Eurovision 2025: Zbulohen edhe 10 finalistët nga gjysmëfinalja e dytë, gati për natën e madhe në Basel

Në gjysmëfinalen e dytë të Eurovision 2025, e cila u mbajt më 15 maj në Bazel të Zvicrës, dhjetë shtete siguruan kualifikimin për në finalen e madhe.

Mes performancave energjike dhe emocioneve të mëdha, në finale kaluan Lituania, Izraeli, Armenia, Danimarka, Austria, Luksemburgu, Finlanda, Letonia, Malta dhe Greqia.

Këto shtete do t’i bashkohen finalistëve të gjysmëfinales së parë, e cila u zhvillua më 13 maj dhe ku u kualifikuan Norvegjia, Shqipëria, Suedia, Islanda, Holanda, Polonia, San Marino, Estonia, Portugalia dhe Ukraina.

Finalja e madhe e Eurovision 2025 do të mbahet më 17 maj në qytetin e Bazelit, ku pjesëmarrësit do të konkurrojnë për trofeun, së bashku me pesë vendet e “Big 5” – Spanjën, Francën, Italinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermaninë – si dhe Zvicrën, vendin mikpritës të këtij viti./KultPlus.com

“Shkodra Elektronike” çon në ‘Eurovision’ jo vetëm zërin por dhe historinë e traditën shqiptare

Shkruan: Merita Toçila

Një paraqitje eklatante e këngëtares Beatriçe e “Shkodra Elektronike” në “Eurovision 2025” me këngën “Zjerrm”. Ajo çon atje jo vetëm zërin e veten, por dhe historinë e traditën e vendit të vet si një indentitet i përkryer e në një harmoni të shpirtit dhe trupit. Kostumi i parë konceptuar sipas saj si një “Odë e gjyshes”, duhet parë si një “Ode për trashëgiminë” ku janë mbledhur detaje shenjuese të kujtesës individuale e kolektive (puskulet, msyshet, peshtahu, qylymi etj). Ai ka një dukje më statike e më të rëndë, por më shprehës i identitetit të këngës dhe këngëtares. I dyti (i skenës) konceptohet dinamik për lëvizje dhe më i lehtë e në funksion të artistit ku ndërliken në harmoni struktura e veshjes, simbolikës dhe trupit anatomik në përshtatje me gjestet gjatë performimit.

Beatriçja jonë me të kuqe zjarri, ashtu si gruaja e veshur me të kuqe në historinë e artit që shoqëroi Danten në udhëtimin e tij nga bota njerëzore në atë hyjnore, duke i zbuluar bukurinë dhe dritën e dashurisë, shndërrohet në performancën e sotme në një shkëndijë drite. Energjia që transmeton artistja tek rreket të joshë e të tërheqë në këtë udhëtim në kërkim të një bote të mirë e të pastër, partnerin skenik me setrën e errët skolastike, plotësohet me pamjen e jashtme të një fustani shkëlqyes. Veshja që përkon organikisht me këngën e jo vetëm trupin të jep idenë që ata duan të përcjellin tek thonë se zjarri vjen nga lashtësia dhe “ka një rëndësi të thellë simbolike përgjatë kulturave dhe historisë” dhe e lashta bashkjeton me modernen që prezantohet sot.

Metamorfoza e paraqitjes së Beatriçes si person, nga lëkura e trupit në lëkurën e veshjes me shtresë të parë, të dytë e të tretë tek interpretuesi, shënon një nga kushtet e para të nisjes së këtij udhëtimi skenik dhe komunikimi me skenën e publikun. Marrëdhënia trup-veshje shkon deri në atë gradë sa bëhet shenjë e trupit simbolik. Teknika e zbatuar në ekzekutimin e veshjes nga stilistja (që në këtë rast është e ëma e artistes) për të respektuar anatominë e trupit duke i dhënë liri gjymtyrëve në lëvizjet vallëzuese, shoqërohen me lojën iluzore të organcave dhe trillimin e flakëve të zjarrit. Kjo flakë zjarri që digjet e vërtitet në skenë në çdo lëvizje të zhdërvjellët trupi e tregon sa vlerë ka për paraqitjen skenike studimi i trupit të interpretuesit, i tekstit të interpretuar, i mesazhit e simbolikës përmbajtësore dhe ngjarjes që duhet të përfaqësojë artisti për veten, për realizuesit, për shikuesit dhe për vendin që përfaqëson në një ngjarje të këtij niveli. Trupi i saj është vetë kostumi, pasi ai kontribuon në përforcimin e iluzionit tek spektatori dhe në motivimin e interpretuesit për të kuptuar dhe transmetuar më bindshëm peshën e rolit të tij në skenë.

Loja figurative me dy struktura ku njëra është thjesht një lëkurë, e tjetra me pala e draperi e shpie në një shkallë tjetër paraqitjen skenike. Në antikitet palat (e imëta a të gjera) vendosnin një marrëdhënie të caktuar me trupin, duke zbuluar a mbuluar pjesë të tij, ndërsa në traditë kanë vazhduar të aplikuara në fustanella, korete, bohçe etj. Këtu palat e dendura mbështjellin, fshehin e zbulojnë pjesërisht format trupore me një pëlhurë elastike nëpër të cilën kalojnë disa vizatime e qëndisma për të cilat autorja e saj rrëfen se i referohet Rozafës. Të dukshme apo jo, ato vija të qëndisura gjatësore a të lakuara në forma të kërkuara estetike përshkojnë si kapilarë gjaku a zjarri trupin të përfshirë në gjuhë flakësh. Kjo dukje e bind shikuesin në përcjelljen e emocionit artistik kur kalon nga transparenca e pëlhurës, tek gjysmëtransparenca e mbulimi i plotë realizuar shkallë-shkallë në tekstura të larmishme. Stilistja me mençuri, nuk përpiqet të krijojë një veshje sipas modës, as të korrigjojë (panevojshëm) siluetën e një vajze të re, por me forma të kursyera në dukje evidenton trupin në përshtatje me moshën, karakterin dhe lojës skenike e gjesteve artistike.

“Vazhdo me shndritë” Beatriçe!/ KultPlus.com

Këto janë shtetet që shkojnë në finalen e Eurovision 2025

Sot është mbajtur gjysmëfinalja e parë e Festivalit Ndërkombëtar të Këngës ‘Eurosong Contest 2025’, përcjell KultPlus.

Në këtë gjysmëfinale të parë janë shpallur edhe 10 këngët finaliste.

Norvegjia, Shqipëria, Suedia, Islanda, Holanda, Polonia, San Marino, Estonia, Portugalia dhe Ukraina shkojnë drejt finales.

Më 15 maj do të mbahet gjysmëfinalja e dytë, ndërkaq finalja e Eurovision 2025 do të mbahet më 17 maj./KultPlus.com

‘Shkodra Elektronike’ me ‘Zjerm’ shkon në finalen e Eurovision 2025

Përfaqësuesja e Shqipërisë në Eurovision 2025, ‘Shkodra Elektronike’, ka kaluar në finalen e këtij festivali, teksa sot po zhvillohet gjysmëfinalja e parë, përcjell KultPlus.

Shkodra Elektronike është një duo muzikore shqiptare e formuar në vitin 2019 në qytetin e Shkodrës, e përbërë nga producenti Kolë Laca dhe këngëtarja Beatriçe Gjergji. Ata janë njohur për stilin e tyre unik “folktronica”, që ndërthur muzikën elektronike me elemente të muzikës tradicionale shqiptare. Pas emigrimit në Itali, ata kanë ruajtur lidhjet me rrënjët e tyre kulturore, duke i sjellë ato në një kontekst modern muzikor.

Kënga e tyre “Zjerm” është një përzierje e fuqishme e tingujve elektronikë dhe motiveve tradicionale shqiptare, e cila trajton tema si dhimbja, qëndresa dhe shpresa. Teksti i këngës është shkruar nga Beatriçe Gjergji dhe Lekë Gjeloshi, ndërsa muzika është kompozuar nga Gjergji dhe Kolë Laca.

Duoja ka realizuar një tur promovues në disa qytete evropiane, përfshirë Berlinin, Selanikun, Marsejën, Oslon, Amsterdam, Mançesterin, Londrën dhe Madridin, për të prezantuar këngën “Zjerm” para publikut ndërkombëtar./KultPlus.com

Eurovizion 2025 do të mbahet në Bazel të Zvicrës, finalja më 17 maj

Qyteti pritës i Eurovizion 2025 do të jetë Bazeli i Zvicrës, ndërsa rena do të jetë Shën Jakobshalle. Janë konfirmuar edhe datat kur do të zhvillohet Eurovision 2025, ku gjysmëfinalja e parë do  të mbahet më 13 maj, gjysmëfinalja e dytë më 15 maj, ndërsa finalja do të zhvillohet më 17 maj. Të tre shfaqjet live do të fillojnë në orën 21:00.

Kjo do të jetë hera e tretë që gara do të mbahet në Zvicër. Vendi gjithashtu priti Eurovizionin në vitet 1956 dhe 1989.

Katër qytete ishin në garën e qytetit pritës: Bazeli, Berna, Gjeneva dhe Zyrih.

Nemo nga Zvicra u kurorëzua fituesi i Eurovizionit të 68-të me këngën ” The Code”. Shqipëria u përfaqësua nga këngëtarja Besa Kokëdhima me këngën “Titan”, por pavarësisht një performance elektrizuese, nuk mundi të prekë finalen./rtsh/KultPlus.com

Kosovës i refuzohet pjesëmarrja në Eurovision

Kosova as në vitin 2025 nuk do të marrë pjesë në Eurovision.

Transmetuesi Publik i Kosovës RTK nuk e ka marrë ftesën e lakmuar nga Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) për të marrë pjesë në Festivalin e Këngës Eurovision 2025 në Zvicër.

Sipas një postimi të llogarisë zyrtare të Kosovës në Eurovizion në X (ish-Twitter), EBU nuk dha dritën jeshile për arsye politike, shkruan Eurovision News.

Po ashtu, ata kanë konfirmuar për RTK-në se për të marrë pjesë në garën evropiane të muzikës duhet të bëhen anëtarë të plotë të organizatës së transmetuesve publikë të gjitha shteteve.