Shtëpia Botuese “Faik Konica”, Prishtinë, në vigjilje të 8 marsit, Ditës Ndërkombëtare të Grave, ka botuar studimin me titull “Dhuna seksuale nga forcat ushtarake e policore serbe ndaj grave shqiptare gjatë luftës në Kosovë” të politologes Elife Luzha.
Ky botim, në shqip dhe anglisht, vjen si protestë për mostrajtimin dinjitoz
të të dhunuarave gjatë luftës dhe mosveprimin e drejtësisë.
Autorja, pas një vështrimi të shkurtë historik mbi pushtimin dhe represionin serb në Kosovë, fokusohet te dhuna seksuale serbe gjatë luftës. Politologia Luzha faktikon me të dhëna mbi krimin e dhunës seksuale serbe ndaj grave shqiptare, duke argumentuar se dhuna seksuale është përdorur si “mjet lufte” për të ushtruar “gjenocid biologjik”, dhe se ky lloj krimi cilësohet “krim kundër njerëzimit”. Po ashtu, autorja bën thirrje që të bëhet më shumë në dëshmimin e së vërtetës mbi dhunën seksuale serbe ndaj grave shqiptare gjatë luftës në Kosovë./KultPlus.com
Poezia “Dhembja e lulëkuqeve“, dedikuar grave të përdhunuara gjatë luftës, lexuar në vigjilje të Ditës së Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë
(Mbi poezinë si art i lojës së fjalëve)
Si vrushkuj ndjenjash më vërshuan mendimet duke i lexuar vargjet e
poezisë “Dhembja e lulëkuqeve” të poetes Elife Luzha. Vetë titulli, në fillim,
të huton, sepse duket si një bashkim anakronik i fjalëve. Logjikisht nuk
shkojnë së bashku fjalët ”lulëkuqe” dhe ”dhembje”. Por në poezi, gjithsesi,
shkojnë. Ato shprehin një gjendje në mënyrë të goditur: “lulëkuqet”, që
simbolizojnë gjininë e butë, femrën, do të duhej të shprehnin ngjyra gjallërie
(lule + e kuqe), por, si një re e zezë, asaj i paraprinë fjala “dhembje”.
Dhembja është një pëlhurë e zezë, me sëmbime të fuqishme. Nga ato prej të
cilave do të duhej të buronte jetë, ngazëllim, hare, motiv, vullnet, joshje e
gëzim, nga lulëkuqet pra, në këtë poezi, ato shprehin një bukuri e cila kalon
nëpër vuajtje. Qysh titulli të tërheq vëmendjen nëpërmjet lidhjes së
pazakonshme të fjalëve.
Në aspektin estetik, poezia konceptohet si arti i së bukurës. Kjo,
gjithsesi, është kështu. Por, për më tepër, poezia vetë është një lojë. Është
lojë e fjalëve. Lojë, natyrisht, artistike. Nëse poezia, pra, është art i së
bukurës, kjo bukuri ka të bëjë me lojën e fjalëve. Të njëjtat fjalë, mund të
gërshetohen e të tingëllojnë krejt ndryshe nga secila fjalë marrë veç e veç. Të
shkëputura, fjalët e poezive, për shembull, të Ismail Kadaresë apo të Ali
Podrimjes, të Pablo Nerudës apo të Frederiko Garcia Lorkës, të Nazim Hikmet-it
apo të Tomas Tranströmer-it e poetë të tjerë të njohur, janë fjalë që nuk
tregojnë thuaja asgjë të veçantë. E pra, ato bëhen të jashtëzakonshme duke
përçuar mesazhe, kuptime, emocione, pasione e perceptime estetike tepër të
fuqishme, në një gërshetim e lojë artistike të fjalëve, të cilat bëhen metafora
që shprehin një perceptim të ri, krejt ndryshe. Prandaj, për dallim nga zhanret
e tjera të artit, poezia shquhet me ekskluzivitetin e fjalëve të cilat në
vargjet e poetëve marrin ngjyra magjike, nxjerrin në pah kuptime që askush nuk
i ka menduar, dhe referojnë te ndonjë entitet i pranishëm. (Vargu: Lulëkuqe në
dhimbje e plandosur).
Nuk qëndron fuqia e një poezie te klithmat, te patetizmi, te
çirrmat, të cilat mund të jenë vetëm instrumente parciale, për të shprehur
efekte anësore. Fuqia e vërtetë artistike e poezisë qëndron te nxjerrja në pah
e thelbit të asaj që synohet. E ky thelb mund të jetë nga më të ndryshmet, si
dhembje, vuajtje, traumë, tmerr apo qetësi, prehje, kënaqësi, mirësi,
solidaritet, urrejtje apo dashuri. Mund të jetë një përjetim tepër i rëndë, që
askush të mos mund as afërsisht ta ndjejë peshën e saj; një përjetim që
tjetrën/tjetrin e bën të mbyllet në vetvete, të shkëputet nga bota, të ndjehet
i/e huaj, i/e zhvlerësuar, dinjitet nëpërkëmbur, moral-prishur. E këto mund t’i
ndezin në shpirt një zjarr që përvëlon. (Vargu: Lotët si vrer gëlltit çdo
ditë.)
Të gjitha këto, e shumë të tjera, mund të mos shprehen kurrë së
jashtmi. Një shikimulur, një fytyrëzbehje, një anemicitet në përditshmëri, një
heshtje e trishtueshme që nuk konsumohet kurrë. Secila në vetvete është një
histori, një rrëfim, një ngjarje, një sekuencë tërë dramacitet në tragjedinë e
madhe të kombit. Atyre u janë sosur fjalët për të shprehur, për t’u artikuluar,
për të treguar përjetimin e tyre trishtues. Ato flasin me heshtjen e tyre.
Prania e tyre është si hijet. Enden në mesin tonë sikur të mos ishin (vargu:
Para syve tanë e syrgjynosur ). A janë vallë hijet, a kanë qeniesi ato? E pra,
mbi supet e tyre ato bartin barrën e përdhunimit. Ai kujtim morbid nuk harrohet
kurrë, se në kujtesën e secilës/secilit ka lënë vrragë rrëqethëse. Si një kryq,
përdhunimi u rëndohet e ua zë frymën gjithnjë më shumë sa më shumë kalojnë
vitet. Ky është një martirizim i çdoqasshëm. (Vargu: Vitet zinxhirohen në të
pafundmin tunel.)
Po ne, ç’bëjmë ne? A sillemi me indiferencë, apo shtiremi sikur
nuk dimë gjë? A kemi kurajo t’ua themi një fjalë të mirë? A mundemi ne t’ua
ndezim nga një qiri në errësirën e tyre mbytëse? Çfarë mund të bëjmë ne që t’u
shprehim dhembshurinë dhe mirëkuptimin? Me një buzëqeshje, me një përshëndetje,
me një shikim dashamirës. Me një gjest të vockël, të çiltër, ne mundemi t’ua
ushqejmë shpresën e besimin. Nëse nuk bashkëndjejmë sinqerisht, ne jemi të
ligë. Nëse nuk tregohemi solidarë me shpirt, ne jemi ata që nuk kemi dinjitet.
Nëse i shpërfillim, cilët bëhemi ne? Ndëshkimi është në veten e secilit/secilës,
në ndërgjegjen e secilit/secilës që shtihet indiferent. (Vargu: Shkaras jo nuk
i kalohet vuajtjes sate/ Ndryshe pafajësia jote do na ndëshkojë).
Poetja Elife Luzha me këtë poezi ngacmon ndërgjegjen e
secilit/secilës. Na e përkujton se dhembja nuk hiqet duke e injoruar. Ajo, me
refleksivitetin poetik, përkujton tmerrin dhe gjenocidin. Dhimbjet e mëdha mund
të lehtësohen vetëm duke u ndarë me të tjerët, duke u marrë nga secili pjesë të
atyre dhimbjeve, e kështu atyre që kanë përjetuar – u mbetet pak fare. Kësisoj,
përditshmërinë mund ta bëjmë më njerëzore, më miqësore e më dashamirëse.
Elife Luzha
DHEMBJA E LULËKUQEVE
(Grave shqiptare të përdhunuara nga forcat pushtuese serbe)