Mos dashuro një poete

Poezi nga Ela Zdrava

Nëse dashuron një poete,
shpirtin zemra do ta shkund,
do puthësh vargun,
do humbësh fillin,
në botën e saj krejt ti humb.

Ëmbël me valë do të të përkëdhelë,
do të përplasë me dallgë deti,
do të kthejë në varkë të humbur,
do të thërrasë në zemër i imi Mbreti.

Nëse dashuron një poete,
në shpirt do të pikojë vesë argjend,
petale zemre do të çelin,
po aq fort shpirti do të të dhemb.

Nëse dashuron një poete,
akullnajat e shpirtit do t’i bëjë zhur,
zjarrin që të djeg do ta akullojë,
e zemrën pamëshirë do ta kthejë në gur.

Do të frymosh pafund qetësinë,
kur t’i mbledh për ty gjithë yjet e qiellit,
do të ndjesh vërtetë ngrohtësinë,
kur të të mbështjellë me rreze dielli.

Nëse dashuron një poete,
me fuqinë e fjalës fort do të të ndriçoje,
sado ta vrasësh, s’e dorëzon as tingullin,
në prehrin e saj shpirti do të qëndrojë.

Nëse dashuron një poete
botën do ta kesh krejt në duar,
ujërat e qeta
mund ta trazojnë shpirtin,
ka fuqi të të bëjë engjëll
edhe kur je dragua.

Mos dashuro një poete,
bota e saj ndonjëherë
do të duket çmendinë.

Mos dashuro një poete,
zemra aq fort do ta dojë,
sa shpirtit do t’ia vrasë lirine. / KultPlus.com