Don Marjan Marku u zgjodh kanoniku i parë i huaj në Kishën Zvicerane

Është rasti i parë në Ipeshkvinë e St.Gallenit dhe sipas të gjitha gjasave edhe në Zvicër që një personalitet me prejardhje të huaj që zgjidhet në një post të tillë.

Me një meshë madhështore të zhvilluar në Katedralen e St.Gallenit, u zhvillua ceremonia kishtare e kanonizimit të Don Marjan Markut, famullitarit shqiptar që udhëheq një bashkësi famullitare në Zvicër.

Kanonizimin e ka bërë ipeshkvi i St.Gallenit, Markus Büch.

Kapitulli i Katedrales së Ipeshkvisë së St.Gallenit përbëhet nga pesë kanonikë rezidencialë, të cilët veprojnë si këshilltarë dhe bashkëpunëtorë të ipeshkvit në ordinariat ose në qytetin e St.Gallenit dhe nga tetë kanonikë jorezidentë, të cilët veprojnë si famullitarë në terren të ipeshkvisë, që quhen ndryshe kanonikë ruralë.

Më 6 nëntor kanonikët kanë zgjedhur famullitarin e njësisë pastorale Walensee për kanonik rural. Me këtë zgjedhje, komiteti prej 13 anëtarësh është sërish i kompletuar.

Në solemnitetin që u përshkua nga një prani e madhe shqiptare, morën pjesë edhe një numër priftërinjsh shqiptarë të ardhur enkas nga Ipeshkvia e Kosovës dhe nga misionet katolike shqiptare të Zvicrës.

Po ashtu pjesë e solemnitetit ishte Ansambli “Arbëresha” nga Sirnach-u dhe kori i Misionit Katolik Shqiptar të Zvicrës./albinfo/ KultPlus.com