“E bukura dhe bisha”, historia e vërtetë tragjike mbi të cilën u frymëzua përralla e famshme

Ndërsa përralla e famshme “E bukura dhe bisha” ka një fund të lumtur, historia e vërtetë mbi të cilën u bazua ajo ka një fund tragjik. E botuar për herë të parë në Francë si “La Belle et la Bête”, përralla e famshme për fëmijë e viteve 1740 u frymëzua pjesërisht nga jeta e pazakontë e të ashtuquajturit ‘njeriu i egër’ Petrus Gonsalvus dhe nga martesa e tij me një grua të re e të bukur të quajtur Katerina.

I lindur në Tenerife të Spanjës në vitin 1537, dhe i dhënë si dhuratë për Mbretin e Francës Henri II në vitin 1547, Pedro Gonzalez vuajti nga një gjendje e panjohur që tani njihet si hipertrikoza ose Sindroma e Ujkut, e cila bëri që fytyra dhe trupi i tij të mbuloheshin me shumë qime. Deri më sot ka pasur më pak se 50 raste të dokumentuara.

Në oborrin mbretëror të Henrit, Pedro shihej si një kuriozitet ekzotik, njësoj si xhuxhët, gjigantët dhe gaztorët. Megjithatë, pasi vlerësoi intelektin e tij, mbreti Henri vendosi që t’i ndryshonte emrin ‘bishës’ në Petrus Gonsalvus dhe ta arsimonte. Me kalimin e kohës, ai mësoi tre gjuhë, dhe detajet e sjelljes së duhur në një oborr mbretëror.

Ndërsa ka pak të dhënave arkivore mbi jetën e tij, në vitin 2021 “Revista de Historia Canaria” shkruante se bazuar në dokumentet e zbuluara së fundmi, Petrus Gonsalvus kishte arritur të integrohej mirë në jetën e oborrit. Kur mbushi të 20-at, ai ishte bërë kamerier në tryezën mbretërore.

Më pas studioi për drejtësi, u bë një tregimtar i monarkut të ri Sharlit IX, dhe nga viti 1582 nisi të jepte leksione të jurisprudencës në Universitetin e Sorbonës. Megjithatë, disa rrëfime tregojnë se pas vdekjes së Henrit, gruaja e tij e pamëshirshme Katerina de Mediçi vendosi të kryente një eksperiment për të zbuluar se çfarë lloj fëmijësh do të prodhonte njeriu i saj i egër.

Në 1570 Petrus u martua me Katerina Rafelin, vajzën e bukur të një tregtari francez. Përpara dasmës mbretëresha nuk e paralajmëroi vajzën mbi pamjen e burrit të saj të ardhshëm. Reagimi i saj mundet vetëm të imagjinohet. Megjithatë, gjatë martesës së tyre të gjatë, 4 nga 7 fëmijët e tyre lindën me hipertrikozë.

Në dallim nga fundi përrallor i filmit vizatimor të realizuar nga Disney, Pedro vazhdoi të shihej si një çudi e rrallë. Pasi u dallua në gjykatën franceze, Pedro dhe familja e tij u dërguan jashtë vendit, në mënyrë që anëtarët e familjes mbretërore të Evropës të mund t’i binin në sy. Libri “Vajzat e mrekullueshme leshatore: Motrat Gonzales dhe botët e tyre” përshkruan se si fëmijët e Gonzalez iu dhuruan fisnikëve të tjerë dhe u trajtuan si kafshë shtëpiake në oborr.

Çifti i jetoi vitet e fundit të jetës në Itali. Sipas dokumentarit të Smithsonian Channel “The Real Beauty and the Beast”, fakti që nuk ka asnjë të dhënë për vdekjen e Pedros mund të jetë për shkak se ai tragjikisht nuk u konsiderua plotësisht njerëzor dhe kështu nuk i përshtatej një varrimi tradicional të krishterë. / KultPlus.com

‘E bukura dhe Bisha’ nuk ishte aspak një përrallë, historia e vërtetë qëndron ndryshe

Petrus Gonsalvus lindi në 1537 në Ishullin Kanarie të Tenerife (më i madhi nga shtatë ishujt Kanarie të Spanjës). Në moshë të re, Gonsalvus, konsiderohej një kuriozitet i çuditshëm.

‘Njeriu i egër’ ishte i mbuluar me qime dhe mbahej, në një kafaz hekuri. Për ushqim, i jepej mishi i pa gatuar dhe ushqim kafshësh. Ai iu dërgua Mbretit Henry II i Francës, si “dhuratë” në kurorëzimin e tij në 1547

Për fat të mirë, mbreti Henry II nuk e pa Gonsalvus, si një monstër që duhej të mbahej në një kafaz. Mbreti vuri re sjelljen e qetë të Gonsalvus dhe vendosi të bëjë një eksperiment. Ai do të përpiqej ta edukonte dhe ta shndërronte në një zotëri. Mbreti e lejoi atë, të mbante emrin e tij të lindjes, Pedro González (por vetëm në formën e tij latine, Petrus Gonsalvus). Djalit iu dhanë rroba dhe ushqime të gatuara. Ai u mësua të fliste, të lexonte dhe të shkruante, jo vetëm në një, por në tre gjuhë, duke u arsimuar si fisnik. Ai arriti ta impresiononte Oborrin mbretëror, duke ia ngritur statusin e tij shoqëror. (Fatkeqësisht, shumica ende e shihnin më pak se njeri.)

Pasi mentori dhe mbrojtësi i Gonsalvus, Mbreti Henry II, u vra më 10 korrik 1559, Gonsalvus u bë pronë e vejushës së mbretit, Catherine de Medici, e cila u bë sundimtare dhe vendosi të kryejë eksperimentin e saj me Gonsalvus. Ajo ishte kurioze, se çfarë do të ndodhte nëse ‘bisha’ e saj martohej me një grua të bukur. A do të krijonin ata “kafshë” të vogla? Ajo gjeti një grua për Gonsalvus, një vajzë të re që gjithashtu quhej Katerina, e bija e një shërbëtori të oborrit mbretëror.

Petrus Gonsalvus dhe Katerina patën shtatë fëmijë. Katër nga shtatë fëmijëve linden me sindromën e babait të tyre, hipertrikoza. Kjo e kënaqi mjaft mbretëreshen, e cila ia kishte arritur të krijonte një ‘familje të egër’.

“E Bukura dhe Bisha” e 9-të fëmijët e tyre shëtiteshin në vendet dhe qytetet evropiane, duke i vendosur më në fund në Parma, Itali, si pronë e Dukës Ranuçio Farnese. Duka porositi disa piktura të familjes së çuditshme, por asnjë për tre fëmijët normal, pasi ata nuk konsideroheshin kuriozitete. Fatkeqësisht, katër nga shtatë fëmijët e tyre të prekur nga gjendja e babait të tyre u shfrytëzuan nga duka dhe u dërguan si ‘dhurata’, duke u bërë ‘kafshë shtëpiake’ të klasës së sipërme (të zotëroje një ‘çudi’ të tillë ishte një shenjë e statusit fisnik të dikujt).

Martesa e Petrus dhe Katherine zgjati për më shumë se 40 vjet, deri në vdekje. Katerina vdiq në 1623 dhe Petrus disa vjet më herët. Nuk ka të dhëna për vdekjen e tij, ndoshta sepse ai nuk konsiderohej një qenie njerëzore e denjë për varrosje të kishtare, dhe për këtë arsye vdekja e tij nuk është regjistruar.

Petrus përmendet për herë të fundit në vitin 1617 në pagëzimin e nipit të tij, dhe ai besohet se ka vdekur diku rreth vitit 1618. Historia e familjes u përhap gjithandej, duke u bërë frymëzim për një nga historitë më të njohura të dashurisë në letërsi, dhe më pas, në kinemane moderne./ Përgatiti Sokol Neçaj / KultPlus.com

Trendi i ri i vathëve që doli nga filmi “E bukura dhe bisha” (FOTO)

Filmi Beauty and the Beast apo “E bukura dhe bisha”, është një ndër filmat më të pëlqyer që janë realizuar nga Disney, por këta filma po vazhdojnë të sjellin edhe trende në botën e modës, shkruan KultPlus.

Një vath i vendosur në veshin e të bukurës në këtë film, ka bërë që shumë brende të njohura të lëshojnë në qarkullim vath të ndryshëm që përngjajnë me vathin e të bukurës.



KultPlus ju sjellë disa vath të ndryshëm që tashmë janë lansuar nga kompani të ndryshme./KultPlus.com