Botohen dy drama të Shaip Grabovcit

Shtëpia Botuese “Fad” në Prishtinës ka botuar së fundmi librin e ri të Shaip Grabovcit, i cili përmban dy drama, të titulluara “Banketi” dhe “Dardania”, shkruan KultPlus.

“Monodrama si pjesë e dramaturgjisë është më pak prezente, mirëpo, nuk do të thotë se ajo nuk ngërthen probleme me të cilat ballafaqohet qenia e njeriut. Përkundrazi, çështjet që trajtohen në monodramë janë më të detajuara dhe si të tilla më thellë prekin në psiken e njeriut. Monodrama i kushtohet Zef Mirditës, i cili tërë jetën e tij ia kushtoi gjurmimeve e studimeve rreth truallit të Dardanisë”, shkruhet në njoftimin e shtëpisë botuese.

Shaip Grabovci, kësaj radhe prezantohet me monodramën Dardania, e cila krahasuar me monodramat e tij Lajthimi dhe Labiriniti, në të cilat individi lufton për të qenë pjesë e kolektivitetit, në monodramën Dardania individi gjurmon në të kaluarën, për t’i gjetur rrënjët e tij. Në dramën tjetër Shaip Grabovci realizon rrjedha nga shtresa të ndryshme, të nxjerra nga e përditshmja. Një dramë tjetër, mjaft të fortë, mjaft të vijëzuar dhe të skalitur.

Drama “Banketi”, zë vend të veçantë të krijimtarinë e tij. Ajo trajton problem aktuale, të cilat njëherësh janë të vjetra edhe sa vet njerëzimi. Pra tema është sa e përgjithshme aq edhe shumë individuale, pasi ajo është një depërtimin në mendjen e individit, i cili nuk mund të jetë indiferent ndaj rrethit ku veprojmë e që në kuptimin më të gjerë e quajmë Kozmos.

Grabovci në shkrimin e dramave të tij mbështet te principet e Frenci Fërgasonit, i cili në një fare dore, skenën e konsideron si një purgator, ku vetëm atëherë, kur njeriu e ndien vetën se gjendet në një tigan të skuqur, vetëm atëherë e nxjerrë jashtë tërë atë që e ka të mbyllur në shpirtin e tij.
Në këtë drejtim, drama “Banketi” sikur ka diçka më specifike. Në “purgatorin” e saj gjenden ata që dikur kanë qëndruar mbi të gjithë, por që hove-hove sikur kalojnë në kohën e tashme. Pra kemi një ngjarje që zhvillohet në mes reales dhe ireales e kjo mund të merret edhe si një risi.
Personazhet janë shumështresor, kështu në të njëjtin personazh mund të “takojmë” Berien e Neronin, Eridën dhe Maria Antonetën… Mirëpo emrat e tyre nuk zihen në gojë, por të bëmat e tyre po se po! Mos përmendja e emrave konkret dramën e bën më universale ngase numri i atyre që kanë shtypë të tjerët është akoma me i madh!

Në dramë kemi rrëfimet e atyre që të tjerët i shtypin, por që shpesh herë për këtë tentojnë ta fajësojnë dikën tjetër, mandej rrethanat dhe gjërat që vetëm ata mund t’i imagjinojnë! Nga këto trajtime , mund të përfundohet te dilema: vallë, mos lufta është baba i çdo gjëje?/ KultPlus.com