku I moçëm”, poezi kjo e dedikuar për Basriun.

Në këtë event i cili përkujtoi Basriun por edhe Sazanën, të pranishëm ishin edhe fëmijët e tyre,Bulza e Bindi, të cilëve emocioni e krenaria iu lexohej në fytyrë. Bulza, përmes fjalës së saj përshendetëse, përmendi edhe rolin emocional që kishte ky promovim në Ulqin, sepse këtu babi i saj filloj aktivitetin e tij si poet, e ruajti gjithmonë lidhjet e fuqishme.

Në fund, PEN Qendra e Kosovës i dhuroi kompletin e Basriut, ambasadores Hoxha,poetit Ibrahim Berjashi dhe autorit Asllan Bisha.

Lexuesi nga Ulqini, kompletin e veprës së Basri Çapriqit mund ta gjejnë në librarinë “Ulqini”.

Për veprën e Basriut, kritika letrare është akoma në fillim të rrugës së vet, mirëpo jemi të bindur që ky botim do rizgjojë vëmendjen e saj. Aq më tepër jemi të bindur që Basriu tashmë do fitojë lexues të rinj sepse nëse për bashkëkohësit e tij, botimi i këtij kompleti nënkupton një ribashkim me poezinë e shpirtin e tij, kurse për ata të cilët i takojnë një brezi më të ri, nënkupton njohjen me të, përmes veprës së tij. Botimi i këtij kompleti, më së shumti e gëzon Ulqinin, të cilin Basri Çapriqi e ka përfaqësuar e shpalosur më së miri në aradhën e letrave shqipe.

Basri Çapriqit, letërsia shqipe i detyrohet shumë. I detyrohet që ai të mos kujtohet vetëm në evente e përvjetore, por ta kujtojmë duke e lexuar artin e bukur që ai la pas sepse përmes tij, poeti bëhet i pavdekshëm. Si njeri i cili e donte jetën, jam e bindur që ai nuk do dëshironte ta kujtonim me tone elegjiake, por ta kujtonim duke e lexuar e duke humbur në vargjet e tij. E ne të gjithë ia kemi borxh ta kujtojmë duke e lexuar e kur një mik, koleg apo i njohur na kërkon t’ia sugjerojmë një poet të mirë për lexim, ne ta sugjerojmë Basri Çapriqin./KultPlus.com

Ulqini sivjet hap sezonin turistik më 12 maj

Qyteti i Ulqinit tradicionalisht si çdo vit e hap sezonin turistik më 1 maj. Kjo datë për vite me radhë konsiderohet si fillim i sezonit, ku secili hotel dhe objekt hap dyert për të pranuar turistët e parë.

Krahas kësaj, dikush përkujdeset që në këtë qytet turistik ta mbajë gjallë edhe frymën e organizimit të aktiviteteve të ndryshme nga sfera e kulturës.

Është kjo “Organizata Turistike e Ulqinit” e cila edhe sivjet po vazhdon me organizimin e aktiviteteve të  shumta kulturore, zbavitëse si dhe atyre sportive.

Në kuadër të manifestimit “Të gjithë për turizëm”, duke filluar nga 12 maji fillon cikli i organizimit të koncerteve ku të parët performojnë Ledri Vula dhe Kida, si dhe David Dreshaj dhe DJ Danko.

“Më 13 maj do të performojë grupi Sevdah baby dhe Ivana Vladoviq, ndërsa më 20 maj në Ulqin do të mbahet koncerti i grupit të njohur nga Bosnja dhe Hercegovina, Hari Mata Hari, i cili edhe karierën e vet muzikore e ka filluar në vitin 1985 pikërisht në qytetin e Ulqinit”.

“Ftojmë të gjithë qytetaret të na bashkëngjiten në këto ditë festive ku gjatë tërë muajit do te kemi edhe shumë aktivitete siç janë Teqballi në Ulqin, Pranvera në Anë të Malit, Netët e klipit shqiptar, si dhe shumë e shumë evente të tjera”, thuhet në një njoftim të Organizatës turistike./Klankosova.tv/KultPlus.com

Prezantohet projekti i urës që do të shkurtojë distancën në mes Velipojës dhe Ulqinit (VIDEO)

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë të ditur se Shqipëria dhe Mali i Zi kanë rënë dakord për ngritjen e një ure mbi lumin Buna.

Kjo urë e cila do të jetë e gjatë 310 metra, do të shkurtojë distancën mes Velipojës dhe Ulqinit.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar sot projektin i cili do të financohet nga dy qeveritë.

“Me projektin e “Urës mbi Bunë”, një projekt i bërë gati për zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili do të bashkëfinancohet nga dy qeveritë, për të lidhur vendet tona duke shkurtuar distancën mes Velipojës e Ulqinit nga 73km në 300m, si edhe duke i dhënë një shtysë të re lirisë së lëvizjes, turizmit dhe ekonomisë ndërkufitare, ju uroj një ditë të bukur”, ka shkruar Rama.

Projekti i prezantuar nga kryeministri Edi Rama dhe Dritan Abazoviq, në Ohër vitin e kaluar, pritet të ndërtohet në gusht të vitit 2024. /KultPlus.com

‘DailyMail’ shkruan për nënën e Rita Orës: Paraqitje përrallore e Verës teksa pozon buze lumit Buna

Nëna e Rita Orës, Vera, 58 vjeçe, tregon figurën e saj me rroba banje portokalli, teksa thith rrezet e diellit gjatë pushimeve – disa ditë pasi vajza e këngëtares u martua me regjisorin Taika Waititi.

Dhe Vera Ora pas festimeve shfaqet gjatë pushimeve në fotot e reja të publikuara në Instagramin e saj.

Psikiatrja e NHS, dukej përrallore me bikini portokalli teksa pozonte buzë lumit Buna, i cili përshkon Shqipërinë dhe Malin e Zi, shkruan DailyMail.

Vera e bashkoi veshjen e saj me syze dielli të errëta dhe sandale të zeza.

Një tjetër imazh e shfaq atë duke shijuar një pije të nxehtë teksa pozonte përballë sfondit idilik.

Dhe një tjetër foto, Vera pozon me bashkëshortin e saj, babain e Ritës, Besnik Sahatçiu.

Arratisja plot argëtim vjen pasi vajza Rita u martua me regjisoren Taika Waititi në një ceremoni intime në Londër, sipas raportimeve, ku të dy u fotografuan me unaza ari në gishta. / KultPlus.com

Ndahen çmimet e Panairit të Librit në Ulqin

Ky vit shënjoi 21-vjetorin e Panairit të Librit në Ulqin, një event i rëndësishëm i kulturës së rajonit, që ka bërë bashkë librin shqip nga të gjitha hapësirat shqipfolëse, duke pasur një kontribut në përsosjen e gjuhës shqipe përmes leximit.

Një numër i madh shtëpish botuese, institucione kulturore dhe përfaqësues të letrave nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, etj., kanë sjellë në këtë panair botimet më të fundit.

Promovime librash, diskutime, konferenca kanë shoqëruar ditët e këtij panairi.

Mbrëmjen e djeshme u bë ndarja e çmimeve të panairit të 21-të të Librit “Ulqini 2022”. Çmimi “Dega e Ullirit” shkoi për shkrimtarin Xhahid Bushati për përmbledhjen me vjersha “Trumcak bredharak” (Mediaprint). Çmimi “Servantes” shkoi për Erion Gjatollin, për përkthimin nga italishtja të romanit “Ethet” të Jonathan Bazzi (Toena). Çmimi “Liburnia” shkoi për shkrimtarin Ridvan Dibra, për romanin “Gruaja që deshe” (Onufri). Çmimi “Olcinium” shkoi për Fatmir Toçin, autor i “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit” (Toena).

Çmimet iu dorëzuan fituesve nga personalitete të kulturës së shkruar, që ishin të pranishëm: nga drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit Alda Bardhyli, shkrimtari Odise Kote, botuesi Bujar Hudhri, akademik Neritan Ceka.

Juria që mori në analizë këtë herë prurjet e shtëpive botuese pjesëmarrëse në panair, përbëhej nga personalitete të fushës: Arta Marku Qëndro (kryetare), Dorian Koçi (anëtar), Ismet Kallaba (anëtar).

Nesër do të jetë dita e fundit e edicionit të 21-të të panairit të Ulqinit./atsh/ KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës mbrëmë në Ulqin ka bërë hapjen e edicionit të 35 të Festivalit “Skena Verore”

Baleti Kombëtar i Kosovës mbrëmë në një atmosferë të bukur në Ulqin, ka bërë hapjen e edicionit të 35 të Festivalit “Skena Verore”.

BKK e ka bërë hapjen me shfaqjen “Tanzminiaturen&Tangata” me koreografi nga Ricardo Fernando.

Shfaqja e mbrëmshme në Ulqin, i dha fund turneut të shfaqjeve të BKK nëpër disa qytete në Kosovë dhe rajon. / KultPlus.com

Të gjitha detajet: Si do të afrohet Ulqini me Velipojën në fare pak minuta

Plani i Shqipërisë dhe Malit të Zi është që, deri në vitin 2024, së bashku të ndërtojnë një urë mbi lumin Buna, e cila do të lidhë Ulqinin – komunën më jugore të Malit të Zi dhe vendpushimin e Velipojës në Shqipëri.

Ura e gjatë 310 metra do të shkurtojë rrugën nga Plazhi i Madh i Ulqinit deri në Velipojë, nga 70 kilometra sa janë tani, në vetëm disa sosh. Projekti u prezantua nga kryeministri i Malit të Zi dhe ai i Shqipërisë, Dritan Abazoviq dhe Edi Rama, gjatë samitit të “Ballkanit të Hapur” në Ohër.

Ndërtimi i urës mbi Bunë dhe lidhja e dy qendrave të mëdha turistike, do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme për Ulqinin dhe për zhvillimin e turizmit, tha për Radion Evropa e Lirë aktivisti civil nga Ulqini, Xhemal Peroviq.

Përveç shkurtimit të ndjeshëm të rrugës mes brigjeve të dy vendeve, Peroviq thekson afrimin e tregjeve turistike të Shqipërisë, Greqisë, Kosovës dhe më gjerë.

“Turizmi modern është ai udhëtues. Turistët nga perëndimi dhe lindja e shohin Ballkanin si një destinacion unik. Kur planifikojnë, ata tani qëndrojnë në një vend për një kohë shumë më të shkurtër, duke dashur të vizitojnë sa më shumë destinacione”.
Në këtë kontekst, thotë Peroviq, rrugët moderne po fitojnë rëndësi.

Draftprojekti i urës mbi Bunë

Sipas projektit, ura mbi lumin Buna do të lidhë vendbanimet Shën Nikolla në Ulqin dhe Pulaj mbi Velipojë.

Gjatësia e urës do të jetë 310 metra, ajo do të ketë dy korsi të gjera më pak se katër metra dhe do të përfshijë trotuare dhe shtigje për biçikleta.

Ura e planifikuar mbi lumin Buna

Lartësia mesatare e urës në raport me nivelin më të lartë të ujit do të jetë rreth 10 metra për të mos ndërhyrë në qarkullimin lumor. I gjithë projekti do të kushtojë nëntë milionë euro dhe ndërtimi do të zgjasë rreth 18 muaj.

Ura do të vendoset mbi degën e lumit Buna në dy degë që formojnë vendbanimin ekskluziv turistik të Ada Buna në Mal të Zi.

Plazhi i Madh i Ulqinit dhe vendpushimi turistik i Velipojës në Shqipëri janë vetëm disa kilometra larg, në vijë ajrore, dhe përshkohen ndërmjet nga lumi Buna.

Për të kaluar nga një pozicion në tjetrin me transport, tani duhet të kalohen rreth 70 kilometra, pra nga Ulqini në veriperëndim deri në pikën kufitare të Sukobinës dhe më pas përmes Shkodrës në Shqipëri, në jug deri në Velipojë.

Me ndërtimin e urës, Ulqini dhe Velipoja do të jenë vetëm pak kilometra larg. Këto dy zona së bashku kanë rreth 34 kilometra plazhe me rërë.

Projekti i dy kryeministrave, të Malit të Zi dhe Shqipërisë

Gjatë prezantimit të projektit të përbashkët në Ohër, kryeministri Dritan Abazoviq tha se Mali i Zi në buxhetin e këtij viti ka ndarë tre milionë e gjysmë euro për ndërtimin e urës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ai i Malit të Zi, Dritan Abazoviq gjatë prezantimit të projektit për urën mbi lumin Buna, Ohër, 08 qershor 2022.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ai i Malit të Zi, Dritan Abazoviq gjatë prezantimit të projektit për urën mbi lumin Buna, Ohër, 08 qershor 2022.

Ai pret që në fillim të shtatorit të nënshkruhet një Memorandum bashkëpunimi me Shqipërinë, i cili do të specifikonte detyrimet e të dyja palëve.

“Ura është e rëndësishme, jo vetëm për shkak të reduktimit të rrugës që lidh dy qytetet dhe dy vendet, por edhe sepse kjo zonë ka potencialin si një atraksion turistik”, tha Abazoviq.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, theksoi nevojën për të specifikuar buxhetin për këtë investim dhe për të arritur një marrëveshje në përputhje me të.

“Ne jemi për. Edhe projekti është fantastik”, tha ai.

Rama theksoi, gjithashtu, se Shqipëria tashmë po ndërton një rrugë që lidh Velipojën me qytetin e Shëngjinit në jug të Shqipërisë.

Lartësia mesatare e urës në raport me nivelin më të lartë të ujit do të jetë rreth 10 metra për të mos ndërhyrë në qarkullimin lumor.
Lartësia mesatare e urës në raport me nivelin më të lartë të ujit do të jetë rreth 10 metra për të mos ndërhyrë në qarkullimin lumor.

Lidhja e Kroacisë, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Greqisë

Ish-kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, i cili është edhe afarist nga ky qytet, kujton se ura ishte planifikuar para katër vjetësh, porse askush nuk i dëgjoi për të filluar me ndërtimin.

“Ky territor kah deti, do të lidhej si rajon i përbashkët. Turistët e sotëm, ndërsa janë me pushime, duan t’i vizitojnë dy-tri shtet. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për turistët që vijnë në Mal të Zi për të shkuar në Shqipëri dhe Kroaci”, thotë Cungu.

Ai mirëpret lëvizjen e dy qeverive dhe beson se ura do të përfundojë siç është planifikuar.

“Kjo është një nevojë e madhe. Mali i Zi, Shqipëria dhe madje edhe Greqia dhe Kroacia janë destinacione ajrore. Me këtë urë po afrohen edhe aeroportet”.

Siç thanë për Radion Evropa e Lirë në Ministrinë e Investimeve Kapitale të Malit të Zi, këtë vit do të nënshkruhet Memorandum bashkëpunimi për realizimin e këtij projekti.

“Me këtë dokument do të specifikohen të gjitha detajet sa i përket shumës dhe ndarjes së kostove, mënyrës së përzgjedhjes së kontraktorit dhe dinamikës së punimeve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Po nga kjo ministri thanë se, për momentin, nuk kanë më shumë informacione.

“Kemi komunikim të mirë dhe të vazhdueshëm me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë dhe presim intensifikimin e aktiviteteve për këtë projekt”.

Gjatësia e urës mbi lumin Buna do të jetë 310 metra, do të ketë dy korsi të gjera më pak se katër metra dhe do të ketë trotuare dhe shtigje për biçikleta.
Gjatësia e urës mbi lumin Buna do të jetë 310 metra, do të ketë dy korsi të gjera më pak se katër metra dhe do të ketë trotuare dhe shtigje për biçikleta.

Sipas prezantimit të publikuar në Ohër, projekti teknik i urës, përgatitja e buxhetit, lejet e ndërtimit duhet të përfundojnë deri në shkurt të vitit 2023. Më pas vijojnë punimet ndërtimore. Ura duhet të jetë funksionale nga gushti i vitit 2024.

Ura në Bunë mund të jetë pjesë e autostradës Adriatik-Jon

Aktivisti civil, Xhemal Peroviq, dyshon se ura do të ndërtohet kaq shpejt, sepse bëhet fjalë për një projekt që u përket dy vendeve.

“Për shembull, ndërtimi i rrugës nga Shkodra në Guci, gjithashtu një projekt i përbashkët i Shqipërisë dhe Malit të Zi, është zgjatur. Por, gjëja më e rëndësishme është të ecim përpara”, thotë ai.

Ai pret që ura të jetë pjesë e autostradës së ardhshme Adriatik-Jon.

“E di me siguri që Shqipëria e shpalli këtë rrugë si pjesë e autostradës Adriatik-Jon, e cila do të shkonte në afërsi pas Ulqinit dhe mbi urën e Bunës. Ndërkaq, Mali i Zi, më herët, preferonte që ajo të shkonte në veri, nga Podgorica, përmes Bozhajt në Shkodër, gjegjësisht në pjesën kontinentale”.

Sipas tij, është e palogjikshme që autostrada të largohet nga bregu dhe të zgjatet.

Autostrada Adriatik-Jon është një korridor qarkullimi, për të cilin flitet prej dy dekadash, si një projekt që do të lidhë Slloveninë, Kroacinë, Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë.

Radio Evropa e Lirë

Hapet ekspozita “Hasan Prishtina në dokumentet arkivore” në Ulqin

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup hapën sot në Ulqin ekspozitën “Hasan Prishtina në dokumentet arkivore”.

Ekspozita, e hapur në ambientet e Librarisë “Ulqini”, pasqyron veprimtarinë e patriotit Hasan Prishtina me rastin e 100-vjetorit të marrjes së detyrës si kryeministër i Shqipërisë.

Në këtë aktivitet mbajtën fjalë përshëndetëse kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika, përfaqësuesi i trungut familjar Hasan Prishtina, Mehmet Prishtina, drejtoresha e Komunikimit në DPA, Elsa Saka dhe drejtori i Institutit, Skënder Asani.

Kjo ekspozitë përmban materiale që ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror dhe që flasin mbi veprimtarinë e Hasan Prishtinës në periudhën parashtetërore, ndihma në organizimin e kryengritjeve antiosmane në territoret e Vilajetit të Kosovës dhe mbi mbështetjen e zhvillimit të arsimit shqip.

Në këtë aktivitet Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup i dhuroi librarisë së parë shqipe në Malin e Zi, e hapur së fundmi në qytetin e Ulqinit, mbi 100 tituj nga fondi i tij botues.

Shumë shpejti DPA do të jetë përsëri në këtë ambient për të hapur Këndin Arkivor Ulqin. / KultPlus.com

Shpella e Haxhi Aliut në Karaburun, destinacion i të apasionuarve pas zhytjes

Ende në ditët e sotme, shpella e Haxhi Aliut mbështillet nga legjendat e misteret.

Më lartësi 18 metra mbi nivelin e detit, shpella e ndodhur në skajin veriperëndimor të Kepit të Gjuhëzës, është kthyer në një destinacion turistik dhe vizitohet çdo ditë nga turistë të shumtë.Gojëdhënat flasin për një lundërtar të guximshëm në fillim të shekullit XVII siç ishte Haxhi Aliu nga Ulqini.

Së bashku me të birin e tij, ai strehohej në këtë shpellë nga ku luftonte piratët e shumtë që endeshin brigjeve të Jonit, duke bashkëpunuar me barinjtë e kapedanët vendas të bregut.Hapësirat e brendshme të shpellës janë shumë të mëdha. Gjatësia brenda shkon në rreth 30 metra dhe thellësia në gati 10 metra.

Këtu mund t’a gjejnë veten jo vetëm të apasionuarit pas lundrimit e zhytjeve, por dhe ata që kanë dëshirë të shohin stalaktiket mijëravjeçare në paretet shkëmbore. 

Mënyra më efikase për të vizituar këtë vend janë mjetet detare si anije dhe varka.Gadishulli i Karaburunit është kthyer gjatë viteve të fundit një ndër atraksionet turistike më të frekuentuara nga turistët e huaj dhe vendas për shkak të bukurive natyrore dhe të vendeve mjaft të veçanta që ofron.

Një ndër vendet më të bukura në këtë gadishull ku përveç historisë të mahnit dhe me pamje e e saj mistike është shpella e Haxhi Aliut. / KultPlus.com

Kosova padit Malin e Zi, kërkon kthimin e 4.500 metrave katrorë

Vijesti shkruan se Ministria e Drejtësisë së Kosovës ka ngritur padi kundër Komunës së Budvës, në Mal të Zi dhe kompanisë “Sunraf Beach Areas”, duke kërkuar kthimin e 4 mijë e 500 metrave katërorë tokë në shtëtitoren “Rafailoviq”, vend ku dikur ishte vendosur një vendpushim për fëmijë.

Komuna e Budvës, sipas Vijestit, e përfaqësuar nga Sekretariati për Mbrojtjen e Pronës, i kryesuar nga Nikola Plamenac, kundërshtoi procesin gjyqësor, duke kërkuar nga gjykata ta hedhë poshtë atë si të parregullt.

Padia që kanë bërë institucionet e Kosovës ndërkaq thotë se ata kanë blerë vendpushimin me emrin “Ganimete Tërbeshi”, gjashtë dekada më parë.

Padia për përcaktimin e të drejtave pronësore, u paraqit në Gjykatën Themelore të Kotorrit.

Ministria e Drejtësisë të Kosovës, po kërkon që gjykata e Kotorrit të lëshojë një masë të përkohshme që ndalon hedhjen dhe tjetërsimin e tokës deri në përfundimin e mosmarrëveshjes gjyqësore.

BUDVA

Vendpushimi më vonë u emërua “Lahor”, sipas ndërmarrjes me të njëjtin emër nga Prishtina.

Pas luftës së fundit në Kosovë, selia e ndërmarrjes nga Prishtina u zhvendos në Malin e Zi dhe më pas u privatizua ose u shit.  Ndërtesa e rrënuar e ish-vendpushimit u shkatërrua dhe filloi ndërtimi i një ndërtese shumëkatëshe.

Institucionet e Kosovës në padi theksojnë se janë pronar të pronës së përmendur dhe si provë kanë bashkëngjitur një marrëveshje blerjeje të lidhur më 22 mars 1961 në Gjykatën e Qarkut në Kotor, kur ngastra prej 4,555 metra katrorë ishte blerë.

Nga Komuna e Budvës ndërkaq thanë se nga provat e bashkëngjitura nga pala kosovare nuk është e mundur të nxirret një përfundim me siguri në lidhje me ekzistencën e kartës identifikuese aktive të paditësit në lidhje me parcelat e diskutueshme.

“Çështja nëse paditësi është” pasardhës “i SAP Kosova nuk është subjekt i së drejtës private ndërkombëtare, por është një çështje e karakterit të së drejtës publike ndërkombëtare dhe gjykata nuk është kompetente për t’i dhënë një përgjigje “kësaj pyetje “, thuhet në përgjigje.

Komuna tutje është e mendimit se pretendimi nuk ka asnjë bazë ligjore.

” Të gjitha dekretet, urdhrat dhe rregulloret e tjera të lëshuara nga UNMIK, si Administratë e Përkohshme e Misionit të KB në Kosovë, nuk mund të zbatohen në territorin e Malit të Zi, veçanërisht në mosmarrëveshjet në lidhje me blerjen, përfundimin, përmbajtjen dhe ushtrimin e të drejtave reale të pronave të paluajtshme, sepse në atë rast, ligji i zbatueshëm është ai i shtetit në të cilin ndodhet çështja ”, thuhet në përgjigjen e padisë.

Qeveria e Kosovës po kërkon kthimin e 172 pronave, nga të cilat 42 të paktën janë në Mal të Zi. /gazetaexpress/ KultPlus.com

Në Ulqin 20 herë më pak turistë se vitin e kaluar

Qyteti shqiptar në Mal të Zi, Ulqini, është prej destinacioneve të pëlqyera turistike për qytetarët e Kosovës. Por për shkak të pengesave në kufi, pak kosovarë po pushojnë aktualisht në këtë qytet bregdetar. Dhe kjo, ndër të tjera, ka ndikuar që numri i turistëve në Ulqin të jetë fare i vogël.

Sipas të dhënave zyrtare, në Ulqin aktualisht janë duke pushuar 2000 turistë. Sipas gazetës malazeze “Vijesti”, ky numër është 20 herë më i vogël se ai i turistëve që ishin vitin e kaluar në periudhë të njëjtë.

Vjet në të njëjtën kohë në Ulqin ishin afro 42 mijë turistë, sipas të dhënave të agjencisë lokale turistike.

“Më së shumti mysafirë janë të paraqitur në akomodim privat, më shumë se 1600. Në hotele po qëndrojnë 380 turistë, ndërsa në kampe 21. Prej numrit të përgjithshëm, mysafirë të vendit janë 157, kurse të huaj 1859”, ka njoftuar Vijesti.

Situata me koronavirus natyrisht është arsyeja kryesore për këtë rënie të jashtëzakonshme. Për kosovarët hyrja në Mal të Zi lejohet vetëm duke prezantuar një test negativ për COVID-19. Për shumë shqiptarë që jetojnë në vendet evropiane hyrja në Mal të Zi nuk është e ndaluar. Por shumica e shqiptarëve që jetojnë në Evropë kanë limituar edhe pushimet në vendlindje për shkak të gjendjes së krijuar, përkatësisht rritjes së madhe të shifrave të të infektuarve në javët e fundit.

Në Ulqin s’ka të infektuar me COVID- 19, i presin turistët nga Kosova

Këtë vit për shkak të pandemisë çdo gjë sa i përket turizmit është vonuar.

Kryetari i Komunës së Ulqinit Loro Nrekiq, tha se në Ulqin nuk ka të infektuar dhe ata po i përmbahen masave që janë marra nga qeveria qendrore e Malit të Zi.

“Me masat e reja ne mund të presim 100 mijë turistë. Ne i ftojmë turistët kosovarë që të vizitojnë turistët, ne kemi marrë të gjitha masat dhe për të ruajtur distancën”, tha ai.

Sipas tij Ulqini dhe Mali i Zi varet nga turizmi. “Nga nesër do të fillojnë të punojnë të gjitha në Mal të Zi. Ne presim të hapen kufijt, kosovarët janë të mirëseardhur, ata vijn në shtëpinë e tyre”, tha ai. /rtklive/ KultPlus.com

Ministria e Kulturës aprovon vendosjen e shtatores së Skënderbeut në Ulqin

Shtatorja e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti- Skënderbeu që parashihet të vendoset në një bulevard me emrin e njëjtë në Ulqin, do të jetë e gjatësisë 1.5 metra e vendosur në një bazament prej 3.5 metrash.

Ministria e Kulturës i ka dhënë leje komunës së Ulqinit që kjo shtatore të jetë vetëm 1.5 metra, ka bërë të ditur kryetari Loro Nrekiqi për mediumin “Vijesti”, transmeton Koha.net.

Me projektin e arkitekti ulqinak Shpëtim Malaj, në shtatoren e heroit kombëtar do të shkruhet emri i tij, data e lindjes dhe e vdekjes.

Afati për vendosjen e shtatores është muaji mars i këtij viti, derisa fondet për ndërtimin e shtatores janë siguruar nga shoqatat “Simon Filipaj“ dhe “Don Gjon Buzuku”.

Shtatorja e Skënderbeut do të jetë replikë e asaj në Tiranë dhe Prishtinë, përveç se me dimensione më të vogla. / KultPlus.com

Anija liburne e ilirëve, kthehet në Ulqin

Grupi iniciues punues në përbërje: Gazmend Çitaku – studiues, Ilir Çapuni – matematikant, Sami dhe Naim Flamuri – veprimtarë, Muho Uruçi – arkitekt, Ammar Tivari – inxhinier i anijendërtimtarisë, Arsllan Hajdinaga – ECC dhe Anton Lulgjuraj – arkeolog u mblodhën dhe diskutuan rreth mënyrës së qasjes së problemit si dhe gjetjet e zgjidhjeve të mundshme dhe më reale për identifikimin dhe ndërtimin e maketit të anijes ilire ulqinake.

Në bazë të gjetjeve arkeologjike, Ulqini është vendos në hartën e vendbanimeve të neolitit kurse dihet se themelet e kështjellës datojnë nga shekulli V-IV para erës së re, gjë që e dëshmon muri ciklopik në pjesën veriore të kështjellës dhe popullsia e kësaj treve duke jetuar pranë detit pa asnjëfarë dyshimi të bien në përfundim se veprimtaria kryesore jetësore e tyre ka qenë puna e lidhur me detin si peshkimi, lundrimi por edhe veprimtaritë tjera jetësore detare.

Hapësira nënujore ulqinake është e pasur me mbetje të anijeve të fundosura që nga antikiteti e deri në ditët e sotme. Vetëm në Gjirin e Valdanosit janë të identifikuara disa sosh që i përkasin një shtrirje të gjerë kohore. Zhytësit amator të cilët kanë një sy më të mprehtë mund të identifikojnë mbetje dhe copëza qeramike që i përkasin amforave antike por edhe qypave dhe enëve të ndryshme të qeramikës të periudhave të ndryshme kohore. Gjithashtu copëza e nganjëherë edhe amfora të padëmtuara janë gjetur edhe në lokalitete arkeologjike nënujore tjera si rreth kështjellës së Ulqinit, në grykëderdhjen e lumit Buna, në ishullin Guri i Gjeranave, por edhe në vende tjera.

Historiografia njeh liburnën ilire nga pamja e paraqitur nëpër monedhat e fisit të Daorsëve dhe Labeatëve por për çudi asnjë nga historianët tanë nuk është marrë në mënyrë serioze me shpjegimin më detaj të karakteristikave të këtyre anijeve. Andaj duke u bazuar në numizmatikën ilire, gjetjet e anijeve me amfora në bregdetin shqiptar por edhe atë të Mali të Zi, të dhënat historiografike të autorëve antikë por edhe autorëve të kohëve tona por duke mos harruar edhe traditën gojore Grupi punues morri përsipër një detyrë jo të lehtë hulumtuese por me entuziazëm të rrallë so me vullnet të mirë çdo gjë do arrihet.

Duke identifikuar problematikën, sipas profesioneve dhe prirjeve, u ndanë edhe detyrat primare hulumtuese si dhe u sollën disa vendime:

1. Grupi iniciues u pajtua që ky grup duhet të zgjerohet dhe t’i bashkëngjiten edhe studiues të profileve të ndryshëm e që kanë të bëjnë me detarinë, arkeologjinë nënujore, historinë e anijendërtimtarinë.

2. Të organizohet në fund të muajit shtator një ekspozitë e cila në vete do të përmbajë: a. Ekspozitë me modelet e anijeve të punuara nga modelistët ulqinakë b. Ekspozitë e dokumenteve dhe fotografive që kanë të bëjnë me detarinë ulqinake c. Ekspozitë e pjesëve të anijeve dhe çdo gjë që ka të bëjë me anijen.

3. Vizitë pune dhe njoftimi me veprimtarinë e njëjtë në Communa di Silvi (Itali), Omish (Kroaci) dhe Durrës (Shqipëri)

4. Detarizimi i lagjes Rana

5. Realizimi i maketit të anijes antike ulqinake në përpjesëtim 1:1, e cila do të jetë një atraksion turistik

6. Realizimi i ndërtimit të të gjitha maketeve të mjeteve lundruese me të cilat kanë lundruar ulqinakët nëpër shekuj

7. Muzeu detar. / Shqiptarja.com / KultPlus.com

Kolonia e piktorëve nga vendet e Ballkanit, nis sot në Ulqin

Veprimtaria e Kolonisë së Piktorëve Figurativë të organizuar nga Instituti i Librit dhe i Promocionit në qytetin piktoresk të Ulqinit, nis sot dhe vazhdon deri më 16 shtator.

Kjo Koloni realizohet për të tretin vit, që nga 2014-a, falë bashkëpunimit të frytshëm të Institutit të Librit dhe të Promocionit – Tiranë dhe Komunës së Ulqinit, përfaqësuar nga Organizata Turistike e Ulqinit.

Në këtë Koloni marrin pjesë rreth 40 piktorë nga rajoni i Ballkanit: Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Shkupi, Serbia, të cilët do të vizitojnë qytetin e Ulqinit dhe rrethinat, si një ndër vendet më të frekuentuara dhe ndër pikat më të rëndësishme turistike të rajonit, që zotëron një pasuri të madhe historike-kulturore me arkitekturë romake, gotike dhe orientale. Masivet malore dhe kodrinore, si dhe fusha pjellore, në juglindje dhe lindje të qytetit, do të mund të krijojnë një fushëpamje mbresëlënëse për piktorët figurativë, të cilët do të hedhin në telajo muzën e tyre të frymëzimit.

Kolonia do të finalizohet me hapjen e një ekspozite të punëve të realizuara gjatë kohëzgjatjes së saj, pasditen e të shtunës, më 15 shtator 2018.

Tashmë, Kolonia e Piktorëve është kthyer në një shkollë më vete, ku çdo artist jo vetëm shpreh talentin e tij, por rritet artistikisht e fiton eksperienca të reja.

E zhvilluar jashtë territorit të Shqipërisë, kjo Koloni, me veprimtarinë e vet intensive 4-ditore, rrit bashkëpunimin mes artistëve të rajonit tonë me qëllim promocionin e vlerave më të mira arkitekturore, të peizazhit të veçantë, por edhe të punës artistike të vetë artistëve pjesëmarrës./KultPlus.com

Inva Mula nesër performon në Ulqin

Ulqini do të mirëpresë sopranon me famë ndërkombëtare, Inva Mula, në Festivalin Ndërkombëtar “Belcanto Dolcinio”, shkruan KultPlus.

Festivali ka filluar në Ulqin me datën 7 shtator dhe do të zgjasë deri më 9 shtator, ndërsa sopranoja do të performojë natën e fundit së bashku me pianistin virtuoz Genc Tukiçi, në pjesën e vjetër të qytetit turistik. Aty ku edhe do të kenë mundësi shumë qytetarë ta përcjellin koncertin e Inva Mulës, që do fillojë në ora 20:00.

Mula ka lindur në vitin 1963 ndërsa ka fituar disa konkurse të rëndësishme, përfshirë Operalia, Butterfly në Barcelonë dhe çmimin “Këngëtarja Shqiptare” në fund të viteve 80-të.

Jeta e saj është e ndarë më së shumti mes Francës dhe Shqipërisë. / KultlPlus.com

Sonte hapet në Ulqin ‘Panairi i librit 2018’

Qendra e Kulturës Ulqin në bashkëpunim me Organizatën Turistike – Ulqin si dhe Instituti i Librit – Tiranë, organizojnë “Panairin e Librit 2018”, të 18-in me radhë.

“Panairi i Librit 2018” do të hapet sonte, më 3 gusht, në orën 20:00, në Plazhin e Vogël – Shëtitore.

Si risi e edicionit të 18-të mund të cekët numri i ekspozuesve prej 50 shtëpive botuese dhe librarive në gjuhën shqipe dhe malazeze.

Ndër të tjera, mbrëmja e dytë dhe e tretë e kohëzgjatjes së Panairit do t’i ofrojë publikut të gjerë mbrëmje autoriale kushtuar shkrimtarëve Pavle Goranoviq nga Mali i Zi (04.08.2018., 21:00 h) dhe publicistit Namik Dokle nga Shqipëria (05.08.2018., 21:00 h), në ambientet e Hotelit “Palata Venecia”./ KultPlus.com