Nga: Eugjen Merlika
Në këto ditë të trazuara të jetës shqiptare, kur dy vëndet shqipfolëse gjënden në një udhëkryq, përsa I përket s’ardhmes së kombit, I cili është para belegësh vendimtarë për ecurinë e tij, kur bëhet e domosdoshme bashkësia e shllimeve në projektimin e strategjisë kombëtare, studjuesi Auron Tare hodhi papritmas një shashkë në opininin publik, kryesisht kulturor në një portal të Shteteve të Bashkuara. Në synimin e tij ajo duhej t’ishte një “bombë” që duhej të trondiste opinionin panshqiptar, mbasi, si pasojë e “hulumtimeve” të gjata në mjediset e arkivave shqiptare dhe amerikane, do të duhej të rrëzonte “mitet e rreme”, të cilët, simbas autorit, kishin dhjetëvjeçarë që qëndronin në lartësitë e letrave shqipe me të padrejtë, sepse veprimtaria e tyre në dobi të kulturës shqiptare errësohej nga motivi moral, mbasi në disa shkresurina të ish oficerëve të Sigurimit përmëndeshin emrat e Ernest Koliqit e të Martin Camajt.
I gjithë operacioni, i projektuar në kulisa të caktuara e i sendërtuar nga Tareja, nuk është gjë tjetër veçse një rikthim në metodat më të errëta e më të fëlliqura të një mendimi politik, të përcaktuar nga kasta e kuadrove të ish Sigurimit të shtetit e ka për qëllim të vazhdojë të hedhë vrerin e nepërkës mbi Shqipërinë kundër komuniste, t’asaj që u përpoq me të gjitha mënyrat të shmangëte fatkeqësinë e saj më të madhe historike e mbi dy nga figurat më të spikatura të jetës kulturore të saj, Martin Camajt dhe Ernest Koliqit.
“Dritëhije në histori” (Martin Camaj & Ernest Koliqi të pazbuluar) është titulli i studimit që autori përdor për të paraqitur një sërë dokumentash të ish Sigurimit e të CIA-s, në të cilët përmënden emrat e dy personaliteteve shtatlartë të letërsisë shqiptare, të rritur e të formuar kulturalisht e moralisht në kryeqendrën veriore të Shqipërisë. Jo rastësisht po përdor foljen “përmënden”, sepse në gjithë ato materiale arkivash që janë renditur në “studimin” e Tares, nuk gjëndet asnjë fakt i vërtetuar bashkëpunimi me shërbimet e fshehta të Shqipërisë apo të Vendeve të tjera. Gjindemi përballë një përpjekjeje për mashtrim të neveritshëm të atyre që nuk e njohin sa duhet të shkuarën tonë historike, nga ana e atyre që vazhdojnë t’i besojnë verbërisht “Miteve të vërteta”, një urdie xhelatësh të diktaturës që kanë mbi ndërgjegjen e tyre mijëra e dhjetra mijëra jetë të kositura shqiptarësh të pafajshëm, jetë të gjymtuara e të kaluara nëpër kampet e çfarosjes, të internimeve të përjetëshme e të punëve të detyruara që, simbas ndonjë historiani apo studjuesi ishin “kampe pushimi” ku vdisnin çdo ditë njerëz të uritur e ku gratë e burrat ishin kthyer në kafshë ngarkese, të paracaktuar për të transportuar metro kubë drush mbi shpinë, sepse kështu kishte lëçitur në arkivat e CIA-s ndonjë historian apo koleg mendimesh i z. Tare…..
Filozofia mjerane e atij synimi mashtrues e poshtërues kundrejt vlerave të vërteta të kombit shqiptar, nuk është diçka e re. Është një praktikë e vjetëruar e regjimit, por tingëllon paradoksale të ushtrohet edhe sot, mbas tridhjetë vitesh të dështimit të plotë të tij në të gjithë drejtimet. Sot, e shitur si “liri fjale e studimi”, ringjallet në të gjithë shëmtimin e tij patologjik, duke vërtetuar më së miri thënien e një burri shteti e shkrimtari anglez, Chesterfield (1694 – 1773), kur shprehej: “Thënia e gënjeshtrave është arti i vetëm i aftësisë së ulët, është streha e vetme e poshtërsisë.”
Studimi i Tares mund të quhet një kryevepër në dëshirën për t’i a arritur synimit për të përbaltur jo vetëm Ernest Koliqin e Martin Camajn, për t’i “zbritur” ata nga Panteoni ku Shqipëria i kishte vendosur, por edhe për të marrë përsipër rolin e kritizerit të “pagabueshëm” të ministrive shqiptare e kosovare të kulturës, që paskëshin kryer një “krim kulturor” në një veprimtari të përbashkët që kishte si qëllim “promovimin e lartësimin” e figurave të tyre. Kjo kryevepër donkishoteske nuk gjen tek puna e lëvruesit të “shquar” të arkivave mjetet e duhura për të bindur qoftë edhe fëmijët e fillores në synimin e tij, duke u kthyer kështu në një operacion të dështuar të një studjuesi të dështuar.
Më poshtë do të shqyrtojmë më hollësisht se cili është ky operacion, cilat janë bazat dokumentare e logjike të shtjellimit të përftimeve që autori ka dashur t’i paraqesë si të pagabueshme, duke shpërdoruar fjalën “dokument” e duke fuqizuar shpërdorimin me termin CIA. Përimtimi i z. Tare fillon me një fakt të vërtetë, me të vetmin të tillë në të gjithë punimin e tij:
“Sipas burimeve të dosjes së tij shqiptare, Camaj dyshohet për lidhje me një bandë t’arratisurish projugosllavë. Për këtë arsye arrestohet në mënyrë të fshehtë më 5 – 5 – 1948 dhe sillet në Shkodër. Më 10 – 5 – 1948 merret në pyetje në zyrën e Sigurimit të shtetit nga kapterri II, Fadil Kapisyzi.
Dosja e deklasifikuar e Camajt ka ndër dokumenta të tjera edhe një deklaratë prej disa faqesh, mbi përfshirjen e tij në ndihmesën për t’arratisurit antikomunistë, por në rrëfimin e tij për oficerët e Sigurimit të bie në sy se Camaj ka dëshmuar gjithshtu kundër disa prej mësuesve të tij fretër jezuitë në veçanti Pader Fausti dhe Pader Daniel Dejani, Pader Roza. Duhet thënë se Fausti e Dejani ishin dënuar me pushkatim në gjyqin e famshëm kundër klerit katolik.
Megjithëse Camaj tregoi mbi përfshirjen e tij në një rrjet t’arratisurish politikë që kishin lidhje me Jugosllavinë, ai doli nga zyrat e Sigurimit të Shkodrës më 10 – 5 – 1948, pasi pranoi të rekrutohej si informator me pseudonimin “Bregu i kuq””.
Ky është episodi nga nis rrëfimi i autorit dhe rrugëtimi i tij nëpër botën e fantazmave të dosjeve të ish Sigurimit të shtetit. Një studjues i paanshëm do të duhej të ndalej në ligjëshmërinë e veprimit të cilin ai e merr në shqyrtim. E n’atë rast do t’i duhej të kthehej me mendim mbrapa në kohë, në majin e vitit 1948. Ishte viti i katërt i pushtetit komunist në Shqipërinë e Veriut. Kanë qënë katër vite të trazuara jo vetëm për Shtetin shqiptar në tërnimin ndërmjet varësisë së Beogradit e Moskës, por edhe për Malsitë shqiptare të Dukagjinit nga vinte mësuesi djalosh Martin Camaj, që kishte studjuar në liceun e jezuitëve në Shkodër. Dukagjini, si të gjitha Malësitë e Veriut, u vunë para një prove tepër të vështirë, n’atë të bashkëjetesës me regjimin që kishte ardhur në krye të Shqipërisë, në sajë të nënështrimit të plotë kundrejt jugosllavëve në vitet e para e të sovjetikëve më vonë, të dy palët armiqtë tradicionalë të malsorëve shqiptarë. Ato qëndruan edhe me armë në dorë vite me rradhë nëpër shpellat e maleve të tyre, duke ëndërruar Shqipërinë e lirë. Qëndruan duke shkruajtur një faqe vetmitore në gjithë Lindjen komuniste, atë të qëndresës kundër një bote që vinte të përdhoste zakonet e doket e tyre qindravjeçare e së cilës ata nuk donin t’i nënështroheshin. Kjo ishte vazhdimësi e historisë së tyre, por këtë rradhë ishte më e ndërlikuar, sepse u duhej të luftonin jo kundër turkut, sërbit apo malazezit, por kundër vëllait të gjuhës e të gjakut. Qëndruan nën drejtimin e princërve të Mirditës, Mark e Llesh Gjomarkaj, të Pashuk Bibës e të Ndoc Mirakajt, të Muharrem Bajraktarit e dhjetra e qindra herojve të vërtetë të kësaj toke, të cilëve Shqipëria fisnike u ka borxh nderimin në kujtesën e saj historike.
N’atë kataklizëm, që u krye në trojet e tyre, malsorët shqiptarë u munduan të shpëtojnë çfarë mund të shpëtohej nga brumi mijëvjeçar me të cilin ishin gatuar, nderi dhe besa, shartet e trashëguara të karakterit. Por n’ato vite ishin përballur me tragjedinë e terrorit komunist, me mijra të vrarë me e pa gjyq në trojet e tyre, mijra djelmosha kosovarë të masakruar në Tivar e gjatë rrugës për të arritur atje, meshtarë të arrestuar e të dënuar me vdekje me padi të rreme (shëmbulli më i qartë është ai i futjes së armëve fshehurazi në kishën e fretërve në Shkodër), njerëz të nxjerrë nga shtëpijat vetëm me rroba veshur e të mbyllur në morinë e burgjeve të Shkodrës, për të marrë pastaj udhët e internimeve në krahinat e Jugut.
N’atë atmosferë terrori, Martin Camaj, një mësues i ri njëzetetre vjeç, arrestohet një ditë maji e çohet fshehtas në zyrat e Sigurimit të Shkodrës. Atje i vihet para syve një padi për lidhje me njerëzit e malit, ndoshta edhe me ndonjë emër të vërtetë të rrethit të tij familjar apo shoqëror. Është një skenar i përdorur shumë mijra herë në Shqipërinë e Enver Hoxhës. Oficeri që e merr në pyetje është një katil i lindur. Studjuesi e anashkalon emrin e tij, por nëse do të ishte ndalur në të do të kishte zbuluar një kriminel gjaksor, që kishte dërguar në botën tjetër me tortura vdekjeprurëse Frano Mirakajn, njërin ndër martirët e Kishës katolike, të lumturuar nga Papa Françesku më 2016. Por kjo nuk ka rëndësi për shkrivanin vlonjat që krimin e kërkon tek viktima e tij, madje në fund të studimit ai flet për karierën e natyrshme të Kapisyzit.
Ndoshta mësuesi djalosh nuk e dinte se kush ishte ai që e merrte në pyetje, por në mëndjen e tij thurej plani i s’ardhmes, që vinte si synesë të tij të parë daljen nga ai burg e mundësinë për të kërkuar rrugëdalje të tjera, mundësisht pa përmëndur emra të tjerë. Këtu fillon loja e djaloshit në çerdhen e gjarpërijvet. Ai shtiret sikur i beson premtimeve që i jepen duke bërë levë në atdhetarizmin e tij të lindur, pranon padinë duke përmendur emra etërish, mësues të tij, që tashmë preheshin në lumturinë e Zotit, pranon të nënëshkruajë një deklaratë që i kanë përgatitur “ustallarët”, në të cilën bëhet fjalë për “bashkëpunim”, si gjithmonë, n’emër të interesave të larta të atdheut. Ky ishte stili.
Gjenerali i ardhshëm e kolegët e tij e besojnë e vendosin lirimin me kushtet e caktuara. Ata shihnin tek ai mësues i Prekalit një prè të shkëlqyer për qëllimet e tyre, që n’ato kohë të turbullta mund t’u sillte në shteg atyre shumë kundërshtarë të vërtetë të komunizmit. Ai pranon marrëveshjen me djallin, duke qënë i ndërgjegjshëm dhe i vendosur se nuk do t’i bënte keq kurrë askujt në jetën e tij, del dhe kthehet në Prekalin e tij. Provën e qëndrueshmërisë morale të vetëvetes e jep n’ata pak muaj para arratisjes, kur nuk le asnjë raport në organet e Sigurimit, por edhe me aktin e arratisjes së bashku me 37 vetë të tjerë. Nuk i padit ata por fillon shtegtimin e tij nëpër botë, një rrugëtim që do t’a çojë në bashkëpunimin me personalitete të gjuhësisë botërore, në katedra universitetesh, në drejtimin e organit më të vyer të shtypit periodik shqiptar si “Shêjzat” së bashku me bamirësin e mikun e tij të madh, Ernest Koliqin, në një veprimtari të pasur e të thellë shkencore si gjuhëtar e si letrar, si poet, novelist, dramaturg ndër më të spikaturit e botës shqiptare të kulturës. E gjithë kjo ishte fruti i studimeve të gjata e të thella, i mëndjes së tij të rrallë e i vullnetit të tij të hekurt, por edhe i lirisë vetiake që mundi t’i krijojë vetes nëpërmjet atij veprimi të zgjuar që kreu n’ato ditë maji të vitit 1948. Po të mos kishte vepruar kështu Shqipëria do të kishte patur një të dënuar me punë të detyruar më shumë, por një nga njerëzit më të vyer të kulturës më pak.
Por Martin Camaj nuk gjeti një fushë me lule para tij. Kaloi nëpër shumë vështirësi ekonomike e familjare dhe gjithë kohën ndjeu mbi vete trysninë e atyre të cilët i braktisi në të keqen e tyre. Sigurimi bëri çmos t’a mbikqyrë, t’a diskreditojë, t’a njollosë, siç ishte misioni i tij famëkeq, nuk i fali kurrë tradhëtinë. Afër tridhjetë vite mbas vdekjes një gjurmues arkivash merr përsipër të hakmerret për “tradhëtinë” ndaj Sigurimit e të plotësojë amanetin e hershëm për poshtërimin e figurës së tij. Me këtë synim qëmton dosjet shqiptare, nuk kuptohet me çfarë cilësie, mbasi ato duhet të jenë të mbrojtura.
“Në shtator 1948 Martin Camaj arratiset drejt Jugosllavisë…. Megjithëse n’atë kohë nuk kishte shumë informacion mbi këtë arratisje, në dosjen e zbulimit politik shqiptar në vitin 1959 (besoj se do të jetë 1949) (shënim i të nënëshkruarit), ka një detaj interesant për daljen e Camajt drejt Jugosllavisë.” Në dokumentin që sillet si “interesant”, paraqitet me rrjeshta të fshira me vizë përmbi rrjesht pohimi: “u arratis në Jugosllavi, duke i u dhënë kështu jugosllavëve informata me karakter të ndryshëm mbi vendin tonë”. Është i habitshëm fakti që oficerët e dikurshëm, që kishin marrë raportimin, i kishin vënë vizë atij pohimi, ndërsa studjuesi Tare e ringjall atë, madje e ka në bazë të akt – padisë që ngre. Sa mund të jetë i besueshëm një veprim i tillë i a le lexuesit t’a vlerësojë….
Kanë kaluar dy vjet nga arratisja e Camajt dhe autori na paraqet dokumentin e parë të deklasifikuar të CIA-s. Ja çfarë shkruhet në të :
“Lënda: Konditat në Universitetet jugosllave.
Pika C. Studentët e huaj janë nga Shqipëria, Bullgaria, Rumania dhe Hungaria. Këta studentë janë strehuar në “Studentski Dom”, konvikti i studentëve me një kosto prej 1500 dinarë në muaj. Studentët jo komunistë shqiptarë përfshijnë Danish Daca, Enver Metani, Çesk Dajçi, Halil Topalli dhe Martin Camaj. Janë gjithashtu rreth 30 shqiptarë nga Kosova n’universitete”.
Dokumenti i CIA-s, 11 gusht 1951:
Subjekti: Shqiptarët në Jugosllavi, aktivitete të rezistencës në Shqipëri, kampet e përqëndrimit në Shqipëri.
Pika 2: Dalish Daci, Martin Camaj dhe Skënder Kopisati, tre studentë shqiptarë, të cilët janë arratisur nga vendi i tyre, tashmë janë duke ndjekur universitetin e Beogradit. Shpenzimet e tyre paguhen nga Qeveria jugosllave”.
Dokumenti i CIA-s Tetor – Nëndor 1952
Tema: takimi i Emigrantëve shqiptarë në Jugosllavi.
Takimi i mbajtur në Shkup më 25 – 26 tetor 1952, në prani të një numri zyrtarësh jugosllavë dhe gjeneralit të UDB-së Mugosha. Fjalimi i Tajar Hatibit, autor i Komitetit Drejtues të Komitetit të Prizrenit: “Sot janë 171 studentë refugjatë shqiptarë në shkollën elementare, 61 në shkollën e mesme, 4 në normalen e Gjakovës dhe 25 në Universitet.”
Përse shërbimi sekret amerikan e ka vendosur atë në vëzhgim, duke theksuar emrin e tij në dy dokumenta raporti nga terreni? Mos vallë për një arsye shumë të thellë, të cilën e shpjegon dokumenti i mëposhtëm?
Dokumenti i CIA-s 26 shkurt 1954
“Subjekti: Refugjatët shqiptarë në Jugosllavi dhe Lega e refugjatëve shqiptarë (Komiteti i Prizrenit)
Data e shpërndarjes: 26 shkurt 1954
Data e informacionit (fshirë)
Vendi i marrjes (fshirë)
Numuri i faqeve 5
Pika 11. Studentët shqiptarë në Universitetin e Beogradit gjithashtu janë të financuar e të drejtuar prej UDB-së. Një oficer i UDB-së kontrollon notat e tyre mbas provimeve dhe atyre që tregohen më të zellshëm u jepen shpërblime në pare si dhe mundësi për të udhëtuar në Dalmaci e në Zagreb.”
Në këta katër dokumenta të CIA-s, të raportuara nga ndonjë agjent shqiptar i saj në Beograd (me gjasë ndonjë spiun i dyfishtë i Sigurimit dhe i CIA-s) nuk vërehet absolutisht asnjë e dhënë mbi Martin Camajn, student në Beograd, aq më pak mbi një veprimtari të mundëshme të tij në dobi të UDB-së. Atëherë lind pyetja: cili është qëllimi i sjelljes së këtyre dokumentave në akt-padinë e Tares, ku ato nuk kanë asnjë farë vlere për gjykimin e Martin Camajt? Nga viti 1948 deri më 1954, autori i “hulumtimit”nuk është në gjëndje të paraqesë për lexuesin asnjë argument të vlefshëm në mbështetje të tezës së tij, se shkrimtari e studjuesi i mirënjohur Camaj që shpërthen në Beograd si intelektual i shkallës së parë, sa që të merret si docent me mbarimin e Universitetit, ka lidhje çfarëdo me UDB-në. Aq më tepër të sjellë një raport të tij dërguar atij organi. Edhe ato pak të dhëna që dalin në përgjithësi për studentët nuk pasqyrojnë asgjë të veçantë. Madje është e çuditëshme që studjuesi i paraqet këta dokumentë të cunguar, me ndonjë frazë të shkurtër ku përmëndet emri i poetit. Kjo vërteton faktin se të gjithë përpjekjet e tij për të fluturuar mbi Atllantik për të gjetur “vezën e artë” në arkivin e deklasifikuar të CIA-s kanë përfunduar në asgjë, e megjithatë ai vazhdon të ngulë këmbë në pohimet e tij me zellin e një inatçori kryeneç dhe tepër larg seriozitetit të një sudjuesi dukurish kulturore e politike.
Ai e përmënd emrin e institucionit amerikan të shërbimit të fshehtë si një hajmali që që do të bëjë efektin çudibërës të bindjes së opinionit publik shqiptar nga dokrrat e tij. Mbi at’ emër ai të ndërtojë një kështjellë padish mbi rërë, që përbëhet jo nga fakte të gjalla e të pakundështueshme, por nga hamëndjet dhe “arsyet e mosarsyes” së trurit të çoroditur nga urrejtja. Është e qartë si drita e diellit se z. Tare nuk niset aspak nga pozita e studjuesit, por nga ajo e kolegut të vonë të autorëve të dosjeve, që ka paracaktuar objektivin dhe rezultatin e qëllimit të tij. Sa do t’i a arrijë synimit besoj se mundësitë janë zero, megjithë shtysat e përgëzimet që merr nga anë të ndryshme, kryesisht nga veteranë të Sigurimit shqiptar. Janë zero sepse nga arkivat e ish armiqve të betuar të socializmit enverist nuk i vjen në ndihmë asgjë, sepse nuk ka asgjë të vërtetë nga ato që mëton të gjejë ai në jetën e “shkrimtarit të lartësive”, siç e ka përkufizuar një tjetër koleg madhor i tij, Ismail Kadareja, sepse nga asgjëja nuk lind asgjë.
“Bota e hiçit, prej hiçit, për hiçin rrotullohet rreth qëllimit të hiçit” shkruante një filozof i njohur gjerman i shekujve të shkuar. Megjithatë z. Tare vazhdon të besojë se do të shkaktojë një “përmbysje të vlerave”, se “studimi” i tij do të hapë një autostradë të gjërë në fushën e mendimit kulturor e shoqëror të sotëm, në të cilën do të sulen ngadhnjimtarë të gjithë fitimtarët e epokës së turpëshme të ish Sigurimit shqiptar, që do të na zbulojnë “kutërbimin” e “botës së vjetër” të përfaqësuar nga Koliqi, Camaj, Fishta e të tjerë të ngjajshëm të tyre. Madje ndonjeri prej tyre, i shqetësuar se kolegu mund të “helmohet” nga ajo duhmë, e porosit atë të pajiset me një kundragaz, sepse sa më shumë të zhytet në dosjet e Sigurimit, aq më shumë rrezikohet të asfiksohet.
Por studjuesi i ynë e humbet aq shumë torruan, i pushtuar nga afshi i tij i poshtërimit të kundërshtarit, sa që mbasi ka paraqitur një dokument të vitit 1954, në të cilin bëhet fjalë për shpërblime studentësh të dalluar në nota të larta në provimet e universitetit, kthehet mbrapa dhe hamendëson:
“Në vitin 1951 Camaj njihet dhe martohet me Nina Bogdanoviç, vajza e ish nën- kryetarit të dikurshëm të Bashkisë së Beogradit. Nuk ka asnjë të dhënë nëse takimi i dy të rinjve ishte i orkestruar nga UDB-ja, por duket e pamundur që kjo lidhje të mos ishte kryer të paktën me miratimin e UDB-së. Një dyshim mbi këtë fakt del edhe nga vëzhgimi i mëposhtëm……. Me të drejtë lind pyetja: me çfarë të ardhurash pushonte në këtë resort malor ky i ri refugjat? A mos vallë këto pushime ishin shpërblimet për të cilin flet dokumenti i mësipërm i CIA-s për stdentët shqiptarë?”
Duke u përpjekur të gjejë qimen në përpeq, fantazia e autorit bën lidhjen e paarsyeshme ndërmjet shpërblimeve të supozuara të UDB-së më 1954 me pushimet e poetit me gruan më 1951. Mbasi logjika e tij është kaq shumë e pushtuar nga ankthi i zbulimit të “fajësisë” së shkrimtarit, ai i vesh pushimeve të vitit 1951 një mundësi të hamendësuar më 1954! Ajo logjikë e turbulluar nuk mund të përftojë mundësinë e një historie dashurie të lirë e të pakushtëzuar mes dy të rinjsh, studentë në një universitet, por don t’a lidhë atë domosdoshmërisht me “ndërhyrjen” e djallit, e në një rrezatim “gjenialiteti” zbulon se gjithshka ka shkuar ashtu, e në vetminë e tij krijuese thërret “Eureka”. Ashtu ka ndodhur, sepse ashtu duhej të ndodhte, sepse ashtu dëshironte ai të kishte ndodhur në delirin maniakal të mëndjes së tij të harlisur. Sepse përjashtohej mundësia që nëna shqiptare e Ninës Bogdanoviç t’i kishte dhënë së bijës një shumë të hollash për të kaluar disa ditë në Zlatibor me të fejuarin, apo që ky i fundit të kishte fituar e kursyer aq para nga botimi i shkrimeve të tij, apo ndonjë tjetër mundësi.
M’u kujtua zonja Knorr (1827 – 1908), një shkrimtare austriake që shkruante në frëngjisht, që ka botuar mes të tjerëve, një vëllim eseistik “Mendime mbrëmjeje”, që në një çast përsiatjeje shprehej: “Çfarë makalushësh janë gënjeshtarët! Arrijnë të besojnë se janë të besueshëm!”
Gënjeshtra, edhe kur nuk shfaqet e qartë e pa mëdyshje në dokumentat, gjen në përfytyresën e autorit strehën e vet të shumëzimit, nga e cila dalin pa prerë hamëndje e pyetje pa fund, deri sa arrijnë të bindin dhe vetë autorin se përgjigjet e tij janë të vërteta. Krijimi në përfytyresë i një mjedisi ireal, të cilin autori orvatet t’a shesë për ar të kulluar të së vërtetës, ndoshta si dukuri kalon nga normaliteti e hyn në një tjetër fushë. Por është e papranueshme që, mbi këto dukuri, të përbaltet një njeri, cilido qoftë, aq më tepër një nga shtyllat më të fuqishme të përparimit të Shqipërisë e të trashëgimisë së saj kulturore.
- Tare shpreson të gjejë në arkivat sërbe vërtetimin e hamëndjeve të tij. Sinqerisht jam i bindur se nuk do të gjejë asgjë, por sido që të jetë, normat më parake të etikës fletorare e të moralit njerëzor nuk duhej t’a linin të sajonte atë farë paçavure që i servir botës së internetit pa ato prova, duke shpërdoruar paturpësisht lirinë e shprehjes.
Auron Tare ka një vëlla të suksesëshëm në Itali, që ka bërë karierë si futbollist e më vonë si drejtues klubi i Lazios. Si i a ka arritur këtij pozicioni vëllai i tij, nëpërmjet zotësisë së tij apo bashkëpunimit me shërbimin e fshehtë italian? Jam i bindur se në sajë të aftësive të tij. Por si nuk mund të pranojë vëllai i tij se në një tjetër kohë, një tjetër shqiptar i talentuar ka mundur, në sajë të aftësive të tij e jo të shërbimeve të fshehta, të ndërtonte një karierë studjuesi, qoftë edhe në nivele shumë të larta akademike. Një koncept i kundërt me këtë, pasqyron ideologjinë e Sigurimit të shtetit dhe është një fyerje për të gjithë ata shqiptarë të ndershëm që kanë hapur rrugët e tyre të jetës e të suksesit profesional e shoqëror, në sajë të punës e aftësive të tyre, kudo në Shqipëri apo në botë.
Ja edhe një tjetër shtjellim i përftimit të Tares mbi argumentin: “Biografët e tij, deri më sot, nuk kanë dhënë ndonjë sqarim se si mund të largohej nga Jugosllavia. Largimi i tij ka disa dritë hije që sjellin një sërë pikëpyetjesh. Si mundi Martin Camaj të merrte lehtësisht miratimin e autoriteteve jugosllave për t’u larguar nga Beogradi? A ka aplikuar Camaj si shumë të tjerë?…. Ndërkohë Camaj papritur gjëndet në Romë….”
Tare bën sikur nuk e din se Jugosllavia e Titos nuk ishte si Shqipëria e Enver Hoxhës, edhe se të dyja Vëndet ishin komuniste, por kishin qasje të ndryshme përsa i përkiste emigrimit të qytetarëve të tyre. Gjatë viteve të mbasluftës nga Jugosllavia u larguan miliona vetë në drejtim të Perëndimit, pa i kërkuar kush llogari për atë lëvizje, ndërmjet të cilëve edhe dhjetra e qindra mijra shqiptarë të Kosovës, të Maqedonisë e të Malit të Zi. Nga Shqipëria ai që largohej rrezikonte plumbin në kufi e ai që vetëm e shprehte dëshirën rrezikonte deri në njëzet vite burg për “bisedë arratisjeje”, duke marrë nofkën “tradhëtar i atdheut”. Të ndërpretosh realitetin jugosllav, në të cilin jetoi për tetë vite Martin Camaj, me mendësinë e sytë e realitetit shqiptar të Enver Hoxhës, do të thotë të mohosh të gjitha ligjet e logjikës, e të jesh plotësisht jashtë një terreni arsyetimi të mirëfilltë.
Por autori i studimit është i djemnuar nga ideja e shërbimeve të fshehta dhe bën një tjetër pyetje: “A mos vallë “Brezi i kuq” dërgohej me mision të ri?”
Me të vërtetë duhet të kesh një durim prej Jobi të lexosh deri në fund këtë manual mashtrimi e mungese logjike të pashëmbullt në llojin e vet. Nga tetë vjet qëndrimi në Jugosllavi Sigurimi nuk arriti të gjejë qoftë edhe një dokument të vetëm që të provojë bashkëpunimin e Martin Camajt me UDB-në e tani nga mëndja e harlisur prej manisë së kompleksit sigurimas, autori lëshon një hamëndje tjetër, njërën nga të zakonshmet e tij, për të kërkuar një miratim mbas 64 vitesh të zhvillimit të ngjarjeve. Duket se studjuesin në fjalë e ka munduar ky djemnim që në embrion, ndërsa përgjigjet e gjithë hamëndësimeve e pyetjeve mund t’i kishte gjetur duke lexuar letërkëmbimet e botuara të poetit.
Në një letër të tij, drejtuar një miku të tij në Romë, Lazër Sheldisë, një letër të ruajtur nga arkivi i CIA-s e të sjellur në punimin e autorit, gjënden përgjigjet e të gjithë pyetjeve që mundojnë këtë të fundit. Aty përshkruhet gjëndja e pasigurtë në të cilën ndodhej kohët e fundit shkrimtari, vetmia cfilitëse në të cilën ishte zhytur, keqardhja që veprat e tij nuk gjenin dritën e botimit, trysnia e tërthortë e UDB-së nëpërmjet fjalëve të Mugoshës, njërit ndër udhëheqësit më të rëndësishëm të shtabit partizan të lëvizjes N. Çl. Shqiptare e mikut më të vyer të udhëheqësve shqiptarë, ankthi i një kthimi të dhunshëm në Shqipëri si gjuhëtari Selman Riza, etj, etj. Madje në letër ka edhe një thënie lapidare të shkrimtarit e gjuhëtarit, drejtuar mikut: “Nuk kam frikë nga vuejtjet, por deri sa të jetoj dua të jetoj në mënyrë të ndershme! “
Këto fjalë zemre, të drejtuara mikut, por edhe të gjithë shqiptarëve të kohës së tij e të brezave të ardhshëm, janë dëshmia më e plotë e pastërtisë morale e intelektuale të Martin Camajt, këtij biri fisnik të tokës shqiptare, së cilës ai i lartësoi emrin në mes të Evropës së qytetëruar.
Por truri i studjuesit, i mbyllur hermetikisht në arkivat dhjetravjeçare të Sigurimit, nuk mund të ketë një hapje njerëzore kundrejt të paditurit. Ai është i “paracaktuar” të pësojë baltosjen, edhe se nuk ka në jetën e tij asnjë dëshmi fajësie, edhe se është i sinqertë në rrëfimin e tij. “Hakmarrja” e Sigurimit të shtetit, nëpërmjet pendës së Tares, duhet të shkojë deri në fund, vendimi është dhënë dhe është i pakthyeshëm si dikur, edhe se është kundër fakteve, konsideratave, meritave, gjykimit të shëndoshë, pjellë e një kohe të shkuar e të largët, kur në historinë tonë “u ngritën këmbët t’i bien kokës”.
Një formë e tillë arbitrariteti mendor mund të mbajë vetëm vulën e komunizmit, mund të gjindet sot vetëm në Korenë e Veriut, në Kinë, në Rusinë e Putinit, në Venezuelë, në Nikaragua apo në Kubë, por nuk duhet të gjejë të drejtë qytetarie në Shqipërinë e shekullit 21, sado të fuqishme të jenë shtysat e asaj pjese të popullsisë apo të politikës që ende shohin me mall të shkuarën e afërt.
Nuk e quajta me vënd të ngulnja këmbë këtu edhe për ato që shkruhen për Ernest Koliqin. Kjo jo se shpifjet për të janë më të argumentuara, por për faktin se personaliteti i tij është tepër i madh për t’i u nënështruar cikërrimave të Tares. Ai ka qënë një person që nuk ka jetuar vetëm me politikën, ka patur një katedër në universitetin e Romës. Por me politikë është marrë gjithmonë në dobi të interesave të vërteta të atdheut të tij, e në këtë kuadër ka folur jo me agjentë të shërbimeve të fshehta, por me autoritete të larta të dikastereve evropiane e më gjërë. Po sjell këtu një fragment nga një letër të datës 23 –9 – 1948 që ai i shkruan Mustafa Krujës në Egjypt nga Rapallo (Itali):
“Pa nji koalicjon të forcave t’emigracjonit nuk e besoj se i a arrijmë (asnjani grup) m’e vu n’udhë problemin shqiptar për zgjidhje. Deri tash ky ishte nji opinjon i emi, tashti âsht bâ aksiomë. E ja pse.
Gjatë qindrimit t’im në Romë prej 14 deri në 24 gusht, Ministria e Jashtme më kishte kërkue gjithkah. Më gjetën e shkova tash (më 14 shtatuer).
Nji funksjonar shum i naltë më tha:
1 – Simbas fjalës qi ju dhamë në fund të majit, kjo Ministri âsht interesue pranë Departamentit të Shtetit për çâshtjen e juej. Departamenti i Shtetit na ka përgjegjë se pak gjâ din mbi problemin shqiptar, se ajo shka din asht krejt negative: n’Amerikë i vetmi komb qi me mish e me shpirt mpron komunizmin janë Shqiptarët, këta në kët mënyrë kanë marrë nji rrymë antiamerikane dmth. veprojnë kundra interesavet të vendit qi i hospiton; – asnji zâ kundërshtar s’ka dalë me thye kompaktecën e shumicës. Departamenti i Shtetit tregohet shkeptik dhe mbi seriozitetin e nji lëvizjeje refugjatësh antikomunista mbasi qi këta paraqiten krejt të dámë. Me gjithë këtê do të pëlqehej nga Departamenti i Shtetit nji interesim i itljanvet, tue qenë se këta kanë eksperiencë në çâshtje shqiptare, i cili interesim të kishte për qëllim nji koalicjon të grupeve politike shqiptare n’emigracjon. Funkcionari më siguroi se ai ishte i autorizuem të më thonte për t’i a tregue eksponentave shqiptarë të ndryshëm, natyrisht atyne qi s’e përhapin ndër kafehane por dijnë se ç’âsht diskrecjoni në të tilla punë delikate.
2 – Po u realizue nji koalicjon ndërmjet shumicës së grupevet, pasaportat për Amerikë janë gati për delegatë dhe ndoshta shpenzimet e udhëtimit. Në rasë t’arrijtjes shtypi do të flitte – me shtytje të Departamentit të Shtetit – mbi çâshtje shqiptare dhe nji antar i delegacjonit t’onë do t’u pranonte në Komitet formue nga eksponentat e vendeve danubiane – ballkanike robnue nga Sovjetët, komitet qi ka për kryetar Mikolajcik (burrë shteti polak). Si e shef puna ka baza të shëndosha. Kam folë edhe për bursa e shefi i sekcjonit përkatës më ka premtue 10 (dhjetë) për vjetin e ardhëshëm akademik. Për Koço Mukën dhe Ali Këlcyrën i kërkova visa-t dhe më premtuenë me i dërgue sa mâ parë.
Si e shef un këtu, n’at t’emen, jam përpjekë. Mos rrini pa punue ju atje. Koalicjoni i partive nuk duhet të trembi askênd, i vjen dobí çâshtjes së kundrueme në dritë të realizimit dhe qet jashtë e derrmon utopit qesharake të parvenu-vet në politikë……”[1]
Kalibri i personalitetit të Ernest Koliqit, ish sekretar i Luigj Gurakuqit në kabinetin Noli mw 1924, ish ministri i parë i hapjes së shkollave shqiptare në “Tokat e lirueme” mw 1941, siç del edhe nga ky fragment letre, i kalon shumë personazhet mjerane të dokumentave mjerane të arkivave të Sigurimit. Për atë është aktual epitafi i vendosur mbi varrin e Molierit:
“Lavdia e tij nuk ka për gjë nevojë
Por e jona ka nevojë për të.”
Marrëzitë e këtij shkrimi ndoshta, në mënyrë paradoksale, do të gjejnë idhtarë të diktaturës që t’a vazhdojnë me zell metodën e mashtrimeve të filluar në të largëtin vit 1945. Sigurisht nuk do t’i vlejnë Shqipërisë, që duhet të njohë të vërtetën e gjithë këtyre viteve për të shkuar përpara. E nuk mund t’i arrihet kësaj të fundit pa njohur vlerat tona të vërteta intelektuale e morale, pa i vënë ato në vendin e nderit të altarit të kombit, pa i studjuar, pa i vlerësuar pa frymë partiake a politike, sepse vlera e tyre i tejkalon kohët dhe hapësirat politike, sepse ajo i përket strukturës së qëndrueshme, palcës kurrizore të kombit, sepse është pasuria më e madhe e tij. /KultPlus.com
[1]Mustafa Merlika – Kruja : “Kuvend letrash me miqtë” Vëllimi II, faqe 21 – 22