Nga Fatjon Xhafaj
E mban mend herën e fundit kur je ulur në kafe me dikë, qoftë edhe me grupin tënd shoqëror, dhe nuk e keni ndërprerë bisedën për të parë ekranin e smartphonit tuaj? Po kur keni ngrënë darkë në familje dhe askush nuk i ka hedhur sytë nga celulari i vetë?
Nëse nuk arrin t’i përgjigjesh këtyre pyetjeve, mos u mërzit. Ti je një ndër shumë të tjerët që nuk e lëshojnë dot nga duart smartphonin e vet. Ndoshta nga dikush mund të shihet si arritje e madhe interneti dhe teknologjia. Pjesërisht ka të drejtë, sepse sot të gjithë janë më të informuar dhe më të hapur ndaj temave që dikur shiheshin si tabu.
Por sa normale është të shohësh dikë t’i bjerë të fikët dhe të ecësh pa e ndihmuar, duke menduar se rëndësia e atij mesazhi që të erdhi në rrjetet sociale, është më e madhe se jeta e dikujt tjetër? Sa normale është të lësh mikun tënd të flasë përballë teje në lokal, ndërkohë që ti ia kushton vëmendjen tënde miqve të tu virtualë?
Sa mirë ndihesh ti kur sheh se koha të ka fluturuar nga duart në rrjetet sociale, ndërkohë që mund të jepje më shumë rezultat në punë, apo në shkollë?
Më vjen keq të them se kjo shoqëri, është shoqëria e humbjeve të mëdha. Ne po humbasim kohën, gjënë më me vlerë që kemi, dhe nuk duam t’ia dimë. E nesërmja na gjen sërish me celularin në dorë, të gatshëm për ta mbushur ditën me muhabetet pa përfitim në rrjetet sociale.
Ne sot po zhgënjehemi duke parë jetën e bukur e plot luks të personazheve publikë shqiptarë, ose të huaj. Krahasojmë veten me to dhe na duket vetja një hiç, sepse neve na mungon bukuria e tyre e siguruar nga plastika. Neve na mungon luksi i tyre i ekzagjeruar dhe i modifikuar nga photoshop-i.
Por ne e krahasojmë veten me to, sepse realiteti i rrjeteve sociale bën pikërisht këtë gjë. Të zhgënjen ty, mua dhe këdo tjetër, duke parë se si jeta e dikujt tjetër lulëzon në dukje, ndërkohë që jeta jote ka marrë të tatëpjetën. Për sa kohë që shoqëria jonë të jetë shoqëria e dukjes dhe mburrjes në rrjetet sociale, ky realitet do të vazhdojë të ekzistojë.
Mendoni ju se personazhet publikë nuk kanë halle? Mendoni se jeta e tyre është e gjitha me momente të bukura dhe me veshje firmato nga më të fundit?
Dua thjesht t’ju sjell në vëmendje Selena Gomez, vajzën bukuroshe më të ndjekur në rrjetin social “Instagram”. Ajo vuan prej Lupusit Eritematoz Sistemik, një sëmundje reumatizmale që shoqërohet më dëmtime sistemike në organe. Më së fundmi, ajo iu nënshtrua edhe një transplanti të njërës veshke, për shkak të dëmtimeve të mëdha që kishte pasur prej sëmundjes së saj.
A lexuat ju ndonjë shkrim të saj se si ndihej pëpara ndërhyrjes? Po ndonjë shkrim prej prindërve të saj se sa keq ndiheshin që e bija e tyre po kalonte në një situatë kaq të vështirë?
Sigurisht që jo. Sepse sot po reklamohet e bukura, idealja, perfektja. Sot nuk ka vend për pendesa. Por ky realitet kaq i bukur në dukje, është zhgënjyes për dikë tjetër që nuk arrin dot të shohë përtej kësaj fasade.
Gjithçka që na serviret në rrjetet sociale, është thjesht fasadë, sepse sot njerëzit i lumturon mburrja dhe dukja. Sot nuk ka rëndësi çfarë ndjen, sot nuk ka rëndësi sa ke. Sot ka rëndësi se sa reklamon. Ndjenjat anë kaluar në plan të dytë…
Eh, humbje pas humbjeje edhe kjo punë…
Fatjon Xhafaj – bota.al