‘Në luftë me vdekjen nuk ka vend për sy kureshtarë, kamera e klikime’

Nga Edlira Gjoni

Lojtari danez Eriksen duket të jetë në gjendje stabël – thotë UEFA.

E ajo që më ka lënë pa tekst, (mund të flitet, meqë lajmet janë shpresëdhënëse), është ky gjest i ekipit të Danimarkës!

E shoh. E rishoh! E vëzhgoj me shumë kërshëri!

Pas kaosit të parë, sapo mjekët filluan t’i bëjnë ndërhyrje për t’i risjellë frymën e rrahjet e zemrës, ekipi krijoi këtë GARDH!

Gardh! Për t’i dhënë njeriut privatësi. Momentit rëndësinë që i takon. Botës, kufirin te thana.

Sytë e kamerat e gjithë botës ishin aty! Por 10 shokët e ekipit krijuan dhomën e krizës, me një disiplinë e natyrshmëri goditëse!

Kur ka luftë me vdekjen, nuk ka vend për sytë kureshtarë. As për kamera. As për klikime!

Mësim kaq i hapur nga një ndeshje futbolli!

Ndërkohë ne sulmohemi me pamje si u godit me armë, si e theri me thikë, si e përdori sopatën, si u rrëzua në trotuar, si ra nga ballkoni, sa herë ka ngjarje të zeza në vend. Kur nuk i filmojnë, mediat nxitojnë t’i riprodhojnë, nga “sinkronet e familjarëve”.

Në keni sy, mendje, logjikë, arsye, Perëndi në keni: merrni mësimin e duhur nga këta! Mos na i sillni vdekjet, vrasjet, sherret, britmat në televizor e në celular.

Ne vërtet nuk dimë të bëjmë gardh e të mos iu lejojmë të aviteni te detaji si kasapë, por edhe ju MJAFT!

Tregohuni njerëz, në mos “profesionistë” raportimi!

Ja ku është raportim profesionist! Si ju bën të ndjeheni, që nuk i lanë kamerat të futen aty, te lufta me vdekjen në qiell të hapur?

Pa fjalë! E plot nevojë të di se ka në botë njerëz të tillë!/ KultPlus.com

May be an image of 1 person, standing and text that says 'MENLE 5 20 KJER 4 9 20 Denmark's players gather as paramedics attend to midfielder Christian Friksen (not seen).'

Doni tangërllik, zhurmë, silikon, shampanjë, muzikë të shëmtuar që s’dëgjohet kund veç në plazhet ku veni ju

Nga Edlira Gjoni

Shumë mllef për Dhërmiun e për Jugun sot. E ka bërë ashtu klientela e Havanës. Kam një jetë që pushimet i njoh si sinonim të Jugut. Nuk e ndërroj shtëpinë e plazhin. Thjesht mërzitem se prej 10 vitesh, e sillni Bllokun në Jug, e ankoheni për çmimet, sigurinë, sjelljen, kushtet, papajtueshmërinë tuaj me ç’ndodh aty. E çfarë ndodh? Ajo që sillni vetë: llum social e mendor.
Nuk e di sa vite ka Havana që është hapur. Nuk kam shkelur kurrë aty. Nuk kam çuar dëm asnjë lek!

As në Drimadhes nuk shkoj, sikundër kam ndërprerë vajtjet në Jalë apo Llaman. Me trishtim, kur mendoj se në 2008-ën, në 10 ditë plazh Gushti në Llaman, ishim vetëm një grusht njerëzish, që donin mbi të gjitha, qetësinë. Sot kjo është fjalë e huaj. Qetësia nuk njihet si term pushimi në mendjet e çuditshme Jug-shkuese.

Doni tangërllik, zhurmë, silikon, shampanjë, muzikë të shëmtuar që s’dëgjohet kund veç në plazhet ku veni ju, doni sherr, paradë e selfi ashtu kokë-bosh si jeni, edhe ankoheni të pataksur: E ka fajin Jugu!

Asnjë faj s’ka Jugu. Pasqyra juaj është. Çfarë ndodh në kohë pushimesh, e keni transferuar ju vetë aty. Asnjë vendas nuk hyn te Havana. Ju hyni. Ju që lëvizni grup: bashkë në Bllok, bashkë edhe në Jug!

Iu duket situata e shëmtuar në të gjitha elementet? Nuk e ka fajin pasqyra! Jugun e bëni ju për këto dy muaj. Pjesën tjetër të vitit, është zonë pa ngjarje, si në çdo cep të harruar të Shqipërisë!

Më tremb një njeri që gjuajti në Havana, por ama, më shokon fakti që hyni turmë aty. Është mënyrë “pushimi” që nuk shpjegohet dot. Logjika fikur!

Atë jetë lëvdoni, ato ngjarje do shihni: Degjenerim që juve ju duket “klas” në Drimadhes, Llaman e Jalë.
As mos hajdeni më hiç! Na duhen pushues, jo specie të çuditshme tangërlliku e zhurme si klientela që shani vetë.
Jugu duhet për detin, ju e doni për të shitur mend.
Nder na bëni po u mërzitët shumë e nuk shkoni më! Nder!