“Lumturia qëndron tek përpjekjet e mëdha që sjellin arritje të mëdha”

Nga F. Xhafaj

Kam vendosur ta nis këtë shkrim me një thënie të famshme të Franklin Roosvelt, e cila më bëri përshtypje nga momenti i parë që e kam lexuar. Është shumë e thjeshtë për t’u analizuar dhe nuk fsheh në vetvete ndonjë filozofi të madhe.

“Lumturia vjen me arritjet e mëdha, të cilat janë pjesë e përpjekjeve të mëdha, sforcuese, e që ndonjëherë na lodhin. Ato që shumica prej nesh nuk i pranon dot, janë pikërisht përpjekjet. Kërkon arritje pa përpjekje. Kërkon lumturi pa përpjekje.”

Në mendje më vjen një situatë me miqtë e mi. Isha duke i treguar mbi kuptimin dhe mesazhin e fuqishëm që sjell libri “Sekreti” i Rhonda Byrne. I gjithë libri sillet rreth shpjegimit të Ligjit të Tërheqjes. Ne tërheqim drejt vetes gjërat që i mendojmë më shpesh.

Këtë i shpjegova edhe atyre dhe nisën të qeshnin. Disa edhe po talleshin duke thënë “Domethënë, të rri kot unë e të mendoj sikur po jetoj në Amerikë, i bie të shkoj së shpejti në Amerikë?”.

Jo, dëshira jonë e madhe për rehati dhe përtaci bëri që dhe ata të mos i mendonin gjërat thellë. Kuptimi i librit është shumë i thjeshtë. Për gjërat që i mendon më shpesh, nis të punosh më tepër dhe së shpejti i arrin ato.

Pra, ne tërheqim gjërat që mendojmë, duke punuar fort për t’i arritur ato. Askush nuk thotë që gjërat në jetë vijnë vetë. Thjesht universi na ndihmon që ne të marrim më lehtë gjërat që duam dhe për të cilat punojmë fort që t’i arrijmë.

Shumica prej nesh ndalen pikërisht tek përpjekjet. Duan shumë diçka, por sapo u shfaqet pengesa e parë për ta arritur atë gjë, lënë gjithçka në mes të rrugës dhe nisin të kërkojnë diçka tjetër. Gjërat vazhdojnë po njësoj. Edhe për gjënë tjetër u shfaqet një vështirësi dhe sërish dëshirat e tyre ndryshojnë duke mos arritur asgjë në jetë.

Kjo është totalisht e gabuar. Përpjekjet duhen shtuar pikërisht në momentin e vështirësive. Aty nuk duhet të ndalemi, por të përpiqemi më shumë që ta arrijmë atë që duam. Nëse e duam fort diçka, kuptohet që edhe përpjekjet për ta arritur atë gjë duhet t’i shtojmë. Asgjë nuk duhet të na ndalë kollaj.

Gjërat e mira kërkojnë shumë vullnet dhe përpjekje për t’u arritur. Asgjë e mirë nuk arrihet lehtësisht, ama në momentin që arrihet, të fal lumturi dhe krenari të pamasë. Për këtë lloj lumturie duhet të luftojmë. Ne jemi mjaftueshëm të aftë për të arritur gjithçka. Ne kemi çdo potencial të mundshëm për të triumfuar në jetë. / KultPlus.com