Lisbona gati për garën “Operalia 2018” të Placido Domingos

Alberina Haxhijaj

Sot fillon rundi i parë i garës prestigjioze të muzikës klasike “Operalia” 2018, shkruan KultPlus.

Këtë vit garë është duke u mbajtur në Teatrin Kombëtar të Sao Carlos, në Lisbonë. Kjo është hera e parë që kjo garë po mbahet në Portugali. Sot do të performojnë 20 këngëtarë ndërsa nesër do performojnë edhe 20 të tjerë, për tu kualifikuar në gjysmë finale.

Gjatë dy ditëve të para, të njohura si eliminatoret, 40 kandidatët do të zgjedhin një vepër vet ndërsa vepra tjetër do të zgjidhet nga juria. Juria do të kërkojë edhe një zarzuela (operë spanjolle) nëse kandidati ka hyrë në këtë kategori, të paraqitur nga Domingo. 20 kandidatët pastaj do të zgjidhen për gjysmëfinale, me një ari, gjithmonë në piano. 10 finalistë do të kenë nderin të marrin pjesë në finale, me orkestër. Vetëm finalja është e hapur për publikun, ndërsa orkestra shoqëruese do të jetë Orkestra Simfonike e Portugalisë.

Kujtojmë se sopranot kosovare Elbenita Kajtazi dhe Marigona Qerkezi janë në garë për çmimin e madh “Operalia” 2018. Ndërsa në vitin 2016, në këtë garë u patë shpërblyer tenori Ramë Lahaj. Ai pati zënë vendin e tretë./KultPlus.com