Fatime Blakaj me të drejtë quhet “Nënë Tereza” e dytë shqiptare. Që nga viti 1992 së bashku më shoqatën austriake “Allianz für Kinder” (Aleanca për fëmijë), ka mundësuar shërimin e rreth 2800 fëmijëve, kryesisht shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova.
Sa herë takohemi apo dëgjohemi në celular në Austri, zonjën Fatime Blakaj gjithmonë e shoh të gëzuar dhe të lumtur. “Jam shumë e lumtur. Ata fëmijët që të pata treguar që i morëm para disa muajsh nga Kosova dhe Shqipëria, i kemi kthyer tek familjet e tyre, shëndosh e mirë. Tani, kemi marrë disa fëmijë të tjerë. Derisa po flisja me ty, në krahun tim e zuri gjumi Liorin, i cili është vetëm 9 muajsh. Gjatë gjithë kohës jam kujdesur për të. Nga 19 korriku është në Austri. Në trupin e tij të vogël janë kryer tri operacione jo të lehta. Urojmë që këto ditë të kthehet shëndosh e mirë në Kosovë dhe pranë familjes së tij”. Ishin këto fjalitë e para që mi thoshte zonja Blakaj, para se të më tregonte se si është vet me shëndet.
“Unë jam, mirë kur janë mirë fëmijët”
“Unë jam mirë kur shoh shëndetin e fëmijëve të përmirësuar dhe shërimin e tyre”, më tha pastaj ajo.
Fatime Blakaj që nga viti 1992 është pjesë e shoqatës “Allianz für Kinder ”(Aleanca për fëmijë) në Steyr të Austrisë. Kjo shoqatë që udhëhiqet nga drejtori Michael Schodremayr, dhe në stafin e saj janë të gjithë mjekë austriakë, vazhdon të bëjë një punë të jashtëzakonshme për shërimin e fëmijëve të vendeve të ndryshme, por më së shumti të Shqipërisë dhe të Kosovës. E një ndihmë të pakursyer për më shumë se 25 vite në këtë drejtim e ka dhënë edhe zonja Fatime Blakaj nga Istogu e cila jeton në Austri.
Humanistja Blakaj për afro tri dekada shërbim në këtë shoqatë, ka bërë qindra fluturime në Kosovë e Shqipëri. Me mijëra kilometra nëpër spitalet austriake ku qëndronin fëmijët për shërim. Shumë net pa gjumë. Në raste të shumta, fëmijët i qendrojnë për javë e muaj edhe në shtëpinë e saj. Përkujdeset për ta për të ngrënë dhe pirë, për veshmbathje dhe gjithçka tjetër. Në mungesë të prindërve, me fëmijët sillej si një nënë e dytë. U ofron përkujdesje e buzëqeshje, ngrohtësi dhe shpresë për shërim të shpejtë.
Edhe pse në pension, vazhdon të kontribuojë për shërimin e fëmijëve
Muaj më parë ajo ka dalë në pension. Por megjithatë dashuria, lidhjet e krijuara me fëmijët dhe humanizmi që e ka në shpirt, e bëjnë atë që të vazhdojë të jetë aktive dhe e gatshme për të kontribuuar në shërimin e fëmijëve në Austri.
“Në “Allianz für Kinder” kushdo që hyn, nuk e ka të lehtë të ndahet. Unë jam mishëruar me këtë staf të mrekullueshëm por edhe me fëmijët që vijnë në Austri për shërim. Do të vazhdoj të kontribuoj për aq kohë sa mundem”, shprehet për “albinfo.at”, humanistja, Fatime Blakaj. Ajo shton se këto ditë një studente e informatikës nga Prishtina, e cila pas trajtimeve që kishte marrë në Spitalin e Salzburgut, është kthyer shëndosh e mirë në Kosovë. “Dita Ibrahimi është studente e informatikës në Prishtinë. Ajo vuante nga një sëmundje për të cilën nuk gjente shërim në Kosovë. Ia mundësuam të vinte për shërim në Austri. Operacioni i saj kushtonte 26 mijë euro, por me ndihmën time, bëmë që operimi të bëhet me 5 mijë euro. Pranvera është shëruar dhe vijon studimet në Prishtinë”.
Përfshirja e Kosovës në program, meritë e saj
Gjatë gjithë veprimtarisë së kësaj shoqate, deri më tash zonja Fatime se bashku me shoqatën kanë sjell në Austri afro 2800 fëmijë të moshave 0-13 vjeçe. Afër 400 fëmijë nga Afganistani, dhjetëra nga Moldavia dhe një numër i vogël nga Angola dhe Gaza, ndërsa të gjitha rastet tjera kanë qenë nga Shqipëria dhe Kosova. Derisa Shqipëria ka qenë në programin e shoqatës që nga fillimi, zonja Fatime thotë se përfshirja e Kosovës ka qenë pikërisht iniciativë e saj. Ajo ka arritur ta përfshijë Kosovën në program vetëm nga viti 2003. Ndërkohë, të gjitha shpenzimet për shërimin e fëmijëve bëhen falas dhe i merr përsipër vetë shoqata. “Ne përkujdesemi për gjithçka, që nga pranimi i fëmijës e deri të kthimi i tij tek familja”, nënvizon humanistja Blakaj.
Brenda vitit shoqata merr deri 100 fëmijë për shërim. Kompania ajrore “Austria Airlines” dhuron 100 bileta avioni për udhëtimin e këtyre fëmijëve, ndërsa nëse ndodh të marrin më shumë, atëherë duhet që vetë shoqata të gjejë donacione shtesë për të mbuluar shpenzimet. Shërimi i fëmijëve zgjatë me nga 1 – 3 muaj varësisht nga nevoja për shërim”, na thotë ajo.
Gjatë bisedës me të, zonja Blakaj na tregon edhe për rastin më të vështirë që ka përjetuar në gjithë këtë veprimtarinë humane të saj prej afro 30 vitesh. “Ndër rastet më të vështira do të veçoja atë me djalin nga Tirana, i cili kishte pirë acid dhe qëndroi për një kohë të gjatë në gjendje të rëndë. Ai sot është shumë mirë”, kujton ajo .
Të gjithë e thërrasin nënë
Zonja Blakaj është e lidhur aq shumë me fëmijët sa që të gjithë e thërrasin nënë. “Lidhemi aq shumë mes vete sa që qaj me lot kur ndahemi. Me gjithë shpirt i thërras djem dhe vajzat e mia, edhe ata më thërrasin nënë”, shprehet ajo për “albinfo.at”.
Sa herë që Fatimja viziton Kosovën dhe Shqipërinë ajo gëzohet kur takohet me fëmijët e shëruar të cilët përmes duarve të saj sot jetojnë të lumtur dhe të buzëqeshur. “A ka më lumturi për njeriun e kësaj toke se sa të shohësh ata djem e vajza sot të qeshur dhe të lumtur. Ka shumë prej tyre që para 20 viteve ishin fëmijë me probleme të mëdha shëndetësore. Kishte që nuk mundnin as të lëviznin, ishin në karroca, ndërsa tash kur i takoj qoftë në Kosovë apo Shqipëri, ata janë të rritur, të martuar, kanë krijuar familje dhe punojnë në profesione të ndryshme si: arkitektë, farmacistë etj”, na thotë e lumtur zonja Fatime.
Zonjës Blakaj nuk i bën përshtypje nëse interesohen mediat ndonjëherë të shkruajnë për punën humane të saj. Nuk i intereson se a kujtohen ndonjëherë shtetet shqiptare t`i japin të paktën një mirënjohje për kontributin e saj. Për të është i rëndësishëm vetëm shërimi i fëmijëve, rrugë kjo të cilën ajo është e vendosur për ta ndjekur deri në frymën e fundit të jetës së saj!
E mishëruar me punën që bën
Në “Allianz für Kinder” kushdo që hyn, nuk e ka të lehtë të ndahet. Unë jam mishëruar me këtë staf të mrekullueshëm por edhe me fëmijët që vijnë në Austri për shërim. Do të vazhdoj të kontribuoj për aq kohë sa mundem”.
Mirëqenia e fëmijëve “të saj” është më e rëndësishmja për Fatimen
“A ka më lumturi për njeriun e kësaj toke se sa të shohësh ata djem e vajza sot të qeshur dhe të lumtur. Ka shumë prej tyre që para 20 viteve ishin fëmijë me probleme të mëdha shëndetësore. Kishte që nuk mundnin as të lëviznin, ishin në karroca, ndërsa tash kur i takoj qoftë në Kosovë apo Shqipëri, ata janë të rritur, të martuar, kanë krijuar familje dhe punojnë në profesione të ndryshme…”
P:s: Artikulli fillimisht është botuar në revistën albinfo.at / KultPlus.com