Transformimi i mrekullueshëm pas 50 vjetësh i dunave në Spanjë

Një nga atraksionet më të famshme turistike në Spanjë ka pësuar një transformim të mrekullueshëm.

Dunat e Maspalomas në Gran Canaria janë të njohura në të gjithë botën për malet e tyre me rërë, të cilat tërheqin qindra mijëra turistë çdo vit.

Ambientalistët jo vetëm që kanë mbetur të habitur, por gjithashtu edhe të kënaqur pasi ky transformim nuk ishte parë prej 50 vjetësh dhe e gjitha kjo ka ardhur si pasojë e masave anti covid dhe mbylljes totale prej javësh.

Dunat e mbrojtura spanjolle të vizituara nga qindra mijëra turistë dhe nudistë, siç thuhet në shkrimin që e transmeton oranews, janë kthyer tashmë në një gjendje “fillestare”, rërë e pashkelur dhe mbulimi i vizatimeve që bëheshin nga turistët.

Pushuesit dhe vizitorët ndër vite kanë cenuar mjedisin e mbrojtur duke vizatuar figura, simbole të ndryshme si dhe lënia e fletëpalosjeve në rërë, disa prej të cilave mund të shiheshin nga hapësira.

Ambientalistët paralajmëruan një vit më parë se nëse vizitorët nuk do të ndërgjegjësohen kjo bukuri natyrore do të humbasë.

Dunat e rërës kanë një shkallë të lartë mbrojtjeje dhe konsiderohen një nga ekosistemet më ikonike të Gran Canaria, që mbulojnë rreth 1.000 hektarë.

Me krijimin e valëve të reja, rëra është zhvendosur duke rimbushur zona të tjera në një kohë rekord. / KultPlus.com