Venhar Sylka, piloti i parë i certifikuar për dronë

Venhar Sylka është certifikuar si piloti i parë për dronë, ka bërë të ditur përmes një njoftimi Autoriteti i Aviacionit Civil.

“Në vazhdën e aktiviteteve rregullatore të parapara me legjislacionin në fuqi më datë 9 tetor 2020 Autoriteti i Aviacionit Civil organizoi për herë të parë provimin për testin e njohurive për sistemet e mjeteve ajrore pa pilot (dronëve) të Kategorisë 3. Këtij provimi i është nënshtruar z. Venhar Sylka i cili ka kaluar me sukses këtë test”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se me këtë rast drejtori i Përgjithshëm i AAC-së, Bujar Ejupi ndau certifikatën e parë për këtë kategori të sistemeve të mjeteve ajrore pa pilot, duke i uruar Sylkës suksese dhe operime të sigurta në të ardhmen.

Operimet e sistemeve të mjeteve ajrore pa pilot (dronëve) janë të rregulluara me Rregulloren e AAC-se nr. 01/2017./ KultPlus.com

Fluturim mbi atraksionet më të bukura turistike në Jug (VIDEO)

Me vijën e gjatë bregdetare dhe thyerjen e relievit malor, me monumente natyrore dhe kulturore të shumta si dhe me site arkeologjike të njohura, jugu i vendit është një destinacion i padiskutueshëm turistik.

Përmes një videoje promovuese, Kryeministri Edi Rama solli pamjet e mrekullueshme turistike të jugut të vendit.

“Mirëmëngjes dhe me këtë fluturim mbi disa nga atraksionet më të bukura turistike në Jug të Shqipërisë, ju uroj një javë sa më të mbarë”, u shpreh Rama.

Një përzierje e detit, maleve dhe burimeve të mahnitshme natyrore, si dhe një trashëgimi e pasur kulturore, traditë dhe kuzhinë të shijshme, e bëjnë jugun e vendit ideal për të gjitha llojet e aktiviteteve në natyrë dhe një destinacion perfekt turistik./m.m/ KultPlus.com