Doktori kosovar që jeton në Gjermani: Në Kosovë jetën e pacientit e shohin vetëm si biznes

Doktori kosovar që jeton dhe vepron në Gjermani, Fahri Beqa përmes një statusi të bërë në rrjetin social Facebok ka thënë se pandemia COVID-19 në Kosovë, ka arritur në atë pikë që është vështirë të kontrollohet.

Ai thotë se qytetarët janë lënë vetëm pa ndihmën e institucioneve, dhe se me jetën e pacientëve po bëhet biznes, shkruan Reporteri.net.

Ky është postimi i plotë i tij:

Të sillemi ashtu sikur të ishim të gjithë të infektuar, të ruhemi secili nga secili. Vetëm kjo e vendos prapë kontrollin mbi pandeminë. Pra kufizimi strikt i kontakteve.

Pandemia COVID-19 tani si duket ka arritur në atë pikë që vështirë është të kontrollohet.

Arsyeja kryesore është qartë gabimi në menaxhim të saj, mungesa e qasjes së përgjithshme ndaj saj, si në aspektin preventiv e medicinal por edhe në atë ekonomiko-financiar. Qytetarët janë lënë vetëm pa ndihmën e institucioneve. Institucione që udhëheqen definitivisht nga njerëz të papërgjegjshëm. Parandalimi pra ka dështuar, e këtu përgjegjësi kanë edhe vetë grupe të caktuara të qytetarëve që merren me konspiracione dhe e mohojnë edhe më tutje pandeminë.

Ndërsa mjekimi i COVID-19 në Kosovë mbetet histori në vete. Institucione publike të dobësuara, mjek e personel të stërlodhur e të frustruar nga kjo situatë. E në anën tjetër sektor privat shëndetësor tërësisht të pakontrolluar që shëndetin dhe jetën e pacientit e shohin vetëm si biznes.

Absurdi numër 1: i preferohet secilit që është pozitiv me Sars-Cov2 një trajtim me Remdesivir 10-ditor – kostoja 1800 Euro??!!!

Absurdi numër 2: Pacientëve pa asnjë shenjë sëmundjeje ju përshkruhen barna antikoagulante si Xarelto, ASS bile edhe në kombinim. Këto barna e rrisin rrezikun e gjakderdhjes në secilin organ, përfshirë gjakderdhjet fatale në tru.

Pastaj në shumë raste përshkruhet medikamenti Prednisolon i cili është treguar efektiv vetëm në pacientët që janë në mjekim intensiv dhe të intubuar.

Më tutje gati secilit pacient pa asnjë shenje infeksioni të bronkeve e të mushkërive i është përshkruar antibiotiku Azithromycin, pra pa kritere të qarta.

Befasohem për të keq me recetat e alamet mjekëve që m’i dërgojnë pacientët nga Kosova. Nga disa receta më rrëqethet trupi…

Pastaj absurd në vete mbetet biznesi me teste serologjike (pa kurrfarë vlere diagnostike) e me çmime të testeve me antigjen…

Për gjithë këtë kaos dikush duhet t’a ndjejë veten përgjegjës. Dhe askush nuk duhet të hesht, sikur nuk po ndodh asgjë.

Tani është koha që të shpëtohet jeta e njerëzve, jo të planifikohen e të ndërtohen autostrada e asfalt. Interesat individuale, klanore e partiake duhet të lihen anash.

Ndërsa qytetarët tani duhet të sillen ashtu sikur të ishim të gjithë të infektuar. Secili prej nesh. Dhe të ruhemi secili prej secilit.

Fundi i pandemisë nuk do të vjen para verës 2021, e ndoshta edhe fundi i vitit 2021. Vaksinimi në masë nuk pritet të fillojë para tremujorit të dytë të vitit të ardhshëm.

Prandaj duhet të përgatitemi për një dimër dhe pranverë të vështirë për të mos thënë të tmerrshme. Përndryshe secila familje do të përjetojë momente të rënda, pa përjashtim. / Reporteri / KultPlus.com

Kardiologu shqiptar kritikon Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë

Kardiologu shqiptar Fahri Beqa, i cili jeton dhe punon prej 12 viteve në Berlin, përmes një postimi në facebook ka reaguar ndaj njoftimeve të IKSHPK në të cilat thuhet se viktimat nga COVID-19 kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Sipas tij kjo nuk është e vërtet, pasi jo të gjithë personat që kanë ndërruar jetë nga ky infeksion kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Ai shtonë se vetëm personalisht ka njohur tre persona që kanë vdekur nga COVID-19 e që s’kanë pasur sëmundje të tjera.

“IKSHP definitivisht duhet t’a largojë nga lajmërimi i përditshëm i rasteve të reja pozitive me Sars-Cov2 dhe të vdekurve nga COVID-19 pjesën e fjalisë ku thuhet “të vdekurit kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese. Të paktën personalisht i kam njohur 3 persona që kanë vdekur nga COVID-19 dhe nuk e kanë pasur asnjë sëmundje shoqëruese”, thotë Beqa, njofton albinfo.ch.

Beqa thekson se ky veprim tingëllon edhe si relativizim apo arsyetim i vdekjeve. Sipas tij Covid-19 prek të gjitha moshat. Po ashtu të gjithë pacientët me apo pa sëmundje shoqëruese mund të përfundojnë me fatalitet.

“Përveç tjerash kjo tingëllon edhe si relativizim apo arsyetim u vdekjeve. Nga COVID-19 mund të preken dhe mund të vdesin të gjitha moshat dhe të gjithë pacientët me apo sëmundje shoqëruese. Po ashtu edhe mund të shërohen të gjitha moshat dhe pacientët, me apo pa sëmundje shoqëruese. Prandaj nuk është etike e as humane që pacientët me sëmundje shoqëruese të futen automatikisht në kategorinë që ata janë të vetmit që po vdesin nga COVID-19. Sipas statistikave dhe analizave që databazës së të vdekurve në Itali, 28,2% e të vdekurve nuk kanë pasur asnjë sëmundje shoqëruese para pandemisë, dmth kanë qenë plotësisht të shëndoshë”, shprehet ai.

Beqa thotë se me këtë formë të raportimit IKSHPK po ofendon rëndë për viktimën dhe familjen.

“Prandaj kjo pjesë e fjalisë duhet të hiqet, përndryshe shpërndarja e pasaktë e informacioneve për të vdekurit nga një institucion shëndetësor është ofendim i rëndë dhe mund të ketë edhe konsekuenca juridike që mund të inicohen nga familjarët e të vdekurve”, ka shkruar Beqa në Facebook.