Kreshnikët në UNESCO, bëhet gati dosja e kandidimit të Eposit Shqiptar

Një interpretim nga Bjeshkët e Rugovës padiskutim që mund të konsiderohet si një kryevepër shpirtërore e shqiptarëve, por përse mos ta njohë e gjithë bota, magjinë e një eposi që shqiptarët e kanë interpretuar dhe që e trashëgojnë brez pas brezi?

Koha ka mbërritur dhe Këngët e kreshnikëve shqiptarë më në fund do të shkojnë në UNESCO.

Ministria e Kulturës ka njoftuar se dosja për konkurim po bëhet gati, transmeton a2news. Që nga viti 2009 studiuesi Zymer Neziri, vinte sa here nga Kosova në Akademinë e Shkencave në Tiranë për të sjellë në vëmendje rëndësinë e këtij konkurimi.

Puna për përgatitjen e dosjes së Eposit të Kreshnikëve nisi në 2009, për t’u ndërprerë pa shkak, por vetëm këtë javë Ministria e Kulturës lajmëron se këtë vit kjo dosje do të shkojë në Unesco. Nuk dihet ende nëse është një bashkëpunim mes Kosovës dhe Shqipërisë, por ajo çka dihet është se Tirana zyrtare do ta nisë Eposin drejt UNESCO-s./ KultPlus.com

“Eposi i Kreshnikëve” dhe kryeveprat shqiptare, Margariti: Të denja për në UNESCO

Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë̈ Kulturore Jo Materiale, vendosi shtimin e listës së pasurisë sonë shpirtërore, e cila merret në mbrojtje nga shteti.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bën të ditur se listës për t’u mbrojtur nga shteti i janë shtuar “Kcimi i bjeshkës me tupan i Tropojës”, “Rituali i lashtë i shtegëtimit të bagëtive”, “Xhubleta si teknologji dhe dijebërje artizanale unikale dhe format e përdorimit të saj, “Kcimi i Logut”, Eposi i Kreshnikëve i kënduar dhe shoqëruar me lahutë”, etj.

Margariti shprehet se këto janë të denja për t’u kandiduar edhe si “Kryevepra të trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit”, nën mbrojtjen e UNESCO-s. Sipas saj, tashmë po punohet për plotësimin e dosjeve, në mënyrë që të mund të kapin afatet e kandidimit.

”Populli ynë ka një traditë mjaft të pasur në këngë, valle, doke, zakone, zejtari, të cilat në epokën e vrullshme të globalizimit dhe teknologjisë rrezikojnë të zhduken. Por pikërisht, këtë të fundit, ne do ta shfrytëzojmë për të ruajtur traditën, ta mbledhim, ta regjistrojmë, digjitalizojmë, ta bëjmë të aksesueshme për studiuesit, por mbi të gjitha, t’ua përcjellim brezave”.

Një ditë më parë, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e cila zhvilloi një takim me banorët e Malësisë së Madhe, tha se është e pafalshme që qeveria ”Rama 2” që nuk ka bërë asgjë këto vite për regjistrimin e Lahutës dhe ”Eposit të Kreshnikëve” si pasuri kombëtare në UNESCO. / atsh/ KultPlus.com