Restoranti i shqiptarit Faruk Neziri, renditet në mesin e 100 restoranteve më të mira në botë

Me nominimin e komunitetit global të liderëve të restoranteve italiane dhe anëtarëve të ITCHEFS-CVCI, njëri nga themeluesit e pare të lëvizjes “Shije Shqiptare”, Faruk Neziri, tashmë është pjesë e top 100-shes më të mirë botërore të restoranteve italiane, me vlerësimin dhe përzgjedhjen e MELIUS- forumi i global i restoranteve më të mira Italiane nëpër botë.

“La Perla”, në Graz të Austrisë, është restoranti të cilin Neziri e krijoi dhe ushtron veprimtarinë e tij që nga viti 2016.

Në karrierën e tij prej masterchef-i, Neziri njihet edhe si fitues i çmimeve të tjera në artin e kulinarisë. Kështu, në vitin 2012 në Cortemilia, fitoi çmimin kombëtar “Best antipasto di pesce alle nocciole” (Antipastë me peshk dhe lajthi). Pastaj, në vitin 2013 ai u nderua me Çmimin Ndërkombëtar “Talenti Italian në Botë”, me ç ‘rast, Presidenti i Republikës Italiane z.Giorgio Napolitano, i jep atij edhe shtetësinë italiane.

Neziri, njihet edhe me botimin e librit të tij “La cucina e l’arte. Gli ingredienti dello Chef” (Kuzhina dhe arti. Përbërësit e kuzhinierit). Faruk Neziri, vazhdimisht kontribuon në promovimin dhe përhapjen e kulturës tradicionale shqiptare të gatimit. Këtë e dëshmon edhe angazhimi i tij në lëvizjen “Shije Shqiptare”.

Shije Shqiptare, është lëvizje e themeluar nga tre shefa shqiptarë kuzhine, të cilët veprojnë nëpër vende të ndryshme dhe qëllim kanë promovimin e kuzhinës tradicionale shqiptare, duke organizuar darka dhe aktivitete tjera promovuese në mbarë trevat shqiptare, Evropë e Amerikë. Shije Shqiptare, në fund të muajit tetor, do të lëvizë në Maqedoni, për të realizuar eventin e radhës, ku i pranishëm do të jetë edhe Faruk Neziri dhe grupi i shefave të cilët do të përkujdesen për menutë, ndërsa eventi do të organizohet nga Dynamic L.L.C./ KultPlus.com