Ekspozitë, muzikë e diskutim mbi artin, Galeria ‘Qahili’ shënon 12-vjetorin e themelimit

Flonja Haxhaj

Në mbrëmjen e 6 majit, Galeria ‘Qahili’ hapi dyert për të festuar 12-vjetorin e themelimit të saj, duke ofruar një mbrëmje të pasur me art, emocion dhe frymëzim. Që nga ora 17:00, vizitorët u mirëpritën në një atmosferë festive me ekspozitë, muzikë dhe koktej, duke shënuar një kapitull të ri në historinë e kësaj galerie që ka qenë për më shumë se një dekadë një pikë referimi për artin bashkëkohor në kryeqytet, shkruan KultPlus.

Në këtë mbrëmje të veçantë, organizatorët kanë përzgjedhur për temë ‘Tokën’, një koncept që përshkoi çdo element të ekspozitës si një reflektim mbi lidhjen tonë me natyrën, trupin dhe shpirtin.

Koleksioni i ekspozuar për këtë rast përfaqësonte një retrospektivë të veprave të artistit Eshref Qahili, i cili bashkë me familjen e tij, themeluan këtë galeri. Kjo ekspozitë, përfshinte vepra të cikleve të ndryshme dhe që transmetonin një udhëtim me ngjyra, krijimtari dhe përkushtim ndaj promovimit të artit që ndërlidhet me shpresën, natyrën dhe ngjarjet pozitive.

Në kuadër të kësaj mbrëmjeje festive, Galeria Qahili prezantoi për herë të parë edhe një pjesë të re të hapësirës së saj – tarracën, e cila do të shërbejë si skenë alternative për aktivitete artistike gjatë muajve të verës. Kjo hapësirë e hapur, e konceptuar si një pjesë e re e galerisë, synon të krijojë një përjetim të ri , ku arti takohet me hapësirën me qiell të hapur.

Gjithashtu, kjo mbrëmje erdhi edhe si një një pikëtakim frymëzues për artdashësit e kryeqytetit.Të pranishmit zunë çdo cep në hapësirën e brendshme dhe të jashtme të galerisë, për të diskutuar e reflektuar mbi rolin e artit në jetën e përditshme dhe për të shkëmbyer ide mbi drejtimet e reja të krijimtarisë. Ky dimension e ktheu galerinë në një hapësirë dialogu, ku arti u jetësua edhe në fjalë, diskutim dhe takime të rastësishme që lidhin komunitetin artistik.

Në këtë përvjetor, artisti Eshref Qahili, njëherësh edhe themeluesi dhe nismëtari i Galerisë Qahili, foli për KultPlus duke rikujtuar momentin e hapjes së galerisë, lidhjen e saj me ciklet natyrore dhe shpirtërore të kohës, si dhe qëllimin për ta kthyer këtë hapësirë në një vend që ringjall artin dhe shpresën.

“Kur fillimisht është bërë hapja e galerisë, e kemi menduar datën e hapjes dhe kemi vendosur që pikërisht ta hapim më 6 maj, duke llogaritur që kjo datë është dita e verës, nisur nga e kaluara që ka pasë dimër dhe verë, Shën Gjergji dhe Shën Mitri, prandaj kam vendosur që të jetë pikërisht hapja e kësaj galerie si një ringjallje apo rilindje që edhe simbolizon dita e verës. Sot shënojmë 12-vjetorin që kur funksionon kjo galeri, dhe përgjatë këtyre viteve kemi pasur diku rreth 100 aktivitete dhe me shumë artistë që kanë gravuar punimet e tyre në këto ambiente. Unë i përzgjodha që të prezantoj sot disa punime të disa cikleve, të viteve të ndryshme, që prezantojnë një humanizëm, një shpresë, një ngjarje në kuptimin pozitiv, si një mishërim i pikërisht kësaj dite”, shprehet Qahili më tutje, suke shtuar se ka besim se kjo galeri me gjithë veprimtarinë e saj do të ketë një rrugëtim shumë të gjatë.

Në hapje të mbrëmjes, për KultPlus foli edhe koordinatorja e Galerisë Qahili, Nita Qahili, e cila ndau reflektime mbi rrugëtimin dymbëdhjetëvjeçar të galerisë, sfidat dhe arritjet përgjatë këtij udhëtimi, duke vënë theksin edhe te rëndësia e zgjerimit të hapësirës dhe roli i saj si vendtakim për komunitetin artistik.

“Sot po hymë në vitin e 12-të të funksionimit të Galerisë ‘Qahili’, dhe përgjatë këtyre viteve ka qenë një rrugëtim shumë i veçantë si me të luhatura të ndryshme, të mira e më pak të mira, që pak a shumë reflektohet në gjithë atë që kemi arritur të bëjmë deri sot, pa marrë parasysh sfidat. Nuk është vit i zakonshëm apo jubilar, mirëpo sot për ne është e veçantë sepse prezantojmë edhe pjesën e dytë, terasën e galerisë që është një galeri e hapur, e cila mund të shfrytëzohet gjatë veres për aktivitete të ndryshme”, është shprehur Qahili, e cila më tutje shtoi se veçse si një ngjarje manifestimi, ky event të shërbejë edhe si një takim të njerëzve që diskutojnë rreth artit.

Ndërkaq, ju kujtojmë se galeria ‘Qahili’ është hapur me 6 maj të vitit 2013. E krijuar si një galeri dedikuar artit dhe krijuesve, përgjatë këtyre viteve ‘Qahili’ ka qenë një pikë referimi për shumë artistë, duke pasuruar jetën kulturore në vend./KultPlus.com

Piktura ‘Kënga e Fundit’ e autorit Eshref Qahilit rrëmbeu çmimin Blerës – ‘Peneli i Flakës 2025’

Rrjedha e Manifestimit Tradicional “Flaka e Janarit 2025”, e cila ka filluar më 11 janar, e që është përcjellur me homazhe e vizita të ndryshme institucionale tek familjet e dëshmorëve, si dhe tribuna e konferenca, ka vazhduar me shtyllën e arteve pamore, me ç’rast është bërë ndarje e çmimeve për krijimet konkurruese.

Në hapje të edicionit të 34-të, në shtyllën “Peneli i Flakës 2025”, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, në prani të artistëve të shumtë pjesëmarrës nga trojet të ndryshme etnike si dhe në shenjë mirëkuptimi, respekti e falënderimi për mbi 50 kandidatët konkurrues me punime, vuri në dukje rëndësinë e vlerave kombëtare dhe historike që përfaqëson manifestimi si i tillë, sikurse vet ekspozita “Peneli i Flakës”.

“Po vazhdojmë me ekspozitën e 34-të të Manifestimit Tradiconal “Flaka e Janarit”, e cila është e përgatitur mirë dhe si i tillë përfaqëson vlerat tona kombëtare e historike, si dhe zhvillimin e artit bashkëkohor, krahas ecjes së shoqërisë sonë konform zhvillimeve që ka pasur ndër vite. Ajo që e bënë akoma më të veçcantë e më të rëndësishëm këtë edicion të “Penelit … ”, është pjesëmarrja me një punim e një artisti, një luftëtari e një atëdhetari, Rexhep Selimi. Ai fatkeqësisht gjendet në një proces të padrejtë që po zhvillohet ndaj tij dhe krerëve tjerë të UÇK-së, por që sonte, në mesin tonë e kemi prezentë me një vepër arti përmes së cilës ne kemi prezentë edhe një pjesë të shpirtit të tij krijues… ”, tha Hyseni.

Ai më tej i bëri edhe një përshkrim sakrificës së bashkëshortes së Rexhep Selimit, Shqipes, për të cilën vuri në dukje se, dikur, si 14-vjeçare, së bashku me babain e saj kishin lënë Gjermaninë për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së!

Më pas, në emër të kuratorit të ekspozitës i cili nuk ishte prezent, foli Avni Behluli, i cili theksoi se veprat konkurruese janë nga mediume të ndryshme pamore. Behluli vlerësoi lart angazhimin permanent institucional që kjo ngjarje kulturore dhe kjo shtyllë e manifestimit të jetë sërish në nivelin e kënaçshëm organizues.

Në emër të jurisë, Arta Ramadani tha se ka pasur prurje e punimeve konkurruese tejet cilësore, ndërsa vuri theksin se juria ishte e vendosur në vlerësim, ndaj u përcaktua për tri çmime, si në vijim:

Çmimi kryesorë, ai blerës i galerisë, “Peneli i Flakës 2025”, i është ndarë artistit Eshref Qahili për veprën në pikturë, “Kënga e Fundit”.

Juria ka ndarë edhe cmimet për punimet më të mira në dy kategori, pikturë e grafikë:

Çmimin e parë në pikturë e fitoi Blerim Tmava me veprën “Gjyshja”, akril në pikturë, ndërsa

çmimin e parë në grafikë e fitoi Lirigzon Dërmaku me punimin e tij me titull omonim “Grafikë”.

Edhe këtë edicion u dëshmua, sikundër që edhe u theksua paraprakisht nga ana e kritikës, se “Peneli i Flakës” vazhdon të jetë njëra nga ngjarjet e rëndësisë veçanta kulturore e artistike, e cila grumbullon krijues arti të shumtë nga mbarë hapësira kombëtare, ndërsa si e tillë i jep dimension unik, kulturor e emocional tërësisë strukturore të vet manifestimit “Flaka e Janarit”.

Edicioni i 34 i “Flakës … 2025”, vijon deri më 31 Janar, me një aktivitete të nduarndurshme e të ngjeshura kulturore, nëpër shtyllat përkatëse: Arte Skenike “Talia e Flakës”; Arte Letarare “Pena e Flakës” e Arte Muzikore “Fest Flaka”, në kujtim e nderim të heronjve dhe dëshmorëve të të gjithë brezave që ranë për liri./ KultPlus.com

Rihapja e Galerisë Qahili përkon me ekspozitën “Muzeu i Fëmijërisë” nga Eshref Qahili: Reflektim mbi gjërat që populli ynë i ka përjetuar

Era Berisha

Galeritë kanë një rol tejet të rëndësishëm në industrinë e artit. Duke qenë një lidhje ndërmjetësuese mes artdashësve, koleksionistëve, talenteve të reja dhe artistëve më të mirë të kohës, galeritë janë hapësira ekspozuese që krijohen për të shitur vepra arti. Ka shumë galeri që punojnë me një portofol të llojllojshëm artistësh. Me një fjalë, përfaqësojnë, mbështesin dhe promovojnë veprat e artit të një artisti/e. Të njëjtën gjë synon ta arrijë edhe Galeria Qahili, e cila më 16 dhjetor të këtij viti ka bërë edhe rihapjen e saj, shkruan KultPlus.

E hapur më 6 maj të vitit 2013, Galeria Qahili është ndërtuar me një vetiniciativë dhe me mbështetjen familjare që është hasur mes njëri-tjetrit. Për këtë rrugëtim mjaft interesant, dëshmitarë janë shumë njerëz që janë pjesë e ekipit, të cilët padyshim që kanë ndihmuar në zhvillimin e galerisë.

Në fakt, Galeria Qahili nuk ka qenë e mbyllur me plot kuptimin e fjalës por gjendej në rinovim. Rinovimi kishte filluar duke pasur në mendje që procesi do të zgjasë vetëm për një muaj, mirëpo kishte kaluar më shumë kohë se që ishte planifikuar në të vërtetë. Në anën tjetër, ka kohë të gjatë që nuk është organizuar asnjë aktivitet në galeri, dhe kësisoj për këtë arsye, për pronarët e saj, kjo situatë u shndërrua në një rikthim që luajti rol të madh në rihapjen e galerisë.

Rihapja e Galerisë Qahili është përcjellë edhe me hapjen e ekspozitës personale të artistit Eshref Qahili, nën emërtimin “Muzeu i Fëmijërisë” si dhe promovimin e monografisë me po këtë emër. Në këtë ekspozitë janë ekspozuar vepra të Qahilit të cilat nuk janë ekspozuar më parë dhe të gjitha ato padyshim që reflektojnë në zhvillimin e krijimtarisë së tij artistike përgjatë katër dekadave.

“Është një diskutim brenda artit. Është një diskutim me artin dhe kujtimet që ju çojnë përkohësisht në sferën e revistave. Kur e di historinë që qëndron pas veprave, gjithçka rezulton të jetë e pakomplikuar. Nuk ka të bëjë me frikën, por me gjetjen e frymëzimit dhe motivimit që u ndërtuan krahas me shpresën” – pjesë nga monografia, “Muzeu i Fëmijërisë”.

Galeria Qahili ekziston për të krijuar, ruajtur dhe promovuar artin; për të edukuar dhe angazhuar publikun përmes fushave të artit. Misioni i saj mbështetë lirinë artistike dhe ngritjen e marrëdhënies unike midis prodhimit dhe konsumit të artit. Megjithatë, duhet të theksojmë se jo të gjitha galeritë janë të njëjta. Shumica e tyre punojnë sipas një metode dhe organizmi të ngjashëm, por edhe ekzistojnë lloje të ndryshme galerish arti që i kthehen rrugëtimit kundrejt procedurave tjera të veçanta në formën e vetë.

Në një intervistë për KultPlus, artisti Eshref Qahili ka shpalosur ende më shumë, lidhur me këtë rihapje të galerisë që përkoi me hapjen e ekspozitës “Muzeu i fëmijërisë”.

“’Muzeu i fëmijërisë’ është një ekspozitë personale e imja. Ishte ideja e Nites (vajza e Eshref Qahilit, njëkohësisht udhëheqësja e galerisë) që galeria të hapet me pikërisht këto punime, punime që nuk janë ekspozuar më herët, e që janë ndër ciklet e fundit që i kam punuar. Punimet trajtojnë një periudhë të jetës sime që nga vitet e 90-ta e deri më tani”, thotë Qahili.

Sipas tij, ai ndjehet çdoherë i entuziazmuar kur e ekspozon punën e tij. Sa herë që ai ekspozon, për të është sikurse ekspozimi për herë të parë në jetë.

“Gjatë tërë këtyre viteve unë kam reflektuar në përvojën time, në gjërat që i kam përjetuar por gjithashtu gjërat që populli ynë i ka përjetuar. Është një proces mjaft interesant, pasi që nëse kthehesh prapa në kohë dhe e shikon punën tënde, atëherë e kupton se si je zhvilluar e krijuar si artist”, shpalos tutje ai.

Promovimi i monografisë me po të njëjtin emër sikurse ekspozita, konsiderohet të jetë diçka jo klasike.

“Promovimi i librit nuk ishte diçka klasike por ishte një qasje tjetër. Megjithatë, ishte e rëndësishme që këto të bëhen në të njëjtën kohë, pasi që ideja e Nites ishte që të tregohet procesi im si artist, si dhe aktivitet e larmishme që priten të organizohen dhe mbahen në galeri”, tregon Qahili.

Për fund, për planet e ardhshme të galerisë, ai ka thënë se tashmë është krijuar një plan i detajuar. Pra, do të ketë ekspozita, diskutime, programe të edukimit e shumë aktivitete të tjera që priten të shpalosen më konkretisht përgjatë një programi të caktuar.

Kujtojmë që ekspozita personale e artistit Eshref Qahili, “Muzeu i Fëmijërisë” do të qëndrojë e hapur deri më 16 janar. Përgjatë kësaj periudhe do të organizohen aktivitete të tjera përcjellëse për të cilat do të njoftoheni përkatësisht. / KultPlus.com

Të premtën rihapet Galeria Qahili si dhe hapet ekspozita “Muzeu i Fëmijërisë”

Rihapja e Galerisë Qahili do të bëhet me 16 dhjetor 2022 duke filluar nga ora 19:00, përcjell KultPlus.

Rihapja e Galerisë Qahili përcillet me hapjen e ekspozitës personale të Eshref Qahilit, “Muzeu i Fëmijërisë” si dhe promovimin e monografisë retrospektivë me po këtë emër. Në këtë ekspozitë do të prezantohen vepra të Eshref Qahilit të cilat nuk janë ekspozuar më parë dhe reflektojnë në zhvillimin e krijimtarisë së tij artistike përgjatë katër dekadave.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me 16 janar. Përgjatë kësaj periudhe do të organizohen aktivitete të tjera përcjellëse për të cilat do të njoftoheni përkatësisht.

Galeria Qahili ekziston për të krijuar, ruajtur dhe promovuar artin; për të edukuar dhe angazhuar publikun përmes fushave të artit. Misioni i saj mbështetë lirinë artistike dhe ngritjen e marrëdhënies unike midis prodhimit dhe konsumit të artit.

Projekti mbështetet nga Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Pronto Sh.P.K., si dhe Shigi Studio. / KultPlus.com