Imazhet e rralla që paraqesin një epokë të harruar

Fotografi të fundshekullit të 19-të, me dritëhije dhe ngrohtësi në ngjyra që evokojnë nxehtësinë e thatë të mjedisit të tyre, Afrikën e Veriut. Ngjasojnë si piktura, por nuk janë të tilla, sikurse nuk janë as fotografi si ato të ditëve të sotme, por padyshim një kënaqësi për sytë.

Imazhe që kanë kapur momente mbresëlënëse të një bote përrallore të kohës. Burra të grumbulluar rreth një magjepsësi gjarpri, minare që ngrihen lart në qiell, myslimanë me rroba tradicionale dhe të krishterë që ecin nëpër rrugë, por që kurrë nuk duket se takohen. Këto materiale që ruhen nëpër arkiva, dëshmojnë momente kalimtare të historisë në prag të shekullit të 20-të.

Autorët e këtyre imazheve janë anonimë, ndërsa teknika që qëndron pas tyre ka dalë prej kohësh jashtë praktikës. Njihen si fotokroma, një formë e fotolitografisë, që u përhapën në fund të shekullit 19-të. Kolonizatorët evropianë ishin më së shumti të interesuar për të fiksuar në imazhe jetën e një sërë vendesh koloniale, si p.sh Egjiptin, Marokun, Tunizinë, Algjerinë që gjendeshin nën protektoratin spanjoll ose francez.     

Fotokromi u zhvillua në Zvicër, në vitin 1890 dhe për ta bërë atë merrej negativi nga kamera dhe ekspozohej në zink në një sipërfaqe të sheshtë, në të cilën vendosej një shtresë kimikatesh të ndjeshme ndaj dritës.

Lufta e Parë Botërore solli një ndryshim rrënjësor në këtë periudhë të fotografisë, dhe njerëzit ishin më të prirur të blinin aparatet e tyre personale. Sigurisht me kohën ndryshuan shumë gjëra dhe veç teknologjisë edhe jeta e peizazhi kulturor në Afrikën e Veriut. Ndaj këto imazhe, nostalgjike, por që përmbajnë një nëntekst të pasur, dhe ndonjëherë të errët, tani janë dëshmi e një epoke të kaluar e gati të harruar./a2/ KultPlus.com