Nisin xhirimet e filmit të animuar për fëmijë ‘Fani në kërkim të dritës’

Xhirimet e filmit të animuar për fëmijë “Fani në kërkim të dritës” kanë nisur në Pogradec, ku regjisori Artur Dauti dhe stafi i produksionit kanë xhiruar dublat e para.

Pas xhirimeve në terren, puna do të vijojë në studion e animacionit, ku do të fokusohet i gjithë procesi i realizmit të filmit.

Nuk bëhet akoma i ditur kasti i aktorëve që do të interpretojnë zërat e personazheve në film, por sipas producentes Gerta Qurku filmi pritet të jetë gati vitin e ardhshëm.

Filmi shënon nga të paktat prodhime shqiptare të animuara për fëmijë, duke rikthyer kështu vëmendjen në një gjini të zhvilluar pak dhe me ritme të çrregullta pas viteve ‘90.

Historia tregon rreth një xixëllonje e cila ndryshe nga të tjerat nuk ka dritë dhe i duhet të përshkojë një sërë aventurash për të kuptuar dhe gjetur forcën e saj. Përmes udhëtimit dhe një seri ngjarjesh përcillet te fëmijët jo vetëm vlera e miqësisë, besimi te vetja, reagimi ndaj bullizmit, por edhe kujdesi ndaj mjedisit.

“Fani në kërkim të dritës” një prodhim i shtëpisë filmike “Action Production”, është mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Ai bazohet në librin për fëmijë, me të njëjtin titull të shkruar nga autorja Rovena Rrozhani e cila është edhe skenariste e këtij filmi.

Libri ka fituar çmimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe është shpallur fitues i çmimit “Bukinist” për vitin 2020 ndërsa ishte në 5 librat më të mirë të vitit të shpallur nga Ministria e Kulturës./atsh/ KultPlus.com