‘Avni mor vëlla i Xhafos, ç’forcë të madhe na ke futur në gjak vëllau im’ (VIDEO)

‘’Dy krisma në Paris’’ është një dramë nga Sheri Mita dhe Pëllumb Kulla. Tema që trajtohet është ajo e vrasjes së Esat Pashë Toptanit në Paris dhe poashtu gjyqin e bërë ndaj Avni Rrustemit, shkruan KultPlus.

Avni Rrustemi ka qenë nja atdhetar demokrat revolucionar i shquar, udhëheqës i shoqërisë demokratike ‘’Bashkimi’’, pjesëtar i opozitës demokratike në Asamblenë Kombëtare në prag të Revolucionit të Qershorit.

Filmi ‘’Dy krisma në Paris’’, vazhdon të shikohet edhe sot nga një pjesë e madhe pasiqë tema që trajtohet është mjaft delikate. Në një pjesë të dramës, personazhi i Avni Rrustemit thotë ‘’Keni për të parë edhe ju, se ky do të jetë gjyqi i Esat Pashë Toptanit’’, kështu edhe del të jetë deri në fund.

Në film preken tema si tradhëtia, besa, lufta e sakrifica e popullit të Shqipërsië, nën interpretimin e trupës teatrale të Fierit, me aktorët Fatos Sela, Vladimir Muzha, Andrea Pepi etj.

KultPlus ju sjell skenën më të ndjeshme të kësaj drame, atë të ardhjes së Xhafo Idrizit në tavolinën e dëshmitarit. /KultPlus.com

Pamje tmerri nga Shkodra, nga rrethimi serbo-malazez i viteve 1912/13 (VIDEO)

Për shkak të rrethimit të gjatë, shkodranët përjetuan një kohë të gjatë urie, që i detyroi ata të hanin edhe lëvoret e trupave të drunjve. Ja si e përshkruan këtë uri kolektive në ditarin e saj, Hortense von Zambaur, gruaja e konsullit austro-hungarez në Shkodër.

“Gjithë Shkodra po vdes nga uria. Popullsia është në kufirin e fundit të fuqive të saj… Ata luten me të madhe që të vriten… të vdesin sa më parë… kjo është klithma e përgjithshme… ne s’mund të shohim më si spektatorë këto gjyle të tmerrshme se si godasin mbi shtëpitë tona, pabesisht, në mënyrë të poshtër”, ka shkruar ajo.

Në videon e mëposhtëme mund të shihni Shkodrën një ditë pas dorëzimit. Ajo i ishte dorëzuar malazezëve nga Esat Pashë Toptani. / KultPlus.com

Kur Avni Rrustemi shpjegonte në gjyqin e tij arsyen e vrasjes së Esat Pashës

Nga Aurenc Bebja, Francë – 20 Janar 2017

Më 13 qershor të 1920, në kryeqytetin francez, Esat Pasha po dilte nga hotel « Continental », i shoqëruar nga një mik dhe një mikeshë, për të shkuar në drejtim të automjetit të tij, i parkuar në rrugën « Castiglione ». Avni Rustemi, i cili po priste mbi trotuar, qëllon dy herë mbi të duke e lënë të vdekur në vend.

Si rrjedhim, gazeta franceze, « Le Matin », ka botuar, në faqen e parë të saj, më datë 30 nëntor 1920, një artikull mbi proçesin gjyqësor të kësaj vrasje të bujshme. Ajo ka botuar shkëmbimet e ndryshme në sallën e gjyqit, ku bie veçanërisht në sy gjakftohtësia e Avni Rustemit.

Më 20 qershor 1920, Avni Rustemi shfaqet para Gjykatës së Krimeve të Rënda të « Seine-s ». Gazeta e përshkruan autorin 27 vjeçar, si të dobët fizikisht, që dukej sikur të ishte 20 vjeçar, me një pamje të mprehtë, i cili ishte i sigurtë kur shprehej, me një kokëfortësi që haset tek të gjithë vrasësit politikë. Dhe si ata, ai dinte të përdorte lehtësisht « klishetë ».

Në vijim, seanca gjyqësore e rrëfyer në gazetën franceze : 

« Seanca është udhëhequr nga kryetari i gjykatës, këshilltari Z. Drioux.

Avokati i Përgjithshëm Bloch – Laroque mbështet akuzën.

E veja e Esat Pashës përfaqësohet , si palë civile, nga avokatët Freyssanges et Lyon – Caen.

Avokati De Monzie (Anatole) mbron të akuzuarin.

Pas formaliteteve, fillon marrja në pyetje e Avni Rustemit.

I akuzuari, i lindur në një familje me prona përreth Janinës, është shkolluar në Konstandinopojë, Gjenevë dhe Romë. Ai i ishte destinuar mësimdhënies. Në vitin 1913, u bashkohet Shqiptarëve që luftonin kundra Greqisë me qëllim « lirimin e Epirit ».

***

Z. Drioux : Në atë moment të caktuar, ju nuk e njihnit Esat Pashën ?

Avni Rustemi : Oh, kanë folur shumë për të !

Z. Drioux : Po ju paralajmëroj se do të jem tepër i kujdesshëm në këtë terren. Unë pranoj se jam i paditur në çështjet e historisë dhe politikës shqiptare. Mbi këtë bazë, unë do të ju lejoj të thoni atë që ju dëshironi.

***

Rustemi përfiton nga leja për të afirmuar se në Shqipëri kishte vetëm një qeveri legjitime, ajo e cila luftoi Esat Pashën.

…Në maj të vitit 1920, partizani i ri kthehet në Shqipëri, ku takon « një zyrtar të lartë, i cili i shpjegon situatën » dhe kuptohet se është kundra « Esatiste ». Në vijim niset për në Paris.

***

Z. Drioux : Çfarë burimesh financiare keni ?

Avni Rustemi : Pak më shumë se 6000 lireta.

Z. Drioux : Nga vijnë këto para ?

Avni Rustemi : Nga vëllai im.

Avokati i Rustemit, De Monzie : Kjo dëshmon se Rustemi nuk është vrasës me pagesë.

***

Rustemi e përgjonte Esatin nga hoteli i rrugës « Saint – Hyacinthe », komshi me hotelin « Continental », ku jetonte Esati. Iu desht vetëm një « hap » për ta gjetur. Më 13 qershor u takua papritmas me pashain në trotuarin e rrugës « Castiglione » dhe aty ndodhi gjithçka.

***

Avni Rustemi : Kur pashë këtë njeri u turbullova dhe nuk u kontrollova dot.

Z. Drioux : Dhe pastaj, ju qëlluat ?

Avni Rustemi : Ishte një gjest ashtu si marrja e Bastijës !

Z. Drioux : Ju u bëni aluzion, pa i njohur mirë, disa fakteve të historisë sonë. Shumë të huaj shprehen kështu. Në një tekst të shkruar nga pala juaj mbrojtëse, miqtë tuaj e kanë krahasuar viktimën me Luigjin e XVI ! Ju paralajmërova se mund të thoni gjithçka në lidhje me politikën shqiptare. Ne, francezët, ne nuk mund të harrojmë se Esati ishte miku ynë, që u detyrua të largohej prej austriakëve, që ka punuar në shpëtimin e ushtrisë serbe, dhe për arsye të këtyre fakteve, ai u dekorua me Kryqin e Madh të Legjionit të Nderit.

Avokati i Rustemit, De Monzie : Franca ka besuar disa herë gabimisht.

***

Proçesi gjyqësor mbyllet me këto fjalë të akuzuarit :

Avni Rustemi : Unë nuk e kam paramenduar vrasjen. Unë kam qenë gjithmonë i shtyrë nga ndjenjat e pastra.

***

Nga ky moment, mbaron proçesi i Avni Rustemit dhe fillon i Esatit.

***

Dëshmitarët e parë, doktori Paul, eksperti i armëve Flobert, roja (gjuetari) Cavet që ndaloi vrasësin u dëgjuan me shpejtësi.

Avokati i Rustemit, De Monzie, me aftësinë e madhe për të mbrojtur klientin e tij, do të tërheqë vëmendjen e sallës në vijim.

***

Avokati i Rustemit, De Monzie : Një patriot shqiptar, si Rustemi, a ka pasur ndaj Esatit ankesa të bazuara (të mjaftueshme) për të eliminuar tiranin dhe tradhtarin ?

***

Sipas gazetës, dhjetë dëshmitarë mbrojnë të vrarin.

Gjenerali Gouraud i ka shkruajtur Z. Drioux për të vërtetuar bujarinë e Esatit. Z. Edouard Julia e konsideron Esatin si një mik të Francës.

***

Z. Julia : Figura e tij ushtarake ishte ajo e një heroi. Ishte ai që mundësoi dialogun me mbretin Konstandin. Personaliteti i tij politik nuk ishte më pak i shquar. Ai ka kontribuar shumë në fitoren e aleatëve. Pa atë, asnjë serb nuk do t’i kishte shpëtuar fatkeqësisë, asnjëri prej tyre nuk do të arrinte në Korfuz. Unë nuk jam këtu për të shkatërruar një njeri të ndriçuar nga pasioni i tij politik, por do t’i them të akuzuarit, se duke vrarë Esatin, ai ka sakrifikuar fatin e fundit për bashkim dhe pavarësi që i kishte mbetur shtetit të tij.

Avokati i Rustemit, De Monzie : Esati, a nuk e dorëzoj Shkodrën në 1913 armiqëve të shtetit të tij ? Dëshmitarë të tjerë do të vijnë të tregojnë. »

***

Ekspertë të tjerë kanë vazhduar të flasin në gjyq si për shembull gjenerali Sarrail, ish-shefi i byrosë së ushtrisë Orientale, Z. Ancel, apo Z. Auguste Gauvain, Z. Gaston Richard, koloneli Lamouche dhe konsulli francez në Selanik, Z. Graillet.

Të gjithë këta zotërinj nuk kanë rënë dakord me pohimet e njëri – tjetrit.

Gjatë kësaj seance gjyqësore nuk është marrë një vendim i menjëhershëm për Avni Rustemin. / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/gazeta-franceze-le-matin-1920-kur-avni-rustemi-shpjegonte-ne-gjyqin-e-tij-arsyen-e-vrasjes-se-esat-pashes/?fbclid=IwAR0qyRzYoA0-C9YdMscPqFbn0PK5228q1IAk-p6rH0wnJbcxisl3-7c6Gqk

100 vjetori i dy krismave në Paris, krismat që bën kthesë në histori

Sot shënohet 100 vjetori i vdekjes së Esat pashë Toptanit, i cili më 13 qershor 1920 u vra në Paris nga Avni Rrustemi, u vra për të mbetur gjithmonë sinonim i tradhëtisë, shkruan KultPlus.

Esat pashë Toptani ka qenë ushtarak i Ushtrisë Osmane, deputet shqiptar në Mexhlisin osman, drejtues i Rrethimit të Shkodrës dhe kryeministër shqiptar.

Më poshtë KultPlus ju sjell një fragment të shkurtë se si ndodhi vrasja e Esat pashë Toptanit.

Tek e kishte lënë të hante me nipin e tij, Xhemil bej Vlorën dhe mikneshën e vet Elizën, Esati u vra në rr. Castiglione në Paris më 13 qershor, 1920 nga Avni Rustemi në kushtet e konkurrencës politike në Tiranë. Ky kishte qëndruar i fshehur pas njërës prej shtyllave të hyrjes së hotelit Continental në pritje të pashës. Avniu i kishte shkuar nga mbrapa dhe e kishte qëlluar prej njëfarë distance me një revolver Smith & ëesson, që e mbante me vete. Plumbi i kishte depërtuar në qafë pranë shtyllës kurrizore dhe kur ishte rrotulluar me duart lart për t’u mbrojtur, Avniu qëlloi përsëri, në anën e majtë të kraharorit në lartësinë e sqetullës.

Mbas një gjyqi të gjatë Avni Rustemi do të lirohej duke u shpallur i pafajshëm nga gjykatat e Shtetit Francez, me një mbrojtje të ngritur prej Anatole de Monzie mbi tezën e krimit të pasionit dhe “me paramendimin e një populli të tërë”.

Pas vdekjes trupi u dërgua nga familja në një depo mortore të Parisit për t’u mbajtur derisa të merrej një vendim se ku do të varrosej përfundimisht. Njëra nga të bijat u interesua pranë autoriteteve franceze nëse trupi i të atit mund të transportohej në Shqipëri. Arka prej plumbi nr. 17 vazhdoi të qëndrojë në depon e rr. D’Aubervilliers të paktën deri në tetor 1921. Më vonë, eshtrat e Esatit u varrosën në mënyrë thuajse të fshehtë në një lagje të varfër të Parisit. / KultPlus.com

Çfarë i rrëfyen profesorit francez Faik Konica, Gjergj Fishta dhe Esat Pashë Toptani në tetor të 1913

Nga Aurenc Bebja

“Excelsior” ka botuar, të martën e 11 nëntorit 1913, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me udhëtimin e profesorit francez Jean Brunhes në Shqipëri dhe takimet (bisedat) e tij asokohe me Faik Konicën në Durrës, Gjergj Fishtën në Shkodër dhe Esat Pashë Toptanin në Reth, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Përshtypje nga Shqipëria

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

[Bashkëpunëtori ynë i shquar z. Jean Brunhes, profesor i gjeografisë humane në “Kolegjin e Francës – Collège de France”, i cili vazhdon studimet e tij për vendet e Ballkanit, sapo është kthyer nga një mision i gjatë shkencor në Greqi dhe Shqipëri. Në çdo moment të historisë politike, grupet etnike në gadishull përballen me njëra-tjetrën – siç e kemi parë, natyrisht – në një pozicion dhe qëndrim të ri. Parashikimi i qëndrimit të së nesërmes është sekreti i të gjithë veprimeve efikase. Ne e dimë se me çfarë saktësie kishte planifikuar z. Jean Brunhes, tre muaj përpara, luftën e dytë ballkanike dhe fitoren e ushtrive serbe dhe greke. Ai tani përpiqet të na shpjegojë Shqipërinë e re, atë që nuk ekzistonte akoma pardje dhe dje; mund të jetë vendi dhe njerëzit, mbi të cilët janë publikuar informacionet më të gabuara dhe fantazuese. Pra, kjo ishte një arsye më shumë për të mbledhur këto informacione të dorës së parë dhe të freskëta.]

Në Durrës — portin kryesor shqiptar, një qytet i vogël piktoresk që vjen nga Dyrrahu i lashtë i romakëve dhe që ende është i rrethuar nga muret e bukura veneciane — mezi prisja të takoja të shquarin dhe mikpritësin e madh Mehmet bej Konicën; por ai ishte larguar kur unë mbërrita me 16 tetor.

Ai ishte larguar një ditë më parë për në Beograd, i ngarkuar nga miku i tij Esat Pasha me një mision gjysëm-zyrtar pranë qeverisë serbe : nga ky mision mund të dalë një afrim ose të paktën një “modus vivendi” i respektit të ndërsjelltë midis Serbisë dhe Shqipërisë.

Pata, të paktën, fatin e mirë të bisedoja me vëllain e Mehmet bej Konicës (autori e ka fjalën për Faik Konicën). Ai është një ish-nxënës i Gaston Paris-it në “Kolegjin e Francës – College de France”; ai kishte ardhur për të ndjekur tek ne studime serioze filologjike, në mënyrë që të vinte në pah gjuhën dhe trashëgiminë e çmuar të legjendave dhe “folklorit” të vendit të tij. Ky shqiptar ende i ri, me mendje të ndritshme dhe të mprehtë, flet shumë mirë frëngjishten dhe disa gjuhë të tjera evropiane.

 Nëse doni të informoheni për përpjekjet që ne po bëjmë për të ndërtuar një Shqipëri që mendon dhe funksionon, shkoni të takoni, në Shkodër, një françeskan shqiptar, At Fishtën : ai është poet, filolog, patriot…

Një bashkëbisedim me At Fishtën

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Unë i kisha dëgjuar vetëm emrin At Fishtës; por të dëgjoja lavdërimin entuziast për një murg françeskan nga një shqiptar mysliman shumë i arsimuar, më duk diçka e pazakontë, dhe, kështu, unë shkova për të parë At Fishtën në manastirin e tij françeskan në Shkodër.

Një burrë i pashëm me një kokë të madhe, një shikim të drejtë dhe energjik, me flokë të zinj, fytyra e të cilit shpreh një forcë disi të çuditshme që i jep pamjen e një prifti me mustaqe që bien në sy, por pa mjekër. (Të gjithë priftërinjtë katolikë serbo-kroatë dhe shqiptarë kanë zakon të rruajnë mjekrën, por të mbajnë mustaqe.)

— Ne kemi bëri, deri më tani, vetëm një jetë individuale dhe krahinore… Lëruni shqiptarëve kohë që të japin provat e tyre… Për pesë shekuj, ne u braktisëm deri në tiraninë më të përçmuar dhe madje në barbarizëm… Gjuha jonë ishte e urryer; zakonet tona të vjetra luftoheshin; këto zakone të vjetra, këto “kanune”, unë do t’i botoj; ne do të shohim se cila ishte drejtësia jonë tradicionale, dhe fryma demokratike që ajo kishte… Ne duam së pari autonominë tonë intelektuale…

Ky njeri fliste me një bindje dhe besim të tillë sa që mora guximin t’i bëj një pyetje të drejtpërdrejtë :

 Ju e dini se si priftërinj dhe murgj katolikë shqiptarë, ju shohin si agjentë të Austrisë…

Ne duam, ne shqiptarët, pavarësinë tone

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Unë do të kujtoj gjithmonë se me çfarë sinqeriteti të drejtpërdrejtë m’u përgjigj françeskani, pa iu shmangur pyetjes dhe pa vështirësi :

— S’është e vërtetë. Ne nuk jemi agjentë të Austrisë; Unë, si dishepull, çfarë do të bëja këtu, nëse do të isha peng i ndonjë fuqie? Ajo që është e vërtetë, është se ne dhe Austria kemi pasur interesa paralele. Katolikët shqiptarë kanë simpati për Austrinë, e cila ka mbrojtur dhe mbështetur, ashtu si dikur Franca, kauzën e shenjtë të lirive të tyre fetare : Unë jam drejtori i shkollave katolike të Shkodrës, të cilat financohen nga Austria, por ju siguroj mbi nderin tim që konsulli austriak nuk do të guxonte të më jepte kurrë një urdhër… Ajo që duam, ne Shqiptarët, dhe ajo që do të ruajmë kundër të gjithëve, është pavarësia jonë…

Unë po u dërgoj, si një dëshmitar besnik, këto deklarata të fuqishme.

Françeskani vazhdoi përsëri :

— Na qortojnë për faktin se nuk kemi frymë politike… Por, si mund të kemi një opinion publik disi të organizuar, kur ne jemi të pavarur vetëm prej disa muajsh?… Dhe, prapë, a i përkasim vetvetes?… Është e  qartë se ne jemi të ndarë dhe e injorojmë njëri-tjetrin; por le të na besojnë. Nuk na mungojnë individët që dikur, dhe ende dje, kanë treguar një frymë të madhe politike në Kostandinopojë. Lëruni njerëzve me vlera kohën e duhur që të vihen në pah dhe t’u imponohen natyrshëm shqiptarëve. Ne, pa frymë politike! Por kedivi i Egjiptit ka gjak shqiptar, dhe politikani i madh Crispi ishte një italo-shqiptar!

Ky françeskan, që pretendonte Crispi-n për lavdinë politike të Shqipërisë së tij, më dukej gjithnjë e më interesant.

— Gjenerali Esat Pasha e ka treguar veten si një njeri që di të qeverisë. Ne e pamë në aksion gjatë rrethimit të gjatë të Shkodrës. Ai arriti t’u vinte rreth, në këtë qytet shqiptar katolik, 35.000 turqve pa asnjë incident.

Rrethimi, megjithatë, ka qenë kaq i gjatë dhe i vështirë! Të gjitha lidhjet (rregullat) e disiplinës mund të ishin dobësuar…

Edhe katolikët shqiptarë kanë shpresë për të ardhmen e vendit të tyre mbi personalitetin e spikatur të pashait, gjeneralit Esat. Po kështu, edhe për shumë shqiptarë myslimanë të Veriut.

Më çuan të takoj Esat Pashën nëpërmjet njërit prej shefave të rajonit malor të Veriut, Basri Beut. — një njeri i qetë, i zgjuar, plot kuptim, që është një nga ata për të cilin do të flitet sërish. Basri Beu më duket se është negociatori dhe lideri i kësaj lloj konfederate të Qendrës dhe Veriut, që do të jetë nesër, nëse bëhet realitet, mbështetja dhe forca e Esatit. 

Një fjalë nga Esat pasha

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ky, pasha, më priti tek prona e tij në fshatin Reth, midis Durrësit dhe Tiranës.

Me një qeleshe të kuqe, të vendosur mirë, dhe një xhaketë të zezë (e prerë sipas stilit parizian dhe me origjinë po nga Parisi), me një trëndafili të bukur  e të zbehtë në xhep, gjenerali, i cili nuk është pesëdhjetë vjeç, duket edhe më i ri se ç’është. Ai është një njeri i aksionit dhe vullnetit, i cili është në moshën e duhur, plot energji. Ai duket i vendosur se dëshiron të jetë udhëheqësi efektiv i vendit të tij sesa ta braktisë atë ndaj disa burrave për të cilët ka vetëm një konsideratë shumë të ulët.

Ai e di shumë mirë se çfarë bën dhe ku po shkon.

Ai i ka prerë urat (lidhjet). Nuk do të ndalet në gjysmë të rrugës.

Ne ishim në Reth më 17 tetor. Proçedimet publike dhe deklaratat që janë bërë që nga ajo kohë, Esat Pasha, i kishte akoma vetëm në brendësi. Por ai më tha haptas :

 Tani që jam në krye të vendit tim, jam i lumtur që personi i parë që takoj është një francez.

(Unë e shënova fjalinë e tij sa më saktë të ishte e mundur, sipas formës në të cilën m’u përkthye.)

Esat pasha qeveris dhe punon. Ai i imponoi vetes mësimin e frëngjishtes. Tashmë, ai e kupton gjuhën tonë; ai shqipton, me korrigjim, disa fjalë.

Ai është çorganizues i organizatës së përkohshme. Ai mund të jetë vetëm një i pavarur.

Padyshim që krijimi i një shteti shqiptar të ekuilibruar nuk do të jetë punë e një dite. Sa shekuj iu deshën Francës për t’u bërë Franca? Dhe pse ëndërrojmë ne, për krijesat e reja politike, një stabilitet ideal dhe përfundimtar që nuk e kanë më të vjetrat e Evropës sonë? Me çfarë iluzionesh harrojmë papritur gjithë historinë tonë dhe tërë gjeografinë politike! Shqipëria ka ende shumë pengesa, na rezervon shumë surpriza, por lëvizja e mendjeve dhe marshimi i gjërave duket se po shkojnë drejt një fakti që mund të quhet një fakt i ri : pavarësia efektive e një Shqipëri e vërtetë.

Jean Brunhes,

Profesor i Kolegjit të Francës – Collège de France.

 https://www.darsiani.com/la-gazette/cfare-i-kane-rrefyer-profesorit-francez-faik-konica-ne-durres-gjergj-fishta-ne-shkoder-dhe-esat-pashe-toptani-ne-reth-ne-tetor-te-1913/