Ibrahim Rugova në një fotografi të vjetër me artistët shqiptarë (FOTO)

Një fotografi e vjetër për të cilën kërkohen më shumë informacione, duket se i sjell disa emra të njohur për shqiptarët.

Afër Ibrahim Rugovës – Presidentit Historik të Kosovës, janë artistët Adelina Ismaili, BB Poqi, Violeta Rexhepagiqi, Dukagjin Lipa dhe artistë të tjerë.

Fotografia është marrë nga Benet Kaçi, moderator i njohur dikur në Radio Televizionin e Kosovës, i cili edhe vetë është pjesë e fotografisë.

Në fotografi është edhe nëna e Adelina Ismailit, Genc Salihu e Sabri Fejzullahu, ndërsa ka shanse që fotografia daton që nga viti 1997. / KultPlus.com

Si e ndau një mollë, Ibrahim Rugova

Ahmet Selmani

Në vitin e largët 1989, kur isha student në Universitetin e Prishtinës, duke u solidarizuar me minatorët e Trepçës që ishin hedhur në grevë për të mbrojtur autonominë e Kosovës, ne ishim mbledhur në palestrën e sporteve mbi mensën e studentëve. Bashkë me ne, ia behnin edhe shumë profesorë universitarë, studiues, shkrimtarë, intelektualë etj. Në mesin e tyre më pat rënë në sy edhe dr. Ibrahim Rugova, i cili u afrua pranë një grupi studentësh prej 11 vetash, në mesin e të cilëve kisha rastisur edhe unë. Ngaqë nuk kishte vend për të gjithë, ne ishim ulur në parket. Po ashtu, edhe ai u ul këmbëkryq në mes nesh.

Ajo që më bënte përshtypje, ishin cigaret që i ndizte njërën pas tjetrës, qetësia engjëllore e tij, biseda e ngrohtë, modestia e pakundshok. Fliste pa asnjë eufori, por me një urtësi të rrallë. Teksa qëndronte me ne, në një çast më ra në sy se dikush u shpërndante mollë studentëve. Mirëpo, kur u afrua te ne, fatkeqësisht i mbeti vetëm një kokërr. Duke shprehur keqardhje që s’kishte për të gjithë ne, mollën e vetme ia zgjati dr. Ibrahim Rugovës, mbase në shenjë respekti si më i vjetër që ishte. Dhe ai e mori me një qetësi të mistershme duke e ngushëlluar atë që të mos mërzitej fare se do ta ndante bashkë me ne. Të them të drejtën, në fillim e mora si një shaka të tij. Por, pasi e përfundoi bisedën që e kishte nisur, ktheu kokën mbrapa dhe i numëroi sa veta ishim gjithsej përreth tij. Dhe, me gishtat e tij të gjatë e të ashpër e çau mollën përgjysmë. Pastaj ato i ndau në 11 pjesë të vogla dhe të gjithëve na e zgjati nga një copë. Më të voglën e mbajti për vete.

Kështu 11 studentë, si dhe dr. Ibrahim Rugova arritëm ta hanim një kokërr molle. E pabesueshme, por e vërtetë.Kështu u ngulit në kujtesën time ky njeri i jashtëzakonshëm. Dhe më vonë, kur u bë prijës i shqiptarëve të Kosovës, gjithnjë më binte ndër mend ndarja e mollës. Dhe thoja vetmevete: Ky njeri, një kokërr molle e ndan me gjithë Kosovën, e jo më me 11 veta sa ishim ne studentët afër tij. Këtë e dëshmoi deri në frymën e fundit, ai vetëm i dha Kosovës, nuk i mori asgjë./ KultPlus.com