Eduard Pernkopf: Libri anatomik i nazistëve që përdoret ende nga kirurgët

Kur neurokirurgja Susan Mackinnon kishte nevojë për ndihmë për të përfunduar një operacion, ajo iu qas, siç ndodh shpesh, një libri të anatomisë së mesit të Shekullit 20. Falë ilustrimeve komplekse të realizuara me dorë – imazhe që tregojnë trupin e njeriut të zhveshur shtresë për shtresë – Dr Mackinnon, nga Universiteti i Uashingtonit në St Louis, ishte në gjendje ta përfundojë procedurën.

Libri që ajo kishte përdorur, Anatomia Topografike e Njeriut – Pernkopf, që tingëllon e pafajshme, konsiderohet gjerësisht si shembulli më i mirë i vizatimeve anatomike në botë.

Është i pasur në detaje dhe me ngjyra më të gjalla se çdo tjetër. Lëkura, muskujt, tendinet, nervat, organet dhe kockat janë zbuluar në detaje grafike. Nuk është për ata që kanë zemër të dobët!

Por libri, i referuar shpesh si Atlasi i Pernkopf-it, nuk është më në shtyp dhe një grup i dorës së dytë – ka disa vëllime – mund të shiten për mijëra funte në internet.

Megjithatë, përkundër çmimit të madh të kërkuar, shumë pak do ta shfaqnin me krenari në klinikën, bibliotekën ose shtëpinë e tyre.

Kjo për shkak se gjetjet e librit vinin nga trupat e qindra njerëzve të vrarë nga nazistët. – janë pikërisht trupat e tyre, të prerë dhe të copëtuar, që shfaqen nëpër mijëra faqe.

Kritikët thonë se libri është i njollosur nga e kaluara e tij e errët dhe shkencëtarët janë kapur me etikën e përfshirë në përdorimin e tij.

Mackinnon thotë se nuk ndjehet rehat me origjinën e tij, por përdorimi i librit është një pjesë thelbësore e të qenit “kirurg etik” – dhe se ajo nuk mund ta bënte punën e saj pa të.

Rabini Joseph Polak, një i mbijetuar nga Holokausti dhe profesor i ligjit të shëndetësisë, beson se libri është një enigmë morale sepse rrjedh nga “e keqja e vërtetë, por mund të përdoret në shërbim të së mirës”.

Libri ishte një projekt 20 vjeçar i një nazisti dhe doktori të shquar, Eduard Pernkopf, i cili u rrit nëpër radhët akademike në Austri falë mbështetjes së tij për partinë e Adolf Hitlerit.

Kolegët e tij e përshkruanin atë si një “socialist të zjarrtë kombëtar”, i cili, nga viti 1938 kishte veshur një uniformë naziste për të punuar çdo ditë.

Kur u bë dekan i shkollës mjekësore në Universitetin e Vjenës, ai shkarkoi të gjithë anëtarët hebrenj të fakultetit, përfshirë tre laureatë të Çmimit Nobel.

Në vitin 1939, një ligj i ri i Rajhut të Tretë siguroi që trupat e të gjithë të burgosurve të ekzekutuar të dërgohen menjëherë në departamentin më të afërt të anatomisë për qëllime kërkimore dhe studioze.

Gjatë kësaj periudhe Pernkopf ka punuar 18 orë ditë duke shqyrtuar me imtësi kufomat, përderisa një ekip artistësh krijuan imazhet për librin e tij.

Dr Sabine Hildebrandt, nga Shkolla Mjekësore në Harvard, thotë se të paktën gjysma e 800 imazheve në këtë libër vinin nga të burgosur politikë. Ato përfshinin burra homoseksualë dhe lezbike, ciganë, disidentë politikë dhe hebrenj./klankosova/ KultPlus.com